(Kushtuar zërit të parë të Radios “Kosova e Lirë”)/
Ju, miku im i dashur Nusret Pllana, mbetët po ai, kur për herë të parë ju njoha para 30 vitesh, i palodhur dhe i papërkulur, gjithmonë në shërbim të kauzës kombëtare. I tillë mbetët, ashtu siç ju njoha edhe në luftën çlirimtare, por, pas kësaj lufte të lavdishme, Ju e ndërruat vetëm strategjinë e veprimit, sepse gjatë luftës, Zëri juaj kumbonte fuqishëm nga majet e maleve të Pallanikut të Berishës heroike. Ky Zë, ishte zëri i pushkëve çlirimtare të djemëve dhe vajzave tona më të mira, që luftonin për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe, ishe Zëri i Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe Zëri i mijëra dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, gjaku i të cilëve u bë gurthemel i lirisë që po e gëzojmë sot, e që e fituam pas dys gati dyshekujsh robërie, fal sakrificave sublime të tyre. Ishit dhe mbetët luftëtar i lirisë, i pendës dhe i pushkës, të cilat i kombinuat edhe më fuqishëm pas përfundimit të asaj lufte gjenocidale 1998/1999, duke i arkivuar dhe finalizuar qindra e qindra vepra publicistike e dokumentare, e për t’i shpërndarë ato në shume gjuhë të botës dhe, për t’i treguar opinionit përparimtar, evropian e botëror se, kjo tokë arbërore, më shumë ka prodhuar ‘plumba’ se sa grurë, se kjo tokë është larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona më të mira shekuj me radhë dhe se ky popull është shenjëtor, ngase rrjedh nga gjaku i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nga gjaku i shenjëtores Nënës Terezë – Gongje Bojagjiut dhe nga gjaku i Komandantit legjendar Adem Jasharit. Me mbarimin e Luftës ndryshuat veprimin, por, asnjëherë nuk ju mungoi strategjia për ta bërë Kosovën shtet funksional, për të cilin shtet ishin flijuar në Altarin e Lirisë mijëra dëshmorë e martirë të kombit tonë. Për më se njëzetë vite, jeni bërë Zëri i viktimave Shqiptare pa të cilat edhe Liria nuk do kishte kuptim. Zëri juaj tashmë nuk po kumbon në Malet e Kosovës, por po dëgjohet edhe më fuqishëm nëpër Metropolet e Evropës dhe botës përparimtare, anë e kënd Globit Tokësor. Ky zë, në vazhdimësi kërkon drejtësi për viktimat e gjenocidit serb mbi shqiptarët, për masakrimin e 1432 fëmijëve, dhunimin e Femrave shqiptare, i cili zë, për fatë të keq nga të gjitha Qeveritë e deritashme ka hasur në vesh të shurdhër. Vëlla i dashur Nusret, neve si komb duhet të jemi krenarë që të kemi në mesin tonë, por mos harro një se, Populli të don, sepse jeni Hero i gjallë, i cili po lufton që thirrja për drejtësi e miliona viktimave shqiptare ta gjejë adresën e duhur, që viktima të mos barazohet në asnjë mënyrë me kriminelin, sepse ju në mënyrë dinjitoze i përfaqësoni me argumente e fakte shkencore ata(ato) që nuk mund të flasin më(dëshmorët dhe martirët e kombit tonë), të cilët u vranë, u dogjën e u masakruan nga barbaria dhe mizoria gjenocidale serbe, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë. Një mundë ta them se, ne Mërgata shiptare kudo që jemi nëpër botë, edhe pse ndihemi keq që nuk e ke asnjë përkrahje institucionale deri më sot, do ta kesh prore përkrahjen tonë, morale e materiale, sepse je Zëri i arsyes dhe Zëri emblematik i Kosovës së Lirë.
Baki Mustafa 07.01.2023 Stuttgart