Përshkrim udhëtimi në Rivierë
nga Luan Çipi/
Riviera Shqiptare, gjatë bregdetit Jon është vërtet një mrekulli e natyrës, dhuratë Zoti. Komuna e Lukovës, me 9 fshatrat e saj, njërin më të bukur se tjetrin, përfshin 60% të krejt Rivierës Joniane Shqiptare. Pamja mahnitëse që të shfaqet kur udhëton në rrugën automobilistike Vlorë-Sarandë tregon edhe Plazhin e Shpellës, si një nga plazhet më të bukura të zonës. Aty afër mund të shikosh apo të zgjedhësh rrugicat gjarpërushe që të çojnë te ky plazh, apo në plazhin e Bunecit, Plakotos, Krorëzës, (ku ndodhet dhe Manastiri i Shën Mërisë, pjesë e Triadës së Shën Mërisë), plazhi Heremet, si dhe plazhi i Kakomesë. Jo pak, po 154 kilometra gjatësi detare. Këtu si në gjithë Rivierën Shqiptare ka hapësira përrallore e të virgjëra, që do ti lakmonte t’i posedonte edhe miliarderi më i fuqishëm, edhe pse mund të ketë plazhet më të bukura të botes.
Unë sa u ktheva nga Riviera Turke e Detit Mesdhe, ku pushova 11 ditë në një hotel luksoz të Kemerit. Edhe pse u çudita nga investimet e shumta hoteliere turistike bregdetare turke, duke krahasuar terrenin dhe klimën që na ka dhënë Zoti, them me bindje, se ne i kemi kushtet edhe më të mira. Nuk ka pse presim më: Qeveria, duke përfshirë interesat e pronarëve të ligjshëm, duhet të bëjë hapa të shpejta për nderimet e studiuara koncesionare, ose për të marrë kredi të buta në favor të pronarëve apo sipërmarrësve shqiptarë, pa pasur frikë se të huajtë do na përvetësojnë përjetësisht tokën tonë. Tokën ata nuk e marrin dot me vete dhe pas pak vjetësh do kemi tonat edhe kapitalet investuese, bashkë me përvojën e tyre. Boll që kushtet të “qepen” mirë dhe të garantohen ndërkombëtarisht në kontratat ligjore përkatëse midis palëve.
Ky është një problem tjetër, megjithëse më i rëndësishmi. Po unë jam duke vazhduar rrugën për Shën Vasil…dhe, më duhet të shkruaj për të.
Ky fshat nuk dihet se pse i mori emrin e Shën Vasilit, që katolikët e quanin Shën Vlashi dhe që, sipas historiografisë fetare, ka lindur në Qezarja, Kapodaqia në vitin 329 pas Krishtit në një familje të shquar ortodokse. Për të thonë se studimet i kreu shkëlqyeshëm për 15 vjet në Kostandinopojë dhe në Athinë, ku krijoi miqësi me Gregorin, i cili më pas u njoh si Shën Gregor Teologu.
Që herët Shën Vasili u shqua për përkrahjen e të varfërve. Ideali i tij ishte të ndjek shembullin e Krishtit. Pasurinë ia fali të varfërve dhe iu dedikua jetës asketike shpirtërore. Ndërmori shumë udhëtime në Egjipt, Palestinë, Siri, Mesopotami, ku u takua me murgj asketë e të moshuar prej të cilëve mori mësime shpirtërore. Rikthehet në vendlindje dhe vendoset në një vend të vetmuar asketik, ku studion Shkrimet e Shenjta dhe shkruan meditime e predikime asketike.
Më 370, pas vdekjes se peshkopit u zgjodh peshkop, detyre të cilën e kreu me shume përulje, varfëri dhe asketizëm për 8 vjet. Perandori Valens dhe guvernatori Modesti e kërcënuan shumë herë me përndjekje e tortura, pasi ortodoksia që Shën Vasili përhapte, binte ndesh me herezinë ariane, që ishte e fuqishme në atë kohë. Por trimëria dhe dëshira e Shën Vasilit për të dhënë jetën në emër të se vërtetës, i mahniti vetë perandorin dhe guvernatorin e tij.
Ndahet nga kjo botë, për t’iu bashkuar Zotit, me 1 Janar të vitit 379, në moshën 49 vjeçare. Shkrimet që la janë shumë të vlefshme e të pasura në mençuri dhe eurudicion.
Qëndrova ca gjatë te emri i këtij fshati të bukur, për treguar se sadopak dhe vetë emri në të ardhmen, ashtu si bukuritë dhe dhuntitë e tjera të kësaj zone, janë dhe do jenë faktorë dhe garanci për grishjen e turistëve të shumtë dhe për gjallërimin dhe begatinë e padiskutueshme të jetës në këtë trevë dhe në mbarë Shqipërinë bregdetare.
Ky fshat, me pasurinë dhe emrin e tij, historikisht është zhdukur dy herë: Në vitin 1878 Ali Pashai i Janinës e shkatërroi nga themelet, për të gjunjëzuar banoret e tij trima ortodoks, në detyrim të dështuar për t’i kthyer ata në fenë islame, ndërsa në vitin 1970, Qeveria Komuniste, i fshiu për t’u harruar gjatë 30 vjetëve edhe emrin tradicional, duke e quajtur për ironi të prapambetjes që mbolli, Përparim.
Një rrap 200 vjeçar në qendër të fshatit dhe një “vend i mirë” ku mund të ndezësh qirinj për të vdekurit dhe të gjallët, e dallojnë sot fshatin Shën Vasil të Komunës së Lukovës, nga të gjithë fshatrat e tjerë të Rivierës Joniane. Dikur këtu kalonte degëzimi i rrugës “Egnatia”, e cila lidhte Romën e lashtë me Ilirinë e jugut (Epirin) me tokat helene.
Kambanat e një kishe në majën e kodrinës në të djathtë të rrugës, të cilat tunden herë pas here, janë thirrja e vetë fshatit, që sikur do të tregojë historinë e tij të dhimbshme shumë vjeçare, djegur e ç’emruar dy herë.
Minella Gjoni, mësuesi i fshatit tregon se ka shkruar libra për historinë e vendlindjes së tij, që unë nuk munda t’i siguroj dot. Tradita e tij është transmetuar edhe tek e bija, e cila ka botuar një tjetër libër për mitet e zonës, të përbashkëtat dhe ndryshimet me mitet e vendeve fqinje.
” -Ky rrapi këtu, po i afrohet moshës 200-vjeçare. Është e vetmja dëshmi e gjallë e jetesës dhe historisë së hershme të fshatit Shën Vasil”;
-“Historia e emrit të fshatit lidhet me atë kodrën atje lart”, vazhdon të thotë Minella, duke drejtuar gishtin te një kishë e vogël, që nga ndërtimi duket se është e viteve të postkomunizmit. Mësuesi tregon se ka gjurmë dhe dëshmi të jetesës në këtë fshat qysh në shekullin e II-të, ndërsa nga hulumtimet e kryera në arkivat e ish-Perandorisë Osmane, në shekullin e XIV fshati banohej nga banorë me mbiemra katolikë;
-“Kjo tregon dhe origjinën e banorëve, vazhdon të shpjegoj historiani, të cilët janë shqiptarë autoktonë katolikë dhe në shekullin e XVI-XVII, kalimi nën Perandorinë Bizantine solli asimilimin dhe kthimin e banorëve në fenë e perandorisë ortodokse. Ishte kristianizmi feja e banorëve të Nivicës, Shën Vasilit e Himarës, në kohën kur Ali Pasha synonte konvertimin e tyre në myslimanë, pasi vetëm kështu mund të ishin më të bindur ndaj Portës së Lartë, së cilës i shërbente me devotshmëri në atë kohë. Pashai gjakatar tregoi dinakërinë e tij, kur në ditën e Pashkës së Madhe të vitit 1828, hyri nga Shpella, vendi ku ndodhet sot plazhi me të njëjtin emër, dhe dogji e shkatërroi fshatin.
Ali Pasha dogji edhe manastirin në majë të kodrinës, i cili i kishte dhënë emrin fshatit. Me gurët e manastirit ndërtoi një kala të njëjtë me atë të Lëkursit në Sarandë. Të dy kalatë kishin pamje kundruall njëra-tjetrës dhe bashkonin forcat për të shtuar raprezialet. Banorët që shpëtuan, u dërguan si skllevër në tokat e Ali Pashës në Greqi, ku shumica vdiqën nga malaria dhe sëmundje të tjera.
Zoti deshi që një pjesë e banorëve të ktheheshin sërish në fshat, dhe punën e parë që bënë, ngarkuan një grua të mbillte një rrap i cili sinjalizonte rilindjen. Rrapi është edhe sot, dhe është tregues i shpresës se edhe pas shkatërrimit ka ende jetë. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në vitin 1970 dikujt iu mbush mendja se me gurët e kalasë që ekzistonte ende, mund të bënte një shkollë 8-vjeçare. Dhe kështu ndodhi, ish-gurët e manastirit me të cilët ishte ndërtuar kalaja, u mbartën dhe me ta ndërtuan shkollën që ekziston sot, por që mori në muret e saj krejt historinë e fshatit…”, – përfundon tregimin e tij mësuesi.
Fshati Shën Vasil është vendosur në Qafën me të njëjtin emër (Qafa e Shën Vasilit). Siç e përshkruajnë me nostalgji banorë të moçëm të tij, ky fshat ka qenë historikisht pikë nevralgjike e kryqëzimit të rrugëve të rëndësishme. Në këtë qafë kalonte aksi rrugor shumë i rëndësishëm, ai që lidhte Janinën me Himarën. Fragmentet e rrugës me kalldrëm që diku dallohen ende në Jorgucat e ne Qafë të Muzinës dhe që vijonin për në Delvinë (në atë kohë qendër e rëndësishme tregtare e administrative) vazhdojnë drejt Rusanit, në Rrapin e Gjatë, në Bajkajin e sotëm, në fushë të Shën Vasilit ku ishin dy mullinj bluarjeje drithi, vazhdojnë në Cereta, bri përroit të Siodelit e në Qafë të Korës. Vazhdon me rrugën e sotme deri në Qafën e Hanit, ku kujtojmë që ishte Hani i Shën Vasilit që u shërbente karvanëve me kuaj si pikë qëndrimi e çlodhje. Vijonte pastaj sërish rruga me kalldrëm në ane të shtëpisë së Sokrat Qirjako Mekshit, në breg të Gurrëzës dhe zbriste në Va të Petës faqes, e dilte në Cakulez dhe pak a shumë ndiqte rrugën e sotme në Qafë të Pazarit e në Qafë të Shën Kostandinit, në Urë të Honit e në Lukovë, e kështu deri në Himarë.
Duke përshkruar gjurmët e rrugëve të moçme me kalldrëm, ku zhurmonin për ditë karvanët me kuaj, shënvasiotët e moshuar e të rinj ëndërrojnë e shpresojnë rrugë dhe autostrada me disa krosi, me mbikalime e nënkalime dhe teleferik malor, që do përshkojnë fshatrat e shtrira buzë detit, ujësjellës e infrastrukturë moderne. Ata, me sytë e të ardhmes së shpejtë, i shohin kodrat të mbjella me pemë frutore dhe vreshta dhe në pllajat dhe luginat, krahas foragjereve dhe lopëve, me sera bashkëkohore për perime të freskëta bio… Krahas tyre me koncesion, apo kredi ata mendojnë të ndërtohen vila dhe hotele luksoze për turizëm elitar, me plazhe e mole për ankorim anijesh dhe jahtesh.
Kështu e shikojnë ata të ardhmen e tyre për t’u kthyer nga mërgimi diskreditues dhe i mundimshëm shumë vjeçar. Ata, si mbarë shqiptarët bregdetar, aspirojnë një të ardhme të shpejtë, të lumtur e të begatshme, shoqëruar nga dyndja e mijëra turistëve, nga të gjitha anët e botës, që s’ka pse të mos vijnë për të shijuar mrekullitë dhe bukuritë mahnitëse, që natyra ju fali me bollëk, si pak vendeve të tjera të botës.
Te Libri im “NGA LLOGORAJA NË NIAGARË”