• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIKTHIM TE E KALUARA, THELBI I PATRIOTIZMËS SHQIPTARE

May 27, 2013 by dgreca

Duke studjuar librin “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, i autorit Enver Memishaj – Lepenica/

Shkruan:  Eqerem Canaj, Shkrimtar, dekoruar me “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”/

Në tërësinë botimore historike, të veprave letrare – artistike, në pikturë, muzikë etj., në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si pika më kulmore e Historisë sonë Kombëtare, një shfaqje e dukshme u realizua edhe në sferën studimore, veçanërisht, në atë monografike, gjë që la vlagë në botën shqiptare sepse paraqitej botkuptimi e vështrimi i ri i historisë, për luftën kundër përpjekjeve për të mbajtur të pushtuar bregdetin shqiptar dhe tokat e Jugut e Veriut  të Shqipërisë, në përfundim të Luftës së Parë Boterore.  Kundër këtyre përpjekjeve pushtuese, shqiptarët bënë Luftën e Vitit 1920, që në histori ka hyrë me emërtimin Lufta e Vlorës, është ajo luftë heroike, patriotike popullore, që do të shënonte fatin e vendit tonë.

Botimi i librit, monumental, “Major Ahmet Lepenica”, është një kontribut me vlerë, pse risjell në kujtesën kombëtare atë luftë të madhërishme popullore, atë shpërthim zjarri të brendshëm të trimave popullor të cilët u betuan: o do ta hedhim armikun në det, o do të shuhemi të tërë, siç edhe e stigmatizon autori faqe pas faqeje e kapitull pas kapitujsh, përgjatë 480 faqesh, në botimin luksoz të GEER 2012. Punë e pastër, serioze e plot përkushtim i autorit Memishaj, i cili i ka hyrë me ngulm temës historike në një sërë botimesh të suksesëshme të këtij lloji.

Të mendosh se botimi i këtij libri është thjesht një prurje për Luftën vigane të vitit 1920, do të ishte pak, brenda konceptualitetit historik e filozofik, edhe pse për këtë luftë popullore, për heronjtë, të cilët e shkruan historinë me heroizëm të pa shoqe, me gjakun e tyre.  Kjo vepër është shumë më tepër, sepse ajo është një analizë e thellë historike e realizuar nga historiani, Enver Memishaj, pra kontributi i tij fiton tjetër pamje: me një vështrim të ri të Luftës së Vlorës, me përfundime të reja domethënëse, me vlerësime për personalitete të shquara dhe të mbuluar me harresë.

Përgjithësisht do të përmëndja këto momente:

* Për Luftën e Vlorës, në vitin 1920, ka mjaft krijime, veçanërisht, popullore, ajo luftë është intrepertuar si një luftë barinjsh e bujqish, sipas koncepteve antishkencore të kohës, një luftë me cfurqe, sopata e hanxharë, me gunat e dhirta, opingat me tela e ca gërshërë, u sulën përmbi një ushtri të një mbretërie dyzetmilionshe, në një ushtri të përgatitur e të organizuar me regjimente, korparmata, ndërlidhje, topa, avionë e flotë ushtarake, kryekomandanti pushtues gjeneral Gotti …, të tjerë e të tjerë.

Me një fjalë, pa mohuar edhe këtë anë: vitalitetin popullor, i cili ishte dhe mbeti një shëmbull i paarrirë asnjëherë më parë (dhe duhej të përjetësohej si i tillë nga autori), historiani Memishaj, nëpërmjet portretizimit të figurës ushtarake Major Ahmet Lepenicës i ka servirur lexuesit dhe studjuesit të linjës, se Lufta e vitit 1920 drejtohej, krahas mjaft figurave politike të kohës, Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, prej ushtarakëve të lartë atdhetar, që kishin shkëlqyer në fushat e betejave të shumta të ish Perandorisë Otomane, si major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi, kapiten Qazim Koculi, kapiten Ahmet Muka etj., oficerë që kishin marrë titullin e lartë ushtarak “Ismail Haki”, në komandë të të cilëve u emrua major Ahmet Lepenica, si  Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare. Autori  evidenton edhe faktin se koha e pati lënë disi në mjegull, këtë personalitet të shquar të historisë sonë që është njeri nga atyre heronjve  që rishpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 1920.

 

* Uniteti i pjesëve dhe i elementëve përbërës në vepër.

Duke qenë se në vepër, në ballinën kryesore, foto dhe kryetitull është fiksuar ushtaraku “Major Ahmet Lepenica”, vetvetiu mendohet një parangjitje a përngjitje me Luftën e Vlorës, me llavën flakadanë që shpërtheu më 1920. Në një zjarr ku digjen e shkrumbohen drurë e gurë, luftëtarë që “hanë hekurin me dhëmbë” a vullnetarë të “çuditshëm” që kanë ardhur, nga tërë viset shqiptare, për të vdekur në Vlorë dhe për Vlorën.

Vërtet një shfaqje heroike, vigane, sikundër e kanë cilësuar e pranuar njëzëri të gjithë studjuesit e historianët, atë luftë. Ishte zëri i Atdheut që thërriste e tundonte. Dhe autori i librit Enver Memishaj, një studjues i kulluar dhe historian i mirëinformuar, këtë anë të rëndësishme të individit në histori, mendojmë, e ka trajtuar mirë nëpërmjet figurës së  major Ahmet Lepenicës. Me pjekurinë e kthjelltësinë e një profesionisti autori na e përshkruan major Ahmet Lepenicën, si një luftëtar të çështjes sonë kombëtare që nga viti 1908, kur arnaut Ahmeti rrethoi pallatin e sulltanit deri sa ky pranoi Kushtetutën e Xhonturqve … Shkurt, sakt  autori përshkruan formimin shkollor, ushtarak e botëkuptimor të heroit të veprës, falë literaturës që ai ka grumbulluar, studjuar, si dhe analizuar në të mirë të kësaj vepre patriotike që ia jep lexuesit shqiptar e, ndofta, më gjerë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Major Lepenica, u përfshi në Lëvizjen Kombëtare që nga qershori i vitit 1912, kur zbriti në limanin e Vlorës për të shtruar vendin. Formimi atdhetar atë e hodhi në krahët e lëvizjes për liri, shkallë – shkallë ai u zgjua dhe iu përkushtua tërësisht çështjes së Pavarësisë Kombëtare, ndaj së cilës një ditë më 5 qershor 1920, do të dëftonte cilësitë e një komandanti të sprovuar në një luftë, jo të  barabartë. Por, nënkuptojmë, përpos kësaj, se asnjë luftë nuk mund të fitohet pa strategji e strateg, pa taktikë e përkushtim. Këtë fakt historik e provon me mjeshtëri, autori i librit.

* Analiza, rruga efikase që ka ndjekur autori për të arrirë në përfundime të rëndësishme të veprës në fjalë.

Kemi të bëjmë me një vepër historike voluminoze, por edhe një temë e trajtuar prej penash të njohura artistike, domosdo dhe studimore e historike, edhe në kohë të tashme, kohë të trazuara, ku autorë të pa formuar mirë, orvaten të thonë diçka në një nga fushat e jetës, ose do të kopjojnë pararendsit (gjallë apo vdekur) pa iu dredhur qerpiku .

Ndryshe nga këta, Enver Memishaj ka studjuar dhe shfrytëzuar, dokumentet arkivore, dokumenta historike, literaturë të gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklorin, gazetat dhe revistat, të harmonizuara  dhe duke iu nënshtruar analizës dhe gjykimit të tij  të ftohtë. Ai ka ditur të ballafaqojë veprat dhe mendimet për Luftën e Vlorës, si dhe teori, ide e pikpamje, nëpërmjet një analize logjike e botëkuptimore në përshtatje me kushtet politiko – shoqërore të kohës kur u zhvilluan ngjarjet. Nëpërmjet kësaj analize shkencore ravijëzohen mirë e bukur cilësitë dhe rëndësia  e veprës historike të major Ahmet Lepenica nëpërmjet kapitujve: “Major Ahmet Lepenica bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut, Ismail Qemalit e Isa Boletinit”,  “Mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912 – 1913”, “Çliroi krahinat jugore të Shqipërisë 1914”, “Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, “Komandant i krahut të Vjosës 1921”, “Qarkkomandant i Xhandarmërisë Gjirokastër 1924”, “Në udhëheqje të Revolucionit të Qershorit 1924” …, etj., tregojnë qartazi se historiani Enver Memisha, përmes analizës, ballafaqimit, por edhe të portreteve të gjalla, jo vetëm i ka dhënë lexuesit një vepër e cila lexohet me interesim, porse ka vendosur  edhe një gur, të skalitur mirë, në themel të historisë sonë kombëtare, thënë ndryshe, kuptojmë se rikthimi i autorit te tema e së kaluarës, është thelbi i patriotizmës shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: i Trupave Kombetare, Komandant i pergjithshem, Major Ahmet Lepenica, ne Luften e Vlores

NJË LIBËR HISTORIK PËR NJË PATRIOT TË MADH E NJË EPOPE TË MADHE

January 16, 2013 by dgreca

Rreth veprës së Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920”, vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”/

Nga Shpresim Kasaj/

Kryetar i Shoqatër Atdhetare e Kulturore Armeni/

 Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Atdheut, studiuesi i njohur Enver Memisha –Lepenica nxori nga shtypi dhe i dhuroi publikut të gjerë librin e tij njëmbëdhjetë: “Major Ahmet Lepenica – Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”.

Ky libër vjen në kohën dhe në momentin e duhur dhe është një libër më vlera të mëdha historike dhe atdhetare, se flet për një patriot të madh, me një veprimtari njëzetvjeçare në shërbim të Atdheut, që nga viti 1904 kur u angazhua në lëvizjen patriotike jashtë atdheut e deri më 1924, kur e mbylli veprimtarinë e tij, në shkallën e Tujanit, duke mbrojtur Qeverinë Demokratike të Fan Nolit.

Ahmet Lepenica e filloi luftën kundër turqve dhe e vazhdoi atë kundër grekëve, më 1914 për të çliruar Kolonjën, Leskovikun, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën dhe Delvinën. Atë e gjejmë në krye të luftës kundër forcave antikombëtare  esadiste në brigjet e Vjosës më 1914, kundër pushtuesve serbë në shtator- dhjetor 1921; në Komisionin Ndërkombëtar të Kufirit më Greqinë më 1923, në drejtim të forcave revolucionare- demokratike të 1924.

Por, ajo që i dha lavdi Major Ahmet Lepenicës dhe që e vendosi në faqet e historisë sonë kombëtare është “Epopeja e Luftës së Vlorës e vitit 1920”, ku ai qe Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare që bënë atë luftë dhe atë epope madhështore, më e madhja në historinë e popullit tonë, pas asaj Skënderbejane. Autori, duke pasqyruar veprimtarinë e komandantit të kësaj lufte, ka pasqyruar hollësisht e me vërtetësi dokumentare organizimin dhe zhvillimin e kësaj lufte vigane që bënë shqiptarët kundër Italisë, një mbretërie dyzet milionëshe.

Në këtë mënyrë, ky libër nuk është një libër për Ahmet Lepenicën, por edhe një libër i mirëfilltë për Luftën e Vlorës, duke plotësuar kështu librin e mëparshëm të këtij autori për udhëheqësit e Luftës së Vlorës me titull: “Emblema e një Epopeje”. Në këtë libër të dytë, autori e ka dhënë më të plotë e më të dokumentuar Luftën e Vlorës, krahas asaj të komandantit të saj.

Në këtë libër gjen të plotë aktorët që e ideuan, organizuan dhe udhëhoqën këtë epope si dhe ata që luftuan  drejtpërdrejtë në atë përleshje titanike.

Autori librit Enver Memishaj, flet edhe për ngjarje të tjera të historisë së popullit tonë si për Qeverinë e Ismail Qemalit, për esadistët, për rebelët e Haxhi Qamilit, për Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe Vendimin e saj famëkeq për Shqipërinë, për Kongresin e Lushnjës, Qeverinë e dalë prej saj, për Revolucionin e Qershorit e për plot ngjarje të tjera, si edhe për personalitete historikë në mardhënie me major Ahmet Lepenicën, çka e kthen librin në një enciklopedi të vogël por mjaft të vlefshme për historinë e vendit tonë.

Nga të gjitha këto, është e natyrshme, që autori do të fliste më hollësishëm dhe më gjatë për Luftën e Vlorës 1920. Siç e thamë më lart, aty flitet me hollësi për Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që organizoi e drejtoi këtë luftë, për Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte dhe shtabin e tij, për organizimin e luftën e çetave të mëdha e të çetave të fshatrave të veçantë, për ndihmat me trupa dhe ushqime të krahinave të tjera si nga Tepelena, Gjirokastra, Berati, Elbasani, Skrapari, Mallakastra e Tirana. Aty flitet hollësisht për operacionet luftarake dhe goditjet që iu dhanë pushtuesve italianë në Kotë, Gjorm, Llogora, Drashovicë, Matohasanaj, Tepelenë si dhe për luftën frontale mbi Vlorën e rrethuar në darën e hekurt, në fazën e dytë të luftimeve, më 11 qershor deri më  22 korrik 1920.

Pra, librin për Ahmet Lepenicën, autori e ka kthyer njëkohësisht edhe në historinë e plotë të  Luftës së Vlorës, nga e cila nuk mund të ndahej komandanti i saj, sepse ishte kjo luftë kulmi i lavdisë së tij, që e bëri atë të pavdekshëm dhe e vendosi në faqet e historisë sonë.

Duke bashkuar emrin dhe historinë e Ahmet Lepenicës me atë të Luftës së Vlorës, autori ka vepruar me mjeshtëri duke na dhënë një simbiozë të vërtetë të lavdisë së komandantit me atë të Luftës së Vlorës.

Çështja e dytë që dua të shtroj në këtë shkrim është mbështetja e autorit në dokumente arkivore e burime të shumta, si shtypi, kujtimet e bashkëkohësve, folklori që autori i analizon me paanësi, e  që i japin librit vërtetësi të padiskutueshme e të pakontestueshëm, duke bërë një libër të mirëfilltë historik dhe autorin një historian shumë të mirë. Kjo duket po t’i hedhësh një sy burimeve dokumentare dhe bibliografisë që ka përdorur autori. Habitesh se ku e ka gjetur ai kohën e vullnetin për të shfletuar e lexuar mijëra e mijëra faqe literaturë dhe dokumente.

Le të flasim konkretisht:

Nga arkivi qendror i shtetit autori ka gërmuar në 62 dokumente, nga biblioteka e Tiranës 26 dokumente, nga instituti i historisë 20 libra historikë, nga instituti i shkencave dhe folklorit pesë libra. Vec këtyre vetëm literatura historike që ka shfrytëzuar autori përbën 105 libra të autorëve të ndryshëm. Një punë të madhe të autorit e zënë gërmimet dhe hulumtimet në gazetat dhe revistat e botuara në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, si: “Përlindja e Shqipërisë”, që dilte në Vlorë më 1913 -1914, “Populli” e vitit 1914, “Dielli” që dilte dhe del në Sh.B.A “Politika” e Vlorës e vitit 1923, “Drita” e Gjirokastrës e viteve 1920 -1924, “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës e vitit 1920-1922, “Liria” e Tiranës, “Albania” dhe “Liria Kombëtare” e Gjenevës 1924-1925, “Shqipëria e Re” e Konstancës dhe duke vazhduar me 51 gazeta të tjera dhe 15 revista.

Të gjitha këto burime të shumta arkivore e dokumentare të shfrytëzuara me zotësi nga autori, e bëjnë librin, për të cilin po flasim siç e thamë më lart, një libër historik shkencor, kurse autorin e shndërron nga një studiues në historian të zotë e kompetent.

Por, duhet thënë se autori, duke pasur si objekt Ahmet Lepenicën ka lënë paksa në hije një komandant tjetër të lavdishëm të Luftës së Vlorës, Qazim Koculin, që e udhëhoqi atë luftë në fazën e dytë të luftimeve që ishte edhe më e vështirë, atë për marrjen e qytetit të Vlorës. Megjithatë, mund të themi se, duke shkruar këtë libër për Ahmet Lepenicën, autori kreu një detyrim ndaj njeriut të madh të fisit të tij, por edhe një detyrim ndaj Vlorës dhe historisë së lavdishme të saj.

Të lumtë zoti Enver Lepenica që na dhurove një libër kaq të mirë në këtë 100 vjetor! Të lumtë dora e të buroftë mendja dhe pena për të na dhuruar libra të tjerë si ky edhe për patriotë të tjerë të mëdhenj!

 

Shënim: Kumtesa e mbajtur më 3 nëntor 2012, në Universitetin “Pavarësia”, në Vlorë që bërë diskutimin e librit. Derguar nga Vlora per gazeten “Dielli”.

Ne Foto: Shpresim Kasaj, autor i kumteses

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memisha, Major Ahmet Lepenica

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT