NGA HASAN KOSTRECI/Është realisht me ngjarje Nëntori, por ndërsa 28 – ta e vitit 1912-të dhe në këtë muaj është për ne shqiptarët një datë e shënuar, sepse pas një pushtimi të gjatë otoman, ngritëm për herë të parë flamurin tonë kombëtar dhe shpallëm pavarësinë, 8 Nëntori i 1941- shit, shënoi mbërritjen e kolerës së kuqe nga Rusia edhe tek ne, e cila në vitet në vazhdim u përhap aq shumë, sa më 29 dhe po në këtë muaj të vitit 44, ajo kish infektuar, tashmë masën më të madhe të shoqërisë dhe u kthye në një epidemi të rrezikshme. Por kur mbas një periudhe prej dyzet vjetësh, kombet e tjerë që patën kaluar të njëjtën sëmundje, nisën pak e nga pak të shërohen, tek ne, nga që kishte hyrë, siç duket, thellë, vazhdon që të jetë prezente dhe ende nuk jemi shëruar.
Por megjithatë nuk mund të themi që në vartësi të ngjarjeve që përmëndëm, ta përcaktojmë këtë muaj si të mirë apo ters, sepse fati si të një individi, të një shoqërie apo dhe të një kombi, varet nga shumë faktorë, por jo ama, siç thuhet, që shumë nga gjërat, që në jetë ndodhin, janë të destinuara dhe nuk ke si u shpëton. Për realitetin aktual të Shqipërisë dhe të ne shqiptarëve, në mjaft raste, fajtorë jemi edhe ne, sepse nuk mund të quhet destino dhe fati ynë i keq, kur në vënd që, mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të lidheshim me perëndimin, kaluam nga lindja dhe u molepsëm me sllavët që historikisht s’na e kanë dashur kurrë të mirën, bile na kanë dhe dëmtuar. Aq më tepër, kur jo ndofta të gjithë, por pjesa intelektuale dhe më të shkolluarit e shoqërisë, kishin, sadopak informacion dhe e dinin se ç’po ndodhte në atë periudhë në Rusi.
Pastaj në një vënd aq të vogël siç kemi qënë neve, a nuk shihej se shumica e elementit që përfaqësonte atë ideal, përbëhej nga fshatarë dhe njerëz pa asnjë klasë shkollë, të cilët të gënjyer dhe të mashtruar nga një grup mafiozësh, besuan se do ndërtonin një shtet të së drejtës dhe demokratik.
Dhe tani të vijmë në një periudhë më të afërt dhe pikërisht në vitin nëntëdhjetë kur ai regjim së fundi ra dhe shqiptarët që e kishin pësuar njëherë, duhej që gabimin e bërë në atë kohë, ta korigjonin e të mos e përsëritnin më. Por ç’ndodhi? Protestat dhe sakrificat e studentëve për ta përmbysur atë sistem dhe të ndërtonin një shtet perëndimor, dështuan, sepse elementët që u paraqitën si demokratë dhe morën drejtimin e asaj lëvizje në dorë, me prejardhjen nga vinin, linte për të dëshëruar. Dhe fakti që pjemarrja nga ish shtresa e të persekutuarëve, të cilët realisht përfaqësonin edhe të djathtën e vërtetë shqiptare, jo vetëm që qenë fare të pakët, por adhe ata që u angazhuan, në vënd që të nderoheshin e të respektoheshin, u lanë në hije, deri sa ata u detyruan o të largohen vetë, ose pritën deri sa i larguan. Pra, mendoj, se ishte një skenar i pergatitur që më parë dhe pothuajse indetik si ai i para dyzet e pesë vjetëve dhe udhëzimet e R. Alisë, i cili e ndiqte me vëmëndje atë proces, ishin që sa më pak të afronin intelektualë dhe pothuajse aspak nga ish shtresa e të persekutuarve. U stimulua, pra përsëri pjesmarrja, këtë herë e “Njeriut të Ri’, model i krijuar nga ata vetë, i cili zuri të gjitha pozicionet kryesore duke filluar nga noteritë, mediat, prokurorinë, gjykatat ( me kurse të shpejta gjashtë mujore) e deri karriken e deputetit në parlament. Demokracia me këtë lloj elementi, sigurisht që nuk besohej, por shqiptarët të ardhur nga një diktaturë aq e egër, u mjaftuan vetëm duke sharë sa mundnin komunizmin, ndërsa kriminelët dhe ata që e patën katandisur atë shoqëri në atë farë feje, edhe pse disa vite formalisht u burgosën, duke e quajtur edhe këtë veprim të gabuar, jo vetëm që u liruan, por edhe u dëmshpërblyen.
Ligji 7501, ishte një tjetër mashtrim i radhës dhe ashtu si Reforma Agrare dikur, i la pronarët e vërtetë të tokave me gisht në gojë, ndërsa hapja apo mbyllja e dosjeve, dekomunizimi e të tjera si këto, të cilat u kthyen në legjendë, mbetën vetëm në letër, por konkretisht asgjë. Atëhere dyzet e pesë vjet në komunizëm, a nuk ishin të mjaftueshëm, për të dalluar mashtruesin nga i ndershmi dhe hipokritin nga ai me karakter? A duhej që në këto pozicione që përmëndëm, të vihej përsëri po ky lloj elementi, kur familja e tij apo e asaj, kishin aq mëkata dhe shqiptarët këto gjëra i dinin. Ja, pra që problemet që kemi nuk janë edhe aq nga fati i yni i keq, por nga ne vetë që gënjehemi, manipulohemi dhe kompromentohemi kollaj dhe teoria që më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot, në rastin konkret, duke shitur për një shumë të vogël parash votën, është një veprim sa i turpshëm, aq dhe i gabuar dhe kjo rrëfen se procesin demokratik, e kemi kthyer në biznes, nga i cili veçse dëmtohemi dhe kurrë nuk kemi për t’u rregulluar.
Vetingu dhe Reforma në Drejtësi, që këtë herë në dorë e kanë marë ndërkombëtarët dhe jo ne, është për t’u besuar, por si shpresa, ndofta e fundit, duhet që edhe ne si shoqëri të angazhohemi, ta përkrahim dhe të mos rrimë indiferentë.