Gezim Zilja/
Vazhdoja universitetin, kur ndodhi kjo histori. Telefon nuk kishte kurrkush në atë lagje varfanjakësh, por lajmi u përhap sa hap e mbyll sytë në të gjitha shtëpitë e ulëta njëkatëshe, bërë me ca pllaka të dyfishta prej tallash druri përzjerë me çimento. Një komshi e thirri tim atë te dritarja dhe i pëshpëriti diçka. Babai i ra ballit me pëllëmbë e thirri me të madhe: Mos more!? Njoftoi mamanë me zë të ulët dhe i tha se e priste te “vakia,” Ime më e tronditur nga lajmi, që mori filloi të fliste për të ziun djalë, që as e fejoi, e as e martoi dot e ëma, se e mori vdekja. Pasta ia mori me zë të lartë: Qaj nëno kërcureja oi,oi/Vdiq djali si luleja, oioi… Nuk kishte ndërmend të pushonte me “oitë,” duke ardhur rrotull nëpër shtëpi, të gjente rrobat e zeza. Më kapi një frikë dhe një ankth, që aman o zot! E tërhoqa fort nga mënga e trikos: Kush ka vdekur o ma? Aman moj, mos qaj kështu, se po dridhem nga frika! Mamaja u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe foli midis lotësh: Kujtimi, tu bëfsha kurban, shoku yt, djali i Merjemes. E kishte zënë bunkeri atje në mal…
Kujtimi (Kujtua) ishte shoku im i fëmijërisë. Sa herë shkonim te shtëpia e tij, nënë Merjemja, një grua plot shëndet e faqekuqe, gjithmonë buzagas, bënte dy feta bukë me sheqer, lagur sipër me ujë dhe në ditë festash me ca pika vaj ulliri.
-Jepja Gimit të keqen nëna, se e ke si vëlla! Dhe mos u largoni shumë nëpër çaire… Kështu e porosiste përherë. Gjithë ditën lante rroba, kujdesej për oborrin gjithë lule, gatuante për familjen e madhe, ushqente pulat e rosat, fërkonte me rërë tenxheretë e tepsitë, që vetëtinin nga pastërtia e i vendoste në parvazin e dritares… I ati e futi Kujton në punë, ende pa mbaruar shkollën e mesme, për të ndihmuar shtëpinë si djali i madh i familjes. Më vonë e morën ushtar në repartin e xhenjos. Montonin bunkerë betoni në kodra e male, ku shpesh u duhej të hapnin rrugën të kalonte traktori ose vinçi. Sapo mori lajmin se djalin e kishte zënë kupola e bunkerit nën vete, Merjemja hapi kujen, shkulte flokët e çirrte faqet si e dalë mendsh. Prunë arkivolin. Merjemja iu hodh sipër dhe u bë njësh me të. Më vonë u ngrit në këmbë dhe urdhëroi:
-Hapeni! Dua të shoh djalin!- Po arkivoli nuk mund të hapej. Shokët e repartit e kishin mbërthyr, që mos të hapej dot. – Mirë,- tha. – E kuptova.
E qetë në dukje, e përkulur mbi arkivol, filloi të qante me ligje. Djalë o djalë ç’të kishte ngjarë? Merjeme a derëzeza. /Të ra përsipër një mal. Merjeme a derëzeza/Ike më bëre hatanë! Merjeme a derëzeza./Mos e deshe mëmën pranë?Merjeme a derëzeza./Të të puthja atë ballë!/ Zemrën se ç’ma bëre plagë./ Unë a derëzeza.
Nga larg kënga vinte si një ninullë, kur vihet fëmija në gjumë, por njerëzit brenda dridheshin si purteka e lotonin si gjethja e shelgut pas shiut. Dukej sikur edhe trarët e tavanit po kërcisnin nga dhimbja, e do të këputeshin nga çasti në çast, duke i zënë të gjithë nën vete. As njëzetë vite nuk kishte mbushur. Sekretari i partisë, një burrë i shkurtër me ca mustaqe si vetulla cjapi, me kapelen e oficerit në kokën e qethur shkurt, iu afrua dhe mëtoi ta ngrinte. Nënë Merjemja ia largoi dorën me neveri.
-Ai ra në krye të detyrës. Ne do t’i propozojmë partisë ta shpalli dëshmor. Gruaja (as 50 vjeçe nuk ishte, por ne na dukej e vjetër) u ngrit befas dhe iu drejtua, duke akuzuar:
– Ju ma vratë! Ti me partinë tënde! Ua dorëzova si pëllumb, të bukurin e nënës. Tani më sillni një grusht kockash dhe as arkivolin s’e hap dot. Qërrohuni nga shtëpia ime! Sekretari i partisë me ca ushtarakë të tjerë ikën, duke murmuritur të pakënaqur.
Ditën e “të shtatave” aty në të gdhirë, Merjemja me të shoqin e të afërmit po përgatiteshin të shkonin në varreza sipas zakonit. Ende pa dalë, pranë portës së hapur, ia behu një ZIL kinez me karroceri. Tre punonjës të komunales filluan të ngarkonin orenditë (një kokosh plaçka) dhe dy policë shoqërues, urdhëruan të zotët e shtëpisë të hipnin në ZIL. Nënë Merjemja nuk njihej më. Me supet e varura, sytë e mekur, faqet e futura brenda nofullave të dala, e veshur krejt në të zeza, me sharpin sterrë, që i mbulonte gjithë ballin, brenda javës ishte shndërruara në fantazmë. I shoqi e mori për krahu dhe ajo si një fëmijë i bindur, shkoi pas tij.
Katër muaj më vonë, dhashë provimet dhe u ktheva në shtëpi. U përqafova me mamanë dhe ajo më tregoi: Vdiq nënë Merjemja. As tre muaj nuk jetoi e varfëra, në atë fshatin, ku i internuan. Iu helmua gjaku e i plasi zemra. I la fëmijët jetimë, koka-koka, njëri pas tjetrit. Atje në fshat e varrosën. Pastaj me sytë e përlotur, më afroi buzët te veshi dhe pëshpëriti: – Qenër u treguan dhe këta komunistët. Mirë që ia vranë djalin, por as ta varrosnin pranë tij nuk e lanë, medemek se paskësh sharë partinë…