Nga Albana Lifschin/
Gjenerali Endrju Xhekson (Andrew Jackson) triumfoi në zgjedhjet presidenciale të 1828 përmes një fushate elektorale shumë të ashpër. Shumë baltë u hodh mbi kandidatin që kishte fituar zemrat e popullit amerikan. Gjenerali Endrju Xhekson ishte Heroi i betejës historike të Nju Orleansit, fitorja e të cilës shpëtoi pavarësinë e SHBA.
Ne Foto:Presidenti Endrju Xhekson (Andrew Jackson)/
Por triumfi i tij qe tragjik. Pak para se të inaugurohej si president i SHBA, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër.Nuk vdiq nga gëzimi, por i plasi zemra nga një hidhërim i mbledhur 40-vjeçar, të cilin s’e mundi dot.
Ne Foto: Rejçëll, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër, në prag të inaugurimit të prisedientit./
Dy fjalë nga historia.
Edhe 30 vjet pas shpalljes së pavarësisë së SHBA, (1776), Britania e Madhe e ruante të nxehtë ndjenjën e hakmarrjes ndaj Amerikës që i kishte ikur nga duart. Pasi u çlirua nga luftërat në Evropë, u angazhua sërish në luftë me SHBA, me një ashpërsi të vendosur për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme, dmth në gjendjen koloniale. Lufta kundër Britanisë së madhe, (1812-1815) për nga rëndësia e saj konsiderohet si lufta e dytë e amerikanëve për të mbrojtur pavarësinë e vendit.
Me zbarkimin e trupave angleze në Merilend dhe marshimin e tyre drejt kryeqytetit të vendit Uashington DC, njerëzit nxituan ta braktisnin atë, si një vend pa zot. Në ato momente kritike, kujtesa njerëzore ka përcjellë figurën e Dolli Medison, gruas se presidentit Xhejms Medison, e cila shpëtoi nga Shtëpia e Bardhë, një portret të Xhorxh Uashingtonit dhe dokumenta të rëndësishme, për të mos rënë në duart e anglezëve. Ushtria britanike i vuri zjarrin Shtëpisë së Bardhë (këtë emër e mori pas restaurimit) dhe godinës së Kongresit amerikan. Krenaria amerikane mori një goditje të rëndë. Por anglezët nuk e dinin që në marshimin drejt jugut, në Luizianë i priste gjenerali Endrju Xhekson. Fitorja e Betejës së Orleansit ndaj ushtrisë britanike, thyerja e Anglisë në përmasa të mëdha qe vendimtare në mbrojtjen e pavarësisë së Amerikës. Amerikanët nuk flisnin për asgjë tjetër veçse për këtë fitore të madhe. Xhekson fitoi famë në të gjithë Amerikën si Heroi kombëtar. (Siç thuhej, ai ishte hero me “H” të madhe). Ai kishte shpëtuar pavarësinë e Amerikës, kundrejt një pushtimi i dytë nga Britania e madhe. Populli e krahasonte Xheksonin me Xhorxh Uashingtonin
…Endrju Xhekson mbeti jetim që në moshën 14 vjeç. Fati e privoi nga dashuria e prindërve në një moshë delikate. Jeta e bëri të ashpër, trim të çartur dhe po aq neglizhent, deri atë ditë që vendosi të vazhdojë studimet për t’u bërë avokat. Pas kësaj, udhëtoi për në West, në Nashville, Tennesee, për ta provuar mundësitë që i jepte ai vend në profesionin e vet. Këtu ai takoi të bukurën e njerëzoren Rejçëll (Rachel). Rachel ishte e martuar dhe për shkak të natyrës së saj të butë, të qeshur e talentit që manifestonte në ditët festive, të gjithë e admironin dhe vlerësonin. Në të kundërtën, i shoqi bëhej shumë xheloz dhe abuziv. Ai e keqtrajtonte. Ato kohë sado të vuante gruaja nga keqtrajtimi i burrit, divorci ishte diçka që nuk ndodhte kollaj. Endrju iu bë shok e mbështetje gruas së re dhe përfundimisht ra në dashuri me të. Rejçëll dhe Endrju u rrëmbyen dhe u larguan nga ai shtet. Më pas u kthyen sërish dhe familja e saj e pranoi Xheksonin si njeri të shtëpisë. Atë kohë ish bashkëshorti i saj kishte bërë kërkesën për divorc duke e akuzuar për tradhëti bashkëshortore,mirëpo procesi i divorcit ende nuk kishte përfunduar, gjë që ata të dy nuk e dinin. Kështu në sytë e opinionit Rejçëll ishte një grua që kishte tradhëtuar të shoqin dhe njëkohësisht bashkëjetonte me një tjetër (Endrjun). Ajo u akuzua për bigami. Kjo njollë turpi e ndoqi gruan për afro dyzet vjet rresht.
Ndërsa Endrju Xhekson ngjiti shkallët e karrierës së vet, arriti lavdinë e respektin, kundërshtarët e tij politikë nuk linin rast pa e sulmuar moralisht si një burrë që i kishte marrë gruan një tjetri dhe të shoqen, gjatë fushatës së tij për president, e quajtën si një grua pa moral për të cilën nuk mund të kishte vend në Shtëpinë e Bardhë. Xheksonin e “akuzonin” për tipin e tij të rrëmbyer dhe mungesë të kontrollit të vetvetes, duke e bërë këtë si argumentin kryesor që mund të shkatërronte integritetin e Republikës dhe institucioneve të saj. Publiciteti i emrit të Rejçëll për një çështje shumë private e zhyti atë në depresion. Ajo i pat thënë një mikeshe “Unë më mirë bëhem roje në portën e Zotit, se jetoj në atë pallat në Uashington.” Asaj nga natyra nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes.
Ajo e paralajmëroi Xheksonin se kishte frikë që fama që kishte marrë pas fitores së Nju Orleansit dhe popullariteti i madh (që krahasohej me atë të Xhorxh Uashingtonit) do ta bënte që një ditë ai të vlerësonte lavdinë e tij, mbi familjen.
Gjithsesi, gjatë fushatës presidenciale, Rejçëll nuk dinte shumë se ç’bëhej dhe as akuzat që i ngrinin të shoqit, sepse atë kohë ajo nuk banonte në Uashington D.C. Kur Endrju Xhekson u zgjodh president, Rejçëll shkoi në Washington DC, dhe filloi të përgatiste veshjen për ditën e inaugurimit. Aty mësoi të tëra epitetet me të cilat opinioni e kishte veshur atë dhe të shoqin. Pas gati dyzet vjet martese, dashurie dhe devotshmërie për të shoqin, në mendjet e liga ende ruhej i freskët divorci dhe historia e dashurisë së saj me Endrjun. Armiqtë politikë të së shoqit kishin gërmuar dokumentat e divorcit, kaq kohë të shkuara, dhe ‘zbuluan’ që gruaja e Xheksonit paska qenë tradhëtare dhe bigamiste! Kjo ishte shumë e rëndë për të.