
Dr. Dorian Koçi/
Sot mendohet gjerësisht se mund të jetë përvjetori i i lindjes të fatosit të lirisë të shqiptarëve – Gjergj Katrioti Skënderbeut. Barleti dhe historianët e tjerë të mëvonshëm që shkruan për jetën dhe bëmat e Skënderbeut nuk përcaktojnë një datë të saktë të lindjes së tij, por një shumicë të apasionuarish të tjerë pas historisë , kryesisht në kohët moderne, e lidhin datëlindjen e Skënderbeut me këtë datë duke u nisur nga fakti që ai u pagëzua me emrin Gjergj, emrin e shënjtorit që feston në datë 23 prill me kalendarin Julian dhe 6 maj me kalendarin Grigorian. Prej kohësh në rrjetet sociale kjo datë është kthyer në një datë përkujtimore e datëlindjes së Gjergj Kastriot- Skënderbeut, ku përveç rezonancës së memories kolektive kombëtare të formësuar gjatë Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve, vlen për tu shënuar edhe si fakt dhe si dukuri kulturologjike moderniste sesi masat arrijnë të imponojnë dëshirën e tyre për të pasur një datë historike. Në këtë kuadër, nëse komunitetet shqiptare kanë komfirmuar tashmë dëshirën për të pasur një datë historike që i shtohet kronologjisë skënderbejane, është më e rëndësishme për të pasur disa konsiderata historike për ta ridimensionuar këtë figurë poliedrike dhe për ta parë nën prizmin krahasues me bashkëkohësit e tij në Evropë, për ta risjellë mesazhin e veprës së tij të pacënuar ndër shqiptarët.
Skënderbeu ishte një Princ i mesjetës, njëlloj si princërit evropianë që analizon filozofi italian Makiaveli në veprën e tij të famshme “Princi”. Gjergj Kastrioti lindi në Arbëri, e cila ishte nën sferën e influencës të qytetërimit perëndimor, por u rrit në Turqi ku gjithë monarkia ishte e qeverisur nga një drejtues dhe të tjerët ishin veçse skllevër të tij e sipas Makiavelit sundonte despotizmi.
Në përpjekjen e tij madhore për tu bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, shpesh herë, si del nga të dhënat historike, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin e vet në një model të organizuar sipas modelit të Francës mesjetare, si një territor i qeverisur nga një mbret, por i rrethuar nga një numër i madh fisnikësh të njohur e të dashur si të tillë nga nënshtetasit e vet,e që kanë priviligjet e tyre nga të cilat mbreti nuk mund ti privonte pa u rrezikuar nga reagimi i tyre. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte fuqinë më të madhe të kohës , tmerrin e gjithë mesjetës, perandorinë osmane.
Kjo në fakt ishte sfida e tij. Një përpjekje shumë e madhe për një njeri që fati e kish troshitur sa midis Lindjes dhe Perëndimit, një përpjekje që la gjurmë në histori dhe në kohë, një përpjekje që iu njoh si meritë nga Evropa por edhe nga pasardhësit e vet.Ndaj ai sot vlerësohet e studiohet në të gjitha katedrat historike të Europës e botës, ndaj bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane , ndaj përveçse një hero i shqiptarëve, është në të njëjtën kohë edhe një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.
“Skënderbeu mbi kalë”, vepër nga Spiro Xega.