Dr. Dritan Demiraj/
Një nga ngjarjet për të cilën gjatë 48 orëve të fundit kanë folur të gjithë mediat kryesore të botës, është padyshim rrëzimi i avionit personal në të cilin udhëtonin drejtuesit kryesorë të grupit mercenar rus ‘Wagner’. Së bashku me Jevgeni Prigozhinin në aksident u vranë edhe drejtuesit e tjerë kryesorë Dmitri Utkin, Sergey Propustin, Valery Chekalov, Evgeniy Makaryan, Aleksander Totmin dhe Nikolay Matuseev.
Me këtë rast do të përpiqem të bëj një analizë modeste, por pa spekuluar dhe pretenduar se do të analizoj 100 për qind atë që ka ndodhur gjatë pasdites së datës 23 gusht 2023, pasi e vërteta e këtij atentati mund të kërkojë shumë kohë ose edhe mund të mos dalë në publik asnjëherë për shkak të nivelit të sofistikuar të ekzekutimit dhe personave të përfshirë në të.
Fillimisht mendoj se duhet të analizojmë llojin/metodën e sulmit që u përdor për të rrëzuar avionin e Prigozhinit.
Menjëherë lind pyetja se përse menyra e zgjedhur për ekzekutimin e Prigozhinit ishte kaq demostrative dhe spektakolare?
Përse lidershipi rus për hakmarrje nuk përdori metodat e vrasjes si në rastin e ish zv/kryeministrit rus Boris Nemtsov në vitin 2015, gazetares politike Anna Politkovskaya, vrasjes së biznesmenit rus në Britaninë e Madhe Boris Berezensky në vitin 2013, vrasjes në tentativë nëpërmjet helmimit te ish agjentit të GRU-së Sergei Skriptal në Britaninë e Madhe, ish oficerit të FSB-së Aleksander Livinenko në vitin 2006, drejtuesit të opozitës Aleksei Navalny në vitin 2020 dhe shumë personave të tjerë të cilët kanë kundërshtuar lidershipin korruptiv dhe autokrat të presidentit Putin?
Në gjykimin tij modest përgjigja është e thjeshtë. Këtë metodë vrasje personalisht e konsideroj si një veprim dhe vendim politik për të treguar përpara të gjithë botës forcën, në mënyrë që të dekurajojë të gjithë ata kundërshtarë të presidentit Putin të cilët mendojnë që në të ardhmen mund të tentojnë përsëri të sfidojnë autoritetin e tij.
Por kush ishte Yevgeni Prigozhin? Ai njihej nga të gjithë oligarkët në Kremlin si njeriu më i afërt i cili realizonte ‘punët e pista’ të Putinit kryesisht jashtë vendit në bashkëpunim me shërbimet sekrete, shërbimet e sigurisë, ambasadat ruse por gjithmonë në mënyrë të sofistikuar, fshehtas dhe pa përdorur uniformat dhe kredencialet diplomatike ruse.
Gjatë kësaj periudhe (1992-2022) Prigozhini nuk përbënte kërcënim për presidentit Putin. Por konflikti filloi të shfaqej dhe të eskalonte fillimisht me gjeneralin Valery Gerasimov dhe më pas u intensifikua më tej pas dështimit për t’i mbushur mendjen Putinit për të shkarkuar Ministrin e Mbrojtjes Sergey Shoigu dhe për ta zëvendësuar atë me mikun e tij të ngushtë gjeneral Sergei Sorovikinin. Me kalimin e kohës, deklaratat e përditshme kundër lidershipit ushtarak filluan të dalin jashtë kontrollit dhe sharjet e Prigozhinit filluan të konceptoheshin edhe si deklarata drejtëpërdrejtë kundër Putinit.
Kjo situatë doli jashtë kontrollit në mbrëmjen e datës 23 dhe 24 qershor kur një konvojë e përbërë nga 5000 luftëtarë të Wagnerit nën drejtimin e Prigozhinit morën fillimisht kontrollin e Komandës Ushtarake Jugore në Rostov mbi Don, rrëzuan një avion rus komandim-kontrolli së bashku me 6 helikopterë ushtarakë duke shkaktuar vdekjen e 30 pilotëve ushtarakë rusë, për të cilën asnjëherë nuk kam besuar se Putini do ta falte.
Të gjitha këto veprime shkaktuan frikë dhe pasiguri përfshirë edhe vetë Putinin, pasi prej 23 vitesh në pushtet askush nuk kishte guxuar të sfidonte dhe diskretitonte përpara gjithë botës autoritetin e tij. Pikërisht me këto veprime Prigozhini kishte shkeluar atë për të cilën Putini publikisht ka deklaruar se nuk ia falte askujt ‘Tradhtinë’.
Ky grusht shteti shfaqi përpara botës një kriste të madhe të qeverisjes dhe legjitimitetit të Putinit në Federatën Ruse. Mbështetja e madhe popullore e shfaqur për Prigozhinin nga populli në rrugët e Rostov mbi Don-it pas dështimit të këtij grushti shteti në tentativë, i ka dalë në ëndërr çdo natë Putinit deri ditën e pardjeshme.
Por të gjithë pyesnin se përse Putini veproi pas dy muajve dhe jo më pare?
Putini është një mjeshtër i gjeopolitikës, ai me ndërmjetësimin e Lukashenkos i dha mundësi Prigozhinit të jetonte në azil në Bjellorusi me kushtin që të mos shkelte në Rusi. Por Prigozhini duke menduar se kishte imunitetin e së kaluarës u shfaq në disa raste në Shën Petërsburg përfshirë edhe sfidën që i bëri së fundi Putinit duke takuar drejtuesit e vendeve Afrikane gjatë Samitit Rusi-Afrikë në Shën Petërsburg duke postuar edhe në media këto takime.
Por lind pyetje se përse Putini nuk e vrau Prigozhinin më parë?
Putini si një ish agjent i vjetër zbatoi atë që ka mësuar në shkollën e sigurimit të KGB-së se: “Një nga ‘teknologjitë’ e hakmarrjes është që ta afrosh kundërshtarin edhe në afër përpara se ta vrasësh”.
Menjëherë pas tentativës Putini ishte i dobësuar, por fillimisht urdhëroi shkatërrimin financiar dhe diskretitimin publik të Wagnerit nëpërmjet konfiskimit të zyrave, mjeteve financiare në shtëpinë e tij, etj.
Në gjykimin tim, në rast se Prigozhini do të kishte mbyllur gojën dhe nuk do të kishte mbajtur një profil aq të lartë edhe mund të kishte jetuar. Në rast se do të ndalonte aktivitetin dhe do të urdhëronte që njerëzit e tij t’i bashkoheshin ushtrisë ruse edhe mund të ishte helmuar, por ambiciet e tij ‘Wagneriane’ kontribuan në një përfundim ‘Wagnerian’ për jetën e tij.
Por cilat janë konseguencat e vrasjes së Prigozhinit në të ardhmen e afërt?
Së pari, kjo nuk është një përplasje personalitetesh por një manifestim i problemeve të thella që janë akumuluar në Kremlin dhe në mesin e elitës së Rusisë për mënyrën se si të ekzekutojnë këtë konflikt të armatosur. Putini është në presion të madh prej disa kohësh. Një pjesë e elitës ruse kërkon ngrirjen e konfliktit deri në zgjedhjet e vitit tjetër në SHBA, një pjesë tjetër kërkon shkarkimin e ministrit të mbrojtjes Shoigu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjthshëm Valery Gerasimov, ndërkohë një pjesë tjetër kërkon eskalimin e konfliktit dhe përdorimin më masiv të forcave ajrore, raketore dhe tokësore dhe për rrjedhojë përfundimin e konfliktit.
Së dyti, vrasja e Progozhinit sipas analistëve mendohet se do ta stabilizojë edhe më tej pushtetin e Putinit. Personalisht mendoj të kundërtën, pasi sa më shumë të zgjasë ky konflikt aq më pak i stabilizuar do të jetë Kremlini zyrtar dhe vetë Putini.
Së treti, vrasja e Prigozhinit mund të konsiderohet si një fazë e luftës e cila gjithmonë e më shumë po transferohet nga frontet lindore dhe jugore të Ukrainës në territorin e Federatës Ruse.
Së katërti, vrasja e Prigozhinit është padyshim një fitore e përkohshme e ministrit Sergei Shoigu dhe e gjeneralit Valeri Gerasimovit për arsye se kundështari i tyre më i egër që i ka diskretituar në publik dhe përpara ushtrisë ruse tashmë është ekzekutuar.
Së pesti, lind pyetja se a do ta shkrijë presidenti Putin ‘Grupin Wagner’ ndërkohë që ai poseidon kapacitete të mëdha luftarake, në fushën e luftës kibernetike, kapacitete të cilat ekzistojnë për shkak të mbështetjes që ky grup merrte drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe MM? Në gjykimin tim presidenti Putin nuk do ta shkrijë ‘Grupin Wagner’, për arsye ky grup ka zbatuar dhe ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake, të luftës informative, stërvitjes së ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave ose ndërtesave qeveritare, etj duke rritur influencën ruse sidomos në rajonin e Sahelit (Mali, Burkina Faso, RQA, Sudan) në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më gjerë. Pra thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i politikës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike me njësi të armatosura.
Së gjashti, qeverisja e Putinit do të vazhdojë të dështojë që të zgjidhë problemet e saj në rrugë demokratike, por fatkeqësisht do të vazhdojë të përdorë mjetet jodemokratike përfshirë edhe vrasjet për t’i mbyllur gojën kujto që do të guxojë të kërkojë llogari ose të sfidojë vendimmarrjen e tij të gabuar për pushtimin e paprecedentë dhe të paligjshëm të Ukrainës dhe për rrjedhojë vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve nga të dy kampet.
Së fundi, strategjia e Federatës Ruse nëpërmjet përdorimit të kompanive private ushtarake si ‘Grupi Wagner’ është implementuar me qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë, duke përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë ushtarake. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i ‘Grupit Wagner’ jashtë Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon, pasi në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende në vitin 2022 ajo operon në 27 vende. Kompanitë private ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vendet e Afrikës si: Republika Qëndrore e Afrikës, Mali, Burkina Faso, Sudan por edhe në Irak, Libi, Siri, Venezuelë, Ukrainë, etj.
Dr. Dritan Demiraj është autor i librave: “Gjeopolitika e Federatës Ruse, Politika e Jashtme dhe Rendi i Ri Botëror”, “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse, Forcat e Armatosura dhe Fuqia Luftarake” dhe “Shërbimet Sekrete në Federatën Ruse, Struktura, Misionet, Taktikat, Metodat dhe Kapacitetet e tyre”, libra të cilat botohen për herë të parë në rajon dhe më gjerë.
Më poshtë një intervistë dhënë dje për këtë temë në TV ‘News 24’. Shikim të këndshëm për të gjithë ata që kanë interes rreth kësaj teme.