


Sokol Paja/
New York, 1 nëntor 2026 – U promovua në New York vepra poetike “Nën hijen e blinit” e studiuesit Hamid Alaj. Një promovim kushtuar fjalës artistike e poetike ku përmes kujtimeve e përjetimeve, autori sjellë për lexuesin jo vetëm botën e pasur shpirtërore por dhe identitetin e tij krijues. Libri e shëndërron përvojën personale në një emocion të përbashkët komunikativ dhe artistik. Nën prezantimin e Selman Haxhimuratit, regjistrimin e Besnik Bardhit dhe organizimin e shoqatës Kraja, mbështetur nga shoqatat “Besi”, “Muriqi”, “Ana e Malit”, Qendra e Komunitetit Shqiptar në Staten Island u kthye në një pikëtakim emocionesh njerëzore, përjetimesh artistike e suksesi komunitar. Promovimi filloi me poezinë “Nën hijen e blinit” interpretuar mjeshtërisht nga moderatori Selman Haxhimurati duke ngjallur emocion te të pranishmit përmes çdo fjale që të kujton vendlindjen e identitetin krijues të autorit. Sulejman Velaj, kryetari i shoqatës “Kraja” në fjalën përshëndetëse theksoi se libri i Hamid Alajt përmban rrëfime e përjetime nga shpirti krijues i autorit, është një mundësi për lexuesit për të vlerësuar punën krijuese e hulumtuese dhe një dëshmi se fjala e shkruar ruan emocione dhe vlera kulturore për ta trashëguar brezat që vijnë.
Në emër të komunitetit krajanë veprimtari Hysen Kraja dërgoi një përshëndetje të lexuar nga Lumi Demiri ku thekson se “Nën hijen e blinit” nuk është vetëm një vepër letrare por një udhëzim në kujtesën tonë, të rrënjet tona, të vendet ku është ruajtur fjala shqipe, tradita dhe jeta e përbashkëta e Krajës. Nëpërmjet librit poetik dhe krijimtarisë së z.Hamid Alajt, kemi rastin të rikthehemi edhe një herë të ato hije, ku dikur kuvendonin të parët tanë me qëllim që të përdorim, të qeshim e të ruajmë lidhjet tona me traditën e rrënjët. Në emër të shoqatës “Besi” përshëndeti kryetari Sejdin Xhaferaj i cili përcolli dhe përshëndetjet e kryetarit të shoqatës “Muriqi” Shaban Hoxhaj, teksa dhe Iso Xhaferaj kryetari i Qendrës Shqiptaro-Islame në Queens, recitoi një poezi kushtuar këtij promovimi. Nazim Hoxha dhe Sabrina Xhaferaj përshëndetën gjithashtu promovimin dhe vlerësuan krijimtarinë poetike të Hamid Alajt.
Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra duke evidentuar vlerat e studiuesit Hamid Alaj i cili është një emër i nderuar ndër krijuesit e vepruesit e mërgatës së Amerikës me kontribute të larta në aktivitetet krijuese, artistike, kulturore, komunitare dhe atdhetare.
Bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi se poezia e Hamid Alajt mbështetet në gjuhën e përditshme, në të folmen e vendit të tij dhe në një ndjenjë të drejtpërdrejtë. Përmes vargjeve ai ruan jo vetëm kujtesën e Krajës, por edhe mënyrën se si kanë folur e menduar brezat tanë. Nën hijen e blinit është një libër për njerëzit që kanë ikur, për ata që kanë mbetur dhe për vendet që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh. Mërgimi mund të na ndryshojë adresën dhe mënyrën e jetesës, por jo me do e mos, rrënjët tona.
Imam Edin Gjoni theksoi se Hamid Alajn e njohim si njeriun që na e ka sjellë Krajën pothuajse në të gjitha përmasat e saj – shkollat, veshjet tradicionale, këngët popullore, dasmën krajane – me durimin e atij që e di se ajo që nuk shkruhet, harrohet. Ato ishin libra të kujtesës sonë të përbashkët. “Nën hijen e blinit” është diçka tjetër: libër i shpirtit. Këtë na e thotë vetë, që në faqen e parë: ky nuk është një libër ku mbi fletët e bardha ka shkruar poezitë e tij, por një libër ku, mbi fletët e bardha, ka hedhur, “edhe një pjesë të shpirtit tim”. Është shkruar me bojën e shpirtit. Shumë prej këtyre poezive janë shkruar këtu, në New York, nga një njeri që ka mbi tri dekada në gurbet – e që zemrën nuk e ka lëvizur kurrë nga rrëza e Rumisë dhe bregu i liqenit. “Nën hijen e blinit” na rrëfen një histori që njerëzimi e ka treguar dhe kënduar prej mijëra vjetësh: historinë e njeriut që largohet nga shtëpia, por që nuk arrin ta largojë shtëpinë nga vetja. Është Odiseu që qan në brigjet e një ishulli, sepse dëshiron të kthehet në Itakë. Është Leopold Bloomi që endet nëpër rrugët e Dublinit dhe, në fund të ditës, kthehet në shtëpi. Është poeti arab që ndalet përpara gjurmëve të një vendbanimi të braktisur. Është Ademi që largohet nga Kopshti i Edenit. Dhe është një njeri nga Kraja, i cili, pas shumë vitesh në mërgim, kthehet në kujtesën e tij te hija e një blini, ku dikur gjallëronte një botë e tërë. Prandaj libri i Hamid Alajt meriton të lexohet. Jo vetëm sepse flet për Krajën, por sepse, duke folur për Krajën, ai prek diçka që i përket të gjithë njerëzimit, tha ndër të tjera Imam Edin Gjoni.
Autori Hamid Alaj në fjalën e tij theksoi se libri “Nën hijen e blinit“ nuk është thjesht një emërtim libri. Ai përfaqëson një pjesë të historisë sime personale, dashurinë për vendlindjen dhe lidhjen me njerëzit me të cilët kam ndarë vitet e rinisë. Për mua, ai blin është më shumë se një pemë: është dëshmitar i kohës sonë dhe simbol i bashkimit të brezave. Përmes këtij libri, kam dëshiruar që ky kujtim të mos mbetet vetëm në shpirtin tim, por të marrë jetë edhe në faqet e librit dhe të ndahet me lexuesit. “Nën hijen e blinit“ është një udhëtim shpirtëror nëpër kohë, një rikthim te rrënjët dhe te përjetimet që kanë formuar identitetin tim. Në këtë libër zënë vend, vende konkrete të fshatit tim dhe të Krajës: vani, ublat, rrugët me kalldrëm, blini dhe liqeni. Secili prej tyre mbart kujtime dhe përjetime që janë pjesë e historisë sime personale. Përmes poezisë, përpiqem t’i ruaj këto vende jo vetëm si pamje të së kaluarës, por si pjesë të gjalla të kujtesës sonë, u shpreh ndër të tjera studiuesi Hamid Alaj. Shoqata “Kraja” e nderoi autorin Hamid Alaj me Certifikatë mirënjohjeje për kontributin dhe veprimtarinë e tij të shquar për Krajën dhe komunitetin shqiptar në New York.