Leter Editorit te Diellit, nga mikja amerikane e shqiptareve, ambasadorja e kultures dhe gjuhes shqipe, Carrie Hooper/
Përshëndetje z. Editor!/
Shpresoj të jeni mirë si dhe unë jam mirë. Kisha një fundjave të ngarkuar. Të shtunën e kaluar udhëtova për në Detroit të Michiganit me ansamblin Bashkimi Kombëtar, anëtare e të cilit isha bërë para pothuaj një muaji. Takova bashkëudhëtarët e tjerë në një dalje të caktuar në Pensilvani. Kisha dhënë një koncert në Towanda të Pensilvanisë mbrëmjen përpara dhe burri që e organizoi bashkë me shoferin e tij më çuan te dalja të nesërmen.Takova grupin pa problem dhe vazhduam rrugën për në Detroit.
Mbërritëm te hoteli rrethë orës shtatë dhe pas një pushimi të shkurtër, darkuam në një restorant, Johnny’s Grill, që pronohet nga një shqiptar. Pas darkës ansambli këndoi disa këngë në verandë për mysafirët shqiptarë që kishin ardhur në restorant. Këndova Himnin e Flamurit si dhe dy këngë që i përcolla me cifteli: Mora testin dhe Shqipëria, nëna ime. Një djalë dymbëdhjetë vjeçar me emrin Adem, këndoi dy këngë dhe ne e shoqëruam me cifteli.
Gjithashtu Shaban Lajçi recitoi një poezi për Mëmëdheun. Grupi këndoi disa këngë të tjera që i shoqëruam me cifteli. Kaluam një mbrëmje të bukur.
Të dielën e kaluar në mëngjes grupi ynë hëngri mëngjes në një restorant që pronohet nga i njëjti shqiptar që pronon Johnny’s Grill.
Pas mëngjesit shkuam në Meshë në Kishën Katolike te Shën Palit në Rochester Hills. Mbas Meshës kisha shtroi një drekë për ne ku u njoha me priftin, Don Fran Kolën si dhe me shqiptarë të tjerë. Në pasditë ushtruam këngët që do të këndonim në koncertin e mbrëmjes.
Koncerti ynë u zhvillua në sallën e Kishës së Shën Palit. Tom Gjergji hapi programin duke shpjeguar veglat foklorike dhe nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare ndërsa veglat u dëgjuan të regjistruara në sfond. Pastaj këndova himnet amerikane dhe shqiptare. Për më tepër djali 12 vjecar, Ademi këndoi dy këngë, një për Adem Jasharin dhe një me titull “Të pandarë në jug dhe veri “për të cilën kishte kompozuar muzikën, dhe ne i përcollëm me cifteli dhe sharki. Gjithashtu një burrë i ra lahutës ndërsa disa burra të tjerë kënduan. Më tej Agim Rugova dhe Toma Smajlaj ekzekutuan skica me humor.
Këndova këngën “Mora testin “ që e shoqërova me cifteli ndërsa disa antarë të tjerë më shoqëruan me cifteli dhe sharki. Gjithashtu këndova këngën “O popull i dashur”, që kompozova unë duke e shoqëruar veten me pianon elektrike. Shaban Lajçi recitoi disa poezi dhe koncerti përfshiu këngë të tjera folkrorike. Kjo veprimtari doli shumë bukur.
Pas koncertit u nisëm për në Bronx të Nju Jorkut. Pasi udhëtuam gjithë natën mbërritëm atje herët në mëngjes. Kalova ditën e së hënës me shoqen time, Violetën dhe burrin e saj, Shpëtimin. Dje udhëtova me autobus për në shtëpi. Kalova një fundjave të paharrueshme në Detroit. Tani po mbyll duke ju uruar gjithë të mirat.
Të fala,
Carrie Hooper