Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Paraprakisht më duhet të theksoj se është tepër e vështirë dhe njëkohësisht e rëndësishme, të shprehësh një mendim personal për rrugën dhe ecurinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në të ardhmen. Qartësisht kjo vjen si pasojë direkte e faktit që çdo individ në mbarë globin ka mendimet, shpresat, dëshirat, parashikimet e tij dhe në të njëjtën kohë çdo studiues apo lexues e shikon të ardhmen sipas këndvështrimit të tij.
Në këtë koncept efektivisht ajo ç’ka mund të shpreh qartë, është fakti se unë mund të jap vetëm një alternativ të mundshme të ndryshimit të botës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërmjet disa opsioneve. Absolutisht mendimi im primar është që individi, pra qytetari i botës është ai që luan rolin kryesorë për ta bërë atë ashtu siç ai dëshiron. Ndoshta bota që unë mendoj si ideale për të ardhmen, është e kundërta e botës që mendon një person tjetër, në këtë sens askujt nuk i lind e drejta të ketë të drejtë në këtë pikë. Gjithçka në këtë botë është relative, ajo ç’ka mund të jetë ideale për mua, mund të jetë jo ideale për ju, prandaj secili prej nesh duhet të punojë që ta bëjë botën e tij të së ardhmes sa më ideale.
Viti 2015 dhe shekulli në të cilin jetojmë është shekulli i zhvillimeve të mëdha për njerëzimin, një vlerë unike për marrëdhëniet ndërkombëtare ka edhe sistemi ndërkombëtarë. Sot që flasim sistemi ndërkombëtar është në një ndryshim të vazhdueshëm, dhe si koncept ka ndërveprimin në bazë të një grupi “rregullash loje”, të përcaktuara qartë dhe të sanksionuara prej një kohe të gjatë, të cilat udhëheqin atë që vështrohet si shtet dhe mënyrën se si këto rregulla së bashku formësojnë sistemin ndërkombëtar që ne njohim.
Sipas mendimit tim personal sovraniteti shtetëror ka rëndësi sot në vitin 2015, por absolutisht që do të këtë rëndësi edhe në të ardhmen, megjithëse rëndësia e tij mund të zbehet paksa duke u kundërpeshuar edhe më shumë me parimin e vetëvendosjes. Në këtë koncept si sistemi ndërkombëtar dhe normat ndërkombëtare, në vijim përherë e më shumë nuk do ta njohin të drejtën e një qeverie për të sunduar një popullsi të caktuar, me forcë dhe kundër dëshirës së saj dhe për të shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që janë universal për të gjithë globin.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme e të gjitha kohrave, që në momentin e themelimit të saj në vitin 1945 në San Francisko nga 51 shtete si pasardhësja e Lidhjes së Kombeve e deri më sot. Rëndësia dhe efikasiteti i saj ka ardhur përherë e në ngritje për sa i përket realizimit të qëllimit të saj kryesorë të sanksionuar në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shprehem pozitiv përsa i përket rolit dhe së ardhmes së OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të tjera të karakterit global dhe rajonal si BE, NATO, OBT, OCDE, OSBE etj. Në të ardhmen OKB-ja do të forcohet më shumë duke u kthyer pothuajse në një qeveri e cila është tërësisht e pavarur nga shtetet dhe do të ketë fuqi më të madhe vendimarrje. Në të njëjtën kohë besojë se e ardhmja për OKB-në do të zgjidhë përfundimisht problemet e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe mënyra e votimit duke e kthyer punën e saj më demokratike dhe efikase.
Forcat ushtarake dhe armët e shkatërrimit në masë, sot përbëjnë një nga temat e rëndësishme të diskutimeve ndërmjet shteteve në arenën ndërkombëtare. Armët e shkatërrimit në masë përfshijnë tri lloje të përgjithëshme:
1.) Armët Bërthamore.
2.) Armët Kimike.
3.) Armët Biologjike.
Armët bërthamore u krijuan gjatë Luftës së II-të Botërore dhe që nga ajo kohë janë ndërtuar dhjetra armë bërthamore, sot tetë ose nëntë shtete kanë të paktën disa armë të tilla. Lufta e Ftohtë ishte tepër delikate sepse vuri përballë dy superfuqi të kohës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik në një garë të fortë të prodhimit dhe zotërimit të armëve bërthamore por pa i përdorur ato. Sot ka shumë shtete që aktualisht prodhojnë dhe testojnë armë bërthamore si SHBA-ja, Rusia, Kina, Izraeli, Irani, India, Pakistani, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut dhe Taivani. Kjo vjen si pasojë dhe shkak i konflikteve dhe krizave rajonale që ato kanë ose kanë pasur në të shkuarën. Sidoqoftë viti 2015, është treguesi i qartë i përpjekjeve për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare që përcktojnë mënyrën e zhvillimit, normat dhe kontrollin e armëve bërthtamore, si në rastin e marrëveshjes SHBA-Iran të ndërmjetësuar edhe nga Rusia.
Përsa i përket së ardhmes së sistemeve ushtarake dhe armëve të shkatërrimit në masë, shpreh mendimin se zhvillimet tekonologjike ushtarake të kohëve të fundit, gjithnjë e më tepër do të përfeksionohen dhe forcat ushtarake të shteteve do të bëhen më të fuqishme dhe më profesionale në arritjen e rezultateve të tyre. Në të ardhmen do të kemi konflikte të shumta ushtarake ndërmjet shteteve të ndryshme të botës, por praktikisht rritja e fuqisë ushtarake për të gjithë shtetet do të çojë në uljen e rrezikut të përdorimit të armëve bërthamore, ç’ka është tepër pozitive për mbarë njerëzimin. E ardhmja do të jetë më e sigurtë përsa i përket sigurisë së mospërdorimit të këtyre armëve dhe kjo si pasojë e rritjes së aftësisë ushtarake, zhvillimeve të teknologjisë ushtarake dhe bërthamore. Kjo nënkupton se perdorimi i tyre në të ardhmen do të jetë më pak i dëmshëm sepse teknologjia do të mundësojë që sulmet ushtarake të jenë përzgjedhëse pa shkatërruar dhe dëmtuar persona të pafajshëm.
Ndërsa në lidhje me ekonominë dhe politikën ndërkombëtare, zhvillimet e shpejta të ditëve të sotme dhe të këtij shekulli kanë treguar e tregojnë se bota po shkon drejt zhvillimit ekonomik dhe politik tepër të vrullshëm dhe pozitiv. Në të ardhmen ekonominë dhe tregtinë ndërkombëtare do ta mbizotërojë ekonomia liberale, mallrat në të gjithë arenën ndërkombëtare do të mund të lëvizin më lirshëm dhe pa paguar tarifa dhe në të njëjtën kohë do të hiqen pengesat doganore, liri lëvizje e mallit, lehtësira për krijimin e pasurive dhe koorporatave shumëkombëshe.
Është i rëndësisë kardinale përqasja që do të ketë në të ardhmen globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sferën ekonomike dhe politike, shprehem i bindur se në të ardhmen do të ndjehemi qytetarë të botës realisht. Njeriu në të ardhmen, në fazën e globalizimit do të ketë lëvizje totalisht të lirë në të gjithë botën, shkëmbime ekonomike, tregëtare, kulturore, shkencore do të jenë të shpejta dhe efikase, si shkak i zhvillimit teknologjik të komunikimit dhe informacionit. Fusha të tilla si marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia, politika, ekonomia, shkenca, kultura, shëndetësia, drejtësia, sporti do të marrin kuptim universal.
Globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka filluar që në kohët që jetojmë dhe në të ardhmen zhvillimi do të jetë më efikas. Në këtë pikë diplomatët që përfaqësojnë shtetet e tyre në vënde të ndryshme, janë të angazhuar tërësisht për përmirësimin dhe ngritjen e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës së jashtme shtet më shtet në nivele të reja. Arsyeja se përse në të ardhmen do të ndodhin këto ndryshime, janë si pasojë e zhvillimit supersonik të tekonologjisë së komunikimit.
Zhvillimi dhe globalizimi botëror do të ketë edhe koomponetë që nuk do të ndryshojnë si gjuha, që do të jetë kjo që është edhe sot për secilin shtet, me gjithë evolucionin gjuhësorë përkatës, pra në të ardhmen nuk do të kemi një gjuhë botërore të vetme. Ky fakt lidhet me identitetin, patriotizmin, nacionalizmin kombëtar të shteteve dhe kombeve. Kultura, tradita, monedhat e shteteve sado të zhvillohen dhe përafrohen ose të universalizohen, ato kurrë nuk do të mund të zhduken. Individi që nga lashtësia është i lidhur ngushtë me identitetin, gjuhën, origjinën, flamurin, kulturën, traditën të cilat janë të pazëvëndësushme për këdo. Prandaj globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sferat politike, ekonomike, shkencore, politike, kulturore janë tepër të rëndësishme për tu studiuar. Sfidat e së ardhmes për marrëdhëniet ndërkombëtare shtet më shtet, do të jenë të një niveli krejt tjetër por sigurisht të përmirësuara.
Shprehem me sinqeritet dhe siguri se marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bota të cilën përfytyrojë dhe mendoj në të ardhmen, ndoshta është vetëm bota që unë ëndërroj. Askush dhe asgjë nuk duhet të ndërhyjë në idealet dhe pritshmëritë tona për të ardhmen, sepse ato janë dhe mbeten idealet tona.
Viti 2015, në të cilin jetojmë është viti i pikënisjes së mendimit mbi botën e së ardhmës, por po kaq e vërtetë është që askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen dhe atë që do të ndodhë. Në parashtrimet e mësipërme ajo që nxjerr si konkluzion, është fakti i thjeshtë se ne si qytetarë të botës aktuale luajmë rol vendimtar në drejtimin që ajo merr në të ardhmen. Individi duhet të mendojë dhe analizojë thellë të ardhmen, qytetarët në çdo shtet të botës kanë rol unik në drejtimin e botës, zgjedhjet dhe veprimet që ndërmarrim ndikojnë sot por edhe në të ardhmen. Ne njerëzit e kësaj bote nuk mund të zgjedhim që të mos jemi pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjithesecili prej nesh kush më pak e kush më shumë është i përfshirë dhe ndikon në ecurinë e tyre. Individi mbart në vetëvete forcë dhe potencial të pafund, pikërisht këtë potencial ne duhet ta përdorim për tu afruar sa më tepër botën e së ardhmes që dëshirojmë. I qëndroj mendimit se gjithesecili duhet të përcaktojë me veprime, mosveprime dhe zgjedhje vëndin në të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Bota është e jona përtej çdo kufiri shtetëror mendoni, studioni, punoni, kujdesuni për të sepse është bota juaj.
*E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com
Tiranë, Shqipëri
Tiranë më 03 / 08 / 2015