![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/06/448649636_874350761400114_3206109622087047894_n.jpg)
Monda Mara/
LSHASHI – LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE SHQIPTARE NE ITALI, në bashkëpunim me qendrën kulturore Mete Brescia, nën kujdesin e Alessandra Spreafico, zhvilluan të shtunën që lamë pas, datë 08. 06. 2024, prezantimin e librit “APProposito d’amore”, të autorit dhe gazetarit Antonio Tortolano. Takimi u drejtua nga Lori Duka. Me autorin bashkëbisedoi poetja dhe përkthyesja Valbona Jakova, e cila përveç pyetje – përgjigjeve, kishte përgatitur një analizë të detajuar të veprës në fjalë. Një libër që i vendos ngjarjet në erën e re digjitale, duke i dhënë kështu tipare realiste, në trajtimin e një dukurie të përhapur sidomos në qytetet e mëdha: takimet online, që më pas shndërrohen në reale. Në qendër të tij, një i ri i quajtur Nando, që rend në kërkim të dashurisë. Tema e trajtuar, tërheq jo vetëm moshat e reja, pasi është një realitet që i përket më së shumti atyre, por edhe lexuesit e tjerë, të cilët autori i fton që të njohin këtë botë virtuale, pak apo aspak të njohur.
Të pranishëm presidenti i Lidhjes Skender Lazaj, këshilltarja e provincës Suela Plaka dhe të ftuar të tjerë.
Mjedisi në të cilin u zhvillua ky prezantim, u zbukurua nga pikturat e Serena Della Bona, e cila u përfshi edhe në një shkëmbim idesh me autorin, në lidhje me temën.
Larminë takimit ia shtuan tingujt e muzikës, që nuk mungon asnjëherë në veprimtaritë tona. Në fillim tingujt e pianos së Matteo Cavicchini dhe më pas interpretimi i këngëtarit Nettuno Tony Giata.
Fragmente nga libri u lexuan dhe interpretuan nga poetja Daniela Dante.
Gjatë gjithë kohës, publiku ndërveproi me autorin, pasi me sa duket, tema e trajtuar, zgjonte kërshëri. Minutat e fundit iu kushtuan përsëri pyetjeve nga të pranishmit në sallë.
Duam të theksojmë se i gjithë ky prezantim, nuk do të ishte bërë i mundur pa mbështetjen e teknikut audio Arian Shabaku, të cilin e falënderojmë për mbështetjen!
Për ta mbyllur: çdo rrugë e shkelur apo e pashkelur më parë, është e vlefshme për të gjetur dashurinë. Sipas autorit, e rëndësishme është të jesh vetvetja.