
Nga Raffaele Maffei ose Volterrano
Përktheu: Luket Hasaj/
Pas Martin Segonit, i konsideruar si biografi i parë i Gjergj Kastriotit, edhe Raffaele Maffei ose Volterrano (1451-1522), bashkëkohës i tij, humanist dhe historian italian, botoi një biografi të shkurtër të Skënderbeut 38 vjet pasi ai kishte ndërruar jetë, në enciklopedinë e tij “Commentariorum Urbanorum” (Romë, 1506) te pjesa e parë Geographia, para botimit të veprës së famshme të Marin Barletit “Istoria de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis” / Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, Princi i Epirotëve (Romë, mes viteve 1508-1510). Duke qenë një nga jetëshkrimet e tij të hershme po e sjellim të përkthyer nga origjinali latin:
“Kur kemi arritur deri këtu, para se të vazhdojmë më tej, historia e kësaj kohe duhet rishikuar shkurtimisht. Të gjitha këto vende së bashku me Epirin, për të cilin do të flas në vijim, i zotëronin veçanërisht tri familje, të cilat i pamë të mërguara në Romë për shkak të turqve.
Komnenët, nga një derë e fisme konstandinopolitane, zotëronin vendet bregdetare, Durrësin, Vlorën dhe shumë të tjera. [Gjergj] Arianiti nga e njëjta familje vdiq i padëmtuar dhe në paqe: bijtë u mërguan, ndër të cilët Konstandini, burrë me dukjen dhe guximin e një heroi, u thirr pas një qëndrimi të gjatë në qytet për të sunduar Monferraton në Italinë subalpine [në Piemont].
Familja e dytë janë Kastriotët, nga të cilët Gjoni i Dibrës ose Dibrani zotëronte Trojën dhe disa vise të tjera në pjesën më të brendshme (apo më të thellë) të vendit. Pasi ai bëri luftë me turqit, Murati i vuri kushte që të paguante haraç dhe të birin, Gjergjin, fëmijë nëntë vjeç, t’ia jepte peng. Ky, pra, u rrit në karakter, në virtyt heroik dhe forcë fizike të pakrahasueshme: për këtë arsye Murati e futi në sektin e tij dhe i vuri emrin Skënderbe, që në gjuhën turke do të thotë zoti Aleksandër ose Aleksandër i madh.
Ky i shtoi disa provinca [Muratit], ndër të cilat edhe Mezinë, pasi ia mori despotit Gjergj Brankoviq dhe Novobërdën kryeqytetin e asaj krahine, ku thuhet se ka miniera ari dhe argjendi. Pas vdekjes së babait [Gjonit] dhe vëllait të madh Reposhit, i cili ishte peng në Adrianopojë, Murati ia dha mbretërinë e të atit. Ndërkohë, Eugjeni IV sapo mori vesh lajmin, përpiqet nëpërmjet lajmëtarëve dhe letrave ta rikthejë në anën tonë dhe në besimin e tij të mëparshëm. Ai u bind menjëherë dhe, duke u ngritur në luftë, bëri aq shumë në mbrojtje të fesë, sa kishte bërë më parë kundër saj, dhe papritur shtie në dorë Krujën, Svetigradin, Stelushin, Modricën dhe Tiranën, kështjella në atë krahinë. Murati dërgon kundër tij fillimisht djalin e vëllait të tij, Hamza beun, dhe më pas Vranën, si komandantë me ushtri.
Kruja ishte e rrethuar prej katër muajsh kur vdiq Murati, dhe i biri Mehmeti, duke dërguar shumë komandantë të cilët i quanin Pashallarë, i organizoi më kot forcat e tij, sepse ai gjithmonë i shpartallonte dhe i bënte të merrnin arratinë hordhitë e panumërta të armikut me një ushtri të vogël. Por edhe atëherë Skënderbeu i provokoi venedikasit me luftë. Shkaku ishte se ata nuk pranuan t’u paguanin shumën e parave që kishin rënë dakord, paraardhësve të tyre, për qytetet arbërore që kishin marrë. Prandaj i shkatërroi gjithkah tokat e Durrësit, pastaj të Dejës, Shkodrës dhe Drishtit [që ishin nën zotërimin e Venedikut]. U ndesh me ushtrinë venedikase buzë lumit Drin dhe i dha arratinë. Më në fund u arrit një marrëveshje paqeje midis dy palëve nëpërmjet Antonio [Andrea] Venierit, proveditorit të Arbërisë, kështu që [Republika e Venedikut] për të mbajtur Shkodrën dhe tokën që u kishte marrë, do t’i jepte [Skënderbeut] një mijë e pesëqind dukatë ari çdo vit. Pas kësaj, kur Piu II i kërkoi me anë të lajmëtarëve t’i vinte në ndihmë mbretit Ferdinand, Skënderbeu do të kalojë në Itali duke e liruar Barletën nga rrethimi që kishin vënë Giovanni Antonio Princi i Tarantos, edhe Jean-i, biri i mbretit René, Dukës së Anzhusë, dhe Jacopo Piccinino.
Pastaj, pasi mbërriti në Romë, u kthye shpejt në atdhe, ku, pak kohë më vonë, thuhet se vdiq i helmuar. Pa diskutim ai ishte një hero vërtet i denjë si pasardhës i Pirros, apo për t’u mbiquajtur Aleksandër. Është për t’u habitur që duke kaluar përmes kaq shumë rreziqesh apo betejash nuk iu gjet asnjë varrë në trup, përveç një shpatulle të thyer. U martua me bijën e Arianitit që përmendëm më lart, e cila jeton ende në Napoli, dhe nga e cila i leu një djalë [Gjoni], i cili, pas vdekjes së tij, ai vetë u mërgua për shkak të Mehmetit.
Familja e tretë që thamë se u mërgua janë Despotët e Epirit nga këto krahina fqinje që tani i quajnë Nartë (Arta), për të cilat do të flasim më gjerësisht më poshtë. Këta quheshin Toki, nga rajoni i Beneventos dhe siç thonë ata vetë ishin me prejardhje nga Totila, mbreti i gotëve, dhe për afro njëqind vjet i mbajtën këto vende së bashku me Etolinë (Aetolinë) dhe Akarnaninë, si dhe Qefaloninë, që ishin dikur të gjitha në mbretërinë e Pirros dhe Odiseut (Uliksit), duke marrë për vete vetëm emrat Leonard dhe Karl. Ky Leonardi, i cili kishte jetuar deri pak kohë më parë në Romë, la pas një djalë, Karlin, dhe për shkak të Mehmetit kishte mërguar në oborrin e Papës Siksti IV, duke kërkuar ndihmë dhe mëshirë.”