
Alketa Burimi Kapaj/
Në historinë e një kombi, rrënjët nuk ruhen vetëm nga luftërat apo nga lavdia e burrave, por nga duart e heshtura që rrisin jetën — nga nënat. Ato janë burimi i parë i gjuhës, i dashurisë dhe i kujtesës. Në zemrën e tyre lind fjala e parë, formohet ndërgjegjja dhe mbillet ndjenja e përkatësisë, Në dashurinë e tyre të pakushtëzuar dhe në sakrificën që i ka shoqëruar ndër shekuj, nënat shqiptare kanë qenë gjithmonë drita që nuk shuhet në vatrat tona. Veçanërisht në diasporë, nëna bëhet ura që lidh brezin e ri me atdheun. Ajo ruan gjuhën në shtëpi, traditën në zemër dhe kujtesën në shpirt. Kjo poezi, e shkruar me rastin e 8 Marsit, është një homazh për nënën shqiptare — si burim i jetës, si dritë e përhershme dhe si themel i identitetit që kalon nga brezi në brez.
Nënat Shqiptare – Dritë e Pashuar
O nënat shqiptare, si ju nuk ka,
heroina të heshtura, fisnike, krenare.
Në zemrën tuaj rreh një diell i rrallë,
që botën me dritën tuaj e mbani gjallë.
Dashuria juaj s’ka fund as kufij,
përqafon çdo dhimbje, shuan trishtim.
Në çdo rrahje zemre me ne udhëton,
në çdo hap me shpirtin tonë frymon.
Mençuria juaj si flakë vezullon,
si hëna e argjendtë që terrin shkrin
dhe natën ndriçon.
Bukuria juaj s’shuhet nga stuhitë,
stolisur me dritë nga shekujt e lashtësisë.
Bujaria juaj s’ka cak, as kufij —
“Plot kemi,” thoni me zemrën e dlirë.
Sofra shqiptare kurrë nuk shteron,
bekuar nga Zoti çdo vatër gëzon.
Sakrificat tuaja — lumenj që vërshojnë,
por ju i sfidoni, i duroni, i kapërceni.
Të palëkundura si lisat qëndroni,
dhe me buzëqeshjen tuaj,
si dielli i mëngjesit,
jetën tonë e zbukuroni.
O nënat shqiptare, si ju nuk ka,
jeni stolia e kësaj toke, lavdia që s’ra.
Lum kush ju ka, o dritë e pashuar —
thesar i çmuar në çdo vatër i uruar.
Qofshi të lumtura në jetë e në mot,
si dielli e paçi jetën, me shpirtin plot.
Alketa Burimi Kapaj është autore dhe poete shqiptare që jeton në Florida, e angazhuar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë përmes krijimtarisë së saj letrare dhe punës në Shkollën Shqipe Naples.