Këto ditë doli nga shtypi libri i z. Kopi Kycyku me titull “Astrit Leka, vite të stuhishme”./
Shkruan: Bardhyl Selimi/
Personazhi kryesor i librit jeton ende, është 88 vjeç, ai i përket brezit të paraluftës, të luftës, të komunizmit dhe postkomunizmit.Për fat, unë e kam njohur atë që 40 vjet. Por me hollësi për jetën e tij tepër interesante kam mësuar vetëm vitet e fundit, kur për të po shkruheshin dy libra, një nga z. Kopi Kycyky dhe një nga z. Adem Demaçi.Në shtyp kanë dalë një sërë artikujsh dhe intervistash për të që, nganjëherë kanë ngjallur reagime të forta te disa enveristë.Përse?
Siç thashë në fillim, Astriti ka hyrë në lëvizjen nacional çlirimtare shumë i ri, pasi braktisi studimet e mesme në Itali. Ndonëse me prejardhje nga një familje e pasur e Borshit të Sarandës, ideali i lirisë dhe i të ardhmes të begatë të vendit e popullit e shtyu edhe Astritin, sikurse mijëra të tjerë, në luftën çlirimtare.
Në bazë të dokumenteve, Astriti figuron në Qarkorët e parë të Rinisë Komuniste. Ai ka qenë edhe në grupin koordinator të rinisë për bashkërendimin e veprimeve luftarake kundër armikut të përbashkët, fashistave italianë, të dy formacioneve kryesore politike të kohës së luftës, Ballit Kombëtar dhe Fronti Nacional Çlirimtar. Në këtë komitet të rëndësishëm, që nuk përmëndet asnjëherë nga historiografia komuniste, bënin pjesë, nga pala nacional – çlirimtare Nako Spiru, Niko Opari, Astrit Leka, Hatixhe Deliu Çitaku, Jovan Antoni, kurse nga pala e Ballit, Nexhat Peshkëpia, Halim Begeja, Xhemal Alimehmeti, etj.
Në pranverë 1943, K.Q. i Rinisë Komuniste ngarkoi me mision në rrethe: Ramiz Alinë në Berat, Astrit Lekën në Elbasan, Manush Alimanin në Shkodër dhe Siri Kodrën në Dumre; më vonë Prokop Murrën në Peshkopi dhe Muamer Spahiun në Tiranë. Nga të rinjtë bashkënxënës të Astritit, që ishin lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare, ranë 11 dëshmorë (Manush Alimani, Siri Kodra,Vildan Luarasi, Bahri Shaqiri, Thoma Kuqali, Bedri Karapici, Gjergj Frashëri etj)
Në qarkun e Elbasanit Astrit Leka mori pjesë në luftimet kundër italianëve si përgjegjës i rinisë së batalionit “Çermenika” dhe më pas u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm për shoqërimin e dy misioneve britanike, me porosi të Enver Hoxhës, duke zevëndësuar Koço Tashkon.
Por ajo që e ka shquar Astrit Lekën më shumë, ka qenë pjesëmarrja aktive me shumë sukses në njisitet guerile. Duke filluar me aksionin mbarëkombëtar të 24 korrikut 1942 për prerjen e telave të telefonit. Ky qe një aksion i koordinuar, madje në rang Evrope, me porosi të Kominternit, që donte të testonte deri ku shkonte direktiva e tij. Me një guxim të pashembullt, ai ka arritur që të realizohen aksione të tilla me përmasa shumë të gjera, sikurse ka qenë sigurimi i ushqimeve dhe i veshmbathjeve për brigadat partizane. Dhjetëra kamionë me ushqime kanë ardhur legalisht nga qytetet e Kosovës pasi ishin siguruar dokumentet përkatëse nga Ministria e Ekonomisë nën presionin e Astritit; nga Banka e Durrësit që shërbente edhe si magazinë e madhe sheqeri, leshi dhe artikujsh të tjerë, nga furra e nozullimit në Tiranë.
Secili aksion më vete do të përbënte një material të mjaftueshëm për një ose disa filma ose vepra artistike të tjera. (Siç ishte psh drama e Ndrekë Lucës “Një firmë me revole”, ku Astriti i merr, me revolver në krye, ministrit të ekonomisë një autorizim në të bardhë me firmë për të bërë të mundur qarkullimin lirisht në tërë Kosovën, ku emri Astrit ndryshohet në Petrit. Kjo dramë fitoi çmimin ekonkursit letrar të 40 vjetorit të PPSh, më 1981. (Ndërkohë Astriti punonte me kazëm me dënim pa të drejtë)
Por Astriti nuk kishte hyrë në luftë për qëllime personale pushteti dhe privilegjesh. Sikurse shumica e ish partizanëve, ai ëndërronte një shoqëri të lirë demokratike, një atdhe të bashkuar dhe të përparuar.
Këto synime nuk mund të mos binin në sy të komisarëve politikë, që sytë i kishin kah “vëllezërit jugosllavë dhe sovjetikë”. Prandaj, që gjatë Luftës Astriti ka qenë në shenjestër për “t’u likuiduar” ndonëse meritat e tij të mëdha njiheshin nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Pikërisht ky fakt i fundit, bëri që ai të shpëtonte nga pushkatimi, pas arrestimit me 1945 në Korçë, (Nako Spiru, presidenti i Rinisë Shqiptare u bë garant për të). Të tjerë, pa njohje të tilla të larta dhe pa asnjë faj u pushkatuan sepse pushteti donte të mbillte terror.
Megjithatë, kjo ndikoi që ai të mos gjente një punë të qendrueshme në zyrat e pushtetit që, atëkohë, kish nëvojë shumë të madhe për njerëz me kualifikimin e Astritit. Po të shfletosh dokumentet, shikon se sa shumë herë Astriti emërohet, pushohet, sërish emërohet, sërish pushohet, pa motivacion. Qysh kur përfundoi gjimnazin pas Lufte, me çmimin e Ministrisë së Arsimit për maturantët më të shquar që ndërprenë shkollën për të vijuar luftën e për të marrë maturën pas saj, nuk i dhanë bursë për shkollë të lartë siç u dhanë shumë të tjerëve, më pak të aftë se ai.
Por vullneti i Astritit qe i madh. Ai studio vetë dhe mandej me korrespondencë në tri degë të arsimit të lartë, duke fituar diploma për Histori- Gjeografi dhe Gjuhë –Letërsi. Nga 600 studentë atëhere, u diplomuan vetëm tre, (Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani, Astrit Leka, ky me dy diploma). Por sërish atë e pushonin…
Për një periudhë, Astriti punoi për Historinë e Shqipërisë nën drejtimin e Aleks Budës, duke u emëruar bashkëpunëtor shkencor me vendim qeverie i Institutit të Shkencave më 1954 (bashkë me Luan Omarin, Arben Putën, Bujar Hoxhën, Kristo Frashërin, Zija Shkodrën etj). Aty e ngarkuan, para Kongresit I të Partisë, për një studim për lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit. Lëvizjen e Haxhi Qamilit Astriti pas një studimi objektiv, e vlerësoi, sikurse ajo qe në të vërtetë, si antishqiptare, ndërsa figurën e Hasan Prishtinës, më vonë, (1954) të përdhosur nga filojugosllavët, si atdhetare të pashembullt.
Sigurisht, në Institut atë nuk mund ta linin gjatë, vijuan peripecitë e jetës.
Një fushë e rëndësishme e veprimtarisë së tij u bë ajo e gjuhëve të huaja, latine dhe sllave, të cilat nisi t’i japë mësim privatisht dhe të hartojë edhe gramatika të tyre për shqiptarët. Në këto gjuhë nuk mungoi edhe Esperanto!
Më vonë Astriti mori pjesë në hartimin e fjalorëve terminologjikë, ku dha ndihmesë për botanikën, sado që autoritetet nuk ia përmëndnin emrin si autor. Astriti ndërmori një projekt të madh:” hartimin e fjalorit enciklopedk shqiptar” duke afruar rreth vetes rreth 70 bashkëpunëtorë, por edhe këtu puna e tij u minua nga të tjerë, të lidhur me pushtetin e lartë, që e nxorën atë fjalor shumë vite më pas. Një atlas gjeografik i vendit, gjithashtu, doli nga dora e Astritit dhe u përdor në shkollat e vendit.
Pasi nisi punën si mësues në shkollën ekonomike e më pas në gjimnazet e Tiranës, si merceolog dhe si mësues i frëngjishtes, ngriti kabinete model dhe organizoi seminare metodike në shkallë rrethi dhe vendi.
Në vitin 1967, kur duke imituar “Revolucionin Kulturor Kinez” edhe në Shqipëri nisi një fushatë e egër kundër intelektualëve, Astritin e pushojnë nga puna si mësues duke u cilësuar si “armik” dhe e dërgojnë të punojë me kazëm. Mund të kish përfunduar më keq, sikurse sërish të mos ishte i njohur nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Nisi kështu një periudhë tjetër e vështirë për të që vazhdoi, pas disa vitesh, me një punë private si mësimdhënës dhe përkthyes i disa gjuhëve.
Maji i vitit 1990 e gjen Astritin me familjen sërish në Perëndim, në Gjermani, SHBA, Zvicër ku ai nis jetën e emigrantit politik. Falë aftësive të tij intelektuale, arrin të integrohet në shoqërinë e atyshme duke fituar respektin e autoriteteve shkencore dhe politike vendase. Domethënëse lidhur me këtë është edhe ky fakt: Rektori I universitetit të Friburgut prof Meir i shkruan Astruitit se « Njohuritë tuaja, aktivitetet tuaja si dhe personaliteti juaj bëjnë që Universiteti ynë do të jetë i nderuar t’ju ketë si personel të tij ». Ndërsa Prof. H. Usprung, sekretar shteti i Zvicrës që drejtonte kërkimet shkencore të këtij vendi, i njohur në takime ndërkombëtare kërkoi që të vija emrin e tij si referencë në letrat që do t’i dërgoja autoriteteve zvicerane.”
Astrit LekaThemelon një shoqatë jo fitimprurëse “Solidest”, në ndihmë të vendeve të Lindjes me mbështetjen e OJQ të rëndësishjme zvicerane dhe ndërkombëtare dhe ndërmerr një fushatë për sensibilizimin e opinionit zviceran e më gjerë për vlerat e kulturës kombëtare të shqiptarëve, ndër të tjera për ngritjen e monumenteve të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në Gjenevë e gjetkë.
Aktivizohet në shoqatën evropiane dhe botërore të veteranëve të luftës, me gjithë kundërshtimin e shoqatës enveriste shqiptare, ku jep një ndihmesë të shquar.
Në kuadër të saj, ndikon fuqishëm në opinionin politik euroatlantik për njohjen e UÇK si, jo terroriste por çlirimtare, dhe gjatë Luftës në Kosovë e ngre zërin për mos braktisjen e teritoreve shqiptare nga refugjatët nga Kosova, për vendosjen e tyre në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Pas luftës, arrin që organizatat e UÇK e Kosovës, e Maqedonisë dhe e veteranëve shqiptarë të Kroacisë, të njihen nga organizata botërore dhe evropiane e veteranëve të Luftës.
Njëkohësisht ndihmon në realizimin e projektit të Konferencës së Gjenevës, mbështetur nga ministrja e jashtëm e Mishelin Kalmire, për paqtimin e Izraelit me palestinezët, për mosprodhimin dhe heqjen nga përdorimi minave antinjeri etj.
Ndër projektet e viteve të fundit, janë edhe ai për Memorialin e Vetëflijimit të shqiptarëve në shekuj për mbrojtjen e trojeve atdhetare, që do ngrihet në Borsh si dhe të memorialit të Pirros së Epirit shqiptar në Ascoli Satriano, Itali.
Porosia e përhershme e Astritit për shqiptarët ka qenë dhe është atdhedashuria, si çelës për të arritur objektivat tona kombëtare.