(Letër Flamuri-t)/
Nga Mustafa Kruja/
Z.Drejtor,
Si i paparti që jam do të kisha dëshiruar që antikomunizma shqiptare të kishte në mërgim një organ të lirë, dmth. të palidhur me programe e tendenca partizane, ku secili të kishte mundësinë të çfaqte mejtimet e tija vetëm si Shqiptar. Po mjerisht një organ të këtillë s’po e kemi. Prandaj, Z. Drejtor, unë qeshë shtrënguar ca kohë më parë të ju kërkonja juve hospitalitet për botimin e ca ideve të mija personale që e kisha ndier për detyrë kombëtare t’u a thonja bashkëatdhetarëve të mij e kujt ishte për to. Pasandaj prapë ju trazova me një letër si këtë. Ajo s’kishte nevojë për shumë fjalë. Kurse këtë herë, Z. Drejtor, e shoh se do të më duhet të flas si gjatë, në paçi vënd për to në fletoren t’uaj. E tepër t’a përsëris se unë flas kurdoherë vetëm ashtu siç ndienj dhe gjykonj vetë e vetëm për vetëhe.
Është gazeta Flamuri që po më jep shkas, madje mundem të them se po më josh e trimëron t’i shkruanj këto rradhë. Sepse, Z. Drejtor, lejomni t’a them shqip se me njerëz që dijnë të flasën e t’arsyetonjën, edhe kundrështarë t’i kemë mua m’a kënda kuvêndin. Madje, për qëllimin që kam shpallë me këto shkrimet e fundit, më shumë dua të flas me kê qëndron larg meje me idera se me atê që kam afër.
Paravë që ndë krye se e vetmja lakmí që kam në perëndim të ksaj jete të shkretë që po mbaronj në këtë mërgim, është që të shoh të bashkuara gjithë vullnetet e energjivet shqiptare antikomuniste me sinqeritet të plotë, me besë të vërtetë gjer ditën që t’i arrihet qëllimit të shënjtë. Kush të dyshonjë se kam ndonjë qëllim personal të fshehur ndën këtë fjalë të bekuar të bashkimit, le t’a ruajë këtë pohim solemn si peng nderi për të m’a përplasur fytyrës në çdo kohë që të ketë në dorë një fakt për të m’a provuar. Ç’do të presë më sot e tutje për vetëhen e tij një njeri me një këmbë ndë gropët ? Pasandaj, cilido që s’e ka kuptuar se koh’e pleqvet ka perënduar për lakmira personale, ay vetëm se lodh shpirtin e tij mbë kot. Sa për të shkuarën, i kam aqë mênd, aqë eksperjencë dhe aqë sedër sa të mos pres e të mos kërkonj një gjykim të drejtë gjer sa s’më ka mbuluar toka e zezë. Pra nëse kam hapur çështjen e kollaboracionizmës e t’antikollaboracjonizmës, s’kam dashur të kërkonj për askênd një reabilitim pa vênd as të pruanj një palë e të kritikonj një tjetër, por vetëm të pretendonj se nuk është sot koha e këtyre llogarive. Pretendim’i im ësht’i shprehur fare qartazi në letrën e botuar prej jush më 20 shkurt të këtij viti, ku them : “Ndër malet t’ona…..”. Dhe më poshtë : “Pse të mos i mundim dot ndjenjat që na këshillojnë keq…”. Me fjalë tjera, nuk po dua të them që të bëjmë tabula rasa ase një amnistí të përgjithëshme që fshin e harron çdo padí reciproke për faje ase gabime që i përkasin një perjode të turbulltë të historisë s’onë ; por po kërkonj që të vihet një besë e sinqertë, një besë burrash ndërmes gjithë Shqiptarëve nacjonalista gjer ditën që kombi do të jetë i lirë, të vihet një kapak mbi ato padí për një bashkëpunim të përzêmërt të të gjithëve, sipas aftësisë e kompetencës së gjithkujt. As nuk po them se fajet ase gabimet që i hjedhim shoshoqit t’i a lêmë historisë t’i gjykonjë, por t’i a lêmë popullit shqiptar të çliruar, të vetmit që ka të drejtë të padisë, të gjykonjë e të dënonjë ase të çfajtonjë.
Flamuri shkruan që në krye : “Bota shqiptare në mërgim…..” oh, jo ! Vaj hall’i atij kombi në të cilin bazat morale të politikës së tij, do t’i caktonte një partí dhe do të gjykonte po ajo në janë respektuar apo jo. Sikur edhe vetë populli shqiptar t’i kishte mveshur a të kishte për t’i mveshur njerzit e Flamurit me një farë pushteti, ky nuk mund t’ishte veçse njëri nga tri pushtetet klasike të një Shteti demokratik, por jo të trija bashkë. Flamuri e tepron këtu, dhe do të përpiqem t’a bind se ësht i gabuar. E par’e punës, ka ndër padit’e tija fakte që ay i quan antimorale e antipatriotike, të cilat ekzistojnë vetëm n’aparencë. Së paku kjo është bindja që kam formuar unë nga provat që kam në dorë. Nuk jam i auktorizuar t’i zbulonj botërisht këto prova, e prandaj Flamuri ka të drejtë të bënjë reservat e tija. Por kemi edhe n’analet e gjyqsisë plot shêmbuj njerzish të paditur në bazë provash, të pandyera evidente, që përpara gjykatores kanë dalë të paqêna ase false. Kemi prova të këtilla që i pandyeri s’ka pasur mundësí t’i rrëzonjë a t’i çfuqizonjë dhe është dënuar duke qênë në realitet i pafajshim. Kemi shêmbuj që na tregojnë njerëz të dënuar në këtë mënyrë, makar duke pohuar edhe vetë, për shkaqe të ndryshme, një faj që s’e kishin bërë, të cilët pas një kohe shum’a pak të gjatë kanë dalë të larë e kryekëput dorjashtë nga ay delikt. Për më tepër, gjithkush e di se çdo fakt njerzor, qoftë vetëm moral ase gjyqsor, edhe si të jetë provuar se ësht një fakt, nuk gjykohet i izoluar, por bashkë me shkaqet e rrethanat që e kanë prodhuar. E pra në një kohë kur populli shqiptar ndodhet në rrezik të vdesë e kontribut’i më të prapmit bir të tij mund të jetë vendimtar për t’a shpëtuar, s’i ka hije as Flamurit as kurrkuj tjetër të bënjë diskriminime morale pa vênd ase të bazuara mbi prova të dyshimta.
Qiqeroni e ka quajtur historinë “magistra vitae”. E na e dijmë të gjithë se Fatos’i ynë, ay që na jep të drejtë t’a quajmë vetëhen me krye përpjetë shqiptar, ka falë Moisiun e Hamzanë, tradhtorë, me koxha vulë në ballë, të Shqipërisë e të personës së tij. Sot s’ka ndër ne as Moisi, as Hamza mbë njêrën anë e as Skënderbeg në tjetrën. Pra aqë më tepër duhet të na vlejë për mësim historij’e jonë. Skënderbegu ka qênë shpirtmadh, po edhe shtetist e politikan i shquar. Prandaj s’kemi të drejtë t’i quajmë gjestet e tija bujare vetëm një efekt shênjtërije, por më tepër urtije e patriotizme.
Kemi plot edhe shêmbuj tjerë, gjithnjë nga historij’ e kombit t’onë, nga ajo më e reja madje. Sa përqind kanë qênë ata Shqiptarë që e kanë dashur Shqiprinë të ndarë mbë vete nga Turqija në 1912 ? E nëse ata që s’e kanë dashur atëherë Shqipërinë të lirë, dmth. shumicën e popullit tonë, duhet t’i quajmë tradhtorë, lypset në këtë rasje edhe të konkludojmë pa fjalë se jemi një popull tradhtorësh ! As që ishin me të vërtetë tradhtorë rebelët e Shqiprisë së mesme që u vranë e u dërmuan për të sjellë përsëri Turqinë në Shqipërí, dy vjet mbas pamvarësisë kombtare. Por këtu kemi të bëjmë me turma të padijshme e prandaj të papërgjegjëshme, do të thuhet, dhe ësht e vërtetë. Po vallë a s’ka patur dhe atëherë Shqiptarë intelektualë shumë të shquar e me tradita patriotike të shkëlqyera që s’e kanë quajtur popullin shqiptar të pjekur për pamvarsí e që prandaj mallkonin ata pak “të marrë” që luftonin për lirinë e kombit të tyre ? E ndonjë tjetër madje që e kishte tepruar zullumin gjer n’atë pikë sa t’a quanjë botërisht flamurin e Skënderbegut “një copë lëvere”, e kur Shqiptarë të tjerë e zëmruan me sulmimet gazetare të tyre i a shtoi dozën profanimit me fjalët “jo vetëm lëvere, por lëvere e ndyrë”? Eh mirë, ç’bënë Ismail Kemali e shokët e tij në Vlorë kur ai Shqiptar u gjênd në Vlorë, vetëm mbas 3-4 vjetësh, si mis i Kuvêndit që shpalli pamvarsinë ? I dhanë dorën, e përqafën si vëlla. Ata thanë : “Ka qênë ç’ka qênë, tashti kemi Shqipërinë, nënën e përbashkët përpara syshë”. Këtij i thonë gjest patriotik.
Vazhduan hallet e Shqipërisë dhe më vonë, se këto s’kanë pasur kurrë të mbaruar. S’ishte mbushur viti edhe, e na dolli në shesht Esad Pashë Toptani si tradhtor me vulë, edhe ay. U vëndos në Durrës me një qeveri të tij kundra Ismail Kemalit. E kë pati rretherrotull tij si kshilltarë, bashkëpuntorë e shërbestarë ? E dijnë të gjithë, se ka edhe njerëz nga ay brez që rrojnë. Vallë ç’titull e ç’pozitë morale e patriotike u shënon Flamuri këtyre profanatorve të flamurit kombtar dhe bashkëpuntorve t’Esad Toptanit ?
Ndër sa tjera që mbaj mênd, do të citonj edhe një rasë të vetme. Një Shqiptar që banonte në Stamboll, tregtar i madh e pa dyshim dashamir i vêndit të tij si të gjithë tjerët edhe ay. Në mes të 1909-s e 1912-s atij i venin punët pupa me Turqit e Rij, por Shqipërisë fare keq. Ndjekje kundër patrijotvet, kundër alfabetit latin, kundër gjuhës shqipe e kundër zakonevet shumshekullore të popullit t’onë, kryengritje, masakra. Tregtar’i ynë s’u turbullua aspak nga këto ngjarje as që i ra ndër mênd për Shqipërinë. Gjatë luftës së parë botore s’i eci zar’i tregtisë dhe u bë diletant politike shqiptare, gjithënjë me banim në Stamboll. Dikur qeverija shqiptare i lidhi një pensjon, se kish qênë me dërgatën e kolonisë shqiptare në konferencën e paqës dhe kishte zhvilluar atje veprimtarí patriotike. Më vonë, nga huaja Svea që kontraktoi Shqipërija me Italinë, atij Shqiptari të mirë, që asohere ndodhej përkohësisht në Tiranë, i ra një pjesë e majme katërmijë napoljonash ar si një farë shpërblimi, natyrisht se kishte nevojë, ndonse në Stamboll bënte politikë kundra regjimit t’atëhershëm me kundrështarët e mërguar. Ky Shqiptar ka hypur n’altarët më të lartët të patriotizmës shqiptare ndër syt’e disa patrijotëve. Kjo mënyrë partizanije mua më pëlqen shumë më fort se e kundërta, dmth. se sa mërija e shkreditimi kundra atyre që nuk duam, edhe sikur të jenë shkrirë për idealin kombëtar.
Gjithë këta shêmbuj zakonesh kombëtare dhe traditash politike të vêndit t’onë në politikë sa më shumë toleranta e jo sektarë ase puritanë, se nuk na ka hije e nuk na jep dorë. Sa herë që ndiejmë vetëhen të tentuar për t’a zënë tjetrin me gurë për imoralitet kombëtar, duhet të na vinjë ndër mênd fjal’e shênjtë e Krishtit për Mari Magdalenën : “Kush t’a dijë vetëhen të larë nga mëkatet le të hjedhë gurin e parë” ! Më në fund, a është vallë i sigurtë grupi i Flamurit se s’ka pasur kurrë e s’ka as sot kollaboracionista të të dy tipavet kollaboracionista me italjanë dhe me gjermanë ?
S’ka gjë sepse më ka futur Flamuri në kategorin’e “pêndavet oportuniste”, unë nuk do t’a ndjek n’udhën e polemikës, mbasi nuk më përmeton qëllim’i ksaj fushate që kam hapur pa më nxitur askush veç mêndjes e zêmrës s’ime. Të kisha qênë, në gjithë jetën t’ime, jo oportunist, po dhe vetëm një “politikan i hollë” që di të mejtonjë shum’a pak edhe interesat e tija, do të kisha patur sot e në të shkuarën një pozitë, jo vetëm materjale, po edhe “morale”, mu me kuptimin që i pëlqen t’i japë ksaj fjale Flamuri. Po, mbasi e kam urryer gjithmonë oportunizmën, duke i peshuar fare mirë të gjitha pasojat e një qëndrimi t’atillë, jam i kënaqur kështu pa pikën e pendimit. Kaqë sa për të pruajtur vetëhen kundra një padije të padrejtë. Edhe i them Flamurit se historinë e vërtetë të një kombi s’e kanë shkruar kurrë e nuk mund t’a shkruajnë pêndat politike e partizane të kohës kur ajo thuret, por vetëm brezat e ardhëshëm. Prandaj e lê të kalonjë edhe pjesën e kronikës së rezistencës shqiptare ashtu siç e ka redaktuar vetë Flamuri, me gjithë që jam i bindur se ndryshe ka për t’a përshkruar historija.
Unë çuditem që as redaktorët e Flamurit s’kanë mundur, apo s’kanë dashur t’a kuptojnë frymën e krahasimit t’im ndërmjet “Azjatikve të marrë” e neve “të mêndshimet”. Pra nuk duhet një kulturë e madhe për të dijtur se tjetër është identiciteti, që s’ka vênd n’artikullin t’im, dhe analogjia që kam dashur t’evokonj unë. E njerzve të Flamurit, s’ka si t’u mohohet aftësija për t’a kuptuar këtë ndryshim. Unë kam dashur pikë së pari të vê në dukje ndryshimin e atmosferës mjegullore të kohës së luftës që kishte turbulluar mëndje të larta shtetistash e politikanësh me famë, me atmosferën e pasluftës kur mjegulla e afshevet kishte filluar të zhdaravitej si në mes të kombevet njëri me tjetrin, gjer dje të përleshur në luftë, ashtu dhe ndërmjet qytetarësh të secilit prej atyre kombeve, gjer dje të përçarë ndër mendime e t’ashpruar ndër afshe gjithnjë si pasojë e asaj lufte. Dje luftohej për vdekje kundra Gjermanisë, Italisë e Japonisë në bashkëpunim vëllazëror me Rusinë bollshevike e i blatohej Stalinit gjithë ç’kishte mundur të dëshronte ay vetë, gjer në dorzimin pa kushte të tre armiqvet që kishin provokuar luftën ; sot kërkohej miqsij’e tyre kundër ish aljates së djeshme. Besonj se analogjij’e këtij fakti ndërkombëtar është aq’e qartë me faktin t’onë kombëtar, sa s’është nevoja të stërhollohet më gjatë. Mac Arthury ishte në Tokjo për të shtypur militarizmën japoneze e për të vendosur një regjim demokratik sipas gustit të tij a të vêndit të tij. Heroizmin e Tojos e kam sjellë vetëm si shêmbull guximi civil, pasi isha duke folur për Japonezët, për t’u ndjekur nga çdo Shqiptar që vepron me bindje patriotike ndë një udhë a një tjetër që mundet edhe të dështonjë. Po pun’e Hatojamës me shokë, miq e admiratorë të Hitlerit, është dy fijsh kuptimtare : e para, se tregon që një popull i pjekur mundet të vepronjë e të rregullohet sipas interesave të tija edhe në qoftë se nuk u duket mirë miqve të përjashtëm ; dhe e dyta, se gjer e mëngjëra socjaliste përkrah një qeverí të së djathtës kur e kërkon interesa kombëtare. Vallë a s’ka dhe ndër neve të djathta e të mëngjëra për të marrë mësim nga Japonezët ? A s’ka analogjí edhe kjo rasje me davan’e bashkimit a të bashkpunimit që bënj unë për Shqiptarët ? Po Sukarno, fatos i Indonezisë ? Ësht’ e vërtetë se Indonezija, siç e kam thënë vetë me shkrola të qarta, ishte një koloní kolosale e Hollandës e prandaj bashkëpunoi Sukarno me Japoninë. Por ç’garantí kishte ay se, po t’a kishte fituar luftën kjo, vênd’i tij nuk do t’ishte bërë koloní e asaj ? Sigurisht jo më shumë se ç’kishin shpresë disa kollaboracjonista shqiptarë që Shqipërija, e bashkuar me Kosovën, një ditë do t’ishte e zonja t’a fitonte prapë lirin’e saj të plotë. Po Sukarno fitoi e atdheu i tij sot lumturisht ësht i lirë e ai vetë, siç e thashë, u bë fatos, se pati fat. Ndërsa kollaboracjonistat shqiptarë dështuan dhe ashtu mbetën “kollaboracjonista”. Me gjithë këtê prap se prap u ka mbetur një ngushullim : Kosova u bë për tri vjet shqiptare, u quajt pjesë e Shtetit shqiptar, u mbush me shkolla që po vazhdojnë e po përparojnë edhe nën komunizmën titiste. Rëndësín’e një precedenti historik e të këtyre shkollave le t’a çmojë secili me masën e gjykimit të tij. Nuk pretendonj, se do t’ishte një gjë absurde, që këto dý fitime janë themelisht meritë e kollaboracjonistavet, këto i a solli Shqipërisë zhvillim’i një lufte gjiganteske, siç i solli Indonezisë lirín’e saj. Prandaj analogjija ësht e plotë ndërmjet dy kollaboracjonizmavet, veçse në terme të kundërta për sa i përket fatit të protagonistave të tyre. Mjerisht po një fat analog i ra mbë krye edhe rezistencës shqiptare, si në gjithë vêndet balkanike. Ky mjerim i përbashkët, që do të kishte pak rëndësi sikur të mos ishte njëkohësisht edhe mjerim i atdheut e i kombit mbarë, i këshillon, i urdhëron të dy palët që t’i japin dorën shoshoqit, siç e kam thënë edhe më parë, jo me kleçka e zhigla në zêmër, por burrërisht.
Ja se ç’pret populli shqiptar nga fautorët e pamvarsisë e tërësisë kombtare të gjithë botës së lirë ! Bota ndodhet sot përpara ndodhive që munt të kenë pasoja fatprera, jo vetëm për ne Shqiptarët, por për të gjithë popujt që gjênden nën kontrollin sovjetik. Ndër të gjithë këta popuj, i yni është më i vogli, më i pafuqishmi dhe më pakrahësi. Dhe s’ka tjetër gojë të lirë që mund të flasë për tê veçse atê të bijvet që ka në botën e Perëndimit. Por prej kësaj goje duhet të dalë një zë i vetëm, në qoftë se duam që të jetë i fortë e të dëgjonet. Shumë zëra nuk do bëjnë tjetër veçse një kakofoní të mërzitëshme për veshët delikatë të një bote që para çdo gjëje përpiqet të sigurojë vetëvetëhen e interesat esencjale të saja. Prandaj, jo vetëm që zëri shqiptar duhet të jetë një i vetëm e i forcuar nga iso sa Shqiptare që ndodhen jashtë, po lypset të merren dhe disa nisjativa oportune për të bashkuar e orqestruar gjithë zërat e popujve të robëruar si na. Kurrë s’ka qënë më i madh rreziku për këta popuj ka dhjetë vjet e tëhu.
Prandaj, një zë Shqiptari që s’kërkon asgjë për vetëhe thërret :
1) Ti, K. K. SH. L., zgjohu, ligjoje me vepra ekzistencën t’ënde. Vepra më e para për të cilën duhet të përpiqesh menjëherë, është Bashkimi, themel’i çdo hape tjetër që të pret. Them të përpiqesh, të përpiqesh me tërë sinqeritetin, me patriotizmën dhe vetmohimin që lypin rasjet. Në mënyrë që një ditë a një tjetër, në qoftë se do të ketë një Shqipëri të lirë, të bindet populli shqiptar se kush ka dëgjuar zërin e tij dhe kush atë të t’egoizmës personale a partizane.
2) Ju, aventinistat e Komitetit, keni lënë një zbrazësirë në kopenë Shqiptare. Nuk është fjala nëse do të presë ujku juve apo do të çkatërronet kopeja. Është fjala që përçarja çnderon Kombin e dobson shanset e shpëtimit t’Atdheut. Në më të mirën hipotezë, qëndrim’i juaj do të thotë : “Perisse la patrie vivent les principes !” , pa diskutuar nëse principet janë apo jo të ligjuara prej realitetit objektiv. Nuk ju ka hije të qëndroni n’udhën që keni zënë. Kthehuni ndë vathët. Kam besim se jeni në gjëndje t’a kuptoni situatën.
3) Ju Shqiptarë t’Amerikës ! Mos u mundoni t’a zbuloni se nga ju vjen ky zë : nga parajsa apo nga skëterra, nga pafundjet e oqeanevet apo nga stratosfera e qiejvet, është zër’i një Shqiptari të vdekur, i një Shqiptari që di se ç’keni bërë ju dhe etrit t’uaj për Shqipërinë ka nja një gjysmë shekulli e tëhu. Po sot ku jeni ? A ka qênë ndonjë herë Shqipërij’e dashur e juaj dhe e imja në një rrezik më të math se sot ? Ç’bëni atëherë për t’a shpëtuar, ju që kaqë sakrifica keni bërë për të gjer dje ?Ah ! po, e kuptonj se ç’ju ka paralizuar, ca më keq, se ç’i ka shtyjtur një palë jush dhe më tutje akoma ! Por jam i bindur që patriotizma e njëhershime s’është shuar fare ndër zêmrat t’uaja. Tregojeni pra, ndo sot ndo kurrë. Kur të jetë tepër vonë s’mjafton të bërtasim mea culpa tuke qarë mbi fatin e vëndit t’onë të skllavëruar për jetë të jetëvet. Ç’ të bëni ? Ju e keni gjetur kurdoherë vetë udhën e Atdheut. E par’e punës e dini më mirë se cilido tjetër ju që rroni n’atë vënd të bekuar se pa një organizim të shëndoshë individët e vegjël si na s’bëjnë dot asgjësendi për Shoqërinë. Prandaj mblidhuni e organizohuni, tërë sa jeni për një Shqipëri të lirë me një demokraci të vërtetë, si ajo që gëzoni ju aty. Thirrini ndër mënd Shqiptarët refugjatë të harrojnë të shkuarat e hidhura plot vrer e mëri, të bashkohen për të shpëtuar vêndin bashkë me juve. Kërkoni të merrni pjesë dhe ju në K. K. Sh. L. Si elementi më i aftë për të krijuar n’at organizëm një frymë paqe dhe harmonije me delegatët më të përshtatëshmit për këtë barrë. Ja se ç’më merr mêndja që duhet të bëni.
4) Madhëri, Zog I, Mbret’i Shqiptarvet ! Mos të Ju vinjë keq që e lashë për në funt fjalën t’ime modeste për Juve. Ju e dini më mirë nga unë që për t’arrirë në majë të një piramideje duhen nisur çapet nga baza. Jeni i pari qytetar i kombit t’Uaj. I pari që keni nisur kalvarin e gjatë të këtij mërgimi kaqë të hidhur. Ishit mbret i Shqiptarëvet mbi thron, sundojshit një popull që kishit dijtur t’a futshit në një disiplinë e t’a drejtonit n’udhën e mbarë të qytetërisë perëndimore. Sot ç’bëni, Madhërí ?
Në kohën e luftës, që nga 39-da gjer në 45-n, kur kishte të drejtë vetëm topi të fliste, e dijmë se s’kishit ç’bënit. Ju topa s’kishit e në mes të krismës së tyre as fjala nuk Ju dëgjonej, edhe këtë e dijmë. Mirpo e pastaj, që dhjetë vjet e tëhu ? Kemi kënduar ca mesazhe Shqiptarëvet plot me këshilla t’urta për bashkim, që mjerisht nuk u dëgjuan. Kemi kënduar ndonjë intervistë ndonjë agjencije a gazete të huaj, gjithashtu me fjalë ari. Po kaqë, Madhëri, e tjetër na nuk dijmë. Duam të besojmë se keni zhvilluar edhe ndonjë aktivitet propagande ndër qarqe të larta të politikës botërore në favor të Shqipërisë, që na s’e dijmë, siç mund të keni dërguar dhe nota e memoranda kancellarive të ndryshme për të pruajtur të drejtat e Atdheut. Po na, vegjëlija, jemi fare në t’errët të të gjitha këtyreve. Po një gjë sidomos na çudit, Madhëri, mbi të gjitha : thamë se Shqiptarët e mërgimit nuk ju dëgjuan, të pakën jo aqë sa duhet, për një bashkpunim vëllezëror në mes të tyre siç i keni këshilluar sa herë. Po, Madhëri, na duket se në mërgim ka dhe një grup të madh refugjatësh të deklaruar monarqista. E këta ku janë vallë ? A kanë ndonjë farë organizimi, zhvillojnë vallë ndonjë farë veprimtarije të frytëshme për monarqinë apo përgjithësisht për Shqipërinë ? Marrim vesh se kudo që ndodhen refugjatë shqiptarë në botë, numri më i madh qênkan monarqista. Po pse s’u dëgjonet zëri këtyre ? Na thonë bile se këto grupe të ndryshme refugjatësh monarqista s’paskan më asnjë lidhje në mes të tyre, dmth. s’paskan ndonjë organizim të përbashkët e për të qênë. Si bëhet kjo, Madhëri ? Që as monarqistat e deklaruar të mos e dëgjojnë fjalën e mbretit të tyre është një gjë që ka zor njeriu t’a besojë. Prandaj na që s’jemi ndë rrjedhjen e punravet e që shikojmë vetëm syt’e të mbëdhenjvet, e kemi humbur toruan fare, nuk po marrim vesh asgjë as nga rrëmbulla e partivet dhe e gazetave të tyre që shahen e kritikohen e as nga heshtja e të tjerëvet. Jemi të dëshpëruar, Madhëri, e për këtë shkak na u duk se si Shqiptar kishim të drejtë të Ju qahemi edhe Juve. Na falni.
Mustafa Kruja