

Intervistoi: Sokol Paja/
Shpetim Qorraj, kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut në Distriktin 64, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës Dielli të Vatrës në New York, paraqet platformën e tij elektorale, angazhimin politik, rëndësinë e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në politikën amerikane, lidhjen historike-familjare me UÇK dhe vizionin e tij për një politikë më të afërt me qytetarin dhe komunitetin.
1. Z. Qorraj, cila është platforma juaj elektorale? Pse duhet t’ju votojë elektorati?
Platforma ime elektorale bazohet në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Distriktit 64, duke u fokusuar në gjashtë shtylla kryesore: përballueshmëria ekonomike, shëndetësia, siguria publike, arsimi cilësor, infrastruktura funksionale dhe mbrojtja bregdetare.
Banorët po përballen me kosto të larta jetese, qira dhe taksa të papërballueshme, transport publik të ngadaltë dhe mungesë investimesh reale. Unë kandidoj për të qenë një zë praktik, i qasshëm dhe i drejtë, që sjell zgjidhje konkrete, jo premtime boshe. Elektorati duhet të më votojë sepse vij nga komuniteti, i njoh problemet nga afër dhe jam i gatshëm të luftoj çdo ditë për interesin e qytetarëve, jo për interesa personale apo politike.
2. Cili është angazhimi juaj politik në New York dhe në distriktin ku kandidoni?
Angazhimi im politik në New York ka qenë i vazhdueshëm dhe i bazuar në pjesëmarrje aktive në komunitet, bashkëpunim me organizata lokale, shoqata, prindër, biznese të vogla dhe përfaqësues institucionalë.
Si kandidat i Partisë Demokratike, besoj në barazi shansesh, drejtësi sociale dhe mbështetje për familjet punëtore, emigrantët, të rinjtë dhe të moshuarit. Nismat që synoj të shtyj përpara lidhen me lehtësimin e barrës ekonomike për familjet, investime në shkolla dhe siguri, si dhe projekte infrastrukturore jetike për Staten Island, përfshirë mbrojtjen bregdetare dhe ndërtimin e murit mbrojtës në South Beach.
Një thirrje e veçantë shkon për komunitetin shqiptar: pjesëmarrja jonë në politikë është forcë. Mbështetja juaj nuk është vetëm për mua, por për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në institucionet më të larta të këtij shteti.
3. Sa i rëndësishëm është pozicioni për të cilin kandidoni dhe ku e mbështetni suksesin e garës suaj?
Pozicioni i Asamblesë së Shtetit të New York-ut është thelbësor, sepse aty merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në ligje, buxhete dhe politika publike që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.
Suksesin e garës sime elektorale e mbështes në punën në terren, komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit, ndërtimin e besimit dhe përfshirjen e komunitetit. Fushata ime nuk bazohet vetëm në slogane, por në dëgjim aktiv dhe zgjidhje reale.
4. Çfarë ndjeshmërie ka për ju kandidimi si një shqiptar për një pozicion kaq të rëndësishëm?
Kjo kandidaturë ka për mua një domethënie të veçantë. Jam djali i një heroi dhe që i vogël kam mësuar çfarë do të thotë të punosh për popullin, të sakrifikosh për të tjerët dhe të mos e shohësh pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi. Kjo është vlera që më udhëheq çdo ditë për të qenë zëri i qytetarëve dhe për të punuar me ndershmëri për ta.
Është përgjegjësi, por edhe krenari. Vij nga një popull që ka kaluar sakrifica të mëdha për liri, dinjitet dhe demokraci.
Ndjeshmëria ime është e dyfishtë: të përfaqësoj denjësisht komunitetin shqiptar dhe njëkohësisht të jem zëri i fortë i çdo qytetari të Distriktit 64, pa dallim origjine apo bindjeje.
5. Si po ecën fushata dhe cila është strategjia juaj e fitores?
Fushata po ecën shumë mirë, me energji pozitive dhe mbështetje në rritje. Strategjia ime e fitores bazohet në kontakt të drejtpërdrejtë me votuesit: takime lagje më lagje, derë më derë, evente komunitare dhe dialog të hapur.
Për elektoratin gri, ofroj ndershmëri, transparencë dhe qasje praktike. Njerëzit nuk kërkojnë ekstremizma, por përfaqësim serioz dhe zgjidhje reale – dhe kjo është ajo që unë sjell.
6.Kush është Shpëtim Qorraj?
Jam sipërmarrës dhe organizator komunitar, me formim akademik në fushën e drejtësisë, dhe besoj në sundimin e ligjit dhe barazinë para ligjit. Kam ndërtuar karrierën time me punë të ndershme në biznes dhe në fushën e pasurive të paluajtshme, duke qenë gjithmonë aktiv në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Jam i angazhuar në organizata jofitimprurëse, veçanërisht në mbështetje të komunitetit. Hobet e mia përfshijnë sportin, palestrën, leximin, aktivitetet familjare me fëmijët dhe punën vullnetare.
Motoja ime në jetë është:
“Puno me ndershmëri, udhëhiq me shembull dhe mos harro kurrë nga vjen.”
Cilësitë që i konsideroj të veçanta janë durimi dhe vullneti për të punuar me njerëzit. Jam punëtor i palodhur që zgjedh të mos ankohet, por të krijojë mundësi dhe zgjidhje. Kjo vjen nga shembulli që kam marrë nga prindi im, si ushtar dhe komandant i UÇK-së.
7.Cila është prejardhja juaj familjare dhe historia e emigrimit në SHBA?
Jam me origjinë nga Kosova, nga një familje me histori sakrifice dhe qëndrese. Emigrimi në Shtetet e Bashkuara ishte një rrugëtim i vështirë, por plot shpresë. Si shumë emigrantë, fillimet ishin sfiduese, por me punë, durim dhe mbështetje të familjes dhe komunitetit, sidomos atij shqiptar, arrita të ndërtoj një jetë të qëndrueshme në SHBA.
Kjo histori emigrimi më ka mësuar vlerën e punës, të arsimit dhe të mundësive që ky vend ofron. Pikërisht për këtë dua të kontribuoj për ta bërë sistemin më të drejtë për të gjithë dhe të jap kontributin tim për këtë vend që ka bërë shumë për ne si popull shqiptar dhe për mua personalisht.
Çdo informacion gjendet më poshtë: