NGA ARSHI PIPA/
Mbrapa burgut të Durrësit, brenda telave asht një ndërtesë përdhese. Shërben njikohësisht si mensë dhe si shkollë, aty policët marrin ushqimm e përditshëm, aty marrin edhe mësimet e partisë. Këtë herë shërben edhe si sallë gjyqi.
Nanduer 1947. Hove-hove të burgosunit janë nxjerrë përpara gjyqit ushtarak. Asht vala e terrorit ma të egër. Intelektualë, teknikë, klerikë, por edhe zejtarë, fshatarë, të gjithë ata qi mendohet se janë kundërshtarë, veprues ose jo, të partisë, janë fshi dhe rrasë nëpër burgje. Gjykimi asht sa për sy e faqe; proceset kurdisen ma parë nga Ministria e Mbrendshme, gjyqi vetëm i ven në skenë. I burgosuni merret një ditë nga Dega e Sigurimit dhe futet mbrenda në nji dhomë. Sheh para vetes, ulun në tryezë, tre oficera madhorë, nji tjetër pak mënjanë brylas, nji nënoficer me nji makinë shkrimi. Njeni prej tyne lexon nji fletë, zakonisht fillimin ose fundin e saj:vazhdojnë pyetjet, shoqnue me kërcënime dhe shamje. Kjo vazhdon dhetë deri njizet minuta, simbas rasës. Mandej i burgosuni nxirret jashtë dhe nji tjetër futet në dhomë. Njeriu pandeh se gjindet në nji seancë hetuesie. Mbasi e sjellin në burg, merr vesht se ka qenë para gjyqit ushtarak.
Për disa ditë me radhë gjyqi ushtarak i Garnizonit të Tiranës, i kryesuem prej Major Gjin Banushit, ka gjykue ksisoj, me dyer të mbylluna. Tash asht vendimi.
Në sallën e vogël qëndrojnë mbi banka rreth gjashtëdhjetë të burgosun. E shumta nuk e njofin njëri-tjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, qi kqyren ndërmjet tyne frikshëm, pabe-sueshëm.
Hyn trupi gjykues. Prokurori, Kap. I. Petrit Hakani, nis pretencën. Ban nji përmbledhje të shkurtën, të ngutshme, mandej nxjerr nga çanta një tufë letrash dhe ndanë andej listën e grupit të parë.
Përpara meje asht nji burrë me flokë të bardhë, i mbledhun kruspull, i veshun me nji mantel të zi të dalun boje. Nuk ka lëvizë gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: Vinçens Prenushi!
Ngrihet ngadalë, mundshëm, dhe ulet mandej pa thanë nji Qalë. Prokurori lexon pretencën e të pandehunit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, ato tashma të stereoty-puemet : “anmik i popullit”, “bashkëpunëtor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakte se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rasë shtohen frazat: “klerit reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: njizet vjet.
Njizet vjet në ato rrethana, dhe për nji personalitet si Vinçenc Prennushi, nuk asht fort keq, kur të mendohet se fill mbrapa prokurori kërkon dënimin me vdekje për famullitarin e tij, Dom Anton Zogajn.
Në fjalën e fundit Imzot Prennushi thotë me za të ramë:
“Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë.
Vendimi i gjyqit asht: njizet vjet privim lirije me punë të detyrueshme!.
Me Imzot Prennushin u njofta fill mbas gjykimit. Na qëlloi me ndenjë së bashku, në nji dhomë të vogël të burgut, ku vunë edhe Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin, Prof. Prenk Kaçinarin dhe nji profesor tjetër. Disa ditë mbrapa Myftiu, i cili nga torturat e tmerrshme gjatë hetuesisë ishte ba nji kufomë e gjallë, vdiq në spital të Durrësit. Prof. Prenk Kaçinari, qi vuante nga tuberkulozi, u lirue nga burgu më 1949.I merzitun nga persekutimi i vazhdueshëm ai vrau vedin më 1956.
Pak ditë ma vonë u shbartëm andej në nji dhomë tjetër. Më kujtohet mirë kjo dhomë, e veçueme prej të tjerave, me nji skaj të oborrit; kishte qenë motit xhebehane (depo armësh) dhe kishte mure të trasha, me tavanin në trajtë kubeje, me vetëm nji dritare të vogël. Te kjo dhomë, e njoftun me emnin “Dhoma nr. 8”, vendoseshin zakonisht “ma të rrezikshmit”. Ishim ngushtë, rreth tridhjetë vetë në nji hapsinë ma pak se tridhjetë metrakatrore. Megjithkëtë të burgosunit u ngushtuen edhe ma për me i ba Imzotit nji vend ma të gjanë, tue e vu në krye të dhomës. Mue më qëlloi me qenë pranë tij.
Nuk vonoi shumë dhe u miqësuem. Kuvendojshim mbi gjana politike, tue komentue gjendjen me za të ulët, qi fjalët mos të ndigjoheshin prej të tjerëve. Torturat komuniste na kishin ba me qenë të matun. Por politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ. Atëherë gjithë dhoma e vështronte në nji heshtje njimend fetare. Flitte thjeshtë, në mënyrë qi me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënt atë pak gjellë qi nji plakë e përshpirtshme i binte kur kishte.
Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashunin e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. Buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurtë në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete.
Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Pater Vinçenc: titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral.
Dinjiteti kishtar i Vmçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jep fytyrës së ty nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.
NJI JETE E PANJOLLE
Jeta e tij është nji jetë e panjollë, e shkrime në shërbim të disave nga idealet eprore njerzore qysh janë: Atdheu, arti, feja.
Emni i Vinçenc Prennushit asht nji emën i dashun sidomos për shkodranët. Qysh i ri, i veshun me zhgunin e Shën Françeskut, Patër Vinçenci tregoi takt dhe kuptim të rrallë në të zbutunit e fanatizmës fetare në qytetin e Shkodrës, ndër kohnat e turbullta fill mbas krijimit të Shtetit Shqiptar. Qysh atëherë ai shquhej për atdhetarizëm të vet në radhën e urdhëntarëve të Shën Françeskut, këtij urdhni fetar, të cilit Shqipmja i detyron nderimin ma të madh për shërbimet e mëdha në lamën e kulturës e përgjithësisht të çështjes shqiptare. Mbahen mend ligëratat e bukura dhe të urta atdhetare të meshtarit të ri ndër rase të ndryshme në lidhje me data historike. Në ato mote nis edhe veprimtaria letrare e Patër Vinçencit, i cili në mbledhjen dhe botimin e “Kangëve Popullore Gegënishte” i dha nji hov të ri, në nji drejtim ma shkencor, folklorës shqipe dhe me lyrikat e veta të para të botueme ndër të përkohshmet “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout” zu t’i gdheni vetes nji emën të denjë në historinë e letërsisë shqipe. Vinçenc Prennushi qe nji nga punëtorët ma të frutshëm të letërsisë sonë; përveç veprës së tij kryesore “Gjeth e Lule”, ku janë të përmenduna Lyrikat e veta, ai përshtati ose përktheu në Shqipen shumë vepra të letërsisë botnore, i udhëhequn gjithmonë në zgjedhjen e vet nga kriteri i pajtimit të artit ndaj fesë. Për aftësinë e vet si udhëheqës shpirtëror, Pater Vinçensi qe zgjedhë Provinciali i Françeskanëve Shqiptarë dhe, ma vonë, qe emnue prej Selisë Shejte ipeshkëv. Pushtimi italian e gjeti Imzot Prennushin Argjipeshkëv të Durrësit, njeni nga dy dinjitarët ma të naltë të Kishës Katolike Shqiptare.
Si i këtillë në njënën anë dhe, në tjetrën, si njani nga përfaqësuesit e letërsisë kombëtare, Imzot Prennushi nuk mund ta kishte të gjatë me komunizimn, i cili asht me të njajtën kohë kundër fesë dhe kombësisë. Imzot Prennushi me ka rrfye qysh Enver Hoxha e kishte thirrë, gjoja të keshillohej me të për punët e Kishës Katolike Shqiptare, në të vërtetë për t’i imponue atij pikëpamjet e politikës komumste ndaj fesë. Nuk kishte mundë ta bindte. Ma vonë, mbasi Imzot Prennushi u burgos, ai u vërsul ashpër kundër tij në njënin prej fjalimeve të veta. Mbasi e burgosën, e torturuen. Prej vetë gojës së tij dij se e kanë rrahë ma parë me dru, mandej e kanë lidhë për kambësh e për duersh, i kanë kallë mes tyne nji dru me nji çengel në të, mandej e kanë varë drunin me nji gozhdë të madhe në murin e nevojtores, tue e lanë aty deri sa i ka ra të fiket. “Si dashin në krraba”, shtonte buzëqeshun Imzoti, të cilit nuk u mungonte nji damar shakaje.
PRELATI I VARUN E I MUNDUEM
Përfytyroni tash këtë njeri, nji burrë gjashtëdhjetëpesë-yjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes, ende të mbetun gjallë, përfytyroni të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit. Ky njeri i kqyrun prej Shqiptarëve me nderimin ma të madh, i ruajtun në mirënjohjen e tyne si nji relike mbrenda peshtafit të vet, ky simbol i së kaluemes së Shqipnisë për të cilën na mburremi, ky njeri rrëmbehet përdhunë nga shtëpija e pervujtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrapme të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat, dhe ndryhet në burgjet dhe torturohet.
Nji ditë e nxorën me bartë trungje. Burgu i Durrësit asht i vendosun pak në kodër dhe kamionat zhgarkojshm në rrugën poshtë: prej andej i ngarkojshin të burgosunit, tue i ngjitë nalt dhe tue i stivue. Njeni rojesh, kur po caktonte punëtorët, iu suell Imzotit: “Edhe ti, prift!” Të gjithë u çuditën mbasi deri atë ditë nuk e kishin mërzitë për gjana të këtilla: Ai ishte jo vetëm plak, por kishte, për ma tepër, nji erni të theksueme të atillë sa memzi ecte. Imzoti nuk tha gja e duel me të tjerët.
Un nuk qeshë at ditë në punë, por shokët më treguen ma vonë gjithçka. I kishin ngarkue në sup trungje që ai nuk mund t’i barte kurrsesi, ishte rrokullisë me ta, nji herë, dy, tri, dhe gjithmonë pa bëza. Drejtori i burgut dhe Komisari i bajshin “sehir” nga shkallët e burgut. Qesheshin. Shokët bajshin çmos për ta ndihmue: i lejshin atij anën ma pak të randë të trungut, kur ky ishte i hollë, ose, kur ishte shumë i trashë dhe i gjatë, ndajshin peshën në supat e tyne në mënyrë qi trungu atij mos
t’i peshonte. Por edhe vetëm ngjitja përpjetë ishte për të tepër , tepër e mundshme. Shumë herë ishte rrëzue lëmuç tue mbetë pa frymë. Rojet e lejshin atëherë disa minuta me pushue dhe prapë e futshin në punë. “Prift”, ke bamë ndonjëherë kështu punë!? “e kishte pyet njiherë drejtori i burgut, tue u zgërdhi. Ai, si edhe policët nuk e quejshin ndryshe veç “prift”. E shqiptojshin këtë fjalë me nji shtrembënim të buzëve, theksueshëm në mendjen e tyne. Fjala ishte shamje.
Kujdesi i tij kryesor ishte për Dom Anton Zogajn. Dom Antoni ishte dënue me vdekje dhe ndodhej atëherë i mbyllun në njënën nga çelat qi i shërbejshin për banjë. Kishte qenë famullitar i Durrësit pra, nën mvarësinë e drejtë të Imzotit. Ishte e rrezikshme me marrë e dhanë me të dënuemin për vdekje, por me anë të shokëve Imzotit ia doli me ditë dëshirat e mbrame të famullitarit. Njena prej këtyne ishte me nxjerrë jashtë burgut komçat e petkut fetar që ai gjithnji mbante. Këtë gja mundem me e ba, Imzoti nuk dinte si me e falenderue për këtë.
E pata pyet Imzotin nëse kishte lanë të shtëpija ndonji dorëshkrim. M’u gjegj se kishte përpunue përkthimin e Weberit “Dreizchlinden”. Kur e pyeta pse kishte përkthye bash vetë këtë vepër dhe jo ndonji tjetër ma të njoftun të letërsisë gjermanishte mbasi ishte edukue në Austri, ai më tha se kishte zgjedhë atë vepër për arsye se zakonet e malësorëve austriakë kishin shumë gjana të përbashkëta me ata të malësorëve tonë.
IMZOTI I SMUNDE
Me imzot Prennushin ndenjën deri nga vera e vjetit 1948, kur un u dërgova, bashkë me shokë ne kampin e punës së Vloçishtit. Kur u ktheva andej, nga fundi i nandorit, gjeta Imzotin të smundë. Vuente prej zemre dhe rrallë lente dhomën për me dalë në oborr. Gjendja e tij erdh tue u keqësue me të shpejtë. E dërguen në spital. Pak ma vonë shkova edhe unë në spital.
Spitali i burgut ndodhej në atë kohë në nji ndërtesë
përdhese, nji aneks i Spitalit të Durrësit, e cila binte mbi një rrugë të ngushtë, jo shumë larg bulevardit “Dalip Tabaku”, të ndërtuem prej të burgosurve. Dhoma ishte e vogël, e ulët, e vjetër, me dy dritare, të cilat kqyrshin kah deti. Kishte qenë ma parë dhomë zjarrmi, mbasi kishte votër.
Mjekët i kishin gjetë Imzotit nji “asmë zemrës” sëmundje e randë, sidomos për moshën e tij. Astma e ngushtonte ma fort natën. I vinte me hove qi shkojshin tue u përshpejtue deri në gulshim të randë, sa me e lanë pa frymë.Kur i kalonte, mbas disa orësh, binte si i vdekun e për nji kohë të gjatë nuk mundte me folë. Mjeku i pavionit, Dr. Propopulli, nji njeri me zemër ari, të cilit, i dhimbseshin të burgosunit dhe të cilëve u shërbente me shpirt, bani gjithçka për Imzotin. E vizitonte disa herë ditën, jashtë zakonit dhe shpesh i binte barna nga të vetat, mbasi spitali nuk kishte.
Kjo ka qenë në fruer 1948. Flitej atëherë me ngulm se, mbas prishjes me Jugosllavinë, qeveria po përgatite nji amnisti të madhe, nga e cila do të përfitojshin të gjithë të burgosunit e pafajshëm. Në gjendje në të cilën ndodhej Imzoti, shpresa për me dalë nga burgu, me i kalue ditët e mbrame të jetës në shtëpi, nën kujdesin e ndonji njeriu të dashun, ishte një mënyrë me e mbajtë gjallë, dhe un përpiqesha sa ma shumë me ia këndellë atë shpresë. Nuk mendojsha aspak se komunistat do ta lirojshin për hir të së drejtës, por më rrente uzdaja se ndofta logjika e vijës së re politike mund të përparonte sa me shtrëngue qeveritarët qi bajshin çka nuk dëshirojshtn. Ndër ato ditë kemi ba me Imzotin shumë kuvendime mbi gjendjen politike, nëpër të cilat un shkojshe tue ia ushqye shpresën e lirimit.
NJI SKENE E MALLENGJYESHME
Më kujtohet një skenë e mallëngjyeshme. Nji ditë prunë ndër ne për pak kohë Dom Jul Bonatin, famullitarin e Vlonës. E bijshin nga burgu i Vlonës për ta strehue në azilin e të çmendunve të Durrësit.
Dom Jul Bonatin e kisha njoftë qysh kur isha qenë student
në Firence, ai përpiqej aso kohe me shtypë përkthimin e vet italisht të “Lahutës së Malcis”. Nisem kuvend. I kallzova se njeriu që po gulshonte në shtrat ishte Imzot Prennushi. Atëherë Dom Bonati, i cili memzi mbahej në kambë nga sëmundja dhe pleqnia e shtyme, u ngrejt dhe gati tue u zvarritë iu qas Imzotit:
bani me i puthë dorën, por Imzoti, sadoqi në ankthin e gulshimit, nuk e la dhe tërhoqi dorën. Atëherë Dom Bonati i kërkoi bekimin dhe Imzoti, me nji përpjekje të fundme i vuni dorën mbi krye. Mandej u plandos mbi shtrojë.
Nuk vdiq atëherë, por disa ditë ma vonë. Ndër ato ditë hoqi ma shumë se kurrë.Tmerri ishte nata. Der në mesnatë kishte dritë elektrike, deri atëherë vuajtja ishte ma e durueshme. Por, t’u fikmën drita, në errsinën qi mbytte dhomën, vuejtja e tij rritej acarohej. Ishte a- thuese mungesa e dritës, i mungonte frymën. Gulshimi bahej atëherë i mënershëm, si rënkim i një të plagosuni, i cili, në vend qi të shkonte teu ra, vinte tue ushtue, der në ulurimë. I bahej, siç më rrëfente, a- thue- se çapoj të hekurt ja mbërthejshin krahnorin tue ja shtrydhë zemrën gjithnji ma keq, tue ia shkye. Në atë kohë njeriu nuk mund të flente ma në dhomë. Ngriheshim me radhë dhe i fërkojshim kambët-kështu i dukej se diçka lehtësohej. Mbajshim të pafikun zjarmin në votër: kandil nuk kishim dhe drita e flakës ndihmonte shumë me ia fashitë vuejtjen. Prandej qysh në mbramje kujdeseshim me grumbullue në votër mjaft dru. Ishte dimën, dhoma ngrohej me anë të votrës, prandaj ishte parashikue nji sasi druni për zjarm. Por kjo sasi nuk mjaftonte për me mbajtë zjarmin gjithë natën dhe na duhej, me mënyra të ndryshme, me bindë rojet qi të urdhënojshin shërbyesit e spitalit për me na pru sa ma shumë dru.
KERKOI DRITE
Po ndodhte shpesh qi nuk mund të kishim dru sa duhej. Dhe kur fikeshm xhixhat e fundme dhe errësina peshonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit, herë njeni herë tjetri, dhe i rrijshim të smundit të kryet, tue i folë (të folunit ja davarite
disi travajin), tue i dhanë zemër, tue e gënjye se do të bijshin dru të tjera ose se nata ishte në të sosun …
Nji natë të këtillë me tha copa- copa:
“Tash po kujtoj fjalët e Goethes “Mehr Licht” (dua dritë).
Ajo dritë së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti nuk ishte, sigurisht, drita qi shohin sytë tanë shqisorë. Dhë këtë Imzoti e dinte mirë. Por cili njeri nuk pau në dritën e ambël të qiellit simbolin e jetës? “Me të ba syte dritë mbi dhe”, thotë populli ynë, me nji shprehje egërsisht poetike, për me cilësue jetën. Dhe kur mendja e njeriut u rrek me gjetë nji urë kalimi mes landores dhe palandores u ndal, si nji herë përherë, por te drita. Prej neoplatomzmit, tërthuhet Augustinit, të shkolla françeskane e Oxfordit përfytyrimi i dritës ndriçoi konceptin e filosofisë tue ndërmjetsue mes poezisë dhe mystikës. Dhe Foscolo pat thanë afër ditëve tona:
“Perche gli occhi dell’uomo cercono morendo il Sole…” Imzot Prennushi u nda këso jete nji natë të frorit 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhun, e të shterrun, qi aq shumë kishin rektue për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrime, të paqueme mbas aq mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti qi në grahmat e dhimbës fizike topitet, tkurret, terrtiset, si kullohet prej saj, kur dhimba të prajë, si ujt prej lymit që e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit.
Por asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale.