-Në festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi në seancë solemne, parakalim i Forcës së Sigurisë e Policisë, koncert i Rita Orës, e cila është dekoruar nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 18 Shkurt 2018/ Shënimi i 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ishte pika e vetme e axhendës së seancës solemne të Kuvendit të Republikës, në të cilën merrnin pjesë edhe personalitete të shumëta ndërkombëtare dhe kombëtare, nga Shqipëria presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, i cili edhe ka mbajtur një fjalim, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ish-presidenti e ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e të tjerë, të cilët në hapje të seancës u përshëndetën nga kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli.
Në seancën e hapur me Himnin Shtetëror të Kosovës merrnin pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë dhe kori diplomatik.
“Orientimi politik i shtetit tonë është autokton, perëndimor: Integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Raporte të ngushta e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleanca me shtetet e botës së lirë – është qenësore për ne.Ne duam dhe jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësinë që na takon në sfidat globale: në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rreziqeve tjera kundër paqes e sigurisë në botë”, tha në fjalën e hapjes kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Rama, me fjalën e të clit është përmbyllur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë, theksoi: “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada me përfaqësi diplomatike të njëjta. Pse jo një President, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Mes pjesëmarrësve ishte edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, i cili sot ka ditëlindjen, në ditën kur para 10 viteve SHBA-të e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në orët e para pas shpalljes. Kongresistit Engel iu dha fjala në seancën solemne të Kuvendit, pas fjalës hyrëse të kryeparlamentarit kosovar Veseli. “Kongresisti Engel e ka sot ditëlindjen”, tha kryeparlamentari i Kosovës dhe të gjithë e uruan edhe me duartrokitje.
“Dëshiroj Kosovën ta shoh në Bashkimin Evropian, dëshiroj Kosovën ta shoh në NATO, dëshiroj ta shoh Kosovën duke përparuar…”, tha kongresisti nga SHBA, i cili është shprehur se e don popullin e Kosovës dhe e uron edhe në këtë 10 vjetor të pavarësisë.Kongresisti Engel, ka qenë në Kosovë shumë herë, dhe një nga vizitat ishte në qershorin e vitit historik 2008, kur në 16 qershor duke folur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, i duartrokitur shumë here, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-të në ditën e ditëlindjes së tij ishte dhurata më e mirë që e kishte fituar ndonjëherë.
“Kur u deklarua pavarësia me 17 Shkurt, unë u preka aq shumë duke shikuar në televizion festimet në Prishtinë dhe Kosovë. Isha posaçërisht i prekur nga fakti që me mijëra shtetas tuaj e valëvitnin flamurin Amerikan në rrugët e Kosovës. Ditën tjetër kur ishte edhe ditëlindja ime, Shtetet e Bashkuara e pranuan Kosovën. Kjo ishte dhurata më e mirë që e kam fituar ndonjëherë për ditëlindje”, është shprehur Engel në seancën solemne të Kuvendit kosovar të mbajtur për nder të tij.
Në ditën e parë pas shpalljes në 17 Shkurtin historik 2008 pavarësinë e Kosovës e ka njohur edhe Shqipëria, si dhe Mbretëria e Bashkuar, Franca, Turqia, Afganistani dhe Kostarika.
Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.
Kosova përmbyllë sot festimet 10 ditëshe në 10 vjetorin e pavarësisë, në një ditë që, sipas axhendës zyrtare, ka nisur me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, për të vijuar me Konferencën ndërkombëtare “Një dekadë pavarësi-Rruga evropiane e Kosovës”, me Seancën Solemne të Kuvendit, parakalimin e Forcës së Sigurisë dhe Policisë në sheshet “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”, me “Libri i Pavarësisë” për deputetët që e kanë shpallur pavarësinë dhe me pritjen shtetërore të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Si presidenti i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij dhe atë sa më shpejtë që është e mundur”, tha ai duke folur për FSK-në në parakalim.
Shumë njerëz në Prishtinës kanë festuar edhe gjatë natës së kaluar në sheshe, ku ka kënduar shqiptarja e famshme në gjithë botën Rita Ora në koncertin që është pasuar me shumë fishekzjarre që kanë shëndritur kryeqytetin e Kosovës.
Rita Ora është dekoruar nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10 vjetorit të pavarësisë për kontributin në promovimin e Kosovës në botë.
“Në këto dhjetë vjet pavarësi, Rita Ora ka qenë imazh i Kosovës kudo në botë. Ajo karrierën e zhvilloi bashkë me emrin dhe flamurin e Kosovës. Performimi i saj para mbi 300 mijë qytetarëve mbrëmë ishte një rikthim i gëzimit dhe emocioneve të 17 shkurtit 2008.
Për kontributin e saj të pazëvendësueshëm në promovimin e Kosovës nëpër botë, unë mbrëmë e kam dekoruar Rita Orën me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Faleminderit Ritë. Jemi krenarë me ty”, ka shkruar presidenti Thaçi.
***
FSK-ja parakalon në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës-Në tribunë ishte edhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Timothy Orr/PRISHTINË, 18 Shkurt 2018- Gazeta DIELLI/ Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:
Në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot, (18.02.2018) në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, u mbajt manifestimi qendror, ku parakaluan edhe kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në tribunë ishin prezentë edhe ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Timothy Orr dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë dhe oficerë madhor të FSK-së.
Manifestimi filloi me intonimin e Himnit shtetëror të Kosovës nga Orkestra frymore e FSK-së.
Më pas, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrrahman Rama, raportoi para presidentit Thaçi, për gatishmërinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës për parakalim.
Në fjalën e tij, presidenti i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe komandant suprem i FSK-së, Hashim Thaçi tha se, “bërja e këtij shteti dhe çlirimi i Kosovës i ka bashkuar breza të tërë të cilët flijuan gjithçka për të bërë realitet shtetin sovran dhe demokratik, e cila para 10 viteve pikërisht, më 17 shkurt, që ishte dhe do të mbetet ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë. Herën e fundit kur kishim një parakalim të FSK-së, ishte para katër viteve. FSK-ja i kishte kryer të gjitha përgatitjet për t’u transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës, fatkeqësisht ne si politikë e Kosovës, nuk ishim në gjendje që t’i përcjellim si duhet në hapa Forcat e Armatosura të Kosovës, por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë.
Si president i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij, dhe atë sa më shpejt që është e mundur”.“FSK dhe Policia e Kosovës të cilat janë më të mirat në rajon, janë edhe fuqia e shtetit dhe garancia më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë, prandaj momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur.Partnerët tanë strategjitë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës, sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha më tej presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.Pas fjalës së presidentit Hashim Thaçit, parakaluan kuadratet e FSK-së: Trupa Frymore, Njësia Ceremoniale dhe shtatë kuadratet e FSK-së, si dhe pesë kuadrate të Policisë së Kosovës.
Në manifestim ishin të pranishëm udhëheqësit shtetëror të Kosovës, si dhe dhjetëra delegacione shtetërore, burrështetas, presidentë, kryeministra, ministra, mysafirë të shumtë nga trupa-diplomatike, KFOR-it, si dhe mijëra qytetarë të Kosovës dhe trojeve etnike./b.j/