![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/lul-mazreku.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/shkaba.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/spiritus.jpg)
KOSTA NAKE/
(Romanet “Shkaba”, “Spiritus” dhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”)
Vepra e Kadaresë është një kompleks i madh ndërtimor, me artere dhe kapilarë të shumtë që i lidhin romanet me njëri-tjetrin si pallatet e një blloku apo si dhomat e një labirinthi. Këto artere mund të jenë tematike dhe këtu mund të grupojmë romanet me “çati” osmane, ose me “kolona” nga antikiteti grek, mund të jenë me rimarrje karakteresh siç ndodh te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëntori i një kryeqyeti”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, etj. Edhe tre romanet e mëposhtme kanë disa kapilarë lidhës, si: periudha e njëjtë kohore e diktaturës komuniste, lufta e klasëve me mekanizmin e biografive, përpjekjet e dëshpëruara individuale për të dalë matanë klonit të kufirit, etj.
Romani “Shkaba” (1996)
Nga që ka vetëm 100 faqe me një shkrim më të madh nga i zakonshmi, romanin “Shkaba” mund të lexohet me një frymë. Autori kishte paralajmëruar diçka që te përmbledhja “Ftesë në studio” duke u ndalur te përralla e Qerozit që ngjitet nga bota e poshtme mbi shpinën e një shkabe dhe kërkon mish pas çdo kra-kraje. Vjen kjo gjetje domethënëse për një dukuri të rëndomtë në vitet e diktaturës: largimi nga kryeqyteti i të padëshiruarve dhe degdisja në qytete provincialë, ose internimi nëpër fshatra.
Romani ka mjaft elementë surealistë, por do të qëndroj te realizmi, pasi gjatë atyre orëve që zgjati rileximi, më mbërtheu një ndjesi e trishtë ngaqë rrugëtimi im profesional ka disa ngjashmëri me Maksin e “Shkabës”. Ai përfundoi te ai qytet i vogël dhe u strehua në hotel se nuk kishte pranuar të bënte konformistin. Bashkë me Tiranën, humbi edhe Anën; Ana tjetër që njohu, ishte gjithashtu e dëbuar, prandaj shpresat për t’u ngjitur atje lart ishin zero. Kishte dy mundësi për të dalë nga humbella ku kishte rënë: ose të fillonte të shkruante letra pendestare derisa të prekte zemrat e qeveritarëve të lartë, ose të arratisej. E para dukej e pamundur, pasi rëniet vazhdonin: përveç Anës, aty përfundon edhe Gazmend Hila, aty qëndron për një kohë edhe shkrimtari Skënder Bermema; pas ca kohësh aty vijnë edhe disa nga ata që kanë qenë ekzektutorë të të dëbuarve të mëparshëm. Ja pse Maksi kërkon zgjidhjen e dytë, të niset drejt liqenit prej të cilit ishin larguar shumë njerëz të tjerë që nuk e gjenin më veten të dëshirueshëm në shoqërinë ekzistuese. Ishte ajo zgjidhja e përrallës me Qerosin, po duke qenë përrallore, rezulton fatale, donkishoteske. Në një gjendje të turbullt mendore, duke shfrytëzuar mungesën e rojeve te kopshti zoologjik, hap kafazin e shkabës dhe…
Kjo tregon se sistemi i diferencimit të njerëzve në diktaturën e proletariatit kishte hyrë në një udhë pa krye dhe nuk ofronte asnjë zgjidhje. Mjerisht, edhe sot vazhdon të ndodhë e njëjta gjë, lufta për pushtet dhe babëzia për të gllabëruar sa më shumë të ardhura nga pasuria publike, po mban peng sistemin e vlerave.
Romani “Spiritus” (1996)
“Shqipëria e braktisur, pa gojë, e padëgjuar nga kurrkush, kaq të fortë e pati ahtin që donte të nxirrte, saqë një natë tetori ai aht e bëri baltën të fliste sikur të kishte shpirt.” (f. 256)
E sjell këtë citim nga kjo vepër e pazakontë “…jo vetëm për nga tharmi, por nga gjithçka: nga brumi, mënyra e ngjizjes, ndërtimi”, (f. 237) pasi, si rrallëkund, autori ka dhënë shpjegime për veprën në pjesën e fundit të saj. Konkluzioni: “Një transplantim i variantit kinez të përgjimit nga romani “Koncert në fund të dimrit” që kulmon me një përkitje zhvarrimi.” Në pjesën e tretë dhe të fundit të veprës “Çmërs”, autori jo vetëm e pohon këtë, por të befason: E kundërta kishte ndodhur – një “zëth” ishte marrë nga Shqipëria dhe ishte kinezëruar “çjentiçia”, në pritje për t’u sjellë në vendin e origjinës; Shpend Guraziu ishte quajtur Van Mei, Arian Vogli ishte bërë shefi Çzhan, dobësimi i vështrimit të diktatorit këtu përthehet si sëmundje e Maos atje. Kjo zhvendosje e largët te “Koncerti” mban brenda blasfemi që mund të kapen vetëm sot. Kinezi Van Mei thotë: “Jeta e tyre (shqiptarëve – K.N.) ka për t’u tharë si jona. Atëherë do ta vënë re llahtarën, por ç’e do, do të jetë vonë.” (Koncert në fund të dimrit, 1988, f. 470) Në leximin tim të parë para njëzet e ca vjetësh nuk e kisha vënë re këtë lidhje mes dy veprave, madje nuk më ishte fiksuar përdorimi i kahershëm i “çimkave” të sotme.
Pas romanit “Shkaba” me 100 faqe prisja që libri i radhës të ishte sintetizuar në 150 faqe. Ngjarjet janë lokalizuar në qytetin B. në vitet 1980-83. Shfaqja e dramës “Pulëbardha” të Çehovit trand jetën e banorëve dhe kthehet në test për syçelësinë e diktaturës në kushtet kur teposhtja ekonomike po kërciste gjithnjë e më shumë. Për të ruajtur klimën e terrorit në popull, në funksion të mbajtjes së pushtetit, krahas spiunëve të zakonshëm, fillon përdorimi i teknikave të regjistrimit. Shumë prej njerëzve, duke më përfshirë edhe mua, nuk e dinin se ekzistonte një kontroll i tillë, përgjuesit ishin armë ekskluzive e sigurimit të shtetit. Aksioni ngrihet në grotesk kur Xhelo Vranishti, veterani i përkëdhelur i partisë, kërkon një zëth për t’ia vënë shemrit të vet, Arif Dukës, i cili, “pasi merrte vrull nga rakia, s’linte rast pa ngritur veten e pa ulur vlerat e Xhelos në luftë.” Krejt ndryshe ndodh me ata që e ndejnin se ishin objekt i survejimit: e shfrynin zemërimin mbi rrobat ku mund të futej përgjuesi duke i futur në makinat larëse me temperaturë të lartë, i hekurosnin egërsisht, prisnin që duke i shtypur, të kërcisnin si morrat. Si mjeshtër i selitjes së gjuhës, autori krijon edhe një familje kuptimore fjalësh posaçërisht për ta: zëtha, princër, insekte të shtetit, veshët e vdekjes, sakrofagth, të gjorthit, të vogëlthit, zëthiana, zëthavënës, zëthaheqës, etj.
Ky angazhim policor i sigurimit të shtetit, nuk është një nismë nga poshtë, siç ndodhte me trumbetimin që u bëhej nismave revolucionare të masave punonjëse, por një porosi nga maja e piramidës, shoqëruar me marrëveshje për importimin e pajisjeve nga Kina. Për herë të parë Enver Hoxha vështrohet përmes një qelqi me të cilin vëzhgohet eklipsi diellor: nuk përmendet asnjëherë me emër, por vetëm si diktatori, udhëheqësi, Ai. Për herë të parë në një vepër të Kadaresë del edhe gruaja e diktatorit për t’i dhënë mjaft hapësirë në kapitullin XIII me komisionin e dhuratave për udhëheqësin me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Vepra kulmon pikërisht këtu, kur Arian Vogli, shefi i sigurimit të qytetit, do t’i bëjë dhuratë ‘Princin 017B’, nxjerrë nga varri i inxhinierit elektrik Shpend Guraziu, ku gjendet jo vetëm prova e seancës së spiritizmit, por edhe një copëzë kumt për Perëndimin, çka përbën zbulesë të përpjekjeve të armiqve të jashtëm kundër pushtetit popullor, kundër Shqipërisë socialiste. Po aty ka dhe një qoshkëzë për dytsin (sozinë) e udhëheqësit.
Personazhe si Edlira Gjikondi, Suzana Kraja, Skënder Morina, ndihmës Naumi, mjeku H. janë thjesht garniturë e veprës; venitja e seksit të grave, përçudnimi i gjuhës, dhjetëra njerëz që përfunduan në internim ose në burgje janë pasojat e tmerrshme të situatës së nderë deri në trokitjen e demokracisë.
Romani “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” (2002)
Te romani “Spiritus” ka një detaj të vogël, në dukje të parëndësishëm: “Një aktor e vranë me armë gjahu mu në mes të rrugës” (f. 18), kurse në faqet 20 dhe 21 jepen edhe të dhëna të tjera, pa u përmendur emri. Pikërisht ky aktor i vrarë është personazhi kryesor i romanit “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” që merr shtysë nga vrasjet në kufi në fund të viteve ’80 të shekullit të shkuar. Me siguri autori, përveç mbështetjes mbi ndonjë ngjarje të vërtetë, ka patur në dorë edhe materiale të tjera, çka mund të kuptohet nga dëshmitë në prokurori në fund të disa kapitujve, madje më duket sikur emrat e të vrarëve që jepen në fund të veprës, janë realë.
Shqipëria e atyre viteve ishte futur në një qerthull rrënimi ekonomik që mbulohej me një propogandë agresive, saqë shumë njerëz rrugëdaljen filluan ta kërkojnë përtej kufirit duke e paguar shpesh me çmimin e jetës. Lul Mazreku nga qyteti B. nuk ia del të vazhdojë Institutin e Arteve dhe i duhet të shkojë ushtar në Sarandë. Ende pa u nisur, një nga shokët e vet, Nik Balliu, ia fut xanxat e arratisë. Paralelisht, Vjollca Morina, vajzë nga kryeqyteti, stazhiere në Bankën Kombëtare, duke shfrytëzuar një njollë në jetën e saj, rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dërgohet në Sarandë në sezonin e plazhit për të zbuluar ata që kishin në mend të arratiseshin. Rritja e numrit të të arratisurve ka alarmuar majën e piramidës shtetërore dhe partiake dhe një prej komandantëve të kufirit jep idenë e rritjes së terrorit ndaj banorëve duke ekspozuar të vrarët në kufi. Në mungesë të një kufome, Lul Mazreku pranon të luajë rolin e parë dhe të fundit në jetën e tij duke u shtirur si i vdekur në një varkë, në këmbim të liridaljes për të takuar Vjollcën.
Rrënimi ekonomik ka sjellë edhe një degradim të gjuhës së komunikimit mes të rinjve, ushtarëve dhe femrave të rekrutuara duke krijuar një vathë fjalori vulgar të pazakontë në veprat e Kadaresë: “qytet i pjerdhur, atë plaçkën e ka si llokum, të lëroj nënën, i preku herdhet, ca pordhacë, lugu që sajohej midis kofshëve… mbyllja e rrumbullaktë pak më poshtë i ngjante një kopse ngjyrë kafe me ca rrudha e qepje anash… po ti qenke trap fare, na çave bythën me këtë, mos të dukem gjë si byths? unë të shkërdhej nënën! mos hodha ndonjë pordhë? t’i ruajnë bythën, fol, shkërdhatë, mos kakarisni, moj lavire.”
Në antitezë me këtë fjalor agresiv, gjithçka ndryshon rrënjësisht kur flitet për Butrintin dhe lidhjet e tij me antikitetin, një urë lidhëse me Trojës dhe Romës, me pandehmat se këtu mund të ketë ndaluar vetë Enea. Duke vënë historinë e këtij vendbanimi të lashtë si libër në duart e Vjollca Morinës, Kadare gjen rastin për t’u rikthyer në Trojë nga ku është ndezur zjarri që i ka dhënë jetë jo vetëm letërsisë greke, por edhe asaj botërore.
Përfundimi më i rëndësishëm pas këtij rikthimi në universin kadarejan është më i qartë se çdo herë: vepra e Kadaresë duhet rilexuar.