Rreth veprës së Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920”, vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”/
Nga Shpresim Kasaj/
Kryetar i Shoqatër Atdhetare e Kulturore Armeni/
Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Atdheut, studiuesi i njohur Enver Memisha –Lepenica nxori nga shtypi dhe i dhuroi publikut të gjerë librin e tij njëmbëdhjetë: “Major Ahmet Lepenica – Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”.
Ky libër vjen në kohën dhe në momentin e duhur dhe është një libër më vlera të mëdha historike dhe atdhetare, se flet për një patriot të madh, me një veprimtari njëzetvjeçare në shërbim të Atdheut, që nga viti 1904 kur u angazhua në lëvizjen patriotike jashtë atdheut e deri më 1924, kur e mbylli veprimtarinë e tij, në shkallën e Tujanit, duke mbrojtur Qeverinë Demokratike të Fan Nolit.
Ahmet Lepenica e filloi luftën kundër turqve dhe e vazhdoi atë kundër grekëve, më 1914 për të çliruar Kolonjën, Leskovikun, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën dhe Delvinën. Atë e gjejmë në krye të luftës kundër forcave antikombëtare esadiste në brigjet e Vjosës më 1914, kundër pushtuesve serbë në shtator- dhjetor 1921; në Komisionin Ndërkombëtar të Kufirit më Greqinë më 1923, në drejtim të forcave revolucionare- demokratike të 1924.
Por, ajo që i dha lavdi Major Ahmet Lepenicës dhe që e vendosi në faqet e historisë sonë kombëtare është “Epopeja e Luftës së Vlorës e vitit 1920”, ku ai qe Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare që bënë atë luftë dhe atë epope madhështore, më e madhja në historinë e popullit tonë, pas asaj Skënderbejane. Autori, duke pasqyruar veprimtarinë e komandantit të kësaj lufte, ka pasqyruar hollësisht e me vërtetësi dokumentare organizimin dhe zhvillimin e kësaj lufte vigane që bënë shqiptarët kundër Italisë, një mbretërie dyzet milionëshe.
Në këtë mënyrë, ky libër nuk është një libër për Ahmet Lepenicën, por edhe një libër i mirëfilltë për Luftën e Vlorës, duke plotësuar kështu librin e mëparshëm të këtij autori për udhëheqësit e Luftës së Vlorës me titull: “Emblema e një Epopeje”. Në këtë libër të dytë, autori e ka dhënë më të plotë e më të dokumentuar Luftën e Vlorës, krahas asaj të komandantit të saj.
Në këtë libër gjen të plotë aktorët që e ideuan, organizuan dhe udhëhoqën këtë epope si dhe ata që luftuan drejtpërdrejtë në atë përleshje titanike.
Autori librit Enver Memishaj, flet edhe për ngjarje të tjera të historisë së popullit tonë si për Qeverinë e Ismail Qemalit, për esadistët, për rebelët e Haxhi Qamilit, për Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe Vendimin e saj famëkeq për Shqipërinë, për Kongresin e Lushnjës, Qeverinë e dalë prej saj, për Revolucionin e Qershorit e për plot ngjarje të tjera, si edhe për personalitete historikë në mardhënie me major Ahmet Lepenicën, çka e kthen librin në një enciklopedi të vogël por mjaft të vlefshme për historinë e vendit tonë.
Nga të gjitha këto, është e natyrshme, që autori do të fliste më hollësishëm dhe më gjatë për Luftën e Vlorës 1920. Siç e thamë më lart, aty flitet me hollësi për Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që organizoi e drejtoi këtë luftë, për Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte dhe shtabin e tij, për organizimin e luftën e çetave të mëdha e të çetave të fshatrave të veçantë, për ndihmat me trupa dhe ushqime të krahinave të tjera si nga Tepelena, Gjirokastra, Berati, Elbasani, Skrapari, Mallakastra e Tirana. Aty flitet hollësisht për operacionet luftarake dhe goditjet që iu dhanë pushtuesve italianë në Kotë, Gjorm, Llogora, Drashovicë, Matohasanaj, Tepelenë si dhe për luftën frontale mbi Vlorën e rrethuar në darën e hekurt, në fazën e dytë të luftimeve, më 11 qershor deri më 22 korrik 1920.
Pra, librin për Ahmet Lepenicën, autori e ka kthyer njëkohësisht edhe në historinë e plotë të Luftës së Vlorës, nga e cila nuk mund të ndahej komandanti i saj, sepse ishte kjo luftë kulmi i lavdisë së tij, që e bëri atë të pavdekshëm dhe e vendosi në faqet e historisë sonë.
Duke bashkuar emrin dhe historinë e Ahmet Lepenicës me atë të Luftës së Vlorës, autori ka vepruar me mjeshtëri duke na dhënë një simbiozë të vërtetë të lavdisë së komandantit me atë të Luftës së Vlorës.
Çështja e dytë që dua të shtroj në këtë shkrim është mbështetja e autorit në dokumente arkivore e burime të shumta, si shtypi, kujtimet e bashkëkohësve, folklori që autori i analizon me paanësi, e që i japin librit vërtetësi të padiskutueshme e të pakontestueshëm, duke bërë një libër të mirëfilltë historik dhe autorin një historian shumë të mirë. Kjo duket po t’i hedhësh një sy burimeve dokumentare dhe bibliografisë që ka përdorur autori. Habitesh se ku e ka gjetur ai kohën e vullnetin për të shfletuar e lexuar mijëra e mijëra faqe literaturë dhe dokumente.
Le të flasim konkretisht:
Nga arkivi qendror i shtetit autori ka gërmuar në 62 dokumente, nga biblioteka e Tiranës 26 dokumente, nga instituti i historisë 20 libra historikë, nga instituti i shkencave dhe folklorit pesë libra. Vec këtyre vetëm literatura historike që ka shfrytëzuar autori përbën 105 libra të autorëve të ndryshëm. Një punë të madhe të autorit e zënë gërmimet dhe hulumtimet në gazetat dhe revistat e botuara në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, si: “Përlindja e Shqipërisë”, që dilte në Vlorë më 1913 -1914, “Populli” e vitit 1914, “Dielli” që dilte dhe del në Sh.B.A “Politika” e Vlorës e vitit 1923, “Drita” e Gjirokastrës e viteve 1920 -1924, “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës e vitit 1920-1922, “Liria” e Tiranës, “Albania” dhe “Liria Kombëtare” e Gjenevës 1924-1925, “Shqipëria e Re” e Konstancës dhe duke vazhduar me 51 gazeta të tjera dhe 15 revista.
Të gjitha këto burime të shumta arkivore e dokumentare të shfrytëzuara me zotësi nga autori, e bëjnë librin, për të cilin po flasim siç e thamë më lart, një libër historik shkencor, kurse autorin e shndërron nga një studiues në historian të zotë e kompetent.
Por, duhet thënë se autori, duke pasur si objekt Ahmet Lepenicën ka lënë paksa në hije një komandant tjetër të lavdishëm të Luftës së Vlorës, Qazim Koculin, që e udhëhoqi atë luftë në fazën e dytë të luftimeve që ishte edhe më e vështirë, atë për marrjen e qytetit të Vlorës. Megjithatë, mund të themi se, duke shkruar këtë libër për Ahmet Lepenicën, autori kreu një detyrim ndaj njeriut të madh të fisit të tij, por edhe një detyrim ndaj Vlorës dhe historisë së lavdishme të saj.
Të lumtë zoti Enver Lepenica që na dhurove një libër kaq të mirë në këtë 100 vjetor! Të lumtë dora e të buroftë mendja dhe pena për të na dhuruar libra të tjerë si ky edhe për patriotë të tjerë të mëdhenj!
Shënim: Kumtesa e mbajtur më 3 nëntor 2012, në Universitetin “Pavarësia”, në Vlorë që bërë diskutimin e librit. Derguar nga Vlora per gazeten “Dielli”.
Ne Foto: Shpresim Kasaj, autor i kumteses