
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/
Muzika ka qenë gjithmonë dominuese në jetën time.
Nga rastësia ose dhe fati, jam lindur dhe rritur në një shtëpi ku muzika mungonte gjatë ndonjë problemi teknik në “manjetofon” ose kur flinim gjumë. Madje madje edhe në zi, muzika ishte e pranishme në “Suliotët”.
Prandaj muzika është i vetmi element që më shoqëron që kur mbaj mend veten time e deri më sot,
pa përjashtime dhe shmangje. Ajo është zgjimi im i mëngjesit, motivimi im i përditshëm dhe ninulla ime e natës. Aq sa shpesh herë ndihem i shkëputur nga bota përreth duke përjetuar pjesë muzikore si pjesë të përditshmërisë sime.
Trupi im është në një vend të caktuar, por mendja ime udhëton atje ku më çon muzika. Ndihem i lirë (dhe më besoni në jetën time jam ndjerë shpesh i burgosur dhe i ndrydhur nga shumë faktorë) por ja që brenda saj arratisem dhe udhëtoj “kilometra” pa shkuar gjëkundi. Po, kjo është dhurata më e madhe e familjes për mua.
Një sekret tjetër që me kalimin e viteve fillova ta pranoj publikisht, është fakti që muzika përbën betejën time më të ashpër që kam dhenë ndonjëherë dhe që sigurisht kam humbur. Një betejë që zgjati vite, me kokëfortësi, durim dhe shumë djersë. Por talenti është një pasuri hyjnore, që mua…. me mungonte. Kështu që kur e pranova këtë fakt, përtej dhimbjes dhe trishtimit, u ndjeva i lirë.
“Liri” që zgjati pak, derisa rastësish takova në jetën time Inva Mulën dhe që atëherë muzika u bë për mua një frymëzim i ri. Çfarë ingranazhesh lëvizi brenda meje, çfarë recete magjike gjeti dhe më rekrutoi në një rrugë tjetër, betohem se deri më sot nuk e di.
Ju do më thoni se teknika e një dive është si një enigmë që nuk mund ta plotësosh kurrë, sado libra të lexosh, sado filma të shikosh, sado rrëfime të dëgjosh dhe pse jo, sado “muzikë” që të prodhosh. E kuptoni sa e vështirë ishte kjo për mua, kur prej vitesh idhulli im ishte Inva Mula.
Nga ana tjetër, me kalimin e viteve, fillova ti shikoj gjërat ndryshe. Zhvillova një këndvështrim tjetër. Nisa të vlerësoja dhe të afrohesha gjithnjë e më shumë me “polin rival” të fëmijërisë dhe të adoleshencës sime, tenorin Gjergji Mani, i cili jo vetëm përbënte rrezikun numër një që do të më “grabiste” lavdinë e skenës, por ndoshta “mund të më merrte edhe debulesën” që ruante daja im për mua.
(….)Dhe disi kështu, nga përditshmëria e thjeshtë, vitin e kaluar të tre u gjetëm në skenën e edicionit të 6-të të MIK FESTIVALIT në Korçën tonë të dashur, për të hapur një tjetër cikël historik që do vazhdonte historinë që kishte filluar diku në vitët 50’ nga Avni Mula dhe Piro Sulioti, në Vitet 70 nga Avni Mula dhe Gjergj Sulioti, në vitet 80 nga Gjergj Sulioti dhe Inva Mula dhe në vitet 00 nga Gjergj Sulioti dhe Gjergji Mani
Diva botërore që u dha zë partiturave dhe mishëroi si askush tjetër disa nga personazhet më të rëndësishme të repertorit operistik në skenat më të mëdha të botës, u “kthye” sërish në pikënisjen e rrugëtimit të saj ndërkombëtar artistik, pra në Bukuresht të Rumanisë. Atje ku Diva , Inva Mula, para tre dekadash fitoi çmimin e parë ndërkombëtar të karrierës së saj, Çmimin George Enescu.
Inva Mula me talentin e saj të veçantë për të depërtuar thellë në role, u transformua serisht në atë vajzën e talentuar me botën e pasur emocionale që arriti të shkaktonte emocione të mëdha anë e mbarë botës, duke fituar në skenë titullin “Diva botërore”.
Me sukses të jashtëzakonshëm u zhvillua koncerti i Inva Mulës, së bashku me tenorin shqiptar Gjergji
Mani dhe sopranon rumune Ionela Mani në një sallë të mbushur plot. Për dy orë, Zonja e Madhe e repertorit lirik “mbajti një leksion të hapur” duke ia kushtuar shpirtin artit që e do aq shumë dhe që i ka shërbyer me besnikëri prej vitesh.
Koncerti shqiptaro-rumun u zhvillua mbrëmjen e së premtes, 24 maj 2024, në Bukuresht. Organizatorët e koncertit ishin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” në Bukuresht. Inva Mula, Gjergji dhe Ionela Mani, i ftuari special, tenori Daniel Magdal, solist i parë dhe drejtor artistik i Operës Kombëtare të Bukureshtit dhe dirigjenti Alexandru Ilie, shkruan një faqe tjetër në historinë e përbashkët muzikore shqiptare dhe rumune. Me fjalë të tjera, ata i dhanë vazhdimësi historike një marrëdhënieje që filloi rreth 120 vjet më parë.
Këto mendoj duke qeshur i qetë, ndërkohë që mendimet e mia të shpërndara, mbijnë dhe vendosen të çrregullta në faqet e një ditari. Pasi mes zakoneve të tjera të këqija nga adoleshenca, unë ende mbaj shënimin e mendimeve në një ditar. Ndërsa shiu bie hakmarrës në rrugët e Korçës.
Unë, Inva dhe Giergi tashmë jemi miq e ndonjëherë edhe “bashkëpunojmë”. Ok! Edhe njëherë. Unë, Inva dhe Giergi tashmë jemi miq e ndonjëherë edhe “bashkëpunojmë”. Në fakt, më duhet pak kohë për ta konceptuar kur e shoh të shkruar. Ende nuk mund ta besoj. Sa e paparashikueshme që qënka kjo jetë. Dhe jam i sigurt se ky është vetëm fillimi.
Thellësisht krenar dhe i emocionuar. Urime nga zemra Inva, Gjergji dhe Ionela.