Ndriçim Kulla/
Në qoftë se do mungosh me votën tënde ditën e votimeve duhet ta dish se Abraham Lincoln ka thënë: “Zgjedhjet i përkasin popullit. Është vendimi i tij. Nëse ata vendosin t’i kthejnë shpinën zjarrit dhe të djegim të pasmet e tyre, atëherë atyre do t’u duhet që të rrinë ulur mbi flluskat e lëkurës së tyre”. Lincoln ka folur akoma më tepër me një gjuhë të kuptueshme për masat e gjëra të votuesve. A nuk duket se ai ka folur për votëshitësit shqiptarë të kohës së sotme? Sipas kësaj që thotë Lincoln, del se ti i dashur votëshitës do ta përdorësh votën tënde si një pishtar të ndezur për të djegur veten nga prapa, dhe do të duhet që në katër vjetët e ardhshëm të ulesh mbi plagët që i ke shkaktuar vetes, duke duruar dhimbjen e madhe. Kur ta djegësh votën tënde duhet ta dish se ish-presidenti amerikan, Lindon B. Johnson ka thënë: “Një njeri pa votë, është një njeri pa mbrojtje”. Këtë që thotë Johnson, ti i dashur votëshitës ndoshta e ke më të vështirë ta kuptosh se sentencat e para. Por sipas kësaj që thotë Johnson, munguar ia ke dhënë mbrojtjen tënde atij që do ta përdorë pushtetin për qejfet e tij.
Kur ta humbësh votën tënde duhet ta dish se një tjetër ish-president i famshëm amerikan, Franklin D. Roosevelt ka thënë: “Askush nuk do të mund ta privojë kurrë popullin amerikan nga e drejta e votës, përveç vetë popullit amerikan, dhe mënyra se si mund ta bëjë këtë është duke mos votuar”. Kjo shprehje duket se është një përmbledhje e të gjitha sentencave të mësipërme, të thëna nga paraardhësit dhe pasardhësit e Franklin D. Roosevelt. Domethënë se populli amerikan duke mos dashur të bëjë vetëvrasje ditën e zgjedhjeve, as të djegë të pasmet në zjarrin që do të ketë ndezur vetë, as të mbetet pa mbrojtje, nuk e fal për asgjë në botë të drejtën e votës dhe ushtrimin e lirë e të përgjegjshëm të saj. Kur ta shesësh votën tënde, pastaj nuk të mbetet veçse të aplikosh për lotarinë amerikane, që të shkosh të jetosh në vendin që është bërë i begatë në sajë të përgjegjshmërisë së qytetarëve të tij për votën, të qytetarëve të tij të edukuar me sentenca si ato që kam thënë më lart. Por, nëse nuk fiton në këtë lotari dhe dihet se pjesa më e madhe nuk fitojnë, nuk të mbetet veçse të mendosh për të rregulluar vendin tënd, dhe kjo gjë nis që nga vota jote.