Gëzim Zilja/
Në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje,” një libër me vlera të mëdha të padiskutueshme me jehonë të madhe në kohën që doli dhe më tej, Ismail Kadereja për folklorin në socializëm shkruan: Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë, të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Libri për herë të parë u botua më 1971, u ribotua në 1980 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe në 2002 i ripunuar nga shtëpia botuese “Onufri.” Pjesa e mëipërme gjendet në të tri botimet. Nëse do të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist këngës popullore. Shumë pak, me vështirësi mund të gjesh aty midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose ninulla, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Le të ilustrojmë shkurt me disa poezi këngën popullore në kohën e diktaturës.
Ninullat. Nina nana po t’përkundi/Hajde gjumë tek pëllumbi/Si Enveri mu bafsh trim/të dhashtë forcë nga gjini im./Fli o djal i nënës fli/Fli se nëna të ka xhan./Fli u rritsh u bëfsh trim/Si Enveri me partizanë. Në këto lloj këngësh zhduket dashuria për njeriun, për nënën, për babën, e fisin, për martesën, lodrat e humorin popullor. Jo! Ka vetëm binom Parti-Enver, që si me çomage godet trurin sistematikish qysh se lindesh, duke krijuar njeriun e indoktrinuar, që para nënës, babës, motrave e vëllezërve të gjakut vendos Partinë dhe udhëheqësin.
Këngët për dashurinë, nga më të bukurat në gjithë folklorin shqiptar, tashmë zveniten, fishken e thahen. U mungon lëngu i jetës, maghia e vargut brilant të papërsëritshëm, poezia dhe gjetjet letrare të pakrahasueshme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Dashurisë tashmë i këndohej me komandë, dashuria lindte në ara, në mullarët e barit, në fabrika, në garat socialiste, në fshatrat e rilindur nga partia, etj. Por le të ilustrojmë dhe këtu me disa nga ato mijëra vargje të politizuar, ku mungon shpirti i njeriut në të gjitha dimensionet. Tungjatjeta çoban trimi/Si dualltë sivjet nga dimri?/Ylli i malit o çoban!/Me prodhime më së miri/Po ju në bujqësi si ini?/Në rritje shkon bujqësia,/Përparon si industria./Jeta jonë është pranverë,/Me partinë e me Enverë. Është mjelëse me lopë/E dua o shokë me kokë/E dua shokë e dua/Se ajo është për mua/Punëtore s’lodhet kurrë/Në çdo garë merr flamurë.
Këngë trimërie. Përmbi Krujë nalt mbi shkrepa,/Nandhet’ vajza shqipe t’lehta,/Lidhur fort dorë për dorë/Tokës nanë iu ban kunorë… N’gjoks t’Krujës heroine,/Nanddhetë lule çelur rrijnë./Nandhetë lulet e lavdisë,/Fort po i ngroh dielli partisë. Është fjala për gratë dhe vajzat krutane gjatë rrethimit të Krujës, që për të mos rënë në duart e turqve u hodhën nga Shkëmbi i Vajës. Se çfarë lidhje ka ky akt heroik me partinë dhe lavdinë e partisë vetëm mëndjet e sëmura të poetëve komunistë shqiptarë mund ta zbërthejnë. Po këto këngë vazhduan të krijohen e këndohen për dyzetë vjet, duke humbur çdo kuptim njerëzor me politizimet e tejskajshme.
Atdheu. Porse gjumë s’ka kurrë Shqipnia/Syt’ me drit’ na i mbush partia/Shkëlqen djersa e s’njifet loti/Në kët truell me palc baroti/Shkrin çeliku e lulëzon molla/T’gjith’ shqiptarët janë Mic Sokola. U zbeh dhe kaloi në plan të dytë dashuria dhe koncepti për atdheun. Tashmë në plan të parë kaloi Partia. Nuk ka atdhe, Shqipëri, madje as popull shqiptar pa të madhërishmen partinë dhe udhëheqësin legjendar Enver Hoxha. Midis atij deti këngësh e vallesh për partinë dhe Enverin. tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” nga janw marrw dhe vargjet e mwsipwrme, që edhe kur përmendeshin heronj të Mesjetës, Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër, duke u shndërruar në këngë propaganduese. Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre: Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati./Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!/Arrestohet sot Reshati,/Do këndojmë për sigurimnë! Për të mos e zgjatur me shëmbuj të tillë të shëmtuar përmendim se vetëm seria e V, vëllimi i shtatë, botuar nga Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, botim i vitit 1986, ka plot 519 këngë të tilla, pa përfshirë transkriptimin muzikor të disave prej tyre. Po përmend këtu edhe marrëzinë kolektive shqiptare pas vdekjes së diktatorit, që çdo shqiptar i detyruar do të shprehte në prozë apo poezi dhimbjen për humbjen e udhëheqësit. Qindra mijëra këngë u thurrën dhe u botuan pastaj nga makina propagandistike e diktaturës dhe jo rrallë u kënduan plot pasion e qurravitje nga jugorët në këngët polifonike dhe nga veriorët me kor e çifteli. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsifikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne. Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.