


Nga Shpend Sollaku-Noe’/

Plagët e thella herë-herë heshtin, edhe për një kohë të gjatë. Por pikërisht atëherë kur i mendon të shëruara, mjafton një ashkël e një kujtimi të dhimbshëm, për t’i bërë të kullojnë gjak rishtazi. Më ndodhi edhe mua, ndërsa shkruaja për të ndriturin Kostaq Stefa dhe të shoqen e tij, të mbivuajturën Eleni. In primis nuk kish sesi të mos më lëndohej plaga kurrë e patharë e familjes time, jeta e sime mëje me gjashtë famijë, me shtëpi të sekuestruar në të cilën futën qeraxhinj, të cilën u desh ta paguajmë edhe njëherë për dhjetra vite, që të mos bëhej e shtetit.
Është kjo fazë e jetës në të cilën na u desh të luftonim urinë, përçmimin, imitimin e prangave me duar, nëpër cepa rrugësh, nga bijtë e atyre që na kishin dënuar babanë me akuza që i besuan vetë ata lloj zvarranikësh, diferencimin që u kulmua me mosdhëninen e të drejtës për të studiuar në universitet, me dërgimin në baltrat e Ndërnenasit, mes llumrave të rrezikshme – mbetje të metalurgjisë, me sakrifikimin e tri viteve të tjerë të rinisë mes shkëmbinjve te Sazanit.
Në kësi rastesh shqiptarët qesin në pah virtutet e tyre më të spikatura. Sidomos të liga. Nuk dua të përmend drejtorët që nuk mbahet mend sa herë më kanë propozuar për të më përjashtuar nga shkolla. As edhe sekretarët apo instruktorët e devotshëm të rinisë që na qepeshin pas për një “basetë” pak më poshtë se kocka e partisë, apo për një palë pantallona të jashtëligjshme. Këta kishin brenda të gjithë vrerin e mundshëm, aq sa ndokënd që nuk kish kockë të fortë mund edhe ta kishin lënë pa frymë ashtu si pickimi i nëpërkës që poshtë gurit.
Shtysë për këto rreshta u bë një grua e hirshme, një grua shtalartë, një grua inteligjente dhe aq e mirë në shpirt saqë është mëkat që brezat të mos e kujtojnë.
Quhej Nebaet Kolliçinaku. E mira Nebaet ishte e internuar në Plug në atë periudhë.
Nënën time, në fillim e kishin pushuar nga puna si të padenjë për të edukuar fëmijët e komunistëve. Shkoi në dreq gjithë veprimtaria e saj illegale gjatë luftës, gjithë lufta e saj për zhdukjen e analfabetizmit në Myzeqe për vite të tëra, duke filluar menjëherë pas 1944-ës, përpjekjet dhjetravjeçare për ngritjen dhe konsolidimin e arëmit në Lushnje, sidomos të atij parashkollor.
Pas një periudhe papunësie, Shadien time e lejuan të jepte mësim, por e emëruan mes baltrave të Myzeqesë, pikërisht atje ku njohu Nebaetin. U bënë aq mikesha ato dy gra saqë, siç tregon djali i saj – Gazmir Kollçinaku – nëna ime shpesh shoqëronte Gazin e vogël në shtëpi, sepse gjoja ishte pa qejf. Kështu mund të shkonte në atë familje të të internuarve pa probleme.
Siç edhe e kam përmendur më parë, familja jonë nuk do të kish mbijetuar pa ndihmën e dajallarëve në Lushnje, por edhe të kushërinjve të babait në Berat, nga të cilët nuk mund të lë pa parmendur të ndjerin Gani Duro – djalë i tezes së babait tim. Shpesh ndihmat jepeshin si borxhe, që ime më ia arriti t’i shlyente deri ne qindarkën e fundit, kur fëmijët e saj u rritën dhe nisën të punonin.
Ndër ndihmëdhënësit e familjes tonë ishte edhe Nebaeti, zonjë e vërtetë edhe mes baltrave të Plugut.
Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek mikesha e saj, për të kërkuar borxh. Në shtëpinë tonë nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle! Për festime të tjera as që ëndërronim.
Falë shpirtit të gjërë të Kollçinakëve, edhe ne bëmë një farë feste atë Vit të Ri.
Eh, Nebaet, Nebaet. Ku është strehuar në qiell zemra jote e madhe? Cili prej zotave ai arriti të të ketë pranë? I mendoj si tani ndërsa grindeshin. “Është e imja, është e imja!”