`Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako
Bashkudhëtimi rastësor me primadonën e “Shqipville”, Ledja Canaj, gjatë fluturimit Tiranë – Bruksel, i ngjan proverbit të njohur “kur s’shkon Muhameti te mali, shkon mali te Muhameti”. Ndonëse kishim rënë dakord prej kohësh që të kryenim intervistën e famshme, asnjëherë nuk arritëm të koordinoheshim në Bruksel në ditët dhe orët e mundshme.
Por, duke qenë se Ledja është gati 24 orë e angazhuar në “ShqipVille”, shtëpinë e kulturës shqiptare në Bruksel, është gati e pamundur, që ta ngujosh në një intervistë dyorëshe. Për mua ishte rastësi ideale, që një forcë e jashtme, na vendosi bashkë në të njëjtën linjë fluturimi, madje edhe që arritëm të ujdisim të ulemi me njëra-tjetrën.
Për Ledian, njeriun më dinamik e më pak fatalist që kam njohur në jetën time, që e ha fatin me dhëmbë, nuk e lë ta hajë fati, ishte një intervistë në kushte çnjerëzore, sikurse më tha me një dozë humori, kur i afrova telefonin që të regjistroja rrëfimin e saj.
“Jemi të ulura në daljen e urgjencës, nga pjesa e sipërme aeroplanit pikon pakëz ujë dhe një rrymë e ftohtë ajri, që s’po arrijmë të gjejmë se nga vjen, na sjell bezdi e mornica gjatë fluturimit prej 2.5 orësh”.
Zhurma e aeroplanit, do shoqërojë gjithë kohës intervistën tonë.
***
Unë mendoj, që njeriu priret të provojë eksperienca të reja në mënyrë organike. Që të arrish në disa konkluzione, duhet të kesh përshkuar më parë disa rrugë, shtigje, ekzigjenca me veten, përballje me realitetin, dështime personale, konfrontime me mendime të kundërta, pra eksperienca që ndodhen gjithmonë jashtë zonës së komfortit. Dhe unë kështu e pata eksperiencën time migratore në Belgjikë, në 2016-n, kur u bëra pjesë e refugjatëve të kampeve të Belgjikës, sepse më duhej ta lija vendin tim. Lënia e vendit, të paktën në rastin tim nuk ka qenë zgjedhje, por zgjidhje.
Në realitet Shqipërinë s’e kam lënë asnjëherë, kam lënë vetëm sistemin. Kur lë një sistem, s’do të thotë se do që të zhbësh çfarë të përket nga vendi, pra nuk do që të zhbësh faktin e të qenit shqiptare, nuk do që të zhbësh faktin, që ke lindur në Vlorë, që ke edhe kolegë e miq të mirë; ti nuk urren as vendin, as veten, sepse nuk do që të jetosh në kriza ekzistenciale për gjithë jetën. Kështu që kur ika, më duhej të ikja, sepse Shqipëria për fat të keq na ka përjashtuar me mënyrën si është ngritur sistemi, si funksionojnë apo nuk funksionojnë gjërat. Shumë prej nesh e ndiejnë veten të përjashtuar, disa gjykojnë që s’jemi mjaftueshëm të zotët për t’u përballur me luanë e kuçedra. Por jeta nuk duhet të jetë në mood lufte, por paqeje.
Nuk u ndjeva asnjëherë e lodhur nga profesioni im i gazetares në Shqipëri, por isha e revoltuar nga përballja që shpeshherë më duhej të bëja, për të ruajtur integritetin e profesionit. Pasioni i gazetarisë ka qenë një ëndërr e hershme, që nga vitet e fëmijërisë. Deri vonë, kam pretenduar se hyj te njerëzit me fat në këtë botë, meqënëse kam pasur mundësi të zhvilloj profesionin që doja gjatë 15 viteve të rrugëtimit tim si gazetare. Por, në një vend që votat shiten e blihen, mendoj që i gjithë zinxhiri shoqëror ka rënë. Nuk desha ta gënjej më veten me idenë, që gjërat do të rregullohen dhe të justifikohem me faktin, që jetojmë në Shqipëri. Për këtë arsye vendosa të vij në Belgjikë, me idenë që fillimisht do të bëja çdolloj pune, vetëm e vetëm që të mos kthehesha pas. Nuk mund të pretendoja, që po veja në Belgjikë për t’u bërë gazetare.
Fillimisht, pritshmëritë e mia në Belgjikë ishin shëndeti i vajzës dhe një punë për të mbijetuar, në një vend që tipi i njeriut nuk zgërlaqet, nuk tjetërsohet, nuk bie pre e presioneve. Madje mendoja, që duke qenë se industria e ndërtimit rekrutonte më shumë njerëz të këputur si puna ime, isha e gatshme të vija një palë kominoshe, një kapele në kokë e të punoja bojaxheshë. Megjithatë puna ime e parë ishte pastruese dhe e kam bërë me shumë ndërgjegje, me shumë kujdes, sepse pastroja 13 apartamente BRB. Pasi mbaroja së pastruari, përpiqesha t’u bëja turistëve të BRB-ve, një guidë simbolike me shkrim dore, se ç’mund të bënin në Bruksel në fundjavë apo se çfarë s’ duhej të humbsnin nga Belgjika pa e vizituar. Pas pesë muajve të parë, kjo u vlerësua nga pushuesit, por edhe nga pronarja, aq sa donte të më bënte menaxhere. Mirëpo, unë zakonisht nuk marr përsipër funksione për të cilat nuk ndihem kompetente. Pavarësisht se u shpreha mirënjohjen dhe falënderimet e mia, ndihesha mirë në atë punë që bëja, sepse merrja reviews si pastruese shumë e mirë dhe kjo më mjaftonte. Desha me ato pak lekë të siguroja ushqimin, t’i blija ndonjë kukull vajzës, një libër apo biletë muzeu.
Kisha krijuar bindjen, që në Belgjikë nuk meritoj asgjë më tepër, për sa kohë nuk kisha dhënë gjithë potencialin tim, brenda integritetit e mundësive të mia. Që në fillim m’u desh të pyesja veten: çfarë po kërkoj, përse po vij në Belgjikë? Po vij për t’i siguruar një jetë dinjitoze vajzës sime dhe vetes, që do të thotë, të jem njeri i lirë, të bëj fëmijë të lirë, të aplikoj në një vend pune ku gara është e ndershme, të rritem nga ana njerëzore, funksionale, profesionale, të kem homologë e bashkudhëtarë me të cilat mund të ndajmë të njëjtat aspirate. Në këtë jetë jemi të përkohshëm, nuk duhet të sillemi në mënyrë abuzive, duke qenë se të gjithë do të ikim një ditë, ka dy zgjedhje: O do lëmë gjurmë, o do lëmë njolla. Dhe unë kam menduar gjithmonë që, dua të iki nga kjo jetë e përmbushur shpirtërisht.
Nuk mundem të ndaloj, jo ngaqë kam ambicie të mëdha, por se kam detyrime të mëdha, ëndrra të mëdha, mirënjohje të madhe ndaj njerëzve, që dua t’u them faleminderit; ndaj sugjerimeve, këshillave, informacioneve, që më vinin prej këtyre njerëzve mendjendritur. Mendoja, që as babai im e as gjyshi im s’kishin dhënë ndonjë kontribut në vendin e ri ku zgjodha të jetoja, në mënyrë që unë dhe vajza ime të kemi të drejta të barabarta me shtetasit e tjerë belgë, ndaj dhe unë duhet të jepja betejat e mia. Që në fillim ka qenë kjo qasje, ndaj nuk jam deprimuar. Gjatë kohës që isha pastruese, nuk kisha mundësi financiare të blija as gazetë. Të gjithë ne gazetarët kemi nevojë të konsumojmë informacione dhe të lexojmë çdo ditë çfarë ndodh në botë, kush e fitoi Nobelin, titujt kryesorë të botimeve të fundit në Europë dhe në botë, shkrime që ndikojnë në mendimin e masave.
Gazeta ka qenë një element që më ka shoqëruar më shumë se një dekadë, më e lira në Belgjikë kushtonte 3.5 euro. “Metro” është një gazetë që dhurohet falas në metro. Fillova të lexoj çdo ditë, me idenë që përmes gazetës do të mësoja frëngjishten në mënyrë autodidakte. Pas muajit të shtatë kuptova, që çdo mëngjes haja propagandë.
Në fillim s’kuptoja çfarë shkruhej, desha të vrisja syrin, veshin, si fjalët shkruheshin e lexoheshin ndryshe. Pas muajit të shtatë, fillova të kuptoj 70% të kontekstit që lexoja. Ai ushqimi që unë e merrja falas, më kishte deformuar mendimin, sepse unë lexoja vetëm gjëra që duhet të edukoheshin masat. Fillova të kuptoj ndryshimet mes gazetave e mediave, p.sh., që sa më të shtrenjta ishin, aq më cilësore i kishin editorialet.
Pasi mora letrat, fillova të punoj si interpretuese ligjore te Cetis, përfundova një lloj formacioni për të qenë intepretuese ligjore në sistemin publik belg. Atë eksperiencë s’do ta shkëmbeja me asgjë. Kemi qenë më shumë se 150 veta, staf internacional, më shumë se 70 nacionalitete. Përmes diferencave kulturore, pikëpamjeve të ndryshme, shikon se sa të bukur janë njerëzit, sa diversë, sa të ngushtë e kemi ne mendimin, sa rrezikojmë të vdesim injorantë nëse nuk i hapim sytë, mendjen, zemrën ndaj mendjeve, që mendojnë ndryshe nga ne. Ky ishte një shok kulturor, por edhe një lloj iluminimi, kënaqësie.
Një nga personazhet që përjetësisht do t’i them faleminderit, është Marc Frederix; pikërisht në një periudhë, që jeta ime s’ kishte marrë ende një drejtim të qartë, isha thjesht një numër, s’mund të kisha as kartë shëndeti, as të punoja zyrtarisht. Doja, që në këtë vakum të investoja te ndërtimi i vetes, të mos bëja komprimise me askënd e për asgjë, të mos tjetërsohesha nga vuajtja, problemet, dhimbja. Do kalojë mendoja, është diçka e përkohshme dhe ishte atëherë, që pashë një thirrje, që u jepte mundësi kandidatëve me potencial të kishin një mentor per 6-12 muaj. CV-të e kandidatëve që do të përzgjidheshin, do t’u jepej mundësia, që të kishin një mentor belg, që mund të ishte edhe një personalitet nga fusha të ndryshme, varej nga profili yt.
Vendosa të aplikoja dhe më vjen një përgjigje, që CV-ja dhe letra e motivimit i plotësonin kushtet për të pasur një mentor, por leja ime e qëndrimit nuk i plotësonte kushtet të më jepnin një mentor.
Ndonjëherë duhet ta them me zë të lartë, i jam shumë mirënjohëse vetes sepse nuk i nënshtrohem fatit, por fati ndonjëherë duhet marrë realisht prej flokësh dhe duhet vënë aty ku beson se jeta jote duhet të jetë. Shkova te kjo organizatë, «Duo for a job », dhe bëra një analizë, se sa pa logjikë dhe pa kuptim janë ndonjëherë rregullat përjashtuese. Ai rregull, që ti e ke vënë në mënyrë taksative, pret shumë koka. Ndërkohë që këtu është gjenialiteti, cilësia e HR-ve, e menaxherëve, e CEO-ve, mos t’i nënshtrohen një roboti që përcakton fjalët kyçe, mos t’i nënshtrohen një rregulli që përjashton rastin dhe kërkova takim me gjithë drejtuesit e asaj organizate. Nëse ti jep një ofertë, këtë ofertë e kanë më shumë nevojë ata, që i kanë këmbët e krahët e prera.
Nuk na udhëheqin këmbët, na udhëheq koka, nuk na udhëheqin letrat, por misioni ynë i brendshëm, prandaj duhet t’i shkojmë deri në fund, pavarësisht pengesave. Më në fund, m’u dha mundësia të kisha një mentor. Preferoja që mentori im të ishte burrë, doja ballafaqim gjinor. Që të vemi te një tërësi më e plotë, dy të ndryshme bëjnë një realitet më të pasur, një bisedë më integrale, më cilësore, më kuptimplotë. Nuk desha të konfirmohesha, desha të ballafaqohesha
Nuk më pëlqejnë mendjet patetike, mendjet mediokre s’më kanë tërhequr kurrë, por vetëm mendjet, që kanë një as nën mëngë. Ndonjëherë mesazhin nuk e absorbon aty për aty, por fuqinë e këtyre mendjeve ti e kupton, kur shkon e lan enët në shtëpi; ai procesi kur ti mendon, kur e kthen anapodha, e përmbys atë që ke thënë, që ke ditur deri dje, kur të ndodhin ca katharsis realë. Mentori im, Marc Frederix, me një përvojë të pasur në industrinë e kulturës, një nga Ambasadorët e MuseumPassMusees, është një njeri brilant. Është një burrë rreth të 60-ve, baba i tre vajzave, bashkëshort i një zonje fantastike Kris Flossie, që edhe ajo është gjithashtu gazetare. Në Tiranë janë si qarqe të mbyllura tavolinat e ideve, të diskutimeve, debateve.
Masa ka imponuar gjithmonë të flitet për life style. M. Frederix është personi i vetëm që më ka parë në gjithë atë luftë të brendshme me veten, duke qarë, të nervozuar, të konfliktohem me shtetin belg, të hap çështje, të ngre padi, të hap gjyqe, të kërkoj të drejtën time deri në fund dhe kam dashur përherë ta surprizoj. Gjithmonë kur aplikoja për vende pune, nuk i thosha gjë, por kisha ambicien që t’ia shpërbleja me ofertat, që unë merrja. Dhe kur ne kishim takimin e radhës, i thosha e fitova edhe këtë, e fitova edhe atë.
Belgjika është një shtet me një sipërfaqe prej 30.689 km2, por për nga tipologjia, funksionaliteti dhe roli që ka luajtur në gjithë këto vite, ka arritur të jetë faktor ekuilibrues mes dy superfuqive, si Gjermania e Franca dhe shteteve të Bashkimit Europian. Belgjika është krijuar kryesisht nga bashkekzistenca e flamanëve e valonëve, dy prej popullsive kryesore të Belgjikës. Doja të njihja të dyja mentalitetet, atë flaman e valon; vetëm për shkak të këtij oksigjeni që qarkullon midis dy mendësive, dy popujve, që si emërues të përbashkët të bashkëjetetsës kanë vënë aleancën, nevojën e dhënies-marrjes nga njëri-tjetri, janë si e mira dhe e keqja ndonjëherë, si dy pjesë puzzle që krijojnë një shtet më komplementar; kanë krijuar stabilitet edhe kur ka pasur instabilitet, qeveria ka qëndruar në këmbë, pa pasur qeveri. Pjesa e Flandrës për shkak të shtrirjes së tokës, prodhimeve blegtorale e bujqësore është më rurale, kurse pjesa valone ka pasur stil tjetër jete, më urbane, edhe për shkak të klimës pak më të ngrohtë. Belgjika, për shkak të këtij heterogjeniteti që e karakterizon, ka krijuar një lloj kanali për të absorbuar, për t’i dhënë mundësinë edhe nacionaliteteve të tjera jo-belge të integrohen në realitetin belg. Pra, ata janë mësuar të ndajnë, të përshtaten, të pranojnë dhe të falin.
Sidomos vitet e para të qëndrimit, përballesha me një realitet ku fjala Shqipëri dhe shqiptar, asociohej me krimin, mafjen, drogën e prostitucionin. E kam pasur shumë të vështirë ta pranoj, sepse jam rritur në një familje, që më ka mëkuar me përgjegjshmëri, me ndjenjën e ndershmërisë e devotshmërisë, të njeriut civil, komunitar, që i dhemb edhe e keqja e komshiut, të përfshirjes për të mirën e përbashkët, të ndajmë atë që kemi, si vlerë, si plaçkë, si mall, si informacion. Për një vit e gjysmë i kam pasur çdo ditë sytë me lot në Belgjikë, sepse shikoja që të gjithë mendonin keq për shqiptarët dhe nuk e pranoja dot.
Nisa të kërkoj rreth mënyrës së organizimit të komunitetit shqiptar në Belgjikë, në kishin një tempull, një medium, a kishin arritur të arshivonin vlerat, kontributet nga viti 1956 e deri më sot, a kishin bërë një inventar të kapaciteteve njerëzore, sa ishin shkolluar, çertifikuar, diplomuar, sa kanë blerë banesat e tyre, sa kishin dy nacionalitete belgo-shqiptar. Ishte nevoja e brendshme për ta parë kombin shqiptar të nominuar, me kontribute pozitive, me vlera, me histori, kulinari, etnografi, art. Ne nuk jemi primitivë, nuk jemi barbarë – nuk mund ta pranoj. Nuk kam asnjëlloj ndjesie inferioriteti ndaj asnjëlloj race, asnjë lloj cepi të botës. Secili popull spikat për identitetin e origjinalitetin e tij dhe nuk e kemi të pakët, thjesht nuk e respektojmë sa duhet
Në vitin 2017 nisa të shkruaj projektin për të hapur një shtëpi kulture për shqiptarët. Doja të promovohej shqiptaria me të gjitha kontributet që ka dhënë. Te ne nuk prevalon feja, por kombi. Secili nga ne është i cunguar vetëm, të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë. Kam lindur pas vdekjes së Enverit, por pavarësisht se sistemi ka rënë, sistemi është ende gjallë, për sa kohë shoqëria nuk ka dalë nga dhimbja, mjerimi, izolimi, pamundësia, mungesa e konkurrencës. Kjo ishte ëndrra, të krijonim një shtëpi kulture për t’i treguar botës kulturën shqiptare. Projekti që kam shkruar në 2015-n ka qenë një projekt shumë ambicioz, përfshinte të paktën tre kate, ku çdo kat do të kishte një sipërfaqe prej 200 m2, me 9 – 12 vende pune në secilin kat. Kati i 3 do të ishte Muzeu i Diasporës Belgo-Shqiptare, për të treguar evoluimin e diasporës. Im atë e pa projektin, me tha unë besoj te ty, por për momentin ështe projekt i madh, mundohu ta bësh në miniaturë. Më rezonoi fjala e babit dhe i thashë nëse e bëj në miniature, do ta bëj në vendin më strategjik.
Projekti u shkrua pas eksperiencës 1 vjeçare në kampin e refugjatëve. Puna ne “Radio Panik” dhe në emisionin “Jehona e Shqipes”, më dha mundësi të njoh diasporën. Vlerësimi si Ambasadore Zyrtare e BON (Shkolla e integrimit- njohja e të drejtave dhe detyrimeve në Belgjikë) në vitin 2017 e në vazhdim, më ka dhënë njohurinë dhe motivimin se një vend duhet ta duash, që të mund të zhvillohesh. Misioni im mbetet gazetaria dhe shpërndarja e informacionit cilësor e praktik. U jam përjetësisht mirënjohëse Komunës së Brukselit dhe Lydia Mutyebele Ngoi/ Kryetares së Regie Foncier ( ajo pati kurajon t’i thoshte fillimisht “Po” këtij projekti, që kur ishte në letër).
Nga dëshira për ta parë të përfaqësuar sa më mirë veten dhe shqiptarët në Belgjikë, zgjodha të ngre ShqipVille, në vendin më strategjik të Brukselit, në Grand – Place. Unë mendoj se shqiptarët kanë dhënë aq kontribut në Belgjikë, sa për të qenë në Grand – Place. Më është dashur të bëj muaj të tërë luftë për ta fituar atë vend. Ishte më se e logjikshme rezistenca e institucioneve belge për të kuptuar qëllimin, vizionin tonë. Në fund, më është bërë një pyetje: “Përse e doni pikërisht në Grand – Place?”. Sepse jemi 122.000 shqiptarë të regjistruar nga të dhënat e Eurostatit, 30 mijë – 50 mijë prej tyre kanë edhe nënshtetësi greke dhe italiane, përveç asaj shqiptare, por figurojnë të regjistruar si grekë e italianë. Dhe ne kemi një firo të madhe në këtë drejtim. Steriotipi për shqiptarët është penalizues i jashtëzakonshëm. Kam parë raste, që i kanë të gjitha rekuizitat për të qenë lart dhe stepen nga të qënit shqiptar. Kam hasur njerëz, që bëjnë gjithçka për mos t’u dukur që janë shqiptarë, është një luftë me veten, prodhim kompleksi. Studentët shqiptarë janë të rankuar të 4-t në Universitetin e Lirë të Brukselit, në VUB (pjesa flamane) dhe ULB (pjesa frankofone), nga 168 nacionalitete. Si mos ta nominosh ketë gjë? Gjatë pesë vite që kam shkruar projektin, i kam thënë vetes nuk ka mundësi të hapësh një shtëpi kulture, pa kuptuar gjithë shtresëzimin e diasporës dhe valonët e flamanët.
Mbaja çdo ditë shënime se çfarë lajmesh thuheshin për komunitetin shqiptar, desha të gjeja burimin e amplifikimit të stereotipit. Në pesë vjet, kam shënuar 186 lajme negative për Shqipërinë. Iu drejtova Ministrisë së Brendshme belge, të dija sa është komuniteti shqiptar i përfshirë në aktivitete kriminale në Belgjikë dhe përgjigjia ishte 4% në 2009-n në rastin më të lartë. Tani është te 3,6%-3,8%. S’ duhet ta përmbysë e keqja të mirën, sidomos kur e keqja është shumë herë më e vogël. Shqipville u hap në fillim si pop-up për një periudhë tremujore, sepse kaq na u lejua. Gjatë tre muajve të parë kemi pasur një favor sepse kemi paguar 1/3 e qirasë në Shqipville për të eksperimentuar një koncept pop-up. Ditët e para erdhën me qindra vizitorë, belgë, gjemanë, francezë, internacionalë dhe shumë shqiptarë të trevave të ndryshme e shteteve të ndryshme.
Duke qenë se që tre muajt e parë, erdhi një numër i lartë vizitorësh, ne duhet të aplikonim për një kontratë permanente, ku ishin në garë edhe 17 subjekte të tjera, që donin të merrnin atë ambient në Grand- Place. Si përfundim e fituam konkursin, prevaloi ky koncept unik për faktin sepse u pa shumë konkretisht, edhe nga Bashkia, edhe nga institucionet e organizatat, që ky koncept ka qenë shumë i paragjykuar sa ishte në letër, i kritikuar me idenë që aty shumë shpejt do të ndodhte ndonjë incident, për shkak të flamurit shqiptar që valëvitej në Grand-Place. Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë mund të provokojmë edhe pa dashjen tonë, pra përgjegjësia është shumë e madhe.
Shumica e belgëve që i njohin shqiptarët në plan personal kanë eksperiencë shumë të mirë, por masa që s’ka kontakt ka koncept negativ. ShqipVille në datën 28 nëntor mbushi një vit. Deri tani kemi pritur më shumë se 70.000 vizitorë. Që krye të herës kemi vendosur edhe një listë prezence, si mundësi për rrjetizimin e network-ut. Kushdo që do të bëhet anëtar i ShqipVille, mund të shkruajë emër – mbiemër, numër telefoni dhe kjo listë i ka kapërcyer 7000 persona-anëtarë. Aty kanë ardhur në dijeninë time më shumë se 70-80 nacionalitete të ndryshme, të çfarëdolloj race. Në këta 70.000 persona, me një ndarje intuitive, por edhe sipas disa përllogaritjeve, rezulton që mbi 65% kanë qenë të huaj dhe 35% shqiptarë. Shpeshherë me kombësi shqiptare, por të lindur jashtë. Gjenerata e tretë dhe e katërt ndonjëherë, nga Amerika, Australia, madje edhe shqiptarë që jetojnë në Vietnam. Ka pasur shumë surpriza të paperceptueshme. Ajo çka gjejnë në ShqipVille, është se ballafaqohen me një lloj surprize, edhe vetë shqiptarët. Ne deri tani e kemi përfaqësuar shtetin si mos më keq.
Në ShqipVille vizitorët, duke qenë se nuk paguajnë për hyrjen, u bën përshtypje që i presim me karamele “Zana”, me një gotë raki, një pjesë me një gotë verë, me çokollata belge shqiptarët e delegacioneve që vijnë në Belgjikë. U servirim raki të çdolloj treve, raki are, raki speci, thane, karafili i egër, të Skraparit, nga Kosova, etj. Shitja ka qenë pasive, librat mund të shiten, verërat, etj., por Shqipville nuk është e orientuar drejt shitjes. Shitja është pasive sepse ne jemi organizatë dhe që të mibjetojmë kemi nevojë për një burim financiar, që të gjenerojë qarkullimin. Kemi mundësi të marrim artistë, autorë, të shpiem një grup belgësh për ta njohur nga afër Shqipërinë, t’i japim mundësi një të riu apo të reje shqiptare që ka rezultate shumë të larta, por s’ka mundësi burse, të shkollohet
Politikën duam ta mbajmë larg, Shqipville nuk përfaqëson asnjë forcë politike, nuk ka orientim politik, pasi vetë ne emigrantët jemi të persekutuarit e politikës shqiptare. Shqipëria ka prodhuar të persekutuar në çdo sistem. Akoma në Shqipëri është e kujt je, sa lekë do të më japësh. Nuk ka ikje në kushte ideale, edhe ato në dukje ideale, e kanë problemin gjetkë. Në Shqipëri ne kujdesemi për pastërtinë e hapësirës private, por jo asaj publike, çfarë nuk është e jona, e degdisim. Kjo ndodh sepse jashtë respektojnë rregullat e hierarkinë, e njohin cilësinë e gjykatave, kurse ne nuk ndiejmë përgjegjësi kolektive, sepse nuk kemi respekt për hapësirën kolektive dhe shprehet me neglizhencë.
Të huajt befasohen kur u themi ‘’Mirëserdhe në Shqipëri”, se nuk e perceptojnë që do gjejnë në Bruksel një shtet tjetër. Vizitori gjen në Shqipville etnografinë shqiptare në qilima, simbole si çiftelia e gdhendur në dru, produkte artizanale të Mrizit të Zanave, ajvarin e Krushës, që është një nga historitë më revolucionare, që kanë prodhuar gratë shqiptare, si t’i mbijetosh luftës kur burrat të shuhen, botime, kopertina, etj. Merr ca thirrma shpirtërore e britma mbijetese, ka një përpëlitje, por edhe sofistikim arti. Na ka rastisur të vijnë vizitorë të huaj, 80 vjeç e sipër që e patën vizituar me misione të ndryshme Shqipërinë në kohën e komunizmit dhe ti habitesh kur të tregojnë për Hotel Dajtin, Patokun e plot gjëra të tjëra. Shumë nga këta të huaj kanë marrë trenin disa herë nga destinacionet e tyre për në ShqipVille, në mënyrë që të shterojmë bisedat, që s’mundëm të përfundonim më parë.
Cilësia e diasporës shqiptare është e jashtëzakonshme, sidomos gjenerata e re dhe nuk nisem nga motive patriotike apo atdhedashuria. Janë inteligjentë, e kanë absorbuar rrethanën e prindërve, vlerësojnë sakrificat e tyre. Flasin 3-4 gjuhë të huaja, performojnë mirë kudo, në punë, në shkollë, në sport, kanë atdhedashuri të pastër, kanë nostalgji për tokën e gjyshit. Më shumë se 4600 biznese janë të hapura nga nënshtetas me kombësi shqiptare, por nuk kemi asnjë produkt “Made in Albania” në treg. ShqipVille, do që t’iu japë mundësi produkteve shqiptare të bëhen pjesë e një tregu europian, t’i japë mundësi diasporës shqiptare të ndihet e përmbushur, të zhvillojmë projekte.
Në ShqipVille kemi futur Shqipërinë si destinacion turistik përmes një prej kompanive më të rëndësishme flamane dhe më shumë se 8000 belgë kanë shkuar sivjet në Shqipëri. Janë turistë luksi, me paketa 4 yje plus dhe gjysma e tyre erdhën të na tregojnë se sa mirë kanë kaluar në Shqipëri, janë mallëngjyer nga mikpritja, janë mrekulluar nga gastronomia, nga peizazhet, nga diversiteti i relievit. Më shumë se 6 familje belge kanë blerë apartamente në Shqipëri, kryesisht në Përmet. Në bashkëpunim me dhomën e Tregtisë së Brukselit e Beneluxit, çdo të enjte bëjmë promovim të produkteve “Made in Albania” and “Made in Kosova”, thërresin CEO-t e supermarketve më të rëndësishme, produkti shkon te kontakti i duhur, te somelierët e duhur. Çdo dy javë promovojmë artistë, bëjmë ekspozita, me të huaj e shqiptarë. Deri në muajin shkurt, kalendari i ekspozitave është i përcaktuar. Çdo javë kemi degustim vere, podcaste, intervista. Kemi realizuar më shumë se 6000 intervista me njerëz të nacionaliteve të ndryshme.
Ajo çka vërej, është që njerëzit botërisht ndihen më pak të përfaqësuar nga politika, ose politika duhet të ridimensionohet ose njeriu të ristartojë vendin e vet në shoqëri. Në ShqipVille janë lidhur dhe shumë çifte, dashuri me shikim të parë, që i shtohet energjisë që ka kjo shtëpi.
Eksperienca që më ka bërë shumë përshtypje, ka qenë kur policët belgë erdhën në ShqipVille dhe po ruanin flamurin shqiptar në sheshin qendror të Brukselit nga frika e incidenteve pas ndeshjes së ekipit të futbollit të Marokut me një ekip tjetër në Kampionatin Botëror. Kur loz Maroku, për shkak të komunitetit të madh maroken, shpeshherë ka incidente në Bruksel. Duke qenë se flamuri marokan, ashtu sikurse edhe ai shqiptar, e ka sfondin e kuq, mund të krijohej konfuzion e të binim pre e ndonjë sulmi. Policët kanë qëndruar më shumë se 6 orë jashtë dhe për mos t’i trembur vizitorët, u thoshin “Mirësevini në ShqipVille”. Bordi i ShqipVille bashkon një numër të madh personalitetesh nga trevat shqiptare, madje edhe nga komuniteti arbëresh i Italisë, por edhe emra të njohur belgësh, si Marc Frederix që përmenda më lart , Nicolas Wieers, Drejtues i Festivalit “Balkan Trafik”, Michael De Cock, Drejtori i Teatrit Flaman, Sakip Skepi, CEO i Radios “Jehona e Shqipes”, etj.
Vizioni ynë është që ShqipVille të ketë franchise në kryeqytete të ndryshme të botës, por vetëm nëse kjo vjen si kërkesë e natyrshme nga diasporat përkatëse. ShqipVille është një motor që ndizet në 10:00 të mëngjesit dhe fiket për pak në 22:00 të darkës. Ka organizuar me qindra aktivitete, ka punësuar me dhjetra njerëz dhe ka dhënë zgjidhje për çështje juridike, legalizimi, pasaportizimi, ekuivalence diplome, karta shëndeti, regjistrime shkolle, etj. Së fundi, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare të ShqipVille nga institucionet vendore belge dhe shteti shqiptar e ai i Kosovës, objektivi ynë është mbledhja e një fondi prej 50.000 mijë eurosh nga qytetarë e donatorë të ndryshëm për krijimin e ShqipVille Social Bar & Podcast. Ne promovojmë kulturën shqiptare në një prej ndërtesave arktitekturore të sheshit më të njohur të Brukselit. Në këtë mënyrë, qëllimi ynë është i dyfishtë, jo vetëm promovimi i kulturës shqiptare në Bruksel, por edhe ai kulturës belge njëkohësisht, arkitekturës, historisë, artit, etj.
Postuar në 19 Dhjetor, 2023 17:19
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako.