
Nga: Kristaq BALLI

Mirënjohja është veti e shpirtrave fisnikë – Ezopi
Krijimtaria e artistëve të mëdhenj pasqyron në eposin e saj edhe tipare të spikatura të personalitetit të tyre human e shoqëror. Ato përbëjnë një aureolë identiteti e përkatësie që vizatohet vetiu nga prurjet e tyre të famshme artistike, por edhe nga shpirti shumë i pasur reflektues e meditativ.
Në historinë e gjatë të jetës dhe krijimtarisë së Gjon Milit, fotografit tonë të shquar botëror, ka një ngjarje të rëndësishme, të paevidentuar deri sot për publikun shqiptar, e cila vizaton karakterin e tij të jashtzakonshëm popullor, social, mirënjohës, miqësor, respektues, shpërblyes, shpërthyes. Pa dyshim, kjo ngjarje është e lidhur plotësisht edhe me valencat e forta të autoritetit të tij të merituar në elitën e artistëve amerikanë e botërorë, por edhe në marrëdhëniet e ngushta që ai krijoi me një mori artistësh të huaj në shumë vende të tjera të botës.
Eshtë e njohur tashmë lidhja e miqësia e ngushtë e Milit me artistin figurativ më të famshëm të shekullit të kaluar Pablo Pikaso(1881-1973), të cilat ata i ruajtën gjatë gjithë jetës nëpërmjet qëndrueshmërisë së tyre të ndërsjelltë, të lindur nga kryevepra e tyre e përbashkët botërore “Pikaso vizaton me dritë”. Por, midis të tjerash, një tjetër marrëdhënie, madje më solide e stoike u ngjiz midis Milit dhe artistit të famshëm Pablo Casals, së cilës i dedikohen edhe këto rreshta.
Pablo Casals (1876-1973), ky muzikant katalonas spanjoll konsiderohet si instrumentisti violinçelist (çelist) më i shquar i gjysmës së parë të shekullit XX dhe një nga çelistët më të mëdhenj botërorë të të gjitha kohrave. Ai ishte gjithashtu kompozitor dhe dirigjent. Aktiviteti i tij instrumental e dirigjues ndërkombëtar është shumë i gjatë, por së pari shumë i suksesshëm, sidomos pas vitit 1899, kur ai luajti në Crystal Palace, Londër, Paris, Spanjë, Holandë, në turneun e parë në ShBA, 1901-02 dhe në turneun e Amerikës së Jugut,1903. Më15 Janar 1904 u ftua të luajë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin Theodor Rusvelt, më pas debutoi në Carnegie Hall, Nju Jork, në Festivalin Muzikor të Londrës në Hollin e Mbretëreshës, 1911, etj. Si kundërshtar i vendosur i regjimit të Frankos ai zgjodhi ekzilin (1939), për të mos u kthyer deri sa të rrëzohej diktatura, ditë të cilën nuk e jetoi. Me këtë rast ai zgjodhi të banojë në fshatin franko-katalonas Prade de Conflent në Francë, pranë kufirit me Spanjën. Ai është kompozitori i një himni kushtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kur ishte 95 vjeç, më 1971 e dirigjoi vetë në OKB, ku sekretari i kësaj organizate U Thant i akordoi Medaljen e Paqes të OKB e, me çrast, Casals mbajti fjalimin e tij të famshëm “I am a Catalan” (Unë jam një katalan). Në vitin 1961 në Shtëpinë Bardhë dha koncertin e muzikës së dhomës, me ftesën e presidentit Xhon Kenedi, i cili e admironte, madje i akordoi edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë të SHBA. Më 1989 (pas vdekjes) ai u nderua me vlerësimin më të lartë “Grammy Lifetime Achievement Award” (Çmimin Grammy për Arritje në Jetë).
Midis të tjerash Casals, gjatë viteve 1936-39, ka regjistruar në disqe një pjesë të konsiderueshme të muzikës dhe suitave për violinçel të Bahut. Janë pikërisht këto inçizime që kanë bërë të mundur njohjen virtuale të Casals nga Gjon Mili rreth vitit 1940. “I ruaja inçizimet e tij”, thotë Mili në një bisedë me botuesin e revistës LIFE “dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Kam prerë foton e tij nga një gazetë dhe e kam mbërthyer në murin tim. E kam akoma. Për mua ai mbetet i përsosur.” (“LIFE” magazine, Nov. 11, 1966)
Ёndrra për ta njohur personalisht Pablo Casals është përmbushur në vitin 1949, kur Mili e takoi mjeshtrin për ta fotografuar në shtëpinë e doktorit të tij pranë Prades, në Francë. “E takova aty Pablon në drekë” thotë Mili “dhe e fotografova atë duke dëgjuar muzikën e tij të inçizuar dhe më pas duke luajtur Mozartin me një vajzë të vogël rreth12 vjeçe.” (Po aty)
Pas këtij takimi, do të fillonte një marrëdhënie e gjatë miqësore artistësh që lidhej kryesisht me afirmimin e profilit botëror artistik të muzikantit të shquar në revistën elitare LIFE, por edhe me një afinitet personal miqësie, që i dedikohet kryesisht mikpritjes dhe bujarisë së Casals ndaj Gjon Milit, por edhe të qasjeve që kishte Mili ndaj muzikës. Dihet që ai kishte një kulturë muzikore të edukuar e kultivuar qysh në rininë e tij shkollore (instrumentist me oboe e më vonë student e praktikant në piano), të cilën do ta thërriste në ndihmë sa herë atij do t’i shfaqeshin para aparatit fotografik muzikantë të shquar. Për këto arsye, ai ngulmoi që miqësia me Pablo Casals të mos reshtte, por ta mbetej e gjallë gjithë jetën. Një vit më vonë, pra më 1950 ai kthehet sërish në shtëpinë e Casals në Prade, me ftesën e këtij të fundit për një vizitë pune e pushimi një mujor. Ishte viti kur Casals organizoi veprimtarinë e madhe muzikore me rastin e 200 Vjetorit të Vdekjes së Johan Sebastian Bah (1685-1750), të cilën Casals e cilësonte si një kauzë humane e homazhi ndaj atij që konsiderohej si kompozitori më i madh i kohrave. Gjatë celebrimit të kësaj veprimtarie madhështore e shumë festive disa ditore, që u vlerësua si “Mrekullia e Prades” apo “Festivali i Shekullit.” Mili bëri cikle mbresëlënëse fotosh, në qendër të të cilave ishte Pablo Casals, interpretimet e tij virtuoze në çelo dhe dirigjimet e koncerteve të orkestrantëve virtuozë të ardhur me këtë rast. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë botuar në revistën LIFE, në librin autobiografik të Gjon Milit “Gjon Mili-Photographs & Recollection”, në librin “La Legende de Pablo Casals” të Arthur Conte, si edhe në shumëvepra të tjera të mëvonshme mbi jetën dhe veprën e Casals.
Shumë vite më vonë, më 1966, gjatë një vere të mrekullueshme, kur Gjon Mili e kishte ndjekur Casals në turnetë e festivaleve të tij, fillimisht në Marlboro, Vermont, pastaj në Prade të Francës, në Athinë dhe së fundi në San Juan të Porto Rico-s, ku ai ngriti shtëpinë e vet, ai e takoi përsëri atë për revistën “LIFE” me rastin e 90 Vjetorit të tij… “Ishte mesi i Tetorit dhe u ktheva në Nju Jork nga vizita me Casals në San Juan. Pasi lashë takëmet e mia në studio nxitova në laboratorin e LIFE me tundim e etje për një natë të gjatë pune laboratorike. Kisha harxhuar plot 20 kaseta filmash për të pasqyruar një ditë me Casals në privatësinë e shtëpisë së tij pranë detit”. (Gjon Mili, Photographs & Recollection”, f. 136 ) Shumë prej këtyre fotove janë shfaqur në revistën LIFE më 11 Nëntor 1966 në reportazhin e gjatë “Serenade to Ninety Years of Greatness” (Serenatë për 90 Vjet Madhështi) të Barry Farrell.
Parathënia redaktoriale e këtij fotoreportazhi titullohet me fjalët e Gjon Milit: “Ai është njeriu më i veçantë nga të veçantët që kam njohur”. (George P. Hunt: “LIFE” magazine, Nov. 11, 1966)
Në vitin 1958 Casals ftohet në OKB për të dhënë një koncert nderi me rastin e “Himnit të OKB” që ai kishte kompozuar vetë. Kronika e vitit 1966 na kujton se prania e Casals në Nju Jork u festua me një drekë me rastin e 50 Vjetorit të Alexander Schneider-it (student e, më pas, koleg e mik i ngushtë i Casals), ku mori pjesë elita botërore e muzikës. Pasdreke ishte planifikuar një vizitë në studion e Gjon Milit. Në shoqërinë e Milit ata u ngjitën në katin e dytë të ndërtesës në Manhatan, ku ndodhej studioja e famshme e fotografit. Dhe pikërisht aty ndodhi diçka e jashtzakonshme, e paimagjinueshme për Casals: sapo Mili hapi derën dhe ftoi Casals të hynte në të, nga brenda vërshuan dallgët e muzikës që e ekzekutonte një orkestër e improvizuar me “60 top instrumentistë kombëtarë (Po aty) e që ishin mbledhur aty, bashkë me spektatorë të tjerë për të nderuar muzikantin e famshëm me vallen “a sardania”, një prej kryeveprave më të bukura e më të dashura me motive popullore katalanase të kompozuar nga vetë Pablo Casals në vitin1926.
Ky ishte një moment magjik befasie, shtangieje, mallëngjimi që nuk i kishte ndodhur Casals gjatë mëse 80 viteve të jetës së tij. Por si do të reflektonte, si do t’i përgjigjej ai kësaj surprize? Vetëm një çast dileme, jo më shumë, sepse veprimet e mençura karakterizojnë madhështinë, arti është për t’i bërë të tjerët të lumtur…Ai hyri brenda, bëri një parakalim duke u përulur me xhentilesë para gjithë orkestrantëve, mori bagetin (shkopin) e dirigjentit dhe filloi të drejtojë i emocionuar e duke iu dridhur duart orkestrën për disa çaste simbolike…Sapo mbaroi “detyrën” e tij, shpërthyen duartrokitjet nga muzikantët dhe dashamirësit e tij.
Këto ishin çaste të veçanta shpirtërore edhe për Gjon Milin. Ai e shfrytëzoi këtë situatë ekzaltuese duke shkrepur foto të shumta për të kujtuar e dëshmuar se mirënjohja e fisnikëria mbetet një virtyt moral i kujtimeve që ruan në zemër, që forcojnë miqësinë, një dritë shpirtërore që ndriçon të ardhmen. Një mesazh bekimi për të gjithë ne nga Gjon Mili.