

Hamid Alaj/
Në prag të festave të Nëntorit, edhe Shoqata “Kraja” zhvilloi disa aktivitete nën patronazhin e saj. Njëri prej tyre ishte aktiviteti i mbajtur sonte në prani të komunitetit krajan. Të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm aktivistësh, biznesmenësh, atdhetarësh e patriotësh të komunitetit krajan.
Në Qendrën Komunitare Shqiptare në Staten Island, në orët e mbrëmjes duke filluar nga ora 17:00, u shfaq dokumentari filmik “Flamurtarët e Jehonës së Krajës”, i përgatitur nga aktivisti dhe regjisori i dokumentarit, z. Bekim Adili nga Kërçova, nën patronimin e Shoqatës “Atdhetare Kraja”.
Ka filma që shihen, por ka edhe filma që ndihen. Ky i mbrëmjes së sotme ishte një dokumentar që, për shumicën e të pranishmëve, solli në dritë realitete që dikur i kishim dëgjuar gojë më gojë, shpesh me frikë, derisa mbërritën deri te veshi ynë. Dokumentari paraqet anën njerëzore dhe dashurinë për të ndriçuar atdhetarizmin e këtyre “Flamurtarëve të Jehonës së Krajës”.
Që në fillim të tubimit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin një “orë kokteji” të shtruar nga Shoqata “Kraja” në nderim të tyre, me ushqime të ndryshme dhe pije freskuese.
Programin e mbrëmjes e udhëhoqi Drenica Perashi, mbesa e njërit prej flamurtarëve, patriotit dhe atdhetarit të trevës së Krajës, z. Ali S. Perashi. Ajo, ashtu siç i ka hije mbesës së një atdhetari, përshëndeti të pranishmit në emër të shoqatës dhe “flamurtarëve” të Krajës, duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Më pas, programi vijoi me këngën e heroinës krajane, tashmë të ndjerës znj. Nazire Curaj, interpretuar nga këngëtari krajan Blerim Marshiqi, me tekst të z. Hysen Kraja, e shoqëruar me vallëzim nga grupi “Barbana”, që vepron në kuadër të Shoqatës “Kraja”.
Fjalën më pas e mori nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hysen Kraja, i cili përshëndeti të pranishmit në emër të organizatës. Ai theksoi:
“Sonte jemi tubuar për të nderuar Krajën tonë të dashur dhe për të kujtuar veprimtarinë e atdhetarëve krajanë me rastin e formimit të organizatës së tyre ‘Jehona e Krajës’. Dokumentari është një homazh për ata që heshtën dhe për ata që ruajtën kujtimin e atyre që vepruan me admirim. Ata e ngritën Krajën në piedestalin më të lartë, e ne, brezat e sotëm, nuk mund t’u dalim kurrë borxh. Ata sakrifikuan gjithçka për të drejtat e krajanëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.”
Ai shtoi se shembulli i tyre mbetet themel për çdo veprimtari atdhetare që vazhdon edhe sot.
Më pas foli ideatori i dokumentarit, z. Bekim Adili, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen. Ai tregoi se si lindi ideja e realizimit të dokumentarit, duke theksuar se lidhja e tij me Krajën nisi përmes bashkëshortes së tij, një nuse krajane, e cila e nxiti të hulumtonte dhe të ndërmerrte këtë projekt.
Ai u shpreh:
“Si fillim u njoha me atdhetarin dhe një nga anëtarët e ‘Jehonës së Krajës’, z. Ali S. Perashi, i cili më dha njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë e kësaj organizate. Në shpirtin e tij ndjehej qartë historia që duhej ndriçuar, sidomos ajo e heroinës krajane, znj. Nazire Curaj.”
Ai shtoi se, për realizimin e dokumentarit, u konsultua edhe me aktivistë të tjerë të Shoqatës “Kraja”, të cilët pranuan menjëherë të bashkëpunonin.
Po ashtu përmendi bisedat me atdhetarë të tjerë të “Jehonës së Krajës”, si: Xhafer Markashi, Rasim Perashi (nip i Hasan Perashit), Sulejman Çuka dhe imam Jusuf Boli.
Në fund, ai falënderoi të gjithë kontribuuesit, duke theksuar:
“Ky dokumentar është bërë për idealet e këtyre burrave, të cilët sakrifikuan gjithçka për çështjen kombëtare. Me përulësi përkulemi para tyre që të mos harrohen kurrë.”
Pas fjalimeve, u shfaq dokumentari para të pranishmëve.
Në përfundim të mbrëmjes, Shoqata “Kraja” ndau mirënjohje për kontributet e tyre atdhetare dhe patriotike: për ideatorin e dokumentarit, z. Bekim Adili; për z. Ali S. Perashi; dhe për imam Jusuf Bolin.
Mirënjohjet u dorëzuan nga kryetarja e Shoqatës “Kraja”, znj. Venera Gjenashi.