
Nga Ramazan Çeka/
“Shekulli i Parë – një festë e kujtesës kombëtare në Gjenevë”.
Gjeneva, një tjetër dritare shqiptare në zemër të Evropës. Një qytet që mban në gjirin e vet kulturat e botës, ku zemra shqiptare rreh me forcë e krenari, shqiptarët dëshmuan sërish se rrënjët e tyre janë të thella – të lidhura ngushtë me historinë, identitetin dhe krenarinë kombëtare.
“Shekulli i Parë”, vepra e autorit Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh” bëri stacionin e katërt të rrugëtimit të tij, në një nga qytetet më simbolike të diasporës shqiptare – Gjenevë.
Ky libër është më shumë se faqe letre, është një pasuri për kujtesën tonë kolektive. Një dritare që e mban ndezur zjarrin e shqiptarizmës. Është një udhëtim nga rrënjët, nga gjaku e historia, drejt kujtesës që nuk duhet të shuhet kurrë.
Nën kujdesin e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë dhe Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, ky promovim u kthye në një rrëfim emocional, ku fjalët, muzika dhe kujtimet krijuan një përvojë të paharrueshme.
Z. Sejmen Gjokoli – ruajtës i trashëgimisë shpirtërore, ndau një pjesë të shpirtit të tij. Në sallë, fjalët rridhnin si rrëfim i një populli që nuk harron.
Të jesh pjesë e një ngjarjeje ku ndjehet fuqishëm shqiptaria, përtej kufijve amë, është një privilegj. Ky libër është një homazh për ata që ndërtuan themelet e lirisë dhe unitetit.
Të pranishëm në këtë ngjarje të veçantë ishin personalitete të shquara të diasporës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, si Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Znj. Monika Zguro, diplomate nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Musa Jupolli Kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë, Veli Genc Berisha – Hora e Skënderbeut- Zvicër, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, miq të librit, dhe dashamirës të kulturës shqiptare që bashkuan zërin për një kauzë të përbashkët – ruajtjen e identitetit shqiptar në mërgatë.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti znj. Afërdita Krasniqi, një nga aktivistet më të shquara të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, njëkohësisht dhe moderatore e këtij eventi, e cila në krah pati edhe Kryetaren e Shoqatës së studenteve shqiptar.
Në këtë natë nderimi, nuk mund të mungonte një homazh për profesor Astrit Lekën – një udhërrëfyes shpirtëror, një zë që frymëzoi dhjetëra nisma kulturore në Gjenevë.
Kjo mbrëmje është një dëshmi e gjallë se, edhe larg atdheut, ne nuk harrojmë kush jemi.
Dokumentari për 100-vjetorin e Pavarësisë solli një tjetër valë emocionesh. Rrugët e Vlorës, zërat e mitingjeve, fytyrat e historisë, gjithçka u rikthye me krenari në sallën e UniMail-it.
Në çdo tingull, ndjejmë mallin e të parëve. Në çdo këngë, një histori që nuk duhet harruar.
E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte bashkëpunimi ndër breza – ku rinia shqiptare në Zvicër u bë zëri i së kaluarës dhe shpresa për të ardhmen.
Dhe kur fjala takon tingullin, lind magjia. Grupi muzikor “Hareja” sjell në skenë atë që ne e ndjejmë në zemër – Shqipërinë.
Më pas nën magjinë e muzikës performuan edhe disa muzikantë të mrekullueshëm, të ardhur nga Lozana. Muzika përshkoi mbrëmjen si një lutje për identitetin tonë.
Pas performancës së shkëqyer të “Bareshës”, fjalen e mori z. Sejmen Gjokoli, i cili mes duartrokitjeve foli për rëndësinë dhe faktet që pasqyrohen në librin e tij “Shekulli i Parë”.
Veprimtari i shquar Ali Mehmeti – një zë që frymëzon, përshëndeti këtë udhëtim që nuk është vetëm kulturor, por thellësisht shpirtëror.
“Shekulli i Parë” nuk është thjesht një libër. Është një udhëtim – nga zemra e Shqipërisë në zemrën e diasporës. Një kujtesë e fortë se historia jonë nuk është pluhur arkivash, por frymë që duhet të jetojë në çdo brez.
Kur bashkohemi, ne nuk jemi thjesht shqiptarë – jemi historia vetë që ecën, flet dhe këndon. Pa rrënjë, nuk ka drejtim. Pa kujtesë, nuk ka identitet.
Autori i librit z. Sejmen Gjokoli falënderoi auditorin dhe shoqërohet me këngë, valle dhe dashuri. Kërcime popullore, përqafime, autor që jep autografe.
“Shekulli i Parë” – një kujtesë që jeton. Faleminderit që e bëtë Gjenevën pjesë të këtij rrugëtimi krenar. Shqiptaria jeton përmes jush!