Atë ditë të bukur me dritë e diell, njëzet e katër orë para se në mjediset e pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” të qytetit tim të rritjes e pjekurisë intelektuale, në PESHKOPI, të paraqisja gjashtë nga librat e mi publicistikë të serisë NJERËZ QË I DUA dhe të filmit dokumentar VERA-MËSUESE NË DY ISHUJ TË EGJEUT, një urim nga larg më emocionoi, më bëri krenar që në jetën time kanë hyrë me tërë madhështinë e tyre njerëz si NEXHMIE (THAÇI) MEHMETAJ, mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Jura – Zvicër.
Miku im, botuesi i librave të mi që e njeh mësuesen kosovare në Zvicër nëpërmjet shkrimeve që janë botuar në RRUGA E ARBËRIT Bujar Karoshi, e lexoi me emocion duke marrë urime e duartrokitje të zjarrta për fjalët e ndjera thellë të mësueses nga Kosova…
Faleminderit mikja ime dhe e nxënësve të gjuhës shqipe jo vetëm në Zvicër por kudo që ata mblidhen dhe mësojnë të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë SHQIP…
Me respekt
Abdurahim Ashiku,
Gazetar, Athinë.
Përshëndetje Zotëri i nderuar Ashiku,
Me kënaqësi mora ftesën me rastin e përurimit të serisë publicistike, Ju faleminderit! Në pamundësi që të jem e pranishme ju përgëzoj!
Disa fjalë për librat tuaj:
Librat tuaj i kam lexuar me ëndje të madhe dhe mund të them se çdo libër, nga brenda kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me ndjenjë e ngrohtësi e me një gjuhë të pasur për mërgimtarët shqiptarë në Greqi, aty ku jeton dhe autori.
Shumë prekëse janë ato faqe që flasin për jetën e përditshme. Ai që është njerëzor nuk mund t’i kalojë me indiferencë ato çaste të vuajtjeve të bashkatdhetarëve të vet, të cilët punojnë punë të rënda që të tjerët me qejf nuk i bëjnë, u detyruan për shkak të varfërisë të largohen nga vendi i tyre, nga vatrat e tyre amtare.
Të tërheq vëmendjen lidhja e këtij autori me shumë personalitete të fushave të ndryshme, tregon se shumica e shqiptarëve i kanë bërë vend vetes, kudo që janë shpërndarë nëpër Greqi dhe gëzojnë respektin e tyre. Me shumë dashuri e respekt autori flet për mësuesit e shqipes në Greqi, nuk ndahet nga ecuria e shkollës shqipe në vend të huaj, madje te ruajtja e gjuhës shqipe.
Autorin e shqetëson edhe qëndrimi që mbanë shteti shqiptar ndaj identitetit kombëtar. Ai merr si shembull Mësuesen Vera Shkurti e cila punon, me ngulmë për ta ruajtur identitetin kombëtar pa kurrfarë ligji. Jo! ashtu siç kanë popujt tjerë. Mjerisht kjo është një padrejtësi që u bëhet mësuesve shqiptarë jashtë atdheut.
Duke shfletuar këto libra, unë krijova një bindje të plotë se ato përçohen nga mbresat e çiltra jetësore, nga dashuria dhe malli për atdheun, nga synimi për t’i sjell lexuesve një mesazh human.
Pranoni, gjithë urimet e mia vëllazërore!
Nexhmije (Thaçi) Mehmetaj, mësuese në Jura – Zvicër, mikja e shqiptarëve.
30 tetor 2015