Të krishterët e Lindjes së Mesme jetojnë “keq”, por “shyqyr që janë”, thoshte para pak ditësh Patriarku latin i Jeruzalemit, Fuad Twal. Sipas tij, kushtet e palestinezëve në Çisjordani, gjithnjë të konsideruara nga më të vështirat e mundshme, janë shumë më të mira në krahasim me sfidat, që përballojnë të krishterët në Siri e në Irak, të shtrënguar të braktisin shtëpitë e vatrën nga i ashtuquajturi Shtet Islamik (Isis).
“A po i vjen fundi krishterimit në Lindjen e Mesme?” pyet atëherë gazeta “New York Times” në numrin e saj të veçantë të së dielës, 26 korrik, titulluar “Hija e vdekjes”. Që në rreshtat e para, ajo vë në dukje historinë e lashtë të fesë së krishterë në ato troje. Pjesa më e madhe e të krishterëve të Irakut e quajnë veten asirë, kaldeas, ose siriakë: emra të ndryshëm për të njëjtën rrënjë etnike, përhapur në mbretëritë mesopotamike ndërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat mijëra vjet para Krishtit. Sipas historianit Euzebi, krishterimi ka mbërritur aty gjatë shekullit të parë pas Krishtit, por tradita tregon se shën Toma Apostull dërgoi Tadeun, një nga hebrenjtë e parë të kthyer në krishterim, për të predikuar Ungjillin në Mesopotami.
Krishterimi u zhvillua në bashkëjetesë paqësore me tradita të tjera fetare, si judaizmi, zoroastrizmi dhe monoteizmi i druzëve, jazidëve e mandejve: të gjitha, bashkësi në konflikt për shkak të ndryshimeve doktrinore, që mbeten edhe sot. Kur trupat e para islamike mbërritën nga gadishulli arabik, gjatë shekullit VII, kalimi nën Islamin u bë, pak a shumë, pa trauma të rënda: të krishterët e Lindjes gëzonin mbrojtjen e myslimanëve. Vërtet që duhej të paguanin taksën për jo islamikët, “jizya”, por atyre u lejohej çka u ndalohej të tjerëve si, të hanin mish derri, ose të pinin alkool. Kështu, fetë e ndryshme u zhvilluan njëra pranë tjetrës për rreth 1500 vjet.
100 vjet më parë, dy fakte shënuan fillimin e periudhës më të gjatë të dhunës kundër të krishterëve: rënia e Perandorisë Otomane dhe Lufta I Botërore. Genocidi i kryer nga xhonturqit, në emër të nacionalizmit e jo të fesë, la në fushën e betejës dy milion armenë, asirë e grekë, shumica të krishterë. Ndër të mbijetuarit, më të arsimuarit emigruan drejt Perëndimit, të tjerët u vendosën në Irak e Siri, të mbrojtur nga diktatorët ushtarakë.
Gjatë një shekulli (1919-2010) numri i të krishterëve në Lindjen e Mesme, në vende si Egjipti, Izraeli, Palestina dhe Jordania, vazhdoi të zvogëlohej: nëse në fillim të krishterët përfaqësonin 14% të popullsisë, tani janë 4% e saj. Edhe në Liban, vendi i vetëm në rajon ku të krishterët kanë akoma një farë pushteti, numri i tyre, gjatë shekullit të fundit, është zvogëluar nga 78 në 34%. Arsyet janë të ndryshme, që nga numri i ulët i lindjeve tek atmosfera e pafavorshme politike e tek kriza ekonomike. Natyrisht, edhe frika bën punën e vet e i detyron njerëzit të ikin, kur shohin rritjen e grupeve ekstremiste e zvogëlimin e vazhdueshëm të bashkësive të krishtera.
Që prej mëse dhjetë vjetësh, ekstremistët i kanë vënë në shënjestër të krishterët e pakicat e tjera, që shihen si emblemë e botës perëndimore. Në Irak, ndërhyrja amerikane i nxiti mijëra vetë të ikin. “Që nga viti 2003, kemi humbur priftërinj, ipeshkvij e mëse 60 kisha të Irakut janë bombarduar”, deklaron kryeipeshkvi kaldeas i Erbilit, imzot Bashar Warda. Me rënien e Sadam Hyseinit, të krishterët janë reduktuar nga mëse një milion e gjysëm në më pak se 500 mijë vetë.
Pranvera arabe s’bëri tjetër, veçse i keqësoi gjërat. Pasi ranë diktatorë si Mubaraku në Egjipt dhe Gedafi në Libi, iu dha fund edhe mbrojtjes së të krishterëve e të pakicave, marrë përsipër prej tyre. Sot, Isis po përpiqet t’i çrrënjosë të krishterët, duke e përmbysur, me forcën e armëve, historinë e lashtë të rajonit, me qëllim që të ligjërojë ndërmarrjen mijëvjeçare të Islamit për të zënë rrënjë në Lindjen e Mesme.
Për herë të parë, e ardhmja e krishterimit në rajon është mëse e pasigurtë. Që nga fillimi i luftës civile në Siri, në vitin 2011, presidenti Bashar al Asad u lejoi të krishterëve të largohen nga vendi. Gati një e treta e tyre, rreth 600 mijë vetë, nuk pati ç’të bënte tjetër, përveçse të ikte nga sytë këmbët. Sipas një studimi Pew (qendër amerikane e pavarur, me studime në fushën shoqërore), të krishterët janë para një persekutimi të pashoq fetar, më i madhi në gjithë historinë. Në pranverën e këtij viti, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar mbi gjendjen e pakicave fetare në Irak. “Nëse kujtohemi për pakicat vetëm pasi ka filluar genocidi dramatik kundër tyre, kemi dështuar që pa nisur akoma”, pati deklaruar komisari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein.
Sipas gazetës “New York Times”, dy presidentët e fundit të SHBA-ve, evangjelisti konservator, George Bush dhe liberali progresist, Barak Obama, nuk kanë mundur të merren si duhet me çështjen e të krishterëve, nga frika e ndeshjes së qytetërimeve. “Një nga hijet mbi administratën e Bushit është paaftësia për t’u çimentuar me këtë problem, pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjes amerikane”, pohon drejtori i “Freedom Project” në Universitetin Georgetown, Timothy Shah.
Kohët e fundit, Shtëpia e Bardhë është kritikuar, pasi duket se nuk e përmend qëllimisht fjalën “i krishterë”. Kur, gjatë dimrit të kaluar, Isis masakroi koptët egjiptianë në Libi, Departamenti i Shtetit iu referua viktimave me termin “qytetarë egjiptianë”. Daniel Philpott, pedagog i shkencave politike në Universitetin Notre Dame, sqaron për gazetën: “Kur hesht për faktin se Isis ka arsye fetare për të vënë në shënjestër pakicat fetare, kujdesi i administratës aktuale duket jashtëzakonisht i tepërt”.
Edhe nëse Isis do të mundej, fati i pakicave fetare në Siri e në Irak do të mbetej i pasigurtë. “Jetojmë këtu, si grup etnik, që prej 6 mijë vjetësh e si të krishterë, që prej 1700 vjetësh – pohon Srrod Maqdasy, anëtar i Parlamentit kurd. Kemi kulturën tonë, gjuhën e traditat. Nëse do të jetonim brenda bashkësive të tjera, e gjithë kjo do të zhdukej në harkun kohor të dy brezave”.
Zgjidhja praktike, sipas disave, do të ishte krijimi i një zone të sigurtë në pllajën e Ninives, pra të një enklave, administruar përjetësisht nga OKB-ja. Për disa të tjerë, bashkëjetesa ndërmjet feve të ndryshme ka përfunduar tashmë. “Nuk ka më kohë për të pritur zgjidhje – thotë atë Emanuel Youkhana, në krye të Christian Aid Program, në veri të Irakut. Vendi është një martesë me zor ndërmjet sunitëve, shiitëve, kurdëve dhe të krishterëve, që nuk shkon aspak mirë. Prandaj, unë, si meshtar, preferoj divorcin”.(RV)