NGA PELLUMB KULLA/ Ne Foto: Niko Kirka/
Ne Foto: Bashkethemeluesi i Vatres, Kristo Kirka, babai i Nikos, ne te majte te Fan S. Noli. Korrik 1920.
Sot, 21 Korrik, miku im i shtrenjtë, shok i këtyre viteve amerikanë, Niko Kirka, mbush një moshë që për shumë vetë, në varësi nga shëndeti i tyre, është një cak që përmban lakmi dhe moslakmi bashkë.
Për mua dhe familjen time ky përvjetor i bukur është një ditë gëzimi dhe ne të gjithë, ime shoqe, unë dhe fëmijët, i urojmë xha Nikos edhe shumë vite të tjerë të shëndetshëm.Sinqerisht nuk e kam tepëruar fare në vlerësimin që përmban titulli.
Ne Foto: Kristo Kirka me te birin, ne te djathte te Faik Konices/
Është një personazh vërtet i rrallë. Është edhe i njohur, ndaj me zor shënoj për ata pak që nuk e dijnë se Nikoja ka lindur në truallin amerikan. Është bir i një patrioti shumë të fismë, Kristo Kirkës, një nga etërit e Vatrës, krahu i djathtë i Nolit, aktivist i shquar në emigracion dhe në atdhe pas kthimit familjarisht. Shërbeu si përfaqësues në parlament dhe në detyra të ndryshme administrative, caktuar nga mbreti. Nuk u largua me ikjen e pushtuesve të huaj. Pagoi vetbesimin e tepëruar se meritat patriotike dhe e kaluara pa njollë ishin kredenciale serioze që do ta mbronin nga keqtrajtimi i mundshëm i “bijve të Stalinit” që erdhën në pushtet. dhe që Kristo Kirka ashtu si edhe Fan Noli, i njihte mirë. Besim i kotë! Që në ditët e para komunistët e burgosën dhe plaku i shquar mbylli sytë në burgun famëkeq të Burelit.
Ne Foto:Gjate promovimit te librit”Kristo Kirka”, shkruar nga Uran Butka, fitues i cmimit”Pena e argjendte)/
Nuk e kalova masën me një jetëshkrim më tepër, teksa premtova të bëj të njohur birin e tij, Nikon. Por njohje është edhe kur flet për shokun e tij të burgut. Babë e bir u bënë vërtet shokë burgu, se që në moshën 19 vjeçare, personazhit tonë iu hodhën hekurat. Nga burgu doli pas katërmbëdhjetë vjetësh dhe kaloi një jetë të mundimshme shtrënguar në punë të rënda në kanalet e komunales dhe vështruar shtrembër për tërë ato që thamë.
Ne Foto: Niko Kirka duke pershendetur gjate promovimit te librit”Kristo Kirka”./
Me pak fjalë, nuk gjej dot kollaj një individ që të më sjellë kaq shumë histori kombëtare poshtë thinjave të tij të bukura.
Nikoja dhe e shoqja, zonja Meri, një ditë paksa me të qeshur e më shumë seriozisht, më sugjeruan që me vitet që po shënonte plaku, ishte rasti që pa u ngutur, unë të hidhja dy tre shënime për një fjalim të mundshëm në një ceremoni funerale, se sipas tyre, ato ligjërata edhe i hartoksham saktë edhe jepja garanci se do të flisja sinqerisht. Nikoja ma përsëriste këtë kërkesë sa herë e pyesja për shëndetin dhe unë, në një periudhë boshllëku krijimtarie, i propozova ta shkruanim bashkë fjalimin e përzishëm. Bile kjo shaka m’u duk e përafërt edhe me një subjekt komedie interesante, ku nekrologjinë ta redaktonte dhe ta miratonte vetë i vdekuri i interesuar.
Dhe ky refren është bërë i këndshëm për mua dhe Kirkën, tashmë.
Vjen kjo ditë dhe unë jam i lumtur që Nikoja në të gjallë të tij, ta shohë fjalimin në shtat të këtij shkrimi, i cili iu bëftë edhe më i mirë nga një njeri tjetër, në një kohë tjetër, edhe pas 100 vjetorit!
Se ndofta atëherë, paçka se unë, goxha më i ri, mund të jetë Nikoja që të ketë ligjëruar tashmë në përcjelljen time.
Një plak me një gjallëri të pashoqe, si Nikoja, le të dëgjojë vlerësimin tim, kështu shëndetplotë dhe jo i shtrirë, se në shoqërinë e tij të çmuar, unë kam mësuar më shumë se nga tërë librat e shkruar për vatranët, për autoqefalinë e Kishës, për Bostonin dhe “Diellin”, për pafundësinë e konflikteve shqiptaro-shqiptare mbi truallin e këtij vendi. Ky njeri të mahnit me kujtesën e tij fenomenale, me citimet e sakta me zhdërvjelltësinë e përmendjes së emrave të shumtë, datave të pagabuara që sjell ai në tregimet e tij. Do të jenë të shumtë njerëzit, që e vërejnë me zili, siç e vërej edhe unë, kulturën e tij historike, atë atdhetare, kulturën letrare dhe kulturën politike.
Niko Kirka është ndjerë i gjallë dhe i shqetësuar për shumë çështje që solli sidomos mënjanimi i komunizmit dhe transformimet që duhet të sillte tranzicioni. E kemi parë atë shumë luftarak, debatues dhe të papajtueshëm në qendrimin ndaj politikave paskomuniste për të përndjekurit, për mosdëshirën në rikthimin e pronave të grabitura, për mbajtjen kyçur pa shpjegim paskrupull të dosjeve me mëkate, për dyfaqësinë e partive kryesore, pasardhëse të asaj enveriste…
Shëmbullor ishte angazhimi i tij pasional në kundërshtimin e përpjekjeve për të dëmtuar trashëgiminë e Peshkop Nolit dhe për mjegullimet e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Dhe në shkrimet e Kirkës, (përmbledhur në vëllimin e tij dinjitoz “Për Mëmëdhenë”) lexuesit mund të venë re zhdërvjelltësinë e argumentimit, elegancën e shprehjes, gjuhën letrare dhe figurshmërinë si pajë e edukimit të shëndetshëm të Liceut të Korçës. Aty çdokush shquan lehtësisht konseguencën e tij antikomuniste, përbuzjen ndaj inskenimeve katoviciane dhe keqardhjen për varfërinë e idealizmit që Kirka nuk rresht pa e nënvizuar edhe në intervistat e tij televizive dhe artikujt e mëvonshëm që i janë publikuar rregullisht.
Atdhetarizmi i këtij njeriu ka qenë gjithnjë i pashuar dhe frymëzues për ata që qarkonin rreth tij. Është interesant një episod në një takim me të ndjerin Ibrahim Rugova. Duke biseduar, Nikoja, pa kurrfarë bubullime, i rrëfeu atij se edhepse ishte korçar, e deshte Prishtinën po aq sa edhe Korçën. Rugova e falenderoi. “Falenderimi nuk shkon,” nuk iu ndënj pa thënë Kirkës, “të më falenderoje po të isha francez!”
Presidenti Rugova e përqafoi dhe i kërkoi falje. Kjo dashuri e këtillë, shfaqur në brigjet e Nju Inglandit në sytë e të Parit të Kosovës e rriste personazhin tonë në përmasat e një dinosauri.
Dhe nuk kishte si të mos ishte Niko Kirka, një dinosaur nga ata që lindën në viset e Bostonit, nga ata që e morën atdhetarinë si qumështin e gjirit, dhe panë historinë e vendit, një herë që andej, pastaj nga dritaret e gjimnazit të Korçës, që prapa hekurave të burgut, nga fundi i kanaleve të komunales së Durrësit, nga grumbullimet plot ovacione të ndryshimeve sociale që solli fundi i shekullit… Me lirinë e fjalës si atribut i një njeriu të edukuar ashtu, i janë pranuar, herë me durim dhe herë me pezm, gërnjat kundër të metave të Vatrës së sotme, kundër Janullatosit, kundër figurave madhore shtetërore aktuale, edhepse kjo lloj drejtpërdrejtësie nuk i bënte hiç mirë interesave të tij të përditshme, atyre të këtushme dhe atyre në atdhe.
Por dinosaurët janë prehistorikë dhe duken pak të marrë, po aq sa dhe démodé.
Ky dinosaur i vyer sot na mbush 90! Dhe me bindje them se do të kalojë edhe caqe të tjerë. Se dinosaurët rrojnë gjatë.
Dhe ne ia urojmë këtë: Gëzuar Niko Kirka!