Satirë nga Rafael Floqi
Një natë e zakonshme në televizionin kombëtar shqiptar “Klan”, ku gjithçka shitet si “debat i madh” dhe përfundon si reklamë për padronët mediatikë, u kthye papritmas në një rast të artë për komedi politike. Arlind Qori i partisë të vogël Lëvizja Bashkë, në rolin e Don Kishotit që përpiqet të luftojë mullinjtë e erës të medias të blerë shqiptare, përplasi shpirtin idealist me murin cinik të Blendi Fevziut, i cili ngjan më shumë si rojtari i portës së interesave private të Klanit të Aleksandër Frangajt sesa si moderatori i një emisionin publik “Opinion” që s’pranon asnjë opinion kundër ‘Klanit’.
Debati filloi si një përplasje mes koncepteve të qarta: Qori, i pajisur me një kosh me të vërteta të hidhura, dhe Fevziu, me një lopatë për të groposur çdo ide që ngre kokën kundër status quo-së. Kulmi erdhi kur Fevziu, i fryrë nga vetëbesimi, deklaroi se “askush nuk më thotë kë të ftoj dhe kë jo”. Në atë moment, publiku diku mes rrjetave sociale shpërtheu me të qeshura, ndërsa Arlind Qori ndoshta po mendonte: “A është ky realitet apo një skenar satirik i ‘Portokalli’-së?”
Por, në fakt, satira ishte shumë më e thellë. Fevziu, në përpjekjen e tij për t’u dukur si kampion i gazetarisë së lirë, u shndërrua në avokat të sistemit të kapur. “Media është private,” tha ai, duke harruar se edhe monopoli është privat, por kjo nuk e bën më pak problematik. Pika kulmore e humorit të zi erdhi kur Fevziu përpiqej ta mbulonte diellin me shoshë, duke e quajtur televizionin një arenë ku vlen vetëm audienca, ndërsa pronarët që marrin tendera nga shteti dhe vendosin se kush duhet të flasë, thjesht “kalonin aty rastësisht”.
Arlind Qori, i cili e dinte që po luante në një terren të minuar, nuk u tërhoq. Ai citoi Arian Çanin, që dikur e kishte pranuar publikisht se kishte marrë urdhër të mos e ftonte Qorin. Kjo, për Fevziun, nuk ishte e mjaftueshme për të pranuar që media shqiptare është më shumë një kioskë propagande, sesa një institucion informativ. Në fakt, Fevziu, me një entuziazëm që do ta bënte edhe Lali Erin të skuqej, u pozicionua si kalorësi i fundit që mbron sistemin e vetëshkatërruar.
Dhe kështu, televizioni shqiptar ‘Klan” vijon të bëjë atë që di më mirë: të bëjë sikur debaton, por në fakt reciton. Çdo protestë, çdo zë kritik, çdo denoncim zhduket nga ekranet me një shpejtësi që do t’ia kishin zili edhe magjistarët. Qori e denoncoi këtë realitet me një shembull brilant: pensionistët protestonin në rrugë, por Top Channel transmetonte kryeministrin që i sulmonte ata pa iu dhënë as një sekondë hapësirë për t’u përgjigjur.
Në këtë pikë, satira bëhet edhe vetë ekzistenca e debatit. Nuk është më vetëm një çështje personale mes Fevziut dhe Qorit, por një reflektim i groteskut të mediave shqiptare, që janë kthyer në servilë të përulur të pronarëve dhe kryepushtetarëve. Të njëjtët pronarë që ndërtojnë kulla dhe i përdorin ekranet si fasada për të mbuluar shkatërrimin që lënë pas.
Por ajo që i jep fund kësaj satire është ironia më therëse: një pjesë e të ftuarve në studio, në vend që të diskutojnë për problemin e vërtetë, i thanë Qorit: “Ç’të duhet ty? Media është private.” Kjo është si t’i thuash një pacienti: “Ç’të duhet ty që mjeku yt nuk të kuron? Ai është privat!”
Sistemi mediatik shqiptar nuk ka nevojë për më shumë debate në studio, ku çdo temë përfundon në një batutë të Fevziut dhe një buzëqeshje cinike nga ndonjë tjetër. Ka nevojë për një pastrim rrënjësor, sepse në këtë moment, mediat nuk po e shërbejnë publikun, por një grusht njerëzish që përdorin ekranin për të manipuluar realitetin.
Dhe kështu, Qori mbeti një zë i vetëm në një studio të mbushur me njerëz që, ndonëse të rrethuar nga dritat e kamerave, nuk arrijnë të shohin të vërtetën që kanë përpara syve. Por, siç thoshte dikur dikush: “Në një vend me të verbër, edhe ai që ka një sy është mbret.” Prandaj, të dashur shikues, mendoni vetë: cili nga të dy ishte ai që vërtetë po shihte qartë.