Dr. Paulin Marku/
“Nënë Tereza” lindi më, 26 gusht 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997. Gjate misionit të saj religjioz arriti të shërbejë nëpër vende të ndryshme dhe fitoi zemrat e popujve të shumtë. Veprimtaria e saj e gjerë ndër popuj të vuajtur dhe të uritur, të sëmurë e të braktisur, të rinj e të vjetër që e bëri të njohur dhe të mirëpritur në shumë, e shumë shtete të ndryshme. Profili i lartë i Nënë Terezës, çmimi Nobel i Paqes është një vlerë dhe kontribut i rëndësishëm në shoqërinë mbarë botërore, ku padyshim për popullin shqiptar mbetet një përfaqësuese e denjë, e cila nuk ka harruar kurrë origjinën shqiptare dhe interesin për atdheun. Mund të thuhet se temat dhe diskutimet për të hulumtuar për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës janë të pafundme, ku disa prej tyre janë trajtuar me seriozitet nga përfaqësues religjioz e akademik. Por, shumë prej nesh kemi gjithmonë kureshtjen për të ditur për veprimtarinë e saj fetare, raportet e saj me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtare, si dhe në lidhje me vendlindjen e me familjarët. Prandaj, kjo është edhe arsyeja kryesore që humanistja e madhe, Nobel i Paqes dhe shenjtore nga Vatikani do të ngjall interes për t’u thelluar edhe më tepër në misionin e saj.
Profilin e lartë të Nënë Terezës e gjejmë të trajtuar që nga fëmijëria e saj, misioni religjioz në Indi dhe në shumë vende të ndryshme të botës, si dhe marrëdhënieve me përfaqësues të lartë të Vatikanit, Papa Gjon Pali II, Benedikti XVI, deri tek Papa Franqesku. Vlen që të citoj një thënie mjaft domethënëse të Nënë Terezës,“Jeta është vetëm një dhe unë dua ta shpenzoj duke mbjell dashuri deri në ditën e fundit të jetës time që do të marr frymë, kur në të vdesim do të marrim me vete vetëm valixhen e bamirësisë dhe unë do të kërkoj ta mbush sa të kem mundësi”.
Nënë Tereza na jep mundësinë të njohim nga afër dhe të hyjmë në jetën e njeriut të urtë e të dashur që falë lutjeve, sakrificave dhe ndihmave për popuj të ndryshëm hyri në zemrën e secilit . Kjo është një dhunti e Zotit që pa sponsor, pa propagandë televizive dhe mediatike apo lobim të kishës katolike, ajo arriti të ketë impakt pozitiv në mbarë boten. E them botërore sepse veprimtaria e Nënë Terezës ishte e atillë dhe gjithashtu po aq e gjerë dhe e ndjeshme për shtresa të ndryshme sociale-ekonomike dhe kulturore, tek fëmijët, pleqtë, të sëmurë, të varfrit, nëpër popuj të dhunuar dhe të frustruar nga luftëra të ndryshme, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme që të ngrejë raporte, jo vetëm shpirtërore e religjioze por edhe institucionale në mbarë boten. Por, në lidhje me marrëdhëniet e saj me familjaret dhe atdheun gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mbeten një sfide e madhe, të cilës iu refuzua kërkesa për të vizituar familjaret.
Shqipëria e regjimit komunist filloi kalvarin e luftës së pandalshme kundër ideologjisë fetare me 6 shkurt të vitit 1967. Komunizmi urdhëroi mbylljen e institucioneve fetare (kisha e xhamia). Për popullin shqiptar regjimi ishte i ashpër dhe pasojat qenë të mëdha në Shqipëri, përfshirë dhe besimet fetare. Regjimi përdorte forma të ndryshme nga më të dhimbshmet, nëpërmjet torturave deri në eliminimin fizik, persekutimeve, internimeve familjare, dhe, po aq e ashpër dhe me komunitetet fetare, në mënyrë që të ndalohej plotësisht liria e besimit fetarë. Këto pasoja të rënda ndikuan edhe për shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit, pasi iu mohohej e drejta për të vizituar të afërmit në Shqipëri. Po ashtu, pasojat e regjimit ishin të rënda edhe për Nena Terezën e cila kishte në Shqipëri nënë e motrën dhe nuk arriti t’i vizitonte për së gjalli. Njeriu i urtë dhe i dashur që u mirëprit me respekt dhe dashuri në shumë vende të botës, jo vetëm nuk gjeti mikpritje në Shqipëri por saj iu mohua kërkesa që të vizitonte familjaret. Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë shtet ateist. Në dekretin nr. 5912, të korrikut të viti 1979, citoj, “personat që paraqesin rrezik për sistemin shoqëror socialist të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë mund të internohen në mënyre arbitrare dhe për një kohë të papërcaktuar pa asnjë proces gjyqësor. Vendimi për këto dënime do të merrej nga gjykatat por nga organet administrative lokale. Pra, kushdo mund të ishte pre e sistemit dhe mund të dënohej nga organet drejtuese administrative lokale, pa dalë përpara një trupe gjykatësish edhe pse shërbëtore të sistemit komunist.
Përballjet e shqiptareve me regjimin ishin të vazhdueshme me vrasje e dhunë fizike-psikologjike, përsekutime e internime, përfshirë edhe përfaqësuesit fetarë. Përballjet ishin po aq të ashpra dhe të dhimbshme dhe për klerikët katolik në Shqipëri. Regjimi do të rezultonte i ashpër edhe për Nënë Terezën. Malli dhe dhimbja për familjen dhe atdheun u shtua më shumë me 12 korrik 1972, kur i vdiq nëna Drane dhe do të varrosej në Tiranë. Nënë Tereza e pati të pamundur të hidhte një grusht dhe mbi varrin e nënës saj të shtrenjtë, si dhe të motrës, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte refuzuar kërkesën për të hyrë në Shqipëri.
Gjatë kësaj periudhe, Nënë Tereza shfaqte interes të vazhduar për të vizituar trojet shqiptare dhe arriti të shkonte në Prizren në vitin 1970, pas 8 vitesh 1978 vizitoi vendlindjen e saj, Shkupin dhe në vitin 1980 vizitoi Prishtinën ku u prit edhe aty me ngrohtësi e dashuri nga bashkatdhetarët shqiptarë.
Pas vdekjes të diktatorit Enver Hoxha, 11 prill 1985 i cili qëndroi në krye të tiranisë tij për 41 vite, ka disa sinjale sikur po zbutej persekutimi ndaj fesë. Hapja e Evropës lindore dhe njëfarë liberalizimi të politikes së jashtme, ngjallte shpresa tek nënë Tereza se një dite do të vizitonte edhe Shqipërinë. Në gjysmën e dytë të viteve 80-të, dukej sikur diçka po lëvizte edhe pse me ritme të ngadalta. Kështu, pas vdekjes së Enver Hoxhes qeveria bënte ndonjë lëshim dhe mundësoi lirimin e ndonjë kleriku dhe lejoi udhëtimin ndonjë përfaqësuesi religjioz për në Shqipëri. Ajo që kishte pritur gjatë dhe lutej vazhdimisht për popullin shqiptarë dukej sikur po ngjallte shpresën që një ditë edhe humanistja shqiptare do të vizitonte shtetin ateist të izoluar nga regjimi komunist. Me ndërhyrje të ndryshme edhe të autoriteteve ndërkombëtare, Nënë Tereza arriti të shkelë në Shqipëri, më 15 gusht të vitit 1989 që shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme gjate regjimit komunist në Shqipëri. Ajo ishte e mbushur me mall dhe me dhimbje, e cila nuk kishte patur mundësi të vizitonte familjarët për së gjalli dhe as të merrte pjese në varrimin e nënës dhe motrës që prehej në paqen e amshuar në varrezat e Tiranës. Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri ishte me karakter privat por u ndoq me interes nga autoritetet e larta shtetërore dhe lëvizjet e saja ishin të monitoruara nga sigurimi. Pasi takimet me autoritete te larta, si në rastin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha dhe ndalesa në varrin e diktatorit Enver Hoxha, ngjallen kureshtje dhe interes të madh në qarqet kombëtare e ndërkombëtare.
Studiues, Markus Peters në librin e tij “Përballjet e kishës katolike në Shqipëri 1919-1996” e cilëson qëndrimin e Nënës Tereza si një diplomate të mprehtë. Ai shprehet se, edhe pse vizita ishte me karakter privat, Nënë Tereza pranoi të takonte autoritete shtetërore: Ministrin e Jashtëm, Reis Malile; Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha; si dhe vizitoi edhe varrin e diktatorit Enver Hoxha, edhe pse ky i fundit i kishte refuzuar e privuar çdo tentative për të hyrë në Shqipëri. Nënë Tereza do të pohonte: “Jam thellësisht e prekur dhe shpreh mirënjohjen time të thellë viktimave e martirëve të Kombit që kanë dhënë jetën për Çlirimin e Kombit”. Një përkufizim i thelle dhe domethënëse që linte hapësire për interpretim.
Në këtë periudhe, Nënë Tereza ishte në një moshë relativisht të thyer por me një përvojë të madhe humanizmi në spektrin global. Ajo udhëhoqi me pasion e përkushtim “Komunitetin e Dashurisë”, i përberë prej me shumë se 3500 vetë pjese e misionit, të shpërndarë në 470 shtëpi, nëpër vende të ndryshme, për më shumë se 95 shtete të botës, por me një peng në zemër që lutej vazhdimisht që të arrinte të hapte qendrat e saj edhe në Shqipëri. Përpjekjet e saj ishin të vazhdueshme. Më, 2 mars 1991 ajo u rikthye në Shqipëri dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të qeverise shqiptare. Në takimin që pati me Presidentin Ramiz Alia ajo i kërkoi drejtpërdrejt që të hapte qendrat e saj në Shqipëri. Përgjigjja ishte e prerë dhe justifikohej se kushtetuta nuk e lejonte atë, ndaj e kishte të pamundur realizimin e kësaj kërkese. Por me urtësinë e saj, Nënë Tereza pohonte se nëse ekzistonte vullneti dhe dëshira e mirë mundet që të ndërrohet kushtetuta. Edhe pse kërkesa iu refuzua, ajo nuk hoqi dorë për të hapur qendrat e saj dhe në Shqipëri. Shumë shpejt do të hapej qendrat në Shqipëri. Dy qendrat e para u hapen në Tirane dhe në Shkodër. Në vitin 1993 u hapen disa qendra “Komuniteti Dashurisë”, dy në Tiranë dhe nga një në Shkodër, Puke, Durrës, Elbasan, Korçe, etj… .
Hapja e qendrave dhe vendosja e pluralizmit në Shqipëri ishte mundësi e mirë edhe për Vatikanin që të ndërtonte ura bashkëpunimi me vendin ateist që gjatë regjimit komunist kishte mbyllur kisha e xhamia dhe arrestuar e internuar klerikë te ndryshëm duke ndaluar me ligj lirinë e besimit fetar. Më 25 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II-të, së bashku me Nënë Terezën vizitojnë Shqipërinë. Nga katedralja e Shkodrës papa shprehej: “Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, kjo rregulltare e përvujtme ishte ajo qe e përçonte emrin e atdheut në mbarë botën. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë.
Nënë Terezës u nda nga jeta, më 5 shtator 1997 por falë punës, përkushtimit dhe dashurisë që kishte për njerëzit, arriti të kishte famë botërore. Ajo nderohet me respekt the konsideratë të thellë anë e mbanë globit. Po ashtu, Vatikani ndihej krenarë për veprimtarinë e bamirësisë së saj, ndaj hapi dhe procesin e lumturimit, i cili u finalizua me sukses me 19 tetor 2003. Nënë Tereza u shpall e lume dhe në homelinë e rastit së lumturimit, Gjon Pali II pohonte “Madhështinë e saj e shikojmë në aftësinë për të dhënë pa marrë asgjë, për të dhuruar deri në dhimbje, gjithë jetën e saj ishte një Ungjill i gjallë.
Për t’u pasuar më pas me shenjtërimin e kanonizuar, më 4 shtator 2016 në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, celebruar nga papa Franqesku.
Për Nënë Terezën janë shkruar dhe, padyshim, që do të shkruhen edhe libra te tjerë pasi veprimtaria dhe kontributi i saj është jashtëzakonisht i madh. Për vete faktin se ajo u gjend pranë njerëzve të vuajtur dhe të dhunuar, të uritur e të sëmure. Nëna Tereza ndoqi me mall dhe me dhimbje gjendjen në atdhe,
Siç e pohonte Nënë Tereza “Për të promovuar paqe në botë ,shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.