
Prof. dr. Bardhosh Gaçe/
Në jetën dhe kulturën që zakonisht përcjell botën e librave, ardhja në duart e lexuesit të një libri të ri është një ngjarje e mirë. Është një ngjarje për arsyen më të thjeshtë, për shkakun e një prurjeje artistike të re, një personazhi apo personazhesh të rinj, për arsyen e një ngjarjeje dhe subjekti ndryshe nga të tjerët dhe një komunikimi të ri. Çdo libër i botuar dhe vënë në dorën e lexuesit është një komunikim i ri, d.m.th. një zbulesë shumë shtresore dhe shumë fushësh. Një libër, veças në prozë, pleks disa raporte fondamentale, që zakonisht i mundëson letërsia artistike me dhe pa autorin.
Në vitin 2022, kur ende popujt e tërë kontinenteve po “çlodhnin” gjymtyrët nga stresi epik që reflektoi thellësisht ndërgjegjen dhe ekuilibrin njerëzor pandemia, prozatori Bujar Skëndo i ka afruar lexuesit shqiptar dhe prozës shqiptare një roman interesant, që për arsye të formës dhe strukturës përmbajtjesore, por dhe shumë elementëve të tjerë, është një prurje që zgjon një refleksion të imët hulumtues, kritik dhe konsideratë realiste të fushës. Romani, duke qenë njëri nga llojet më kompleks të prozës, ndërsa duket se lejon të “vraposh” pas ngjarjes apo subjektit, ngjan të jetë njëri nga llojet që ka një “inventar” skrupuloz në përdorimin e tyre, sado i perimetruar të jetë pasioni për të thënë shumë gjëra.
Bujar Skëndo është një emër i njohur në refleksionet elitare dhe shkencore në fushën e letërsisë, duke qenë një profil mjaft komunikues dhe prodhues mbi kritikën e arteve dramatike, një njohës i shkëlqyer i medies radiofonike, një komentues dhe një “editor” i rëndësishëm sqimatar dhe promovues idesh në periodikët brenda dhe jashtë vendit, një promovues i mendimit estetik mbi artin dhe letërsinë artistike në gazetën e njohur “Drita” dhe revistën e përmuajshme “Nëntori”, dy mediumet e njohura të letërsisë artistike dhe mendimit kritik në Shqipëri para dhe pas viteve ’90.
Gjithashtu ai është dhe një njohës i shkëlqyer i komunikimit të kulturave ndër vendet ballkanike, pasi për një kohë të caktuar ai ka shërbyer dhe në diplomaci, duke qenë ambasador i Shqipërisë në një vend me tradita të kulturës ballkanike dhe më gjerë, si Bullgaria dhe në shtetin e Izraelit.
Në këtë përvojë të rëndësishme jetësore, i specializuar për kritikë letrare, e cila e lidh atë me shumë fusha të dijes filologjike, psikologjike, letrare dhe të pedagogjisë së komunikimit dhe të hulumtimit, ardhja para lexuesit dhe veçmas të mendimit kritik të prozës, zhanrit të romanit, përbëjnë një vëmendje dhe një ngjarje në rastin fatlum të botimit të romanit të tij, i cili duket se lidhet posaçërisht me botën e thellë njerëzore. “Psherëtima e humbjes”, shpërfaq një sintagmë të lidhur në dy cepat e saj me kohën, njeriun, shpirtin njerëzor, me atë që në letërsinë e përbotshme, pavarësisht emërtimeve ka qenë natyra ekzistencialiste.
Romani “Psherëtima e humbjes”, ku siç shihet, që në fillim bie në sy përdorimi i një emri në njëjës “psherëtima”, për shkakun e natyrës tipizuese që autori mëton të reflektojë në të gjithë romanin e tij, është një libër mbi natyrën njerëzore, në kohë, rrethana, personazhe dhe ngjarje të ndryshme. I njëjtë përballë gjithë këtyre “reflektimesh”, marrëdhëniesh dhe konfliktesh është vetëm njeriu dhe qenësia e tij, të cilin e ekspozon ndaj këtyre, fryma ekzistenciale, vullneti i mbijetesës dhe tendenca hyjnore, e lashtë sa bota, për ta mundur humbjen, apo për ta bërë njeriun më të mirë përballë një fronti ligësish, vesesh, faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, që atë e sulmojnë që në ditën e parë të ardhjes në jetë. Ky raport fondamental shfaqet dhe në këtë roman, i cili është produkt i marrëdhënieve dhe strukturës së komunikimit mes njerëzve, pavarësisht lidhjeve mes tyre.
Romani “Psherëtima e humbjes”, i cili që në fjalën e parë të “përballjes” me lexuesin, ka një kumt, d.m.th. një shenjë a një konvencion, që nuk e shmang hamendësimin e lexuesit për një humbje, një diçka që ka humbur apo humb njeriu, për diçka që nuk mund të ribëhet, të rivijë dhe të rifitohet, dhe këto dilema përbëjnë një gjendje të njohur të një fryme ekzistenciale.
Bujar Skëndo e ka shkruar romanin larg atdheut të tij, larg Shqipërisë dhe Tiranës, në kontinentin e largët të përtejoqeanit, ku natyrisht “lakmia”, dëshira dhe ëndrra e njerëzve të lirë, e ka quajtur “toka e premtuar”, ndërsa ndjenja e lirisë, në kuptimin e saj universal ka qenë përherë e ngrohtë dhe e ndezur. Ndërsa autori jeton prej kohësh në Nju York, në një mjedis social, kulturë, marrëdhënie, komunikim dhe sjellje ndryshe atdheut të tij, romani mbart një shqetësim universal, një temë të mprehtë, të cilën e gjejmë që në marrëdhëniet që shoqëria e lashtë antike apo romake e kishte brenda familjes dhe në shtresimet shoqërore, e që ndër mjediset patriarkale apo dhe të kohëve të vona të familjes shqiptare mbetet një temë apo çështje e debatueshme…
(Shënime mbi romanin “Psherëtima e humbjes” të Bujar Skëndos, Onufri, Tiranë 2022)