
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI)/
Më 1 prill, Komuniteti Shqiptar në Chicago shënoi një moment të rëndësishëm me paraqitjen në United Center, para ndeshjes Chicago Bulls vs Indiana Parcers, duke sjellë për herë të parë një performancë të organizuar të kulturës Shqiptare në një nga arenat më të mëdha të qytetit.
Ky aktivitet u realizua nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI), në bashkëpunim me disa nga grupet më aktive kulturore dhe arsimore në zonë, me qëllim përfaqësimin dinjitoz të kulturës sonë përpara një audience të gjerë dhe ndërtimin e një modeli bashkëpunimi për iniciativa të ardhshme.
Realizimi i performancës kërkoi koordinim të konsiderueshëm ndërmjet grupeve dhe pjesëmarrësve. Drejtimi kreativ dhe koreografia nga Altin Naska – koreograf me përvojë ndërkombëtare dhe aktualisht pronar dhe drejtor i Plainfield Dance Academy – luajti një rol kyç në unifikimin e programit në një paraqitje të strukturuar dhe profesionale.
Në këtë paraqitje morën pjesë:
Shqiponjat e Çikagos
Grupi Arbëria Chicago
Shkolla Shqipe “Kongresi i Manastirit”
Gurra Foundation
Përveç këtyre grupeve, një numër i madh individësh nga komuniteti kontribuan në mënyrë vullnetare në procesin e përgatitjes dhe realizimit të performancës.
Një aspekt i veçantë ishte pjesëmarrja e Gurra Foundation, e bazuar në Milwaukee, e cila udhëtoi për të mbështetur këtë iniciativë – një shembull i bashkëpunimit ndërkomunitar Shqiptar në rajon.
Programi artistik përfshiu valle dhe elemente nga disa treva shqiptare, duke reflektuar pasurinë e traditës sonë përmes kostumeve, koreografisë dhe muzikës.
Një element vizual i veçantë ishte edhe dizajni i logos së “Benny the Bull” me plis shqiptar, realizuar nga Chicago Print Studio – kompani e drejtuar nga Jona Siko, e cila vazhdimisht mbështet iniciativat e komunitetit.
Kontributi muzikor live ishte një komponent i rëndësishëm i programit:
Camilla Nameti në vokal
Olti Vata në çifteli
Ilir dhe Adem Hasani në tupan
Ndërkohë, përpunimi dhe miksimi i audios nga Gjaneto Harusha siguroi cilësi teknike të përshtatshme për një ambient si United Center. Ai është ish-President i Bordit të AACI dhe një nga donatorët kryesorë të komunitetit, duke mbështetur vazhdimisht iniciativat si në angazhim, ashtu edhe financiarisht.
Një falënderim i veçantë shkon për Konsullatën e Republikës së Kosovës në Iowa dhe Shefin e Misionit, Drilon Zogaj, për praninë dhe mbështetjen e tyre në këtë event. Pjesëmarrja e tij ishte një vlerësim i rëndësishëm për komunitetin tonë dhe një dëshmi e lidhjes së fortë ndërmjet institucioneve dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Ky aktivitet demonstron kapacitetin e komunitetit Shqiptar në Illinois për të organizuar dhe realizuar iniciativa të përbashkëta në një nivel të lartë, duke krijuar një bazë të fortë për projekte të ardhshme dhe rritjen e prezencës sonë në skena të rëndësishme.
AACI shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që kontribuan në realizimin e këtij momenti.
Në veçanti, falënderojmë anëtarët aktualë të Bordit të AACI dhe vullnetarët tanë për punën, përkushtimin dhe kohën e tyre në organizimin dhe realizimin e këtij eventi. Ky rezultat është drejtpërdrejt fryt i angazhimit të tyre.
Bordi i Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois:
Edon Shaqiri, Kryetar i Bordit – Lugina e Preshevës
Klemens Kuqi, Nënkryetar – Shqipëria
Saranda Asanoski, Sekretare – Maqedonia e Veriut
Liridona Hoti, Arkatare – Kosova
Adelsa Hoti – Çamëria
Samir Xhurreta – Mali i Zi
Muharrem Abazi – Lugina e Preshevës
Fatos Brahimi – Kosova
Fiorela Pazolli – Shqipëria
Arman Zumberi – Maqedonia e Veriut
Ardian Bardhi – Mali i Zi
Vullnetarë dhe kontribues kryesorë:
Ani Murati
Elton Ademi
Emiliano Abedini, Drejtor i Medias
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI) është një organizatë jofitimprurëse dhe e drejtuar nga vullnetarë, që synon të bashkojë dhe përfaqësojë Shqiptarët nga të gjitha trevat -Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe Çamëria – duke ndërtuar një platformë të përbashkët për zhvillim kulturor, profesional dhe komunitar. Bordi ynë drejtues është i veçantë, pasi përfshin përfaqësim nga të gjitha këto rajone dhe është ndërbrezor, duke sjellë së bashku përvoja, perspektiva dhe energji të ndryshme në shërbim të komunitetit.