Prej më shumë se 70 vitesh grekët nuk e kanë vërtetuar kurrë me dokumenta dhe fotografi bashkëpunimin e çamëve. E vërteta është se çamët ishin zyrtarisht luftëtarë të ushtrisë çlirimtare të Greqisë EAM-ELAS./
Nga Arben LLALLA/
Mediat shqiptare si përherë me vonesë përcjellin lajmet nga Greqia rreth Çështjes Çame, por ajo që është tragjike për mediat tona, vjen nga fakti që ndikohen nga zyra e informacioni dhe propagandës së zbulim – kundërzbulimit të sigurimit të Greqisë. Media që më shumë ndikohet nga ato që thashë më lartë është Top Channel që përcjell shtrembërimet që dalin nga ambasada e Greqisë në Tiranë nëpërmjet gazetarit Ilir Paço, i cili mban kontakte të rregullta me diplomatët grekë që mbulojnë sferën e informacionit dhe propagandës së Greqisë. Lajmi për themelimin e shoqatës të pasardhësve të viktimave të masakrave të nazistëve gjermanë me “bashkëpunëtorët” e tyre çame 1941-1944, Top Channel e dha më 24 Shtator, ndërsa shoqata është themeluar më 3 shtator nga Bashkia e Pargës në një aktivitet. Shtypi grek disa herë ka botuar shkrime për themelimin e kësaj shoqate me mendimin se do të shkaktonte reagime në Shqipëri, por kjo gjë kaloi në heshtje në Shqipëri, sepse themelimi i shoqatës greke që e drejton ish-ministër dhe deputeti i djathtë Andonis Bezas është një provokim për interesa të ngushta politike.
Shkrimi i fundit për themelimin e kësaj shoqate e botoi më 22 shtator, miku i Ilir Paços, publicisti Stavris Çimas tek gazeta “Kathimerini” dhe asnjë media në gjuhën shqipe nuk ia vari shkrimit të drejtorit mediatik Çimas (E njoh personalisht Stavro Çimën qysh nga viti 1997, dhe kam biseduar shpeshherë kohëve të fundit edhe për Çështjen Çame, për të cilën ai ka një qasje krejt të gabuar).
Atëherë, Greqia kur e pa se në Shqipëria nuk e vuri njeri ujët në zjarr për themelimin e kësaj shoqate të lojtur mendsh, u ndezën motorrët e zyrës së informacionit dhe propagandës të sigurimit të Greqisë pranë ambasadës së tyre në Tiranë. Kuptohet nëpërmjet njerëzve të tyre të kontaktit, në rastin në fjalë me Ilir Paçon na del në Top Channel ky lajmërim, thua se ishte lajm i minutës së fundit që do të bënte bujë.
Gjithsesi lajmi për themelimin e “Shoqatës së pasardhësve të viktimave të çamëve” ka prapavijë politike për të fituar disa vota më shumë partia “Demokracia e Re” e Micotaqit, sepse nëse vërtetë shqiptarët nga Çamëria do të kishin bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, kjo shoqatë qo të ishte themeluar në vitet 1945, 1950, 1970, 1980, pra para shumë kohësh dhe jo sot në vitin 2017, kur dy vendet po kërkojnë të merren vesh që Çështja Çame dhe pronat e shqiptarëve në Greqi duhet të zgjidhen, me qëllimin e mirë që dy popujt ta shohin njeri-tjetrin me mirëbesim dhe jo duke ngritur kurthe dhe presione me veto.
Prej më shumë se 70 vitesh grekët nuk e kanë vërtetuar kurrë me dokumenta dhe fotografi bashkëpunimin e çamëve. E vërteta është se çamët ishin zyrtarisht luftëtarë të ushtrisë çlirimtare të Greqisë EAM-ELAS. Historianët dhe studiuesit grekë nuk kanë sjellë asnjë fakt që vërteton pjesëmarrjen e shqiptarëve të Çamërisë në ndonjë masakër apo shkatërrim të fshatrave në periudhën 1941-1944 që Çamëri, në të cilat banonte edhe një pakicë greke.
Prandaj, si përfundim, Top Channel me lajmin për themelimin e shoqatës në fjalë është i vonuar dhe dashakeq, ashtu siç është ish-deputeti grek Andonis Bezas për themelimin e shoqatës në 3 shtator 2017 në Pargë të Çamërisë. (27.al)