Nëpërmjet krijimtarisë së Astrit Xhaferit/
Shkruan Reshat KRIPA/
Duke lexuar librin me tregime “Rrëfime për njerëzit dhe lulet” të Astrit Xhaferit, me duket sikur ndodhem në një lulishte të mrekullueshme dhe ndiej aromën e dhjetra luleve që, në të vërtetë, janë personazhet kryesorë të këtyre tregimeve. Më duket sikur ndiej aromën e “Kalikantosit” që lulëzon në mesin e dimrit, pikërisht kur bryma dhe akulli kanë mbuluar gjithshka. Ndiej aromën e “Cidonias” që sapo çel lulen dhe lidh farën ndahet nga kjo botë. Ndiej aromën e lules “Lotët e vajzave”, që në antikitet shoqëronte nuset që derdhnin lot para ndarjes me familjen. Ndiej aromën e “Gipsofillës”, lules së Shën Valentinit që më vonë do të merrte emrin “Velloja e nuses”. Ndiej aromën e karafilit “Filodendron” ose “Lules që qan” që, siç shkruan autori, e ka origjinën nga pasioni i dashurisë së perëndeshës Diana, ndaj një bariu që s’iu përgjigj kësaj dashurie dhe ajo e zemëruar nga refuzimi, ia nxorri sytë e ia hodhi larg, e nga këta sy të rënë në tokë, mbin lulet e bukura të filodendronit.
Autori i librit nuk është florikulturist. Ai ka mbaruar Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në degën bio-kimi dhe ka punuar për një farë periudhe si mësues biologjie, por hija e zezë e biografisë së tij, që e ndjek në çdo hap të jetës, e largon nga kjo detyrë. Detyrohet të punojë si punëtor i thjeshtë. Së fundi mundi të sistemohet në lulishten e qytetit ku realizoi një ëndërr të vjetër të rinisë së tij. Kryente shërbimin ushtarak në një repart të kryeqytetit. Një mbrëmje shkoi në kinema. Para fillimit të filmit u shfaq një dokumentar mbi punën e një agronomi të qytetit të tij, që kishte ngritur , diku në periferi, një fidanishte lulesh. Që nga ai çast i lindi pasioni për to. Ja si shkruan ai:
“Tani, mbas tridhjetë vjetësh, ndihem shumë mirë në botën e luleve, në botën e krijesave të gjalla më “naive” të kësaj toke. Duke mbjellë e prurë në jetë miljona e miljona prej tyre, kam dashur e kam menduar se kam sjellë po kaq bukuri, gëzime e dashuri, për vete e për të tjerët”.
Në lulishten e qytetit punoi me nje përkushtim të paparë, por edhe këtu nuk e lanë. Në vitin 1977 arrestohet dhe dënohet. Dënohet pse gjoja paska thënë se trëndafilat hollandezë qenkan më të bukur se ata shqiptarë. Kjo ju quajt agjitacion e propagandë. Në vendimin e gjykatës thuhet:
“Agjitacionin e propagandën, i pandehuri Astrit Xhaferi, e ka zhvilluar në këto drejtime: Ka ngritur lart filmat e vendeve perëndimore dhe modën e huaj, mbajtjen e leshrave të gjata, veshjen e minifundeve, ka mburrur dramat “Shtëpia në Bulevard” dhe “Doktor Aleksi” të armikut Fadil Paçrami, ka interpretuar shtrembër përmbajtjen e gazetës “Zëri i Popullit” se gjoja në vendet kapitaliste nuk ka greva e demostrata dhe papunësi, dëshiron likujdimin e udhëheqjes së Partisë”.
E pra, Astriti, një tip i qetë dhe mjaft i matur që kurrë nuk mund të shkiste në këto gafa. Megjithatë ajo akuzë atij i kushtoi nëntë vjet burg në kampin famëkeq të Spaçit.
Por le të kthehemi përsëri në librin e tij. Ai është shkruar me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Pasioni i tij për letërsi është i hershëm, Qysh në rininë e tij kishte krijuar disa skica e tregime. Një pjesë prej tyre kishte arritur t’i botonte, por hija e “luftës së klasave”, ia kishte mbyllur përgjithmonë rrugën e botimit. Pas ndryshimeve demokratike filloi përsëri të shkruajë. Deri tani ka botuar pesë libra me tregime. Karakteristikë e këtyre është se në to ndihet gjithmonë aroma e ëmbël e luleve, pasionit të tij.
Ai shkruan me një pasion të veçantë për dy simbole të vendlindjes së tij, Llogaranë e
mrekullueshme që, në të vërtetë, është një kopësht botanik më vete, dhe kryeveprën e saj, pishën
flamur, simbolin e pavarësisë së vendit.
Me një dhimbje të thellë përshkruan historinë e “Cedrit” që, gabimisht, e mbolli në oborrin e shtëpisë së tij, megjithë këshillën e Ilia Mitrushit për të mos e mbjellë aty, pasi nuk këshillohej, por që më vonë, kur ajo u rrit aq shumë sa u bë pengesë për bimët dhe lulet e tjera, u detyrua ta presë. Kjo ishte brenga e tij më e madhe.
Një tregim mjaft i goditur është edhe ai i titulluar ”Çifti i moshuar”. Një çft të moshuarish që me pasion e kishin kthyer kopshtin e tyre në një bahçe të lulëzuar. Plaka i prashiste, i tëharrte, i vadiste, ndërsa plaku, me gërshërë e biçak në dorë, i krasiste, i shtonte, i shartonte. Një mbrëmje autori i gjen të trishtuar tej mase. I pyet se përse kjo gjendje. Ata i përgjigjen: “Na vdiq Araukaria”, njësoj sikur do të jepnin lajmin e kobshëm të vdekjes së ndonjë fëmije. Araukaria ishte një lule që e mbanin në vazo në sallon, të cilën ata e kishin të veçantë.
Mjaft të goditura janë edhe tregimet “Akacia” dhe “Nuk e harroj”, me subjekt nga periudha e burgut. Në të parin autori përshkruan dhimbjen që ndjeu kur komandanti i kampit urdhëroi prerjen e akacies që lulëzonte në mes të kampit, vetëm e vetëm sepse ajo kishte penguar rojet të vrisnin të burgosurin Alem që ishte drejtuar drejt telave me gjëmba për t’u vetëvratë, ndërsa në të dytin historia e të gjithë të burgosurve politikë që kur po shkonin për në minierë dhe panë në rrugë të lulëzonte lulen “Tussilago farfara” ose “Thundër mushke” i thoshin njeri-tjetrit: “Kujdes, mos e shkel!” dhe lulja nuk u shkel. Një detaj mjaft i goditur që tregon botën e madhe shpirterore të atyre që regjimi i kishte mbyllur brenda.
Galerinë e tregimeve të goditura e plotëson më së miri ai i titulluar ”Zonja e heshtur”. Një artiste e dëgjuar, mjaft e bukur, një e apasionuar pas luleve që, kur ishte kthyer nga jashtë shtetit për një turne, kishte sjellë një lule që mahniti bashkëqytetarët e saj. Ajo lule hante insektet dhe quhej “Dionea Muscipula”. Por qetësinë e kësaj zonje ia prishi Sigurimi i Shtetit që, më së fundi e theu. Ajo nënshkroi deklaratën e turpshme të bashkëpunimit dhe deponoi një djalë të ri që përfundoi në burg, prej nga nuk mundi të dalë më. Me ngjyra të gjalla autori përshkruan luftën e brendëshme shpirtërore që zhvillohet në zemrën e saj, brerjen e thellë të ndërgjegjes, gjë që e bënë, sidomos pas përmbysjes së madhe, të ndahet nga njerëzit, të mbetet e vetmuar në depresion, madje të ndahet edhe nga lulet e saj.
Tregimet ndjekin njeri-tjetrin. Në të parakalojnë lloje të shumta lulesh që nga panjat, kaktuset, eukaliptet deri te jargavanët, trëndalilat, tulipanët, mimozat, narçiset dhe manjolat. Të gjitha këto i japin një kolorit të veçantë tregimeve të librit, duke e bërë atë të pa arritshëm në llojin e vetë.
Një karakteristikë tjetër e këtij libri është se në të autori përshkruan me një admirim të madh, madje edhe me një dhimbje të thellë për ata që nuk jetojnë më, florikulturistët më të shquar të vendit tonë, me të cilët ai ka bashkëpunuar. Përmendim këtu, Liri Dingun, drejtoreshën e kopshtit botanik, Mustafa Demirin, drejtuesin e punimeve për ngritjen e këtij kopshti, Zonjën Mari, hungarezen e bukur, bashkëshorten e profesor Ilia Mitrushit, florikulturistit të shquar, Edit Çelikun, hungarezen tjetër të apasionuar pas luleve që u detyrua të ndahej nga i shoqi shqiptar dhe të kthehej me lot në sy në atdheun e saj, Skënder Rusin, majën e florikulturës shqiptare, Zako Mustafarajn, agronomin e shquar nga Vlora që i ishte përkushtuar luleve, por edhe Hamit Qytezën, Karafil Starovën, Ligor Sqapin, Bardhyl Burimin, Edmond Numanin, Vasil Shqaun, Vasil Janin dhe Raimonda Hadon. Nuk mund të le këtu pa përmendur bahçevan Ferrikun, kopshtarin e apasionuar, që ngriti “milet baçenë” e Vlorës në një copë truall që Nuredin Bej Vlora ia kishte falur bashkisë së qytetit.
Natyrisht, për ata që e njohin autorin dhe që lexojnë librin e tij çdo gjë është e qartë, se
kanë të bëjnë me një autor të formuar plotësisht por që dhuna totalitare e la në hije. Të tjerë që
nuk e njohin por lexojnë veprën e tij do të pyesin të habitur:
– Si ka mundësi që nuk e kemi njohur më parë një autor të tillë?
Unë do t’iua ktheja atyre me këtë kundërpërgjigje:
– Çfarë shkrimtari do të ishte bërë ky njeri po të mos i kishte rënë mbi krye “Shpata e Damokleut”?
Këtë përfytyrojeni vetë. Unë do t’iu thosha se sot në Shqipëri ka plot talente të tilla që hierarkia e djeshme i la dhe, ndoshta, edhe ajo e sotmja vazhdon t’i lerë në heshtje. Megjithatë ata vazhdojnë të shkruajnë megjithse, ndoshta edhe sot, veprat e tyre mbeten ende “Kangë të pakëndueme” Sidoqoftë do të vijë një ditë që ato do të hyjnë në rradhën e veprave më të njohura të letërsisë shqipe.
Kjo do të jetë e ardhmja e kësaj letërsie dhe një nga këta përfaqësues është, padyshim, edhe Astrit Xhaferi.
Harallamb Fandi says
Z.Reshat,
me kete shkrim per Astrit Xhaferin,keni bere nje vleresim te bukur dhe te merituar.
Me perjashtim te kohes qe e mbyllen me force ne terr ai, si nje panel diellor, pa zhurme e pa buje, mblodhi dhe mbledh energji te paster, per ta shperndare te njerezit dhe lulet, me dashurine dhe talentin qe e lartesojne si artist.