Nga Ilir Levonja/
Na gjeni një femër të mirë? Një femër pjellore? Një femër me sharm? Si ato nga podiumet e holleve ku partitë bëjnë deklaratat për shtyp. Na gjeni një femër që të na sigurojë fitoren. Një femër me klas. Një nga ato që shpon heshtjen e korridorit me majat e takave. Një femër që të bën të mbash frymën. Një femër që të flasi anglisht, frëngjisht, italisht, kinezçe, vetëm pasi ta miratojë kryeministri.
Nga ana tjetër ka edhe deklarata të tilla, habitore…, femër? Pse jo… do ta shikojmë edhe këtë variant. Po një femër, burrë ama. Që di të shahet. Që të ketë luk femre, por frymë burri. Një femër të fortë.
Një femër si ajo në Kosovë. Jo presidentja, por gazetarja. Ajo që edhe pse merr nga shtatë kërcënime në ditë. Se do ta vrasin, se do ta hedhin në erë me makinë, se do ta bëjnë prostitute etj, prapë shkruan me guxim. Një femër që i ngjan trëndafilit të vetëm. Ku? Në një varrezë gri makinash nga e gjithë bota. Një femër, por jo si ajo e doganave të Shqipërisë, që na la në mes të rrugës. Kishim një ritëm të mire me të ardhurat e tremujorëve. Ndofta po të vazhdohej ashtu, kushedi se ku do të shkonim në fund të vitit. Nga debitorë, mund të bëheshim rentierë. Ndërsa vetë shtetarët rrogëtarë. Kushedi?
Por prapë, na duhet një femër. Erdhën zgjedhjet.
Në fakt është retorikë e dalë bojë. Një femër, një mashkull. Në këtë botë nuk ka gra, zonja, nëna. Nuk ka as burra, zotërinjë, as baballarë? Botë femrash dhe meshkujsh.
Në fakt këto janë rezultatet e dialogut konfliktual të përjetshëm.
Përqark e gjitha i ngjan vetëm një ferme blegtorie. Me meshkuj dhe femra.
Cila është strategjia? Këtë e dëshmon barsaleta më poshtë.
Na ishte një here një tufë mëzatësh, tufë e madhe. Midis kishte edhe të vjetër në moshë. Pra dema të rinj e dema të vjetër. Ushqeheshin për qejf. Aq sa nuk ia vinin veshin misrit në arën përbri. Megjithëse i ndante edhe një gardh i lart. Dikur aty u shfaq një mëshqerrë e bukur. Mëzatët e rinj u shtynë, drejt arës duke marrë me vete gardhishte por edhe mëzatët e vjetër. Mirë këta të rinjtë, po ne të vjetrit, çfarë dreqin duam. Na morën frymën. Po na shtypin çunat. I thoshte demi i vjetër shokut të vetë. Dhe tjetri ia ktheu. Të përfitojmë nga situata, të hamë ndonjë misër të njomë.
Kaq është kismeti jonë o vëlla.
Një femër? Që të fitojmë zgjedhjet.