Recension:Prend Buzhala: Trilogji e letrave shqipe”, botoi SHB “Rozafa”, Prishtine 2016/
Shkruan: Mikel GOJANI/
Prend Buzhala, është emër i njohur i letrave shqipe, jo vetëm i përmasave kombëtare, por edhe më gjerë. Gama e veprimtarisë së tij letrare është mjaft e gjerë dhe më interes shumëdimensional. Ka shkruar, prozë, poezi, kritika letrare, publicistikë, eseistikë etj.
Buzhala është një studiues i mirëfilltë, studiues i artit të shkrimit, i lashtësisë dhe gjuhësisë. Në fushën e kritikës letrare, ku spikat natyra e tij prej një vrojtuesi të spikatur, të preokupuar për çështjet e letërsisë dhe të kulturës kombëtare të hershme, por edhe të aktualitetit, ndryshe nga shumë kritikë të tjerë. Ambiciet për të prezantuar arritjet në fushën e letërsisë, e kanë plotësuar dimensionin e këtij studiuesi të letërsisë shqipe.
Pra, kritika letrare përbën një dimension themelor të krijimtarisë së tij në atë kuptim profesional, sa mund të konsiderohet nga kritikët më të frytshëm dhe më të suksesshëm të kohëve të fundit. Kjo ka disa arsye të veçanta.
Ky studiues e kritik letrar këto ditë lexuesve ua ofroi librin të titulluar “Trilogji e letrave shqipe” (Autorë dhe vepra: përqasje historiko-letrare).
1. Librit i paraprin një parathënie e autorit, i cili shpalos pretendimin e tij të qëllimit të botimit të këtij libri. Me këtë rast, autori Buzhala shprehet se që nga Hegeli, kur përmenden strukturat universal konkrete në letërsi, e deri në ditët e sotme, vepra letrare është konsideruar si çështje e krijim krejtësisht individual, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, është konsideruar po aq edhe çështje universale. Këtë individualitet dhe këtë universalitet, edhe letrat e autorëve të Kosovës, i heqin fillet e tyre që nga universaliteti i latinitetit ilir në krye me Shën Jeronimin e Niketë Dardanin, duke kaluar përmes latinitetit arbëror, për të zënë fill me shkrimin shqip të veprave të Pjetër Bogdanit e deri tek gjeneratat e Atë Shtjefën Gjeçovit… autorë e letra që kaluan sprovën e gjakut, vrasjeve, ndalimeve e mohimeve të së keqes universal të pafund nëpër shekuj… Kurse letërsia bashkëkohore shqipe e Kosovës, do të konsiderohej periudha prej Luftës së Dytë Botërore e këndej, kur kjo letërsi përjetoi renesancën e vet të vërtetë krijuese në të gjitha zhanret letrare: në poezi me emrat e E. Mekulit, A. Podrimjes, Rr. Dedaj, M. Kërveshit, B. Musliut, M. Gashit, F. Gungës, A. Shkrelit; në prozë me veprat e A. Pashkut, M. Ramadanit, R. Qosjes, R. Kelmendit, M. Krajës, J. Buxhovit, E. Bashës; në dramaturgji me emrat e J. Relës, Y. Shkrelit, T. Dërvishit etj; vijnë emra të tjerë deri tek gjeneratat më të reja krijuese të dekadës së mbas luftës së fundit në Kosovë. Por krijuesve shqiptarë iu desh që të martirizohen e të binin si luftëtarë për çështjen e lirisë, do të shprehej poeti ynë Ali Podrimja… ani pse nuk e gëzuan atë liri me shekuj e shekuj. Hajdeger do të thoshte:”Ajo që mbetet, e krijojnë poetët”. Dhe si i krijuan shkrimtarët këto vlera kaq thelbësore e universal?- shprehet ndër të tjera kritiku Buzhala.
Libri Trilogji e letrave shqipe e autorit Buzhala është e konceptuar në tri pjesë: Pjesa e parë: “Nga letrat e latinitetit ilir”; Pjesa e tretë “Nga letrat arbërore” dhe Pjesa e tretë “Nga letrat moderne shqipe”, sado që secila pjesë qëndron më vete, megjithatë përbejnë një tërësi, pasi përshkohen nga një ide unikate dhe trajtojnë një subjekt përmbajtjesor, që vijojnë nga njëra pjesë në tjetrën.
2. Prandaj, siç vërehet nga trajtimi i temave të cilat autori Buzhala i kapërthen nëpër këto pjesë të këtij libri, të sistemuar në kapituj dhe nënkapituj, shihet qartë që ai ka bërë përpjekje që problemet letrare dhe studimore t’i trajtojë dhe t’i shtrojë në rrafsh të zhvillimit, pra të evoluimit të dukurive letrare dhe shkencore dhe në rrafsh të ligjërimit të veprave dhe autorëve të ndryshëm, duke filluar nga periudha ilire (kapitulli: Koha kur ilirët ndërruan kahen e historisë), duke filluar që nga Shën Jeronimi, Niketë Dardani, Konstandini i Madh etj. Autori Buzhala përmes këtyre figurave të hershme të letrave, shkencës dhe kulturës iliro-shqiptare përçon vlerat dhe kontributin që kanë dhënë këto figura në vënien e bazamentit dhe të bekimit të letërsisë, shkencës dhe të kulturës iliro-shqiptare.
Kapitullit të dytë, Nga letrat arbërore, i paraprin një shkrim eseistik, përmes së cilit shkrim sintetizon mendimin kritik të lirizmit modern letrar, ku duhet të mbështetet kjo përvojë dhe dinamike trajtuese, ku kritiku Buzhala shpreh mendimin e rrjedhave të shkrimit shqip, që sipas tij, shkrimet kombëtare fillojnë me përkthimet e Biblës në gjuhët kombëtare. “Latinishtja ka qenë (dhe ende përdoret si e tillë), si gjuhë e kulturës dhe e civilizimit evropian. Gjuha e arsimit, universiteteve, politikës, diplomacisë, gjuhë e shkrimeve. Është e pamundshme sikur po bëhet përpjekje këtu, që të hiqen paralele të ngjashme me Lindjen!” (Fq. 69).
Në vijim, autori rreket të trajtojë tema të rëndësishme, duke interpretuar reflektime rreth gjenocidit fetar që nga Aar Dushanio deri në shekullin XX: Dëshmia kulturore e letrare arbërore, me theks në Kosovën dardane me rrethinë gjate Mesjetës dhe periudhës së së Humanizmit dhe Renesancës; Humanistët arbërorë të Kosovës dardane: Intelektualë, historianë, piktorë, profesorë, teologë… Në këtë aspekt, brenda këtij sistemi konceptues cilitdo lexues i bie në vrojtim studimi i Buzhalës, rreth profileve vepruese, letrare, shkencore, teologjike dhe të tjera të shumë personaliteteve të spikatur të fushave të ndryshme që të cilët në këtë kohë të cilës i referohet autori artritin të ngrehin lartë ngrehinën e letrare dhe të shkencës arbërore në trojet dhe hapësirat ku jetonte etnikumi etnik, por me vlera të arrira duke depërtuara dhe në gjithë Evropën. Me këtë rast, autori Buzhala potencon emrat e spikatur të letërsisë, shkencës dhe kulturës arbërore, si Marin Barletin, Marin Beçikmenin, Martin Segonin, at Arman Teotonin, Gjon Mazrekun, At Shtjefën Zaharinë, fratin Jan Nikën, piktorët të njohur me reputacion evropian, Gjonj Injacin, Gjon Progonin, shek. XV, Vita Kuçin, piktor i madh , arkitekt arbërotr i ritit perëndimor, dhe rektor i kishës së Shën Mërisë në Kotorr, i cili me 18 skulptorë të tjerë arbëror e gurskalitës të tjerë arbëror katolikë, ndërtuan Manastirin e Deçanit, Mikel Tavarasi i njohur atëbotë në gjithë Evropën si skulptor, , Gjin Aleksin dhe Mafrk Nikollë Gjokën, Jak Pjetër Llukarin dhe shumë të tjerë të po atyre viteve. Në vijim autori Buzhala prezanton edhe një recension rreth librit të prof. Dr. Eqrem Zenelajt të titulluar, “Gjenealogjia e familjes shqiptare Albani nga Urbino dhe Bergamo e Italisë – Papës Clementi XI Albani (Pontifex Maximus”, botuat nga SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2009. Autori po ashtu jep vlerësimet e tij kritike dhe letrare rreth këtij libri të rëndësishëm dhe me interes shumëdimensional rreth Familjes Albani, ku sipas autorit për “katër shekuj prezanton shkëlqim historik”.
Autori Buzhala në vazhdim të këtij librit, në kapitullin, Pjetër Bogdani në natura naturata, vazhdon po të njëjtën metodë të caktuar të ligjërimit dhe të interpretimit letrar dhe shkencor nga këndvështrimi përmbajtjesor, duke vënë në spikamë mbi të gjitha dimensionin semantik e ideor të figurës historike, letrare dhe shkencore të Pjetër Bogdanit, duke e cilësuar këtë figurë të shquar të historisë, shkencës, humanizmit dhe kulturës kombëtare si “Hero i kulturës, fjalës hyjnore dhe i fjalës amtare”. Me këtë rast, Buzhala portretin e Bogdanit e shpalos po ashtu edhe nga disa vepra letrare dhe artistike, si te drama e Teki Dërvishit, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, Rilindja”, Prishtinë 1990, te romani “Bimorja” të Anton Berishës, Rilindja, Prishtinë 1993 etj.
Pjesën e tretë të këtij libri autori Buzhala e konceptuar, Nga letrat moderne shqipe, duke potencuar për vlerat letrare dhe artistike të shumë shkrimtarëve të letërsisë shqiptare të periudhës moderne. Autori Buzhala nis kapitullin e tij me themeluesin e letërsisë moderne, Dom Ndoc Nikajn, i cili njëherësh njihet edhe si romansieri i parë shqiptar me romanin “Marcia” (1889, dhe veprat e tij letrare “Historia e Shqypnis”, po ashtu romanin e tij, Shkodra e rrethuese” 1913, pjesa I 1913 dhe “Shkodra e rrethuese pjesa II, që u botua disa herë prej viteve 1990 e këndej, “Kujtime të nji jetës së kaluese”, botuar më 2003 etj.
Në vijim autori Buzhala përmes majës së penës së tij jep vlerësime rreth disa individualiteteve dhe veprimtarive të shquara të një plejade të figurave të shquara të periudhës së kohës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Rilindjes kombëtare. Për subjekt shqyrtimi merr Gjergj Fishtën dhe disa vepra të tij, të ashtuquajtura “prodhime në prozë”. Flet edhe për shumë çështje të tjera të një rëndësie dimensionale që ngërthejnë veprën e Fishtës, si për tipologjinë dhe geneologjinë e zhanrit diskursiv fishtian; veprimin dhe shkrimin, polemosin dhe dijen, apologjinë shqiptare përballë botës, Nga apologjia e qëndrimit të tij kritik; Testamenti i edukimit me publikun etj. Dhe autori përfundon me një testament të Gjergj Fishtës, i cili ndër të tjera shprehet: “mue më mjafton që mund em t’i ketë mbërritë qëllimit d.m.th. me edukue publikun tue e nxitë kah përparimi e atdhedashnija.” (At Gjergj Fishta, “Botim përkujtimuer”, f. 40. “Trilogjia e letrave shqipe”, fq. 189).
Në vazhdën e këtyre figurave të këtyre dy epokave historiko-letrare, autori Buzhala merr për shqyrtim figurën dhe veprën letrare të Anton Zako Çajupit, të Ndre Mjedës, në fokus të kontributit të tij për gjuhën shqipe, Atë Luigj Palajt, si kujtesë e rëndësishme fetare, historike dhe e kulturës etj. Një kapitull të veçantë autori i kushton kontributit të At Shtjefën Gjeçovit në letërsinë shqipe, duke u ndalur te kontributi i kësaj kolane të letërsisë shqipe te zhanri i poezisë, prozës dhe dramaturgjisë, i cili me punën dhe angazhimin e tij ka lënë gjurmë të përjetësuara në letërsinë dhe kulturën kombëtare. Kapitulli i fundit, i titulluar, “Bota letrare: Letërsia tjetër”, ngërthen individualitete dhe vepra letrare të autorëve të vonshëm, duke filluar qysh nga paslufta e Dytë Botërore e deri në ditët e sotme. Në këtë kapitull autori fillon, Me Martin Camajn, në letrat shqipe, siç ai e quan “triptik”, duke u përqendruar në botën letrare të këtij shkrimtari, sui dhe te gjuha e receptivi i tij letrar, një shumë të frytshëm dhe tepër kualitativ i letërsisë shqipe, duke vijuar pastaj me një homazh për shkrimtarin Qerim Ujkanin, jetën dhe veprën e prozatorit më modern të letrave shqipe, Anton Pashkut, në 20-vjetorin e shkuarjes në amshim, një studim për Beqir Musliun, njëri nga krijuesit më hermetik të letërsisë shqipe; prozatorin dhe disidentin e njohur shqiptar, Pjetër Arbnorin, kurse nj kapitull studimor ka të bëjë me Jusuf Gërvallën, ese e kritika letrare për Ali Podrimjen, Osman R. Gashin, Zejnullah Halilin, Tahir Deskun, Mark Krasniqin dhe Haxhi Vokshin. Siç vërehet, autorët e të sotmes janë ata që nuk jetojnë e që e kanë mbyllur ciklin e vet jetësor e krijues.
3. Libri, Trilogji e letrave shqipe, i autorit P. Buzhala ka meritën dhe mirënjohjen. Përveç tjerash, edhe për vetë faktin që është një nga studimet e pakta në këtë pjesë të kritikës letrare shqipe. Duke e përkufizuar që në nëntitull të librit shkoqitjen: “autorë dhe vepra: përqasje historiko-letrare”, autori thur një strukturë unike të librit, duke i shtrirë problemet letrare e historike letrare në dymijëvjeçar, nga njëra anë, dhe në autorë e vepra të veçanta nga ana tjetër. Është një sprovë interesante historiko-letrare e me vlerë, në këtë drejtim, sado që autori thekson me modesti se autorët e veprat që janë përfshirë këtu, nuk kanë qëllim vendosjen e vlerave hierarkike letrare a kulturologjike. Ndryshe, edhe gjuha e pasur e nocioneve kritiko-letrare e studimore, e vë autorin dhe veprën në dy kontekste: në kontekstin historiko-letrar dhe në atë të gjendjes së sotme të dijeve letrare. Në këtë mënyrë, autorit i është dashur të gërshetojë metoda e qasje edhe nga shkencat tjera humaniste, historike, nga kulturologjia, nga filozofia etj. Duke u gjendur brenda një vëllimi, bie fjala, Shën Jeronimi me autorë modernë, si Camaj e Beqir Musliu, atëherë adekuat me autorët, fenomenet e veprat, autori i zhvillon përqasjet e tij historiko-letrare, kritiko-letrare, studimore, kulturologjike dhe teorike-letrare brenda një korpusi tekstor të ndërliqshëm, ku pleksen sinteza refleksive-diturore me analizën e qëmtimet tek detajet a tek e veçanta. Aty shfaqet kronologjia si kategori historiko-letrare, si dhe leximi-interpretimi, si qasje ndaj veprave të veçanta e autorëve të veçantë. Në këtë libër marrin frymë metadota e ndryshme kritiko-letrare moderne dhe sistemet e vlerësimit letrar. Gjithnjë autori e ka parasysh se letërsia është veprimtari krijuese, është art. Kurse përqasjet e tij të shumta, janë një tip i dijes mbi letërsinë, dhe të cilat shkoqiten me intelekt, me kreativitet të mendimit, në trajta logjike që i rrinë besnik sistemit të përzgjedhur të librit.
Në këtë shënim u morëm vetëm me anë më të përgjithshme të këtij studimi, që kanë të bëjnë kryesisht me bazën teorike-metodologjike mbi të cilën mbështetet autori, kurse shqyrtimi më i detajizuar i zgjedhjeve konkrete e të veçanta që ofron ai nuk do të ishte i painteres të veçantë. Prandaj, rëndësia dhe vlera e këtij studimi qëndrojnë në faktin që ai e zgjeron dhe pasuron mendimin tonë letrar përgjithësisht nga aspekti i llojeve dhe këndvështrimeve dhe sidomos nga aspekti i rezultateve që sjell.
Marrë në tërësi, çështjet e shtruara më lart, që bëmë përpjekje t’ i veçojmë nga më kryesoret në këtë libër, na bëjnë të mundshme të përfundojmë , se ky libër edhe i llojit të studimit, vështrimit dhe recensionit letrar dhe të niveleve të ndryshme të vlerës, këto shkrime dëshmojnë për një individualitet kritik të formuar dhe të veçantë, me vetëdije dhe përgjegjësi solide profesionale dhe kulturore dhe me angazhim të sinqertë kritik letrar. Në këtë mënyrë argumentohet konstatimi i thënë në fillim të këtij shkrimi, se niveli i shkrimit letrar përgjithësisht, edhe i atij kritik, nuk peshohet me llojin, por me vlerën e sendërtimit dhe të funksionit të tij.
Prandaj, krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri “Trilogji e letrave shqipe, të Buzhalës është një libër me vlerë dhe që pasuron fondin e librave të këtij zhanri, që sot në Kosovë dhe pothuaj në botën letrare shqipe po ndihet si një varfëri.