Shkruan: Arjeta FERLUSHKAJ/
Ne Foto: Studiuesja Arjeta Ferlushkaj gjate vizites ne VATER me kryetarin Gjon Bucaj/
Fran Camaj fillimet e veta në fushë të letrave i ka si publicist. Për shumë vite ka qenë edhe mësues i gjuhës shqipe. Debuton në letërsi menjëherë si romancier, ndryshe nga shumica e shkrimtarëve, të cilët, karrierën e tyre letrare e nisën me zhanrin e poezisë. Këto dy profesione, siç duket, kanë ndikuar fort tek kjo zgjedhje e tij, në veçanti lëvrimi i publicistikës. Deri tani që flasim, Fran Camaj ka botuar pesë romane: “Rruga e pamëshirshme”, “Dashuri e dhunuar”, “Mëshira e pamëshirshme”, “Dosja e tmerrit”, “Njeriu me mjekër të thinjur”.
Në dhjetë vjet, autori ka botuar 5 romane, kryesisht çdo dy vjet nga një roman dhe gjithsejt kemi thuajse 1500 faqe prozë të publikuar. Në fokusin tonë kemi përfshirë diptikun “Rruga e pamëshirshme” dhe “Mëshira e pamëshirshme”, ku do të shohim se si dy komponentë të rëndësishëm tekstualë (si autori e lexuesi) bashkëveprojnë mes tyre për të shkuar drejt njohjes dhe kuptimit të veprës letrare.
Romani i parë “Rruga e pamëshirshme” (ne i jemi referuar botimit të 2008-ës) është një vepër prej 269 faqesh, e strukturuar në 33 kapituj. Romanit i paraprin një dedikim: “Kjo vepër u kushtohet dhjetëra të rinjve mërgimtarë nga Malësia e Madhe që e humbën jetën tragjikisht në SHBA, gjatë tridhjetë vjetëve të fundit të shekullit të kaluar.” Më pas, autori dëshiron që t’i qartësojë lexuesit edhe diçka tjetër: “Çdo emër ose ngjarje në roman, që eventualisht përputhet me ndonjë emër ose ngjarje të vërtetë, është rastësi.” Jemi ende jashtë rrëfimit, pra jemi në paratekstualitet. Sipas Gerard Genette, paratekstualiteti orienton lexuesit për të kuptuar apo interpretuar një vepër letrare.
Elementet peritekstuale, siç janë: titulli i romanit – dedikimi – sqarimi autorial- e informojnë lexuesin se ç’lloj vepre do të lexojë: nga titulli “Rruga e pamëshirshme” lexuesi kupton se gjatë leximit të veprës do të ndeshet me një histori të dhimbshme; nga dedikimi kupton se bëhet fjalë për fate tragjike kryesisht të një brezi të ri shqiptarësh mërgimtarë për një periudhë kohore të caktuar dhe së fundi, nga sqarimi autorial, lexuesi parapërgatitet se mund të gjejë edhe ndonjë personazh real në ngjarjet e rrëfyera…
Lind pyetja: çfarë ndodh gjatë aktit të të lexuarit?
Lexuesi po hyn në brendi të rrëfimit me informacione ndihmëse dhe gjatë proçesit të të lexuarit ai nisë të krijojë hipotezat e veta, të cilat kërkon pastaj t’i vërtetojë rresht pas rreshti.
Romani hapet me lutjen “Mos shkoni!” Narratori, duke i spostuar ngjarjet e rrëfyera herë në Malësi, herë në Kosovë, herë në Itali e në SHBA, na fut në brendi të plagës shoqërore që dominon në të gjithë veprën: mërgimin. Në qendër të historisë së rrëfyer është fati tragjik i një familjeje malësore: Markut e Lulës dhe pesë djemve të tyre: Gjergjit, Lecit, Tomës, Prekës dhe Palit.
Në kapitullin e IX, jepen shenjat paralajmëruese të fatkeqësive që do të vijonin një mbas një:
“Një re e zezë si përbindësh ishte shtrirë mbi fshatin…Rrëmuja e madhe mori me vete çatitë e disa kasolleve dhe shtëpive më të vjetra dhe kërcënonte të zbulonte edhe shtëpi të tjera. (…) Vetëtimat e shpeshta shndritnin fshatin, ndërsa bubullimat ishin aq të shpeshta dhe të mëdha saqë mendoje se do i rrënonin malet.”
Sipas teoricienit francez G. Genette, analepsë përbën çdo evokim i fakteve të ndodhura të një ngjarjeje të mëparshme në raport me çastin e ligjërimit kurse prolepsë përbën çdo manovër narrative që evokon paraprakisht një fakt/ngjarje të mëtejshme. Paragrafi i mësipërm mund të themi se merr edhe rolin e prolepsës në rrëfim: d.m.th. “paralajmëron” ngjarjet: në këtë rast vdekjen e Lecit por edhe të mjaft fatkeqësive të tjera. Prania në tekst dhe ndërthurja mes tyre e analepsave e prolepsave i jep rrëfimit një ritëm dinamik dhe e tërheqin lexuesin, sidomos kur ato gjenden që në titull të veprës letrare.
Kapitulli i X-të është një analepsë e gjatë: narratori tregon se si para gjashtë vitesh mbërritën në SHBA Gjergji e Leci. Brenda kësaj analepse, narratori fut sërish prolepsë, duke na parathënë se çfarë do të mësojmë në rradhët në vazhdim:
“…ajo ishte e para prej shumë odiseadave të tjera edhe më të mëdha nëpër të cilat do të kalojë kjo familje (familja e Mark Lul Hasit-shën.im A.F.) si edhe shumë e shumë familje të tjera malësore shqiptare në Amerikë.” (fq.95)
Analepsa vazhdon deri në kapitullin e XV (për të rifilluar sërish), ku narratori ndalet së rrëfyeri për jetën, peripecitë dhe kurthin që po i përgatitet Lecit e Lekës (vëllait të Shpresës, të cilën Leci e dashuronte) dhe e sposton lexuesin në Kosovë, tek historia e dashurisë mes Palit dhe Bukuries. Qëllimi është të krijohet njëfarë suspense/pezulli narrativ, që të mbajë frymën e lexuesit, i cili mezi pret të dijë fundin.
Si çdo akt komunikimi, i cili ka dërguesin dhe marrësin, edhe vepra letrare synon komunikimin. Deri këtu, marrëveshja mes autorit (dërguesit) dhe lexuesit (marrësit) ka rezultuar e suksseshme. Autori dhe lexuesi po “komunikojnë” sipas një marrëveshjeje të vendosur që në fillim dhe kodet e përdoruara janë të njohura e të pranuara nga të dyja palët. Që do të thotë, “kodet/sinjalet” e dhëna në paratekst nga autori, lexuesi lehtësisht i ka kapur dhe ka realizuar pritshmëritë e veta. Mirëpo, në pjesën e tretë të kapitullit VIII, në kulmin e zhvillimit të ngjarjeve, pjesë e rrëfimit bëhet një “personazh”, kategorikisht i papranueshëm nga një lexues empirik: bëhet fjalë për shfaqjen e gjyshit.
Umberto Eco, duke trajtuar praninë e reales (të vërtetës) dhe fantastikes (trillimit) në një tekst letrar, shtron pyetjen: “Çfarë ndodh në një tekst tregimtar kur autori vendos si një element të botës reale (i cili shërben si sfond i botës së mundshme të trillimit) diçka që në botën reale nuk ekziston dhe nuk është verifikuar asnjëherë?”
Një lexues empirik e ka të pamundur të pranojë dialogun mes një të gjalli dhe një të vdekuri, por semiologu Eco na sugjeron se ne si lexues kemi dy mundësi: ta përdorim ose ta interpretojmë një tekst letrar. Nëse do të ndiqnim alternativën e parë, me t’u shfaqur gjyshi në dialog me Palin, do të duhej ta mbyllnim librin dhe ta hidhnim tutje të revoltuar se aty tani nuk po rrëfehen realitete të mundshme por “përralla”. Mirëpo ne na intereson interpretimi dhe për këtë ne nuk jemi lexues empirikë por lexues model. Lexuesi model, sipas Ecos, e pranon me lehtësi këtë dialog sepse eshtë i vetëdijshëm se ndodhet në botën e trillimit artistik dhe e pranon me kënaqësi lojën autoriale. Prirja e perzierjes së realitetit me trillimin e tërheq më shumë lexuesin duke qënë se krijon efektin lojë por përveç kësaj, njëkohësisht krijon edhe njëfarë katarsisi duke e vënë ndërgjegjen përballë të kaluarës dhe të tashmes sonë. Pas takimit të parë të Palit me fantazmën e gjyshit, ai kërkon të konfirmojë të vërtetat e thëna nga ai duke pyetur të atin, Markun. Fakte e profeci që rezultojnë të vërteta, si për të na thënë që e kaluara jonë (si komb) nuk i përket të pavërtetave por as nuk i shmang e nuk po i shmang dot shumë disfata e tragjedi. Citojmë disa raste:
-“Nuk kam forcë shumë por mos më ndërpre! Përndryshe nuk do të mund ta çoj deri në fund bisedën (…) Askush, përveç teje, nuk duhet ta dijë se Prenka ka vdekur. Gjergji duhet të martohet edhe disa javë dhe nuk duhet t’ia prishni dasmën. Ti duhet të shkosh për vizitë në Amerikë. Pasi të përfundojë dasma, thuaju vëllezërve se do të shkosh ta kërkosh Prekën në Majami…” (gjyshi i tregon Palit se ku e si ka vdekur Preka dhe ku është varrosur)
-“Ja ku është varreza numër shtatë (…) Të vazhdojmë pra nga e djathta, – tha gjyshi dhe e udhëhoqi Palin deri te varri numër pesëmbëdhjetë. –Këtu e kanë varrosur Prekën, – tha gjyshi duke bërë me dorë drejt varrit dhe u zhduk menjëherë.
-“Kije kujdes! Kije kujdes djalin se është në rrezik, Palooo! Dritanin, Palooo! Mos lejo…!“
-“Kur më premtove se do të vazhdoje jetën këtu, dheu që më mbulon, m’u duk fare i lehtë. Dhe ja, erdha për të uruar dhe trimëruar për vendimin tënd të guximshëm“.
Këto episode bëhen krejtësisht e besueshme, edhe pse e dimë se nuk i përkasin një realiteti të faktuar. Me një iluzion real të tillë brenda tekstit, përjetimi emocional i lexuesit është më i lartë.
Me personazhin e gjyshit në rrëfim, që tani e tutje mes autorit dhe lexuesit krijohet një sfidë: të dy këto komponentë tekstualë i njohin kompetencat e njëri-tjetrit e tani duan të sfidojnë pritshmëritë mes tyre: lexuesi tashmë kërkon të dijë se çfarë roli ka në rrëfim ky personazh “i çuditshëm”, të cilit i vie era dhe’ dhe vazhdimisht ndjek hap pas hapi nipin e tij Palin. Ndërsa autori, me futjen e këtij personazhi në rrëfim, e fton lexuesin të bëhet bashkëpunëtor aktiv i tekstit për ta pranuar iluzionin e reales që ai ka krijuar dhe i le hapur mundësinë për të mbushur “hapësirat boshe” që sugjeron prania e gjyshit. Natyrisht, secili prej nesh, si lexues, mund ta interpretojë (si njohje e si kuptim) në mënyra krejt të ndryshme praninë dhe simbolikën që rrok një personazh i tillë. Të gjitha mund t’i pranojmë e nuk mund t’i hedhim poshtë, për sa kohë që nuk cënojnë koherencën tekstuale të veprës.
“Çdo tekst letrar shkruhet duke iu referuar një publiku potencial lexuesish dhe përfshin një imazh të atyre për të cilët është shkruar.” E njëjta gjë ndodh edhe në rastin tonë. Shtrojmë pyetjen: Po vepra e Fran Camajt, çfarë lexuesi aspiron?
Me çfarë na sugjeron teksti, mendojmë se autori jonë ka parasysh dy lexues:
- lexuesin e siguruar – individë që e njohin sistemin totalitar dhe që e identifikojnë veten lehtësisht me fate të ngjashme tragjike.
- lexuesin e synuar – të rinj që nuk e kanë njohur sistemin totalitar komunist dhe dukurinë e mërgimit masiv të asaj kohe.
Sipas teorive të receptimit, horizonti i pritjes nga lexuesi i tipit të dytë nuk është i njëjtë me atë të tipit të parë, që e ka jetuar atë sistem. Receptimi i këtij diptiku, por edhe i krejt romaneve të Fran Camajt, nuk është i njëjtë si para dhjetë vitesh e si tani. Do të jetë i ndryshëm edhe pas 10 vitesh. Ndaj dhe strukturimi i tillë i romaneve, me rrëfime të hollësishme në retro e perspektivë, me korrespondenca të shpeshta e të gjata, kanë për qëllim plotësimin me sa më tepër informacion mbi shumësinë e larminë e fenomeneve social-politike dhe pasojave që i shoqëruan ato dekada. Një letërsi e tillë dokumentare, bën që lexuesi i tipit të parë të përjetojë ndërsa lexuesi i tipit të dytë të njohë e të përjetojë.
Me romanin e dytë “Mëshira e pamëshirshme“, pritshmëria e lexuesit nuk befasohet n.q.s.i referohemi titullit: pra sërish lexuesi është i përgatitur se do të ndeshet me ngjarje tragjike. Por, gjatë proçesit të të lexuarit, krijohen hipoteza të reja të ndryshme nga romani i parë. Rrjedhimisht, lindin pyetje: a do të plotësojë Pali amanetet e nënës dhe të vëllezërve? A do të kthehet Pali në vendlindje ndonjëherë? Çfarë porosish do t’i linte tani gjyshi? etj.
Në 34 kapitujt e këtij romani lexuesi njihet me vazhdimësinë e jetës së Palit dhe njerëzve të tij por janë futur edhe linja të reja rrëfimi siç është fati i dy shokëve Jusufit e Gjonit dhe fëmijëve të tyre, apo fati i Kolës, intelektualit malësor që detyrohet të emigrojë në SHBA etj. Ashtu si në romanin e parë, edhe në këtë roman ngjarjet zhvendosen vazhdimisht mes Malësisë – Kosovës – Podgoricës – Beogradit – Meksikës e Amerikës. Në krahasim me romanin e parë, këtu mund të vemë re se, përveç tragjedive familjare të rrëfyera, çdo episod në jetën e Palit shënjon rrugëtimin e përmbushjes së amaneteve të të parëve. Ja pse mendojmë se personazhi i gjyshit ka vlerë simbolike: ai është historia, është e kaluara e lavdishme edhe pse e dhimbshme, është përvoja e ndërgjegja kombëtare, është liria shpirtërore, është paqja e unit.
“Mirë se të gjeta, shtëpiza ime! Sa më ke munguar vite të tëra!… Të kërkova gjithkund, në Kosovën e gjerë dhe në Amerikën e madhe, por askund nuk të gjeta“ – thotë Pali, sapo kthehet nga Amerika në Malësi.
Përveçse një ballafaqim mes të shkuarës dhe të tashmes, si një reflektim i domosdoshëm në funksion të një vizioni, dialogu mes gjyshit e Palit është një kurorëzim i mesazhit që nis tek romani “Rruga e pamëshirshme” dhe kulmon tek “Mëshira e pamëshirshme”:
–“Mbaje mend mirë dhe kurdo që të kesh mundësi, qiti këto fjalë në letër, që të mbesin të shkruara…Ne shqiptarët jemi populli më i vjetër në Ballkan dhe ndër më të vjetrit në Evropë…Ilirët janë paraardhësit tanë.” (“Rruga e pamëshirshme”)
-“Të mjerët ata që shkelin amanetin e të parëve! Të mjerët ata që i bëjnë tradhëti këtij vendi dhe këtij populli!…Kisha pasur shumë porosi biri im. Porosia ime kryesore është: mos u përçani me njëri-tjetrin! … Jemi një të gjithë! Jemi shumë pak që të përçahemi…Kujtoni ata që kanë luftuar për bashkim, e jo ata që na kanë përçarë, ose duan të na përçajnë….Mos urreni askend sepse ai që urren, nuk di çka është dashuria dhe gjithmonë do të jetë i urryer.”
(“Mëshira e pamëshirshme”)
Një mesazh i tillë, në forma e përmasa të ndryshme, gjendet në çdo roman të Fran Camaj.
Dëshiroj të mos anashkaloj një zgjedhje autoriale, mendoj, të qëlluar: gjyshi i shfaqet Palit që as nuk e ka njohur, i shfaqet më të voglit, më të riut. Ky është testamenti moral që lë Fran Camaj tek lexuesit e rinj, të cilët, ashtu si Pali që nuk e pat njohur gjyshin, as ata nuk e kanë njohur atë kohë të errët e të mundimshme të malësorëve në ato vite. Qëllimi autorial është tejet i qartë: mos harroni!
Ashtu siç i patën lënë porosi At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, Fran Camajt duket se dikush apo diçka e porositë vazhdimisht: “Rrfe për mos me harrue”.
Bibliografia:
- ALLEN, Graham: Intertextuality, “Routledge”, London-New York, 2000.
- CAMAJ, Fran: Rruga e pamëshirshme, “Toena“, Tiranë, 2008.
- CAMAJ, Fran: Mëshira e pamëshirshme, “Toena“, Tiranë, 2008.
- EAGLETON, Terry: Hyrje në teorinë e letërsisë, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2005.
- ECO, Umberto: Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, “Dituria”, Tiranë, 2007.
- GENETTE, Gerard: Figure III. Discorso del racconto, “Einaudi”, Torino, 1976.