NËNË TEREZA – SHËNJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ – E autorit Dr. Gëzim Alpion/
Nga Frank Shkreli-
Më duhet të them prej fillimit se kam qenë në dijeni se ky libër ishte në përgatitje e sipër, pasi autori, Profesor Dr. Gëzim Alpion, me besim e mirësi, më ka nderuar duke më kontaktuar disa herë me ndonjë pyetje ose për informacion në lidhje me ato që po shkruante– por fatkeqësisht, unë nuk e kam parë ende librin e botuar të cilin pres ta marr së shpejti. Por, me kënaqësi mësova nga disa burime për botimin, përfshir edhe njoftimet nga shtëpia botuese britanike Bloomsbury, e cila ka reklamuar këtë vepër, si pjesë e njoftimeve paraprake të zgjedhura, siç është zakoni nga shtëpitë botuese kudo, para se të qesin në treg një libër. Në mungesë të librit, por bazuar në këto burime të sakta, po shënoj për lexuesin lajmin e botimit të këtij libri në gjuhën anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Profesor Dr. Gëzim Alpion.
Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Newman para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham. Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Biminghamit. Specializimet e Gëzimit janë në disa fusha akademike, përfshir sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë. Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.
Autori i librit të ri, “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, Dr. Gëzim Alpion pretendon se “Tragjeditë personale dhe origjina e saj shqiptare e kanë ndihmuar Nënë Terezën të bëhet personaliteti fetar më me influencë në botë, i kohërave moderne. Krishtërimi shqiptar i ka rrënjët në lashtësinë Ilire dhe qendrimi i Kishës Katolike kundrejt shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, ka shërbyer sim jet në formimin e jetës personale dhe fetare tël Nënë Terezës”, shkruan Dr. Alpion.
Dr. Gëzim Alpion
Siç thashë edhe më lartë, këto shënime po i sjellë për lexuesin, bazuar pothuaj ekskluzivisht në informacionin që jep shtëpia botuese Bloomsbury mbi librin, Nënë Tereza –Shënjtëresha dhe kombi saj, përfshirë edhe disa vlerësime e komente mbi librin nga një numër ekspertësh dhe akademikësh.
“Dalja në shesh e një personaliteti të kalibrit të Nënë Terezës, që njihet anë e mbanë botës, nuk ndodh rastësisht”, ka thënë Dr. Alpion, duke shtuar se, “Ne duhet ta shikojmë dhe ta kuptojmë jetën dhe veprimtarinë e saj në pasqyrën e familjes së saj, në traditat shpirtërore të Kombit Shqiptar”, por edhe në ndikimet e huaja në popullin e saj gjatë shekujsh.
Prandaj, ky libër, sipas botuesit, jep për lexuesin një portret të plotë të kësaj figure me influencë botërore. Portreti i Nënë Terezës paraqitet në kontekstin e origjinës së saj familjare, etnike, kulturore dhe shpirtërore. Jeta dhe veprimtaria e saj përshkruhen në dritën e informacioneve të reja mbi familjen e saj, të traditës shpirtërore të Kombit të saj, përpara dhe pas Krishtërimit, si dhe duke pasur parsysh edhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera me influencë, mbi popullin e saj shqiptar, ç’prej mesjetës e këndej.
Libri mbi Nënë Terezën i autorit Gëzim Alpion, në përmbajtje, përqëndrohet në traumat e jetës dhe në sukseset e saja, si një individ privat dhe si misionare publike, përfshir përshpirtëshmërinë e saj të ndërlikuar. Në libër pretendohet se jeta e Nënë Terezës dhe e historisë së kombit të saj shqiptar, veçanërisht marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të saj me Katolicizmin – janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Zbulimi i kësaj ndërlidhjeje është jetik për të kuptuar se si Nënë Tereza – kjo ikonë humanitare dhe shpirtërore e kohëve moderne – identifikon dhe paraqet para botës DNA-në kulturore dhe shpirtërore të Kombit të saj të lashtë.
Libri është i ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë i përgjigjet pyetjes: “Kush janë Shqiptarët e Nënë Terezës?” Flitet, ndër të tjera subjekte, për origjinën ilire të shqiptarëve e deri tek Perandoria Otomane dhe Turqia; viktimizimi i Shqiptarëve në shekullin e 19 dhe 20, Kalvari dhe vuajtjet e Krishtërimit shqiptar, e tjera ngjarje. Pjesa e dytë e librit i kushtohet “Rrënjëve Shqiptare të Nënë Terezës dhe viteve të saja në Shkup”. Tituj dhe nën-tituj të pjesës së dytë të librit, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nënë Terezës me prindërit e saj dhe me jetën familjare në përgjithësi, ndërsa pjesa e tretë e librit përqëndrohet në “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin dhe me Kombin shqiptar”.
Thuhet se ky libër është i pari i këtij lloji që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar, gjatë dy mijë vjetëve të kaluar. Në librin mbi Nënë Terezën, autori përmend edhe ato që ai i konsideron si ndikime negative në Ballkan, nga Perandoria Otomane, nga Vatikani, nga Kisha Ortodokse serbe, nga Kisha Ortodokse greke si dhe nga Patriarkati Ekumenik i Konstandinopojës. Sipas të dhënave nga botuesi, Dr. Alpion sugjeron në librin e tij se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrojnë rolin vendimtar të fesë në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe rolin fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.
Por le t’i këthehemi protagonistës kryesore të librit të Dr. Alpion-it, Nënë Terezës, për të cilën autori thotë se Nënë Tereza nuk fliste kurrë për çështjet private të familjes së saj, si pasojë e disa përvojave jo të këndëshme më heret në jetën e saj, përfshir, “Shqetësimet që kishte rreth sigurisë fizike të nënës dhe motrës në Shqipërinë komuniste të pas vitit 1945.” Dr. Alpion për një kohë të gjatë tani mbron tezën se vdekja e babait të saj, i cili është helmuar nga nacionalistët serbë në vitin 1919, kur ajo ishte vetëm 9-vjeçe, ka shkaktuar atë që ai cilëson si “një natë të errët në shpirtin e saj”. Ky studim ofron prova të tjera, sipas botuesit, se humbja e 8 familjarëve të saj gjatë pandemisë spanjolle, në atë kohë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e saj për tu bërë murgeshë, por edhe në themelimin më vonë të urdhërit të saj “Missionaries of Charity” në vitin 1950.
Por Dr. Gëzim Alpion këmbëngul se, “Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve ishte i sinqert dhe i patundur deri në fund të jetës së saj”, por, ama, sipas tij, “Prania e përherëshme e vdekjeve në familjen e saj kur ajo ishte fëmij, ka qenë një përvojë e rëndë shpirtërore, e cila ka patur një ndikim të thellë në jetën e saj shpirtërore, në marrëdhëniet e saja me Kombin dhe familjen, gjithë jetën e saj.” Por për “Nënë Terezën”, sipas autorit, “dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore ishte i shenjtë.”
Nënë Tereza, e njohur gjithashtu në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ka lindur në vitin 1910 në Shkup — atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës së pushtuar nga Perandoria Otomane.
Kopertina e librit të ri,“Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i saj” – me autor Dr. Gëzim Alpion