nga Albert HABAZAJ*/ studiues/
Ne Foto:Pamje nga qyteti i Vlores/
-Babai asnjë ditë s’rrojti për vete, – më tregonte miku im i mirë, Çela, para nja gjashtë muajsh, kur Xhelal Avdulla Veizi, 86 vjeçar, qëndronte akoma si një bredh i plotë, i drejtë e i pathyer nga erërat dhe borërat e gati një shekulli të tërë. – Edhe tani që ka këtë moshë rron e flet për të tjerët, për Vlorën, me merak, me besim…
Ai, bredhi i rëndë me kurorë i lartësive të Barçallait, në shpatull të malit të Lungarës, mbi Dukat, i ka rrënjët të thella e të përhapura deri në Vlorë, nga ku ushqehen filizat e gjelbër të tij për jetën. Emri i tij mbahet mend në Vlorë e nderohet sikurse edhe emri i Kristo Papajanit, Misto Meles, Petro Dodes, Vasillaq Ndinit, Sihat Tozajt, Baki Balilit, dr. Llukë Gjidedes, Teki Mukës, Hysen Gjondedës…Vlera e tyre qëndron se urbanizuan Vlorën, i dhanë një fytyrë të re qytetit, sikurse Petro Marko, Fatos Arapi e Kudret Velça që e futën frymën dhe kulturën qytetare në Vlorën e tyre, duke u bërë pjesë e elitës së re të botës letrare shqiptare.
Ndërsa shkruaj këto radhë për një nga ata burra që dhanë nga vetja e tyre, nga shpirti, nga mendja dhe nga trupi i tyre, për të ndërtuar Vlorën e Re të Pasluftës, më kujtohet një fjalë e urtë popullore, që në Labërinë e Vlorës transmentohet si këshillë e mençur brezave:
“Respektoni të vjetrit, se ata janë përmendore të gjalla në tokë”.
Dhe shembulli më kuptimplotë i mishërimit të urtësisë zakonore vërehet edhe në familjen Veizi, me vëllezër, motra, vajza, djem, nipër, mbesa e deri te Drini Veizi i vogël, djali i djalit të vogël, Asqeriut apo Çelos, si i flasin në shtëpi e shoqëri atij djali të zot e vijimi fisnik të Xhelalit, të atij Xhelali që sot qetësohet në paharrim, përjetësisht…
Pak historik.
Fisi Veizaj është ndër më të vjetrit në Dukat. Dega në Dukat quhet Çeloaliaj, në Himarë Veizaj, në Vlorë njihen si vlonjatë të hershëm.
Xhelal Avdulla Veizi është lindur më 23 mars 1920 (1922). Avdulla Veizi është ndër flamurtarët e Plakut të Bardhë, Shenjtit të Flamurit, ndodhet i fiksuar dhe në fotografi me Ismail Qemalin e gjithë ata trima të tjerë. E ëma quhej Shero, ishte vlonjate dhe rridhte nga një familje tregtare. I ati, qysh i ri, ka punuar sipas motos: “Adoleshentit – sa më pak kohë të lirë”. Kur punonte te “Monai”, u njoh me Hysni Kapon e Rrapo Dervishin. Njihet si komunist i ’42 – shit, nga ata idealistët e lirisë; ishte me gjimnaz të përfunduar dhe pjesëmarrës i njësitit guerril të qytetit deri në Çlirim, mik i Arif Haskos, Rrahman Perllakut, Mico Eminit… Pas Çlirimit ka qenë deri në Shkodër, tok me gjeneral Vehbi Hoxhën. Kërkoi lirimin nga ushtria, se i vdiq dhe nëna, pasi babai kishte kohë që i kishte vdekur dhe Xhelali kishte tashmë në ngarkim dy vëllezër: Ejupin dhe Xhevdetin. Ishte njeri i pastër, nikoqir e u bë parakohe zot i shtëpisë; nuk la njeri në jetimore e u bëri ballë halleve të jetës. Në Vlorë hapi Parkun e Mallrave me të burgosurit (i nxorri nga burgu e bënte punë me ta). Caktohet të ngrerë kooperativat artizanale të Vlorës, si rrobaqepësinë, këpucarinë etj. Pasi u jep fytyrën e duhur për kohën, këtyre sistemeve të organizimit të punës së shoqërizuar, ngre Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi ” e i jep emër. Me përkushtim, përgjegjësi e zotësi, në vijim ngre shkollën e Rezervave të Punës. Një veçori dalluese e tij, gjë që ndikoi tek fitimi i një respekti mbarëqytetar, ishte se Xhelali asnjëherë, me asnjë nuk zhvilloi luftë klasash, por kërkesën e llogarisë e mbante gjithmonë në standartet e domosdoshme për mbarëvajtjen e punëve në çdo sektor që krijonte e drejtonte. Shëtitorja Vlorë – Skelë, Rruga e Re, Galeria e Arteve, Studioja e Piktorëve, Uji i Ftohtë e sa e sa vepra të bukura kanë firmën fantaziste të atyre burrave të vlefshëm, që ndërtuan Vlorën në ato vite të vështira emrat e të cilëve i përmenda në fillim të shkrimit e që qyteti ynë i kujton me adhurim përherë)
Tregon vajza, Shero Fejzullau: “…Njërin nga vëllezërit, Selametin, e nxorri partizan, siç qe dhe vetë. Selameti u vra aksidentalisht në mal, gjatë pastrimit të armëve, jo duke luftuar kundër pushtuesit. Babai nuk kërkoi ta bënte vëllain partizan dëshmor, edhe pse kishte luftuar për liri. Vrasja e tij rastisi e tillë, aksidentale, nuk u vra në luftë kundër armikut, edhe pse qe partizan! – kështu na thoshte babai ne, fëmijve, se ky qe botëkuptimi i tij. Kaq i pastër qe babai, kaq i vërtetë, kaq i virtytshëm. E ne jemi krenarë për një baba të tillë, e mbajmë lart ballin me të.
Ai punoi një jetë të tërë me djersë, me nder, pa kërkuar as më të voglin privilegj. Edhe pse rridhte nga një familje tregtare, asgjë s’mori për vete. Një lagje të tërë ndërtoi. -Të rregullohen të gjithë – thoshte i bardhi.
Shpirti atdhetar e i pastër i tij na bën ne sot të jemi të nderuar me të. Ai ishte ballëlarë e ne na bëri ballëlart me punën e tij, me jetën e tij, me veprën e tij. E ne s’mund të na rritet mendja, se s’duhet ta turpërojmë, veç të ndjekim shembullin e tij, se na hapej dera me nderim kudo ku trokisnim.
Petro Dode na thoshte “Po punove sa gjysma e Çeçoit, me ne je në rregull (Çeço shokët i flisnin Xhelalit, babait tonë të dashur e të paharruar).
“Xhan i babait, po bëri punën tjetri, vlerësoje ! – na porosiste Xhelali ne. – Dy vezë po u përpoqën, xhan i babait, njëra do thyhet. Njerëz jemi. Një grusht njerëz!…Bën punën?! Është në rregull! Ke mundësi t’i bësh tjetrit mirë? Bëji! S’ke mundësi? Mos i bëj keq, lere në punë të tij!” Këto ishin këshillat e vyera të tij për ne, që të bëheshim të mirë e të vlefshëm për vete, për familjen e për shoqërinë…
Xhelali me Feruzen, bijë e Halim Çobos, (tregtar nga Trevllazri, familje e pasur në Topallti e me miqësi me Hajredin Cakranin) bënë nëntë fëmijë: 5 djem e 4 vajza. Për respekt dhe për kujtesë po i përmëndim konkretisht e me radhë: Afërdita e datëlindjes 1949, e martuar me Dilaver Muhon, nga Tepelena, kanë 4 vajza; Nexhmia, e datëlindjes 1951, martuar me Xhevat Fejzullaun nga Mallakastra, me universitet, kanë 2 vajza dhe 1 djalë, (njëra vajzë, Ticiana është piktore e spikatur dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës); Ëngjëlli, i datëlindjes 1953, martuar me Adelinën, vajza e Danish Hoxhës, kanë dy djem, të dy në Itali; Leka, i 1955 – s, martuar me Eleni Sakon nga Vlora, kanë dy djem; Shero, martuar me Ali Fejzullain nga Fieri, banojnë në Tiranë, kanë 4 çupa me universitet; Elisabeta; Iliriani, martuar me Silvanën nga Selenica, me dy djem, njëri nga ata quhet Xhelal (në kujtim të babait); Qemali, martuar me Majlinda Koçin nga Vlora, kanë 1 djalë; Asqeriu (Çela), martuar me Irena Haxhiaj, kanë 1 vajzë dhe Drinin, pinjollin e fisit, me të cilin mburren të gjithë Veizajt e Xhelalit, sikur është një trim – kordhëtar me pallë!…
Ejup Veizi, i datëlindjes 1 shtator 1934, është vëllai i Xhelalit. Shkollën 8 vjeçare e ka bërë në Muradie, te shkolla nr. 2. Jetëshkrimin e tij e ka të pasur, por flet telegrafisht për vete. Ka punuar mekanik dhe elektro – mekanik, më 1978 nga Komiteti Ekzekutiv i Vlorës, seksioni i Industrisë, merr titullin e lartë “Mjeshtër i punës”. Më 1. 06. 1997 del në pension…Gjatë bisedës, pasi dëgjon mbesën, ai sikur kërkon me ngulm ta plotësojë historikun dhe thotë : – Avdullai, para shpalljes së Pavarësisë erdhi nga Janina, me 10,12 patriotë të tjerë, veshur me kostum kombëtar. Di që babai është lindur në Vlorë, nga vitet1874 – 1875, në lagjen e Re (sot “Partizani”); në Janinë merrej me tregëti. Vdiq më 1941. Ka qenë pjesëmarrës i Luftës së 1920 – ës; ishte dhe kundër Zogut, se ai ishte shtypës i popullit. Kështu mendonte ai. Ne rrjedhim nga një familje atdhetare, që përherë ka përkrahur lëvizjet popullore dhe luftërat për liri. Babai ka strehuar, kur u bë kryengritja e Fierit, njerëzit e Riza Cerovës e shprehej: “Nga revolta lindin ideologji të reja”.
Avdullai qe martuar tre herë. Me të parën, Hamiden nga Karbunari s’pati fëmijë, ajo vdiq shpejt. Me të dytën, nga Mallakastra bëri Nezirin, Shabanin dhe Sadikun; ajo vdiq 48 vjeçe. Metë tretën, Sheron, bijë në Trevllazër e mbesë në Rrapaj, bëri pesë fëmijë: Xhelalin, Selametin, Faton, Ejupin dhe Xhevdetin. Babai i Sheros (nënës time) quhej Ejup, ishte nga Veriu dhe merrej me tregëti lëkurësh. Emrin e tij e kam unë… Xhelali, djali i madh i Avdullait e Sheros, u martua me Feruzenë, bijë nga Çobajt e Trevllazrit, vajza e madhe e Halim Çobos, martuar më 1948, me të cilën lindi 9 fëmijë. T’i tha mbesa ime, Sherua ca gjëra, po dua të shtoj akoma të jenë për brezat: Xhelali mbaroi shkollën fillore, pesë klasë te “4 Heronjtë”, afër te godina e Kokajve, te Aneta e Thoma Koleka, te shkolla modelore, shkollë femërore, ku në vitet 1941 – ’42 mësohej dhe italisht. Pas shkollës fillore, që e mbaroi në vitet 1936, në moshën 14 – 15 vjeçare, babai e mbante me vete, bënte tregëti, si kasap etj. Xhelalit ky zanat nuk i pëlqeu dhe filloi punë në ofiçinën italiane “Tenda” të Monait. Pikërisht aty u fut në aktivitetin e P. K. të qytetit dhe u angazhua me njësitet guerrile të Vlorës, ku si detyrë kishte përgatitjen politike të anëtarëve të rinj për t’i bërë kontigjent të rreshtave partizane për lirinë e Atdheut. E di që ka punuar së bashku me ish -kuadro të P. K. të rrethit të asaj kohe, si Nuri Arapi (banor i lagjes), Hetem Gjinushi etj. Me njësitet ka qenë deri më çlirimin e vendit. Më 1945 u emërua kryetar i këshillit të tre lagjeve: të lagjes së Re, (sot “Partizani”), të Topanasë (sot “4 Heronjtë ”) dhe të Karabashit (sot “15 Tetori”) dhe e la këtë detyrë më 1948, kur u thirr për të kryer detyrën ushtarake, dy vjet në veri, në Kukës. Pas lirimit nga ushtria, kontribuoi, me urdhër të Partisë që drejonte vendin, në ngritjen Parkut të Mallrave, në fillim në Skelë, te Plazhi i vjetër, te ofiçina, te kripa, që më vonë erdhi këtu ku është dhe sot. Qe nëndrejtor teknik dhe shef i ofiçinës (në vitet 1950 – 1957). Xhelali njihet si themeltar e krijues i Parkut të Mallrave. Nga vitet 1957 – 1969 kemi këtë ecuri të karrierës së tij: Transferohet për organizimin punës në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi” si kryeteknik; ndërkohë emërohet drejtor i kursit të shoferëve, që ka qenë atje ku sot ndodhet Ndërrmarrja Rruga. Mbas mbylljes së këtij kursi, pas dy vjetësh, (1961 – 1963) u krijua Shkolla Një vjeçare e Rezervave të Ndërtimit dhe Xhelali ka qenë drejtor i kësaj shkolle nga viti 1963 – 1970. Ai qe kuadro i spikatur, i praktikës, i veprimit, i duhur, saqë dhe kur u lirua nga kjo detyrë, në vitet ’70, inxhinierët e rinj me arsim të lartë e kërkonin për këshillim në vijimësi. Në këtë kohë fillon punë në Ndërmarrjen e Përpunim – Drurit si teknik makinerie, deri sa doli në pension, në vitet ’86-’88… Xhelali, përveç 9 fëmijëve të tij, rriti dhe dy vëllezërit e tij, nga nëna e nga babai: Ejupin dhe Xhevdetin dhe u bë prind për ta. I mbajti deri në moshën që ata u bënë zotër të jetës së tyre, biles njërin prej tyre, Ejupin e nisi me bursë në Poloni, në vitet 1953 – ’56 për degën teknik, elektromekanik i mesëm, (tre vjeçar) …
Jo se Xhelali është vëllai im, por ai ishte nga ata burra, që, për qytetin e Vlorës, për kontributet e dhëna për ringritjen e jetës qytetare pas Çlirimit, emrin e kishte sakrificë, në emër të idealit, për hir të dinjitetit njerëzor, në respekt të mundësive dhe vlerave që mbartnin…
Sot, një rrugë në qytetin bregdetar të Vlorës është emërtuar pikërisht “Xhelal Veizi”.
Në nderim të personazhit për të cilin po shkruaj këto radhë dhe për mirënjohje të visareve morale, shpirtërore e atdhetare që na lanë të përkushtuarit deri në vetëmohim, prindërit tanë të mrekullueshëm thura dhe këto vargje:
NJERËZ QË NDËRTUAN VLORËN
Baladë për Xhelal A.Veizin –
Hedh shikimin lart nga mali,
e zgjat tutje, buzë detit;
ca rrënjë fisnike më flasin,
mallin me valët e tresin.
Është një mall i bardhë, i ëmbël,
buron nga kurorë e bredhit,
plot’ dëshirë, porsi në ëndërr
t’i mbajë dinjitetin emrit.
Emrit që nuk përsëritet
as edhe një herë të vetme,
me erë Dukati flladitet,
me Jonin të bëjë marrëveshje.
Ia ka gdhendur koha emrin:
Xhelal Avdulla Veizi.
Mirësia njerëzore
e ka palcën e kurrizit.
Emrin ia ka gdhendur koha,
diti jetën ta jetojë;
për të s’kishte kuptim mosha,
por fjala si mjalt zgjoi.
Si mjalt zgjoi iu bënë të nëntë,
stinë me gonxhe Drini i vogël.
Ec, Xhelal e mos u çmënd!
Po ti ke fituar botën!…
Si Xhelal Veizi, burra,
njerëz që ndërtuan Vlorën,
vijnë të kthjellët nga Gurra
ta pranverojnë metaforën.
ALBERT R. HABAZAJ
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.