nga MSC. Albert R. HABAZAJ/ STUDIUES/
Kemi patur dëshirën dhe mundësinë për t’u njohur me burime e studime mbi festat kalendarike, ritualet e motmotit, ritet parake dhe letërsinë popullore mbi to. Përmendim me nderim botimet monografike “Mitologjia ndër Shqiptarë” dhe “Etnologjia e Shqiptarëve” të akademik Mark Tirta, “Etnologjia dhe folkori shqiptar” nga Prof. Dr. Agron Xhagolli, punimin dispencial “Ritet dhe këngët e tyre” nga Prof. Dr. Miaser Dibra, artikuj të tjerë shkencorë nga Prof. Dr. Afërdita Onuzi, Prof.as. Dr. Nebi Bardhoshi, Arbnora Dushi, Kadri Halimi, Halil Kajtazi, Albana Velianj, Bledar Kondi, Shefqet Hoxha, Fejzullah Gjabri etj. Gjatë kërkimeve të motivuara për të gjetur arketipin, gërmoja nëpër bibliotekat e Tiranës dhe të Vlorës, vëreja ku shiteshin libra të vjetër, kur fati ma bie në dorë afërsisht ç’kërkoja. Një ish – student nga Vlora, më dhuron një libër, ku, nga kapaku, faqja e titullit dhe kolofoni, bëhet fjalë për monografinë “Këngë popullore lirike”, Instituti i Shkencave, punuar nga GJ. KOMNINO, Tiranë, 1955, f. 346. Bëhet fjalë për një nga punët e vlerta të poetit, përkthyesit, antifashistit të orëve të para, atdhetarit, që dhe në burg mblidhte folkorin, intelektualit të persekutuar, profesorit të Letërsisë së Durrësit, Gjergj Komnino. Studiuesja dhe poetja Flora Gjondeda Dervishi, me monografinë “Viset e preme” njeh lexuesit e sotëm dhe studiuesit e rinj me personaliletin e të paharrueshmit Gjergj Komnino, ngritur mbi dy kolona të forta, kolona e parë: Krijimtaria letrare e Gjergj Komninos, me shtatë vepra të botuara nga Marzocco, Firence në vitet 40-të, si dhe disa materiale dorëshkrimore; si dhe kolona e dytë: veprimtaria kërkimore, në 50 volume me Visaret e Kombit, të mbledhura nga Gjergj Komnino në vitet 1949 -1857, të kyçura në arkivin e Insitutit të Kulturës Popullore, me kodin sekret: AF2. Kur ai punonte si bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Folklorit, në disa nga ekspeditat kërkimore folklorike, ishte me të shoqen Veronikën, si mbledhëse. (edhe ajo e koduar AF3). Një histori e hidhur e jetës së këtij çifti është sa absurd, aq tronditëse: më 1957 u prangosën edhe Gjergji, edhe Veronika 24 vjeçe, me vajzën e vogël dhe përsëri shtatzanë…Në studime dhe botime të ndryshme, për festat parake (ato më të vjetrat, të lashtat), gjejmë cilësime të ndryshme, si Rite Kalendarike, (Tirta), Këngët e Motmotit (Xhagolli), Këngët Rituale (Dibra), Festat Tradicionale (Onuzi), Festat e Vitit (Komnino). Sipas punimeve etnokulturore të Gjergj Komninos, për popullin shqiptar kanë qenë të pranishme Festat e Vitit, nga të cilat, disa prej tyre mbahen mend edhe sot deri tek banorët e moshës 55 apo dhe 50 vjeç. Duke bërë një udhëtim përmes kohëve, kujtesa sociale na sjell festat për Kolendrat, Vitin e Ri, Ditën e Verës, Llazoret, Rusicat, Shëngjergjin dhe Për të rënë shi në verë. Pikërisht për këto festa të vitit marrin informacionin e mjaftueshëm lakonik nga shkrimet e Gjergj Komninos (1920 – 1996).
KOLENDRAT: Më 23 të dhjetorit bëjnë kolendra. Më 24 është dita e kolendravet. Djemtë, në mbrëmje, mblidhen në një vent, ku këndojnë e lozin gjer në mes të natës. Pastaj venë shtëpi më shtëpi, dhe me një çomiklë ose çomage u bijen dyervet e portavet. Zonja e shtëpisë ngrihet dhe hap portën. Me gjithë që është kohë gjumi nuk zëmërohen se u kanë prishur qetësinë kolendarët, të cilët këndojnë këngën e rastit. Si mbarojnë, zonja e shtëpisë u jep nga një kolendër dhe nga pak gështenja.
VITI I RI: Natën, përpara se të vijë, në Kosovë të Përmetit, grat’ e çdo familjeje gatuajnë një byreksheqer dhe, përpara se të shtrohet darka, venë në çdo vend të shtëpisë duke kënduar: “Olek bolek plot me buk’ e bereqet,/ Me hambarë e me qilarë,/ Me nuse e djem gëzuarë!”. Në Paftal të Beratit mblidhen njerëzit e familjes rreth vatrës, hedhin në zjarr fletë përckash ose kokrra gruri edhe kujtojnë n’atë cast emërin e njërit, p.sh. për NN. Po të hidhet përpjetë përcka ose kokrra e grurit e të kërcasë, tregon se do të gëzojë shëndet të plotë gjithë atë vit; po nuk u hoth përcka a gruri përpjetë tregon të kundërtën. Bëjnë edhe kulaç me brumë të ardhur dhe venë një parà brënda. Darkën e vitit të ri këtë kulaç e presin në aqë pjes sa janë pjesëtarët e familjes dhe të gjithë marrin nga një copë. Kush gjen paranë ai do të ketë fat. Në disa vise bëjnë byrek me trahana e kulaç me vezë dhe ditën e vitit të ri në mëngjes shkojnë në vreshtë dhe rrukullisin çiliminjtë nëpër hardhitë; pastaj presin tri degë hardhi, të cilat i marrin dhe i bëjnë kurorë duke u vënë edhe një llastar ulliri. Vendit të hardhisë ku u pre dega i hedhin verë e i vënë pak byrek me trahana. Kurorën e hardhisë, që e ruajnë jashtë shtëpisë, e hedhin ditën e Ujit të bekuar në krua anë ndonjë rrëke.
DITA E VERËS: Dita e Verës festohet më 14 Mars dhe zgjat dy ditë. Çdo festë fillon që pas drake të ditës së parë. Gjithë njerëzit, po sidomos fëmijët, dalin nëpër fusha, këndojnë, lozin valle, mbledhin lule; djemtë mbledhin edhe dëllinja. Lulet vajzat i vënë nëpër vrimat e murit, nëpër dritoret e nëpër portat. Gjithë pasdrekja shkon duke shëtitur nëpër fusha. Në mbrëmje ndezin dëllinja (bëjnë dumenë). Dumenë e ndezin rreth shtëpisë ose nëpër livadhet pranë; fëmijët hidhen përsipër zjarrit, tundin edhe zile. Kur ndezin dumenë, ndodhen edhe gjithë njerëzit e shtëpisë. Më vonë bëjnë “piligrinë” e në këtë kohë thonë: “piligri, moj piligri, mos dil jashtë, t’i mbush sytë me hi”. Në Kosovë të Përmetit darkën e Ditës së Verës bëjnë gati kuleçët. Në mëngjes pa gdhirë nëna vete në krua, lag kulaçin dhe kthehet me dorjen plot me ujë kroi e me bar të njomë. Me të hyrë në shtëpi, spërkat çdo qoshe që të mos ketë pleshta e çimka gjatë verës. Pastaj u njom fytyrën gjithë njerëzve të shtëpisë që të mos i zënë ethet dhe uron për shumë vjet Ditën e Verës. U jep ëmbëlsira e vezë fëmijve duke u thënë: “qofshi të ëmbël si sheqeri e të bardha si veza”. Para se të gdhihet, nusja e re merr një vezë, pak verë e bukë, rri në oborr dhe, duke përsëritur: “Qofsha e bardhë si veza dhe e kuqe si vera”, ha nga pak bukë e pi pak verë dhe vezën e shkon rreth fytyrës. Në Opar fëmijët, kur ngrihen në mëngjes, prekin me dorë nga një copë hekur, se e kanë për mirë. Ditën e Verës ngrihen të gjithë shumë shpejt dhe duke marrë me vehte kuleçë, vezë, sheqer, mjaltë, venë në krua që të lahen. Në krua thonë tri herë: “Mirë mëngjes, o krua, lashë të ligat dhe mora të mirat”. Edhe kulaçin e lagin tri herë dhe secili e mkafshon tri herë; gjithashtu edhe vezën. Në krua vete çdo djalë me babanë, nënën ose me ndonjë të afërm të shtëpisë. Kulaçi që hanë në krua quhet “kulaçi i kroit”. Kur kthehen nga kroi, u thonë njerëzve të shtëpisë: “mirë mëngjes” dhe këta u përgjigjen: “mirë se na arthtë”. Pastaj përsëri ata që ishin në krua u thonë: “me shëndet, me bereqet”. Në shtëpi fëmijët marrin nga një mollëe nga një lugë sheqer. Bukët në këtë ditë i zënë me qiqër. Fëmijët shëtitin nëpër fshat, venë në çdo shtëpi, ku marrin vezë. Ata i urojnë: “paçi këmbën e mbarë!” Për atë që vete për herën e parë Ditën e Verës në një shtëpi thonë “ na bëri këmbë”. Me vezët që mbledhin fëmijët lozin duke i përpjekur dhe kujt i del veza më e fortë ja merr tjetrit. Ditën e verës fëmijët lyhen me mjaltë në ballë. Të gjithë vishen me rroba të ra e nuk punojnë gjithë ditën. Duke u bazuar në tekstin”Këngë popullote lirike” Tiranë, 1955, botim i Institutit të Shkencave, punuar nga Gj. Komnino, janë botuar 9 këngë për Ditën e Verës dhe përkatësisht të regjistruara në Shkodër, Lumë, Servan – Skrapar, Shqiptarët e Molizës, Shpat – Elbasan, Këngët Nº. 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9,10, që gjenden në tekst nga f. 266 – 269 këndohen ditën e verës, sipas kërkuesit shkencor Komnino). Po paraqes për lexuesin e “DIELLIT” dy njësi folklorike. E para vjen nga Shkodra: “Tue dalë e duel vera, joho del verë,/ Ti na dalsh me t’mira shumë,/ Ti na dalsh me djem shumë, /Ti na dalsh me nuse shumë, / Ti na dalsh me shtjerra shumë,/ Ti na dalsh me dhen shumë!” Tjetra vjen nga Shpati i Elbasanit: “Lumja ti, moj lulevere,/ Q’ më ke nanën topsheqere;/ Kur të çon, të ledhaton,/ Tyj qafën, moj, të drejton./ Mjera ti, moj manushaqe,/ Q’më ke njerkën si farmaqe;/ Kur të çon, moj, të dërmon,/ Tyj qafën, moj, të shtrembron” etj.
LLAZORET: Kur vjen pranvera, fëmij në moshë të rritur e bile edhe burra, dalin në mbrëmje vonë, mbasdarke, e shkojnë në çdo derë, duke kërkuar vezë; populli i quan llazorë; kanë dalë llazoret,d.m.th.po vjen pranvera. Sipas librit të cituar më lart të Komninos, janë 4 këngë të botuara për Llazoret dhe pikërisht këngët me nr. 13, 14, 15, 16 , f. 270 – 271, regjistruar në Shingjergj, Pogradec, Jugë dhe ndër Shqiptarët e Greqisë, të cilat banorët i këndojnë në këtë ditë. Po e konkretizojmë me dy këngë: E para ven nga Pogradeci: “Lele, lele, moj llazore,/ Ngaj na hyre, ngaj na dole:/ Nëpër baçe flytyrove,/ Lele, lele, moj, llazore”. Dhe tjetra po nga Shqipëria e Jugut: “O pullumth, o pullumth-o,/ Mos më pe Lazuarë?/ Këtu drejt më shkuanë./ Ndë derë të Zotit-ë/ Ay Zot, se qysh punon:/ Kill e aspër numuron./ Darovit Lazuarë,/ Ashtu dalç gëzuarë!/ Me djathë ndë napëz,/ Me nuse për qafëz./ Sa lule ndë Tomor,/ Aqë nuse ndë obor!/ Sa lule ndë qershi,/ Aqë djem ndëpër shtëpi!”
Për festat e tjera kalendarike, siç janë Rusicat, Shëngjergji, Për të rënë shi në verë, sipas Gjergj Komninos etj. do të lexoni në numrat që vijojnë
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.