NGJYRAT
Nga Qazim Shehu
Konturet e kujtesës vijëzojnë me shkumës,
Errësirën që rri njenjës ,kurrë shumës,
Errësirën që vjedh ngjyrat e prapë na i jep,
E mëshirshme ndaj nesh, vjen koha i vjedh,
I kall në gji të saj ,sikur s`qenë,
Dhe ulemi ,për të thurim një poemë,
Ku grimcat e saj frushullojnë gjithë lakmi,
Të kapin ngjyrat e vjedhura me dredhi,
Të kuqen, të bardhën, vjollcën,
Duke na shpotitur për sa u lodhëm…
KËRKOJ NJË RRUGË
S`kërkoj të gjejnë rrugën tek unë,
Këtë rrugë e mbaj sekret,
Vetëm me veten kam punë,
Më duhet rrugë, për tu bërë shenjt.
Ca rrugë që më dalin përpara,
Në trarë besimi mbi një ndërtesë,
Ku rëndom strehohet fjala,
Varkë mes dallgës së pabesë.
Ca rrugë që mirë i shoh,
sa u afrohem, ngatërrohen,
Nga ngasjet që më lodhin,
Nga syri që verbohet,
Prej rrugëve të tjera me tepri,
Jashtë kodeve të stisura morale,
Të ec me ta e ndjej stuhinë,
Ndëshkimet fatale.
Jashtë tyre s`mund të ec,
I ndjej rrugët sekrete brenda vetes,
Si rrezja në tela ngec,
Në tymin e mpirë të brengës.
Xhevahiret që do nisja karvan,
Në këto rrugë të fshehta,
Brenda vetes po shpërndajnë,
Copra yjesh të vdekura…
SHOH
Shoh shpesh një qiell pa yje,
Që ia dha një qielli më lart,
Nëntë qiejt e parajsës mbi krye,
Qielli ynë i mban me inat.
Dhe i duhet yjet të mërgojë,
Të verbërve ua jep për sy,
Nëntë qiej të parajsës joshin
Ai i mban mbi shpinë me mërzi…
LULE E PAFAJSHME
një lule të pafajshme
larg aromës, flirtit,
mund ta shihje në formë të ngjashme,
në thatësi të shpirtit.
Ajo vetëm emrin e lules mba,
Asgjë tjetër me të s`përkon,
Gjersa shpirti të dënesë pa pra,
Të lëshojë mbi të shpresë për aromë..
KËSHTJELLË E DITËS
Dita hollohet, trashet shpesh,
Dita, kjo manovratore e madhe,
E thurur me zbrazëti midis nesh,
E mbushur dëng me përralla.
Nëpër shkallët e grafikut të saj,
Ngjitem të kap ndonjë marri,
Duke sulmuar kështjellën fallso,
Ku asnjë kështjellar nuk rri.
SYRI MAGJIK
Ne mbyllim një portë dhe na duket
Se pas saj nuk ka njeri.
Syrin magjik ,ciklop fshehur në blind,
E vemë për siguri.
S`ka qenë kështu.Kështu u bë,
Ciklopin thirrëm nga lashtësia,
Gjersa të dalë nga blindi dhe të na shohë,
Për të na përzënë nga shtëpia…
PA LEJEN E LASGUSHIT
Pa lejen e Lasgushit mora mjaft aromë,
Nga vargjet e tij.Ai vetë ia mori tokës,
Liqenit dhe barit të njomë,
Trëndafilit të syrit të palodhur.
Toka të gjitha i dha për mua,
Lasgushi m`i mori i pari,
Tani e ndjek poetin e dënuar,
Të japë aroma me trill të marri.
YLLI I VETMIMIT
U pamë, u ndamë ,
Bënim të iknim, s`iknim.
Si ylli që s`fik një yll,
Diçka të fiknim kishim harruar,
Yllin që ndez vetmimin e dashuruar.