Nga Anton Cefa*/
Atë ditë aq të pritur prej shekujsh, prej vitesh, prej orësh, atë ditë të 17 Shkurtit, kur në ndërgjegjen kombëtare u përvijua e dyta datë e Madhe, pas 28-ës së Nëntorit, m’u ndërmend vetëtimthi ai shfrim i furishëm impulsi i gjakut tonë, aq bukur i shprehur prej Poetit : “Erdhi Dita e Arbrit!”
E kujt nuk iu përlot syri dhe nuk i gufoi shpirti tallaz gëzimi e krenarie, duke parë shqiptarët që pushtuan sheshet jo vetëm ato të trojeve tona, në Kosovë e Shqipëri, në Dibër e Malësi, po edhe në mbarë botën, kudo ku jetojnë ata! Me ditë vazhduan festimet, u valëvitën flamujt, shpërthyen brohoritjet, jehuan këngët më të bukura dhe u hodhën vallet më të gëzueshme prej shqiptarëve të veshur me rroba festive të stolisura me ngjyra e simbole kombëtare! Qenë këto ditë që do të na ndrisin gjithnjë me bardhësinë e tyre, që na bënë të shprehim para gjithë botës, si asnjë herë tjetër, veten tonë si popull dhe, po ashtu, edhe ta njohim më mirë veten tonë. Dhe na njohu e na kuptoi njëherë e mirë e gjithë bota, që u gëzua me ne, na përshëndeti dhe na uroi me zemër të hapur. E gjithë bota pau se si gëzohet shpirti i lirisë, ai shpirt optimist e entuziast, i etshëm prej shekujsh për t’u shprehur në plotninë e vet, në vetëdijen dhe nënvetëdijen e vet, ai shpirt i çiltër e këmbëngulës që synon veç ecjen përpara. Pau e u çudit se sa fort shqiptarët e ndarë më dhunë e duan njëri-tjetrin dhe e ëndërrojnë e vlerësojnë bashkimin.
Po çka se do të jenë dy shtete, dy administrata qeveritare, dy parlamente, dy data pavarësie, kur kemi një zemër dhe një shpirt! Do të jemi një e të bashkuar në shtetin e shpirtit tonë, shpirtit të kombit tonë, që nuk njeh kufij gjeografikë, por që, e thënë hapur, e ka të vështirë të pranojë dy flamuj, sado që njëri është thjesht një oportunitet politik i nevojshëm. Shqiptarët gjithnjë do të jenë shpirtërisht të bashkuar, do të glorifikojnë një hero kombëtar, do të shkruajnë një histori në një gjuhë të veten, do të kultivojnë një kulturë mbi të njëjtat rrënjë të qëmoçme, dhe do të valëvisin një flamur, flamurin e kuq të shpirtit tonë me shqiponjën me dy krerë, shtizën e të cilit e kemi të ngulur thellë në ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen tonë; sepse ky flamur është simbol i patjetërsueshëm i qenies sonë, i vetëdijësimit tonë për ndjenjën e rrënjosur që motit të përkatësisë sonë etnike dhe të qenësisë sonë kombëtare, i ruajtjes së identitetit tonë si komb i lashtë, i plazmuar me virtyte aq të fisme, për t’u marrë si shembull prej të gjithëve.
* * *
Dita e madhërishme e 17-ës, na përhirohet sot e do të na përhirohet mot, së bashku me figurën e lavdishme të ideusit e të luftëtarit këmbëngulës të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të Parë të saj, atdhetarit idealist, burrështetasit të urtë e të nderuar prej gjithë botës, gandistit të madh Ibrahim Rugova. “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit të vendit tim”, pati thënë ai qartë e bukur, në Senatin Evropian, kur ky Forum i Lartë e shpalli atë Anëtar Nderi, në vitin 2004. Është ky vullnet politik që u jetësua atë ditë të 17-s dhe do të jetësohet më tej, kur Kosova do të hyjë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Me këtë vizion politik transparent, me këmbëngulje, durim e urti të pashembullt, ai arriti ta bëjë të njohur çështjen e Kosovës në të gjithë botën, i siguroi asaj miqësinë e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe me mbarë botën.
Në vitet e ndryshimeve kolosale, që ndodhën në të gjithë botën, por sidomos në Europë, nga shembja e komunizmit, Kosova shkroi një histori të lavdishme, për t’u paraqitur si shembull në historinë botërore i një lufte të qytetëruar gandiste, dhe i një qëndrese heroike vetëmbrojtëse. Hap pas hapi, ajo, nën drejtimin e tij, me pjekuri politike sendërtoi institucionet që mishëruan idealin dhe vullnetin e saj politik, duke shpallur para gjithë botës, në korrik të vitit 1990, Deklaratën e Pavarësisë, duke miratuar Kushtetutën, duke organizuar zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare. Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të pushtuesit shekullor serb, në Republikën e Kosovës filloi të funksionojë një shtet sui generis, që qe quajtur në atë kohë “shteti paralel” dhe që u shtri në rrafshet më të rëndësishme të jetës politike, shoqërore, ekonomike. U mbajt një armatë e tërë mësuesish që ushtroi detyrën e vet në shkollat e improvizueme, një rrjetë shëndetësore aktive, u ngritën institucione të ndihmës sociale dhe u njëmendësuan detyra të tjera urgjente që kërkonte funksionimi i një shteti. U ndërkrye në përgjakjen e vet marramendëse pushteti kriminal serb, po edhe vërejti me vëmendje Europa dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare rrugën dhe përpjekjet paqësore të një populli të vogël për të fituar të drejtat e tij.
Dhe erdhi Rambuje-ja, ku një dorë e fisme shqiptare u shtri për paqe e miqësi, por mori një përgjigje arrogante: një mohim kategorik. Dhe më pas, ndodhi ajo që ndodhi: çmenduria serbe kaloi çdo kufi, duke dashur ta zgjidhte përfundimisht konfliktin me gjak, për ta zhbërë Kosovën sipas udhëzimeve të dikurshme të Naçertanie-s së Grashaninit dhe projekteve të Çubriloviçit. Kosova organizoi menjëherë rezistencën, siç e ka organizuar gjithnjë. Radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe të nderit kombëtar: Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, për të përmendur një numër fare të vogël, iu shtuan martirë të rinj, Adem Jashari me shokë, me luftëtarët heroikë të UÇK-es. Forcat e NATO-s ndërhynë dhe i dhanë lirinë; OKB-ja dhe Bashkimi Europian e futën atë në rrugën e ndërtimit të institucioneve demokratike; Ahtisari, i ngarkuar nga OKB-ja, përgatiti planin që e çoi Kosovën drejt Pavarësisë.
Kosova e ka dëshmuar gjithnjë që pavarësia është e drejta e saj historike, etnike, shpirtërore, shoqërore, politike, ekonomike, e drejta e saj e shenjtëruar nga jeta e lufta e saj, nga mundimet dhe përpjekjet e saj, nga vlerat, meritat dhe virtytet e saj; ajo e ka dëshmuar që pavarësia është dëshira e saj, vullneti i saj, ëndrra e saj shekullore.
Kosova, në këtë hulli të rrezikshme ngjarjesh, për herë të parë në histori të saj pati përkrah Europën dhe Amerikën dhe, pothuejse, gjithë opinionin botëror, me përjashtim kryesisht të serbëve të mbrojtur si gjithnjë prej rusëve. Fatmirësisht, Europa e sotme nuk është më ajo e Kongreseve Berlineze dhe as e Konferencave Londineze, por është një Europë e Bashkuar, e formësuar mbi ligjëshmërinë e të drejtave njerëzore dhe Amerika është ajo e gjithmonshmja, Amerika e Wilsonit.
. . . . . . .
E ardhmja do të dëshmojë që shqiptarët në Ballkan, duke bërë një politikë të urtë paqësore, do të shndërrohen në një faktor të fuqishëm paqeje e stabiliteti.
17 shkurti e futi jo vetëm Kosovën në rrugën e zhvillimeve normale politike, ekonomike, shoqërore e shpirtërore, që karakterizojnë një shtet, në rrugën e integrimit të saj në bashkësinë e shteteve të lira të Europës së Bashkuar; po dhe gjithë kombit tonë i hapi një prespektivë historike krejt të re, që do ta çojë atë drejt realizimeve të reja të shpirtërimit shqiptar, dhe do ta bëjë faktor të rëndësishëm ndikues edhe për një shpirtërim ballkanik më realist, më human e më paqësor.
*(Ribotim)
KOSOVA*
Kosovën të lirë e paçim,
tonën për jetë,
Kosovën të lirë e paçim!
Në ditën e dasmës së madhe
ta bajmë nuse,
mbi krrelat e ditëve të ardhme
të hedhim kokrra gruni
ugur për Pavarësinë.
*Poezi e shkrueme në kohën kur Kosova vuente nën robninë dhe shtypjen e egër serbe.