Një variacion satirik mbi temën nga Rafael Floqi/
I nderuar Santa!
meqë po vjen fund i vitit dhe ti je i vetmi që ende mban premtime në këtë botë plot pasiguri, mendova të dërgoj një listë dëshirash për qeverinë tonë të dashur aty në Albani nga ana e Diasporës sonë nga larg. Këto kërkesa janë me shumë se ato që ca patronazhistë me pasaportë amerikane i kërkuan kryeministrit Ramës sonë, si p.sh. rritje pensionesh, dhe ai për këtë vit, i shtoi pensionistëve jo më pak se një gjel deti. A thua mjafton? Por diçka është më pak se asgjë.
I dashur babagjysh, nuk janë shumë kërkesa por një për çdo muaj të vitit që po vjen, dhe, pse jo, mund të ndihmojnë për të sjellë një Vit të Ri më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe për ne. Le të shpresojmë që të na sjellësh disa nga këto, sepse çdo vit ndodhin të njëjtat histori dhe çdo herë ne i shohim me shpresë se këtë herë do të jetë disi ndryshe.
1. Një tufë premtimesh të reja dhe të sinqerta
Tani që jemi afër zgjedhjeve, të lutem na sill një tufë të re premtimesh. Duhet të jenë të sinqerta, dhe jo ato që kanë mbetur të “pashkruara” nga vitet e kaluara në slitën tënde. Këto premtime duhet të jenë të natyrshme dhe të besueshme, sepse ato që kemi dëgjuar deri tani, duken gjithmonë si një kopje e thjeshtë nga e kaluara. Ata që na udhëhoqën deri tani na kanë mësuar se premtimet janë vetëm fjalë, dhe çdo vit janë të njëjtat, ndaj duam më shumë veprime dhe më pak fjalë bosh. P.sh dua të di se kur shëndetësia do të jetë falas, aman, se kemi pleq në Shqipëri. Tani na thuhet se do të hyjmë në Evropë, por ajo e pabesë prapë luhatet, po më thuaj kur janë kalendat evropiane.
Ne kërkuam t’i marrin gjithë refugjatët nga Italia e t’i zëvendësojmë me ata që çojmë në Angli, por edhe Italia na e quajti këtë si nder personal dhe jo nacional. Dhe këtë sakrificë për Evropën s’na e besuan. Po sikur ai shteti Bektashi të jetë si Qiproja apo si Dubai, kur paratë s’i gjen njeri. Vatikani ka bankë a do ketë bankë dhe ai? Po pyesin ca kësaj ane. Ca ia kanë kaluar Kolombit e kanë shkuar gjer në Ekuador, thuhet se ata i dinë ca gjëra (sa të jenë gjallë)…
2. Një buxhet transparent, por jo vetëm në letër
Buxheti i shtetit duhet të jetë transparent, jo vetëm në teori por edhe në praktikë. Jo vetëm me vota shumice. Dëshirojmë një sistem që të na mundësojë të kuptojmë se ku po shpenzohen paratë publike dhe, më e rëndësishmja, që të mos humbasin pa lënë gjurmë. Sa më shumë të shohim në të, aq më shumë do të besojmë tek ata që na drejtojnë. Jo më gjetje justifikimesh dhe trukesh të fshehura përmes llogarive të mbushura me magji zhdukjesh parash në Qipro. Mos vallë ata iniciatorët e inceneratorit ishin si kazani i shtrigave të Harri Potter, që djeg para pa nxjerr tym në hava…për marshallah … Hahaha. Thonë se ca drejtorë nuk ndotën ambientin por u ndotën nën vete.
Nga ana tjetër, duam të dimë se ku vajtën studentët tanë që kemi dalë të lypim të tjerë nga jashtë. Mos na kërkojnë ne ti çojmë kalamajtë aty, ku notat blihen nga trupa e pedagogëve si në Universitetin e Elbasanit dhe kalamajtë e tyre i kanë sjellë këtu? H o- ho- ho na rroftë titulli doktor.
3. Një aplikacion anti-korrupsionin
E imagjinoni sot bota rrjedh me algoritme, dhe ne nga Diaspora duam një aplikacion të thjeshtë që mund të tregojë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve edhe tonat? Ndryshe nuk votojmë. Jo për të akuzuar pa prova, por për të pasur një sistem të drejtpërdrejtë, të qartë dhe të monitorueshëm që e bën korrupsionin të duket si një problem që mund të zgjidhet, dhe jo si një fenomen që kurrë nuk do të ketë fund. Aplikacioni do të ndihmonte për të kuptuar se cila është rruga që ndjekin paratë dhe për të thyer çdo mur të padukshëm që i fsheh ato. Ai të quhet “Follow the Money”
A i gjen dot AI paratë e djegura “vjedhura”. Por AI ku do t’i gjejë. Aman na ndihmo o Mira Murati. T’i mund të shpëtosh gjithë botën nga sikleti. Por fatkeqësisht do të na duhet t’i mësojmë AI gjuhën 5D…dhe e di që ka të vështirë e di.
Dhe nëse Prokuroria Speciale quhet SPAK apo S’KAP tani s’ka rëndësi, kjo varet se nëse i akuzuari është me partinë tonë apo kundra nesh. Por qe me ne janë heronj të pafaj, fatkeq viktima të regjimit dhe pse kanë fituar miliona, po qenë kundra nesh janë, hajdutë, maskarenj të korruptuar dhe djaj me brirë…
4. Një ferman që ndalon ndërtimet e kullave për një vit
Ndërkohë që qytetet tona mbushen me beton dhe kullat e larta, të lutem na jep një vit pa ndërtimet që shkatërrojnë hapësirat e gjelbëra dhe krijojnë një pamje të pashembullt të një qyteti pa shpirt. Po ashtu, le të jemi të sinqertë: qeveria ka qenë shumë e përqendruar në betonizim, dhe ndoshta do të ishte mirë të bëjmë një pushim për të parë nëse mund të krijojmë diçka më të bukur, si parqe, hapësira sociale, dhe ndoshta më shumë mundësi për të pasur një jetë më të shëndetshme dhe më të këndshme. Një vit pa më shumë beton dhe më shumë pemë, më shumë hapësira të gjelbra dhe mundësi për qytetarët që të shijojnë natyrën. Nëse s’kemi mundësi t’i bëjmë qytetet më të bukura dhe të qeta, atëherë le të pikturojmë më shumë pemë mbi betonin që mbizotëron. Është koha të krijojmë hapësira që i japin mundësi fëmijëve dhe të rinjve të luajnë dhe të ndërveprojnë, dhe jo vetëm të jetojnë në një qytet të ngjeshur dhe të mbushur me kaos. Kjo thonë do të ndalonte lavatriçen e parave .Ho-ho-ho!
Ne duam më shumë ambiente sportive e më shumë sportistë sade jo akademi sa për emër dhe kampionë të importuar që dhe emrin s’ ja themi dot…
Duam një ferman që të thotë kërkohet që Dajti të shihet nga çdo pikë në Tiranë. Nga ana tjetër duam mos prishim teatro të bëjmë teatro të mos prishim porte që të bëjmë porte…
5. Një ligj që ndalon gënjeshtrat në fushatë
Po flasim për një ligj që ndalon përdorimin e gënjeshtrave të thjeshta në fushata zgjedhore. Një ligj që do të ndalonte çdo formë manipulimi të votuesve dhe çdo formë mashtrimi të publikut me premtime që nuk mund të mbahen. Oh, po, gënjeshtrat në fushatat elektorale – një shfaqje e vërtetë e artit politik! Asnjë strategji nuk është më e efektshme se të gënjesh pa asnjë hezitim dhe të shpresosh që askush nuk do ta kuptojë. Aty ku faktet mungojnë, imagjinata merr kontroll, dhe politikanët shpesh shndërrohen në mjeshtra të trillimeve – nga premtimet për “parajsa” ekonomike deri te akuzat për “armiq” të shpikur. Dhe kush mund të harronte ato “fakte” që ndihmojnë të duken si kandidatë të përkryer, edhe kur ato janë tërësisht të pavërteta? Po, natyrisht, askush nuk i merr seriozisht, sepse të gjithë dimë që zgjedhjet janë të bazuara në emocione, jo në arsyetim.
Të gjithë do të votojmë për dikë që thotë se do të na shpëtojë, edhe nëse ai person ka pasur një histori të ngjashme me një fantazmë të ngjashme me premtimet e tij të pamundura. Në fund të fundit, është një spektakël dhe të gjithë duan të jenë pjesë e tij.
6. Një fushatë zgjedhore pa këngë tallava
Në vitin 2025, mund të presim më shumë sesa këngë tallava në fushatat zgjedhore. Nëse qeveria do të mbajë një fushatë, do të ishte mirë ta bënte pa përdorimin e këngëve që janë bërë sinonim i manipulimit të emocioneve të popullit. Ah, këngët tallava në fushatat elektorale, një shpërthim artistik që të çon direkt në atmosferën festive të politikës! Çfarë mund të bësh tjetër kur do të fitosh vota? Prejardhja e këngës tallava është një “këngë zemre” e shkruar për të tërhequr më shumë se zemrat – është një fushatë me ritëm, me “vibe”, dhe me shumë… ngjyra të ndritshme! Nuk ka asnjë problem të përdorësh disa vargje që bëjnë jehonë për ta ngjallur entuziazmin e popullit, edhe nëse fjala është për premtime që nuk do të realizohen kurrë.
Përse të flasësh për ekonomi, shëndetësi, apo arsim kur mund të këndosh për “fitore të mëdha” dhe “liri të reja”, të shoqëruara me një muzikë që të bën të shkundesh? Të gjithë janë të ftuar në këtë festë elektorale, dhe me pak ritëm e melodi të shpejtë, ata do të harrojnë gjithçka që nuk është e vërtetë. Dhe nëse dikush ngre dyshime, nuk ka problem – për ta është mjaftueshëm një “refren” që i bën të ndihen të bashkuar për një qëllim të madh… që, natyrisht, është po aq i paqartë sa do të ishte ndonjë ndihmë konkrete për ta.
Sidomos na lutemi të na e kurseni këngën “Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime.” Po, e dimë që është popullore dhe të gjithëve u pëlqen, por ndryshe përjetohet nga ministrat dhe ndryshe nga populli që nuk e ndjen veten të përfshirë në këtë “gëzim” që shpesh bëhet një mjet për të larguar vëmendjen nga realiteti. Që bëhet tallava në hava që na kujton kohët që votonim me daulle duke mbajtur dhe radhën e qumështit.
7. Të ndalohet kënga “Mbahu nënë, mos ki frikë se ke bijtë në Amerikë”
Qeveria jonë, e cila mezi kujdeset për 1.8 milionë shqiptarët që janë brenda dhe jo për 1.7 milionët që jashtë me një vendlindje me dy pasaporta po mundohet tani për një politikë të re jo atë që quhet “Mbahu, nëno mos ki frikë, i ke bijtë në Amerikë” por mos ejani si turistë një herë në vit, pot hapni bujtina aty, ku edhe Skënderbeu s’u ngjit dot.
Po, ne mund të jemi të ndarë nga Atdheu, por ky është një lajm i mirë – sepse duket se ne nuk jemi më brenda kufijve të shqetësimeve të qeverisë. Me gjithë dashurinë që ndjejnë për ne, ata nuk harrojnë kurrë të na kujtojnë që “përgjegjësia është mbi ne” – veçse nuk bëjnë asgjë për ta lehtësuar këtë “përgjegjësi”. Kështu që, çdo shqetësim që mund të kemi për shëndetësinë, arsimin ose të drejtat tona, mund të zgjidhet me një mesazh të shkurtër: “Mbahu, mos ki frikë, po ju ndihmojnë nga larg”.
Çdo problem që mund të ndodhi, ja fatkeqen këngëtares Parashqevi Simaku “Madonën shqiptare” që humbi rrugën për në Hollywood, Amerika i dha udhët, shqiptaret po, kërkojnë t’i japin strehim.
Në fund të fundit, 1.7 milion shqiptarë në Botë janë një masë e madhe për të bërë një “foto të bukur” në një sallë dasmash si në Manhatan, dhe për të thënë: “Po kujdesemi për ju, gjithsesi!” ndërsa tek stacioni i trenit aty pranë kishte një nënë pastrehë shqiptare. që 10 vjet qante dhe priste njëM bir me një zë Madone dhe këtë kryeministri ynë se thirri dot në podcast…
8. Një rregullore për ndershmërinë në qeveri dhe administratë
Një rregullore e detajuar që do të mësojë administratën dhe qeveritarët se si të jenë të ndershëm, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Ky manual duhet të ketë ilustrime, sepse ndoshta disa prej tyre nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh i ndershëm.
Fjala e-Albania nuk e zëvendëson dot fjalën nëpunës i ndershëm. Mund të mbyllësh sportele dje të shtosh bedelë sot. Pse jo të kemi një mënyrë të qartë dhe të thjeshtë për t’u sjellë me dinjitet dhe për të marrë vendime që janë për mirëqenien e qytetarëve dhe jo për interesa personale.
Të marrim Lalin Erin p.sh.. Veliaj ai gjithnjë ka vepruar si ushtar sa herë i ka dhënë supë të varfërve. Dhe u bë aq i dashur sa e quajti veten Lali. Të ka Lali shpirt të ka Lali xhan, kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë si ne si popull. Mjaftojnë të kujtojnë se si një kryebashkiak, që merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari. Që Rama e kishte nën kontroll të plotë mbi Lalin këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpunëtorëve “lalucë” të afërt me të që vidhkan më shumë se kumbulla pas shpinës së të madhit.
9 Një manual për lirinë e fjalës
Dëshirojmë një manual që t’u mësojë atyre se si të reagojnë ndaj kritikave pa pasur nevojë të fshihen pas një ekrani dhe pa tentuar të fshehin zërat që nuk përputhen me mendimet e tyre. Liria e fjalës është një e drejtë e paçmuar, dhe duhet të kuptohet si një mundësi për përmirësim, jo një kërcënim. Nuk mund të ketë një qeveri të fuqishme nëse nuk është në gjendje të dëgjojë kritikën dhe të ndërmarrë veprime që janë në përputhje me interesat e popullit. Liria e fjalës nuk është kontroll mbi media sociale. Për të kuptuar këtë, mjafton të përmblidhen disa të vërteta të thjeshta. Shqipëria do të bëhet i vetmi vend i botës demokratike ku pretendon të bëjë pjesë, që ka mbyllur totalisht një platformë të rëndësishme sociale. Argumentet morale që po hedh në treg kryeministri ynë për ta bërë këtë, ngjajnë njësoj si ato që talibanët përdorën për ta çrrënjosur Tik Tok-un, pas rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan. Fakti se një gjë e tillë po ndodh duke e lidhur në mënyrë abuzive me vdekjen tragjike të Martin Camit, ndërkohë që është provuar se, as viktima dhe as vrasësi nuk kishin lidhje me këtë rrjet social. Kjo ngre pikëpyetje për një veprim arbitrar për një mbyllje goje gjer në zgjedhje. Pse vetëm për një vit. Ho-ho-ho Santa ti e di de djalli fshihet në detajet. S’ka dhurata me Tik-Tok për kalamajtë shqiptarë.
10 Një makinë kohe për opozitën
Nëse është e mundur, ndihmo opozitën të kthehet në një periudhë kur kishin një ide të qartë se çfarë donin të bënin. Aktualisht, opozita është shpërndarë dhe e turbulluar, pa një plan të qartë. Mosbindja civile me orar është si tymi pa zjarr. Molotovi ndez vetëm disa mendjengushtë . T’i kërkosh qeverisë të rrëzohet me ca flakadan për një pushtet pa din dhe iman vështirë se ngjan. Opozita shqiptare, e cila është e njohur për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm në luftën për demokraci, ka vendosur t’i bëjë një “shërbim të madh” popullit duke organizuar një “mosbindje civile me orar.” Po, ju e lexuat mirë: mosbindje civile, por gjithçka ndodh me një plan të qartë dhe një orar të caktuar, që është thjesht perfekt për ata që duan të bëjnë protesta, por pa e kaluar orarin e drejtës.
Të protestosh është e rëndësishme, por në të njëjtën kohë, t’i respektoni oraret është thelbësore – nuk mund ta teprosh me atë mosbindjen civile, sepse ndoshta keni një takim tjetër më vonë! Kjo strategji e menaxhuar mirë është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar angazhim pa shqetësuar askënd në administratën që do t’ju ndjekë – në fund të fundit, çdo gjë është në harmoni me kalendarin. Për më tepër, kjo është një mënyrë brilante për të treguar që opozita ka një kuptim vetëm të mos e teprojë se shkon në spital pastaj…
Asaj i duhet një makinë kohe mund të vegla që të ndihmojë që të gjejnë rrugën e humbur dhe gjak i ri që të ofrojnë një alternativë reale për të ardhmen e vendit. Dhe gjer atëherë në cilën orë është mosbindja tjetër….
11 Një ring ton i ri për këtë qeveri
Dëshirojmë një orë që t’i zgjojë përfundimisht qeveritarët kur populli të dalë në protesta. Kjo orë do të njoftojë kur është koha që ata të ngrihen nga gjumi dhe të kuptojnë që nuk mund të vazhdojnë të injorojnë kërkesat e qytetarëve. Qeveritarët duhet të jenë të vetëdijshëm që populli është gjithmonë aty dhe ka të drejtë të kërkojë përgjigje dhe ndryshime.
Qeveria jonë ka një “ring ton” të veçantë për të zgjuar popullin çdo mëngjes, por ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë tonalitetin e këtij zgjimi! Pse të vazhdojmë me atë melodinë e ngadalshme dhe të ëmbël të premtimeve boshe kur mund të përdorim një zë më të fuqishëm, si një alarm të zakonshëm të mëngjesit që të frikëson dhe të detyron të ngrihesh menjëherë? E imagjinoni? “Po, popull, ngrihuni tani! Edhe një vit tjetër pa ndryshime të mëdha, por ju do të vazhdoni të paguani tatime për shëndetësi që nuk funksionon dhe rrugë që nuk ka!” .
Ky mund të jetë një ring-ton i vërtetë që të nxjerr në këmbë për të realizuar se asgjë nuk ka ndryshuar, dhe mund të kesh ende kohë të pish një kafe para se të vazhdojë “stuhia” e premtimeve të pambajtura. Ky ring-ton i ri, më energjik dhe i drejtpërdrejtë, do t’i mundësonte popullit të fillonte ditën me një ngarkesë të madhe… pak më shumë zhgënjim, por shumë më të qartë. Në të këndohet ai vargu dyshues “Tani që Diaspora thonë se voton, por a thua ndonjë gjë ndryshon?.
12 Një robot që pranon përgjegjësinë
Kur ndodhin dështime, duam që dikush të pranojë përgjegjësinë. Mjaft më me gjetjen e fajtorëve si Tik-Tok-u, opozita, ose qytetarët. Duhet të kemi një robot që mund të ngrejë dorën dhe të thotë: “E kam unë fajin.” Kjo do të na ndihmonte të kuptonim se përgjegjësia është një gjë e madhe dhe duhet të merren vendime për të përmirësuar situatën, jo për të fshehur dështimet. P.sh. ne do të deshim që ashtu si trajnerët e futbollit dhe drejtuesit e qeverise të mbanin përgjegjësi për të gjithë anëtarët e ekipit të qeverisë apo partisë kanë shkelur në dyert e SPAK-ut ashtu si Lali tani.. .Ky robot nuk e di fjalët “Unë nuk mbaj përgjegjësi” , dhe nuk e kupton shprehjen “SPAK-un e miratova unë”.
Babagjysh. Mos të duket shumë?
Po, ndoshta!. Por ti ke qenë gjithmonë zemërgjerë (ose të paktën, kështu thonë fëmijët). Po të mos mund të na i plotësosh të gjitha këto dëshira, të paktën sigurohu që të na mbash me shpresë sidomos ne të Diasporës. Që kemi shumë fjalë dhe mall. Shpresa është e vetmja gjë që nuk mund të na e marrin dot .
Nga një qytetar finok pa llogari në Tik-Tok,
Me shumë dashuri nga diaspora edhe për shumë mot!
Nga një patronazhist pa parti,
Gëzuar Vitin e Ri!