KOSTA NAKE/
(Romani “Stinë epindemie” i Fatos Kongoli, Toena, 2020)
Një roman që fillon dhe mbaron si një histori familjare, një format i kursyer në përmasa dhe numër faqesh, që e bën joshës dhe lehtësisht të asimilueshëm në faqet e para. Por mjaftojnë vetëm dhjetë faqe, derisa shfaqet Xhoda i Marrë, që të formësohet përshtypja e parë: Prof. Dr. Shaban Demiraj në leksionet e veta për kursin pasuniversitar të gjuhës shqipe hapte shumë paranteza, madje edhe paranteza brenda parantezave. Këtë gjë bën pak a shumë edhe Kongoli me shprehje të tipit “afro tridhjetë vjet më parë”, “këto shënime, që po nis të hedh sot…”, “ndërlikimet e mia lidhen me atë që në qytezë u quajt lagjja e Ardhacakëve… Por më parë, diçka për marrëdhëniet e mia për këtë të fundit”, “me që ra fjala”, “me këtë rast” dhe kulmon me “dëshiroj të bëj një sqarim, në formë paranteze…” Për rrjedhojë, autori i fillon gjashtë herë kapitujt me inkuadrimin kohor: Mars 2020 për t’u rikthyer në bashkëkohësi.
Romani ka një kornizë kohore të saktë dhe të vërtetë, fillon më 8 mars 2020 me një telefonatë që shtyn festën e ditëlindjes së 70-vjeçarit, së bashku me surprizën që premtohet vazhdimisht, por që nuk përmbushet asnjëherë brenda kohës romanore, – është shpallur kufizimi dhe ndalimi i lëvizjeve, rrjedhojë e shpërthimit të pandemisë. Te ai kufizim, sa i kushtëzuar nga paniku, aq edhe absurd, kanë ndodhur gjëra të çuditshme, njëra prej të cilave vjen te thyerja e rregullave dhe shpërthimi i Thesar Lumit: “Po mua që jetoj i vetëm, që s’ka kush më gjendet, mos do të vijë ndonjë ministër, apo ndonjë zonjë ministreshë, të m’i bëjë pazaret?”
Katër kapituj janë përkohësisht të mjaftueshëm për të prezantuar personazhet e veprës, pastaj ka një kthim pas në kohë, saktësisht më 7 dhjetor të vitit që kishte një njësh dhe tri nënta i cili do t’ia linte vendin vitit me një dysh dhe tri zero, ndryshim që pritej të sillte ngjarje të jashtëzakonshme, përfshi edhe përmbysjen e botës, kohë kur fillon njohja e Thesar Lumit me pianisten Nertila.
Fillimi i shkrimit të kujtimeve, të cilat Thesari i quan testament, krijon një paralele që e përshkon veprën deri në fund me një alternim të rrëfimit në vetën e parë dhe të tretë, kurse dëgjimi i “Sonatës së hënës” kthehet në një refren pritjeje për të ringjitur kulaçin e thyer familjar. Atëherë kur duket sikur jemi futur në mjedisin e një drame familjare, mbyllja e detyruar brenda mureve të banesës i jep një rol të ri dritares nga ku duket lagjja e Ardhacakëve, atje ku ndodhet kafe-bilardo “Tymi”, pronari i së cilës është Dhurimi. Fillon e zbehet linja e parë e subjektit për të ndriçuar një linjë të dytë, e cila, edhe pse autori që në fillim deklaron se çdo gjashmëri me persona, mjedise dhe ngjarje është e rastit, mua më kujton Astirin e kryeqytetit. Një thashethemnajë për prishjen e banesave për t’i hapur udhë superstradës, është indicja e një drame për shumë familjarë që kanë bërë investimin madhor të jetës së tyre, por protesta e tyre thyhet për shkak të indiferencës së shoqërisë. Autori bëhet ironik kur tregon se në ngjarjet e lagjes së Ardhacakëve për shumë muaj u përfshinë politika, zyrtarë të lartë, partiakë e shtetërorë, mediet e shkruara, mediet televizive, gazetarë, juristë, studiues e analistë. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare aty ishte shfaqur edhe Mister Timoni, që më kujton Kryeministrin me thirrjet e përsëritura “na jepni mundësi që ta kemi vetë timonin.” Pas zgjedhjeve del afera e autostradës, 2 km të së cilës do të ndërtoheshin për 40 milionë euro. Thesari konstaton se “askujt nuk i bëhej vonë për hallin e protestuesve” dhe pasohet nga sarkazma “banorët le të protestonin sa të kishin qejf, ama duke qëndruar në trotuar, jo në rrugë.” Megjithkëtë, pasqyrimi i ngjarjeve, duke mos patur asnjë lidhje me familjen e Thesar Lumit, duket më shumë si një saldim që nuk ta kënaq vështrimin.
Një linjë e re subjekti hapet me ardhjen e Sonjës nga emigracioni për të takuar shkrimtarin Katos Fongoli, (që unë s’di pse e lexoj Fatos Kongoli), dhe për të shkuar në S. ku janë varret e prindërve të saj. Kanë kaluar dyzet vjet nga vdekja e tyre dhe ajo gjendet përpara një kontrasti të fortë: rruga ka mbetur siç ka qenë, por varreza është zhvendosur dhe varret e prindërve të saj kanë humbur nën themelet e fabrikës së qumështit ngritur mbi ta. Kjo ndërhyrje e dhunshme në atë që përbën traditë, do të marrë përmasa edhe më të mëdha duke sjellë brutalisht atë që quhet masakër urbane dhe që personazhet e shohin te rrafshimi i kafe “Kursal” dhe i bashkisë së dikurshme të kryeqytetit.
Sonja mbart me vete edhe dramën e vet të kaluar që ka lidhje me jetën në Bllok, me internimin dhe vdekjen aksidentale të burrit. Në vend të shkrimtarit ajo takon njeriun real që pati shërbyer si model për heroin e veprës së vet dhe që në rininë e hershme kanë patur një raport intim. Këtu fillon intriga që është e domosdoshme për një vepër letrare, e cila zbulon njëkohësisht aftësinë e shkrimtarit për të gërshetuar jetën familjare me problemet e shoqërisë. Pas një qëndrimi dy-tre ditor, Sonja largohet sërish në Hollandë me deklarimin e hidhur: “Erdha këtu me iluzionin se do të gjeja ndonjë gjurmë fëmijërie… Mirëpo këtu nuk ka mbetur asgjë, gjithçka është prishur. Këto dy ditë jam ndier e huaj në vendin tim.”
Ndoshta autori do ketë ndonjë përvojë jo të këndshme me policinë sepse aksioni i saj për të nxjerrë banorët ardhacakë nga shtëpitë e tyre, fillimi i tij në orët e hershme të mëngjesit, konceptimi luftarak, dhuna, përçarja e demonstruesve kalojnë përmes një filtri sarkastik, e ironizon policinë si krah i armatosur i shtetit me ca ndërkallje të përsëritura në kllapa: (Vallë, ta dinte policia këtë fakt?), (Këtë fakt, policia, me siguri duhej ta dinte, përderisa…) duke u lartuar deri në grotesk: “mendoja se ai dreq Gazi…ishte një terrorist i rrezikshëm”, do plotësohet më vonë “i shquar për oratorinë e tij lënduese ndaj autoriteteve” dhe Thesari që shikon policët nga dritarja dhe mërmërit: “Bravo, djema, bravo!” Përplasjet e dhunshme të policisë me banorët shkaktojnë trandje shpirtërore edhe te punonjësit e rendit, prandaj do të doja të gjeja edhe këtu një polic si Arben Guja i tregimit surealist “Kapelja” të Mehmet Elezit, botuar te gazeta “ExLibris” e datës 17 qershor 2023. Për ta zbutur këtë qasje të pakëndshme, bitter, Kongoli sjell policin Ylli që logjika e çon drejt kompromisit dhe e kalon me shprehjen ngushëlluese “nuk ka pyll pa derra.”
Linja e katërt është ajo e oligarkisë së përfolur që vjen nëpërmjet figurës së Arsen Mjaltit, atij djalit që kishte qenë “ndër nxënësit më të prapë të qytezës”, që u rrit si pronar i hotelit “Kondor” dhe përfundoi si deputet, pasi e kërkojnë “të përfshihet në politikë sepse janë pjekur kushtet… Ç’më ka hipur të futem në politikë? E thjeshtë, miku im, politika është biznesi më fitimprurës.” Mirënjohja që ruan Thesar Lumi ndaj tij është një pelerinë mbrojtëse për të mos i parë oligarkët si armiq, por si pjesë e këtij realiteti problematik.
Mesazhi më i rëndësishëm që përcjell autori është ftesa e opinionit publik për t’u shkundur nga indiferenca dhe për t’u ngritur kundër autoritarizmit të identifikuar me dhunën policore, kundër padrejtësive dhe korrupsionit shtetëror. Artistikisht kjo është realizuar me figurën e Thesar Lumit që fillon si spektator i ngjarjeve te lagjja e Ardhacakëve, vazhdon me pjesëmarrjen aktive në protestë për shkak “të heshtjes bërtitëse të Prokurorisë, indiferencës së publikut të gjerë” dhe, duke thirrur “Lironi djemtë tanë!” kulmon me arrestimin dhe futjen në birucë duke i thënë vetes: “Derdimen, je person me rrezikshmëri të lartë.” Ai kthehet në burizan të opinionit të shëndoshë publik kur shpërthen: “Lapangjozë! Keni 30 vjet që vini dhe ikni nga pushteti, e njerëzit po kështu, herë me ujë, herë pa ujë, herë me drita, herë pa drita… Mirë na e bëni, qindin të na punoni, përderisa ky milet di të lehë vetëm si puna ime… mjafton të recitoni me raste fushatash, dhe jo vetëm, të njëjtat premtime mashtruese, që nuk i mbajtët kurrë!” Në paraburgim ndodh më e pabesueshmja: hetues është i biri ish-hetuesit pervers sybardhë A.P. që deklaron “Jemi dhe do të jemi gjallë, kurdoherë!” Pra, vazhdojnë të drejtojnë pasardhësit e Bllokut.