• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse Bashkimi Europian i tha “JO” negociatave me Shqipërinë

June 27, 2018 by dgreca

NGA ERALDO MEÇALLA/*

 Hapja e negociatave me Bashkimin Europian është një proçes i shumëpritur për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, por kjo “jo” ishte e merituar dhe kush nuk mendon kështu gabon dhe shumë madje. Arsyeja është e thjeshtë moshapja e negociatave për Shqipërinë në vetëvete nuk i pëlqen as shteteve europiane sepse dalin kundër parimeve politike, ekonomike dhe diplomatike që kërkon koha dhe sfidat europiane. Refuzimi mbart vlera duke treguar seriozitetin e BE-së në mosmbylljen e syve si të verbër përpara shumë problematikave që na karakterizojnë në përgjithësi si shtet dhe shoqëri.

Momenti politik, ekonomik, diplomatik dhe shoqëror që jëtojmë ne si shqiptarë europian në hartë por aspak në rezultate ndikoi 100% në moshapjen e negociatave. Problemin kryesor duhet ta shohim tek rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve ose “Ligji i Vettingut”. Ky është një alarm një grusht europian drejtuar institucioneve që po kryejnë këtë proçes të cilët duhet të punojnë më seriozisht dhe të rrisin stekën në mënyrën e rivlerësimit, vetëm kur të ketë arrestime të bujshme ose “peshq të mëdhëj” në rrjet do të hapen negociatat.

Vetë politika ndërkombëtare dhe konkretisht ajo europiane është e interesuar për zgjerimin sepse zgjerim do të thotë stabilitet dhe siguri rajonale dhe ndërkombëtare, marrëdhëniet ndërkombëtare kanë në bazë hapjen dhe jo mbylljen. Për të kuptuar ngurimin nga ana e BE-së në hapjen e negociatave mjafton të analizojmë reformat e kryera nga shteti shqiptarë dhe mënyrën e plotësimit të 5-së kritereve kyçe, ka shumë hapësira boshe që duhen mbushur. Shteti duhet të marrë masa urgjente në përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes së personave të implikuar në trafik droge, aktivitetet e krimit të organizuar, korrupsionin brenda sektorit publik, uljen e numrit të emigrantëve shqiptarë në BE, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe reforma zgjedhore.

Normalisht Bashkimi Europian mund të kishte thënë “po” por një “jo” e fortë tregon se BE-ja po kujdeset politikisht dhe diplomatikisht për rajonin e Ballkanit. Tashmë rruga për hapjen e negociatave shkon përtje qeshorit 2019 dhe deri atëherë Shqipërisi i duhet të punoj fort për të arritur përparim në reformat e mësipërmë.

  • Specialist i Marrëdhënieve Ndërkombëtare/

E-mail:mecallaeraldo@yahoo.com/

Tiranë, Shqipëri

 Tiranë më 27.06.2018

 

Filed Under: Politike Tagged With: Eraldo Mecalla, Negociatat BE -Shqiperi, PSE JO

“Zonja e Diplomacisë”, Presidente e 45-të e SHBA-së

October 25, 2016 by dgreca

 

Opinion nga MSc. Eraldo MEÇALLA/Tiranë/*Eraldo Meçalla

 Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/

83818444SO015_OBAMA_ANNOUNC

Së pari, më duhet ti bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve të Amerikës që të mbështesin dhe votojnë znj.Clinton për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 8 nëntor 2016, pavarësisht se vota e tyre në Zgjedhjet Presidenciale të 2016 në përqindje nuk ka ndikim të madhë në elektoratinn amrikan, sidoqoftë ajo mbetet votë dhe pozicionim i duhur në momentin e duhur ka vlerë dhe duhet treguar qartë sepse me anë të kësaj mbështesim kauzën shqiptare.

Duke njohur mirë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë, më duhet të theksojë se ky rast është unik për Shqipërinë dhe interesat e saj dhe jemi shumë me fat që e jetojmë këtë moment. Familja Clinton e ka treguar veten me mbështetjen përkundrejt Shqipërisë dhe Kosovës, të mos harrojmë kurrë se ishte Presidenti i SHBA-së z.Bill Clinton që i shpëtoi shqiptarët nga masakrat, spastrimet etnike dhe gjenocidi i vitit 1999 duke udhëhequr fushatën e bombardimeve të NATO-s në Serbi, kundër regjimit diktatorial dhe famëkeq të Sllobodan Millosheviçit. Nga ana diplomatike znj.Clinton është njohëse e mire e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe mbështet pavarësinë e Kosovës, zgjedhja e saj Presidente do të ndikonte në një mbrojtje më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e në Malin e Zi, do të forconte dhe konsolidonte më tej marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërise dhe SHBA-së, do të mbështeste Proçesin e Berlinit për shtetet e Ballkanit Perëndimorë dhe sigurisht do të jetë përkrahë shtetit Shqiptarë në proçesin e hapjes së negociatave per aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nëtë njëjtën kohë avancimin e normalizimit të dialogut dhe marrëveshjeve të mëtejshme Kosovë – Serbi. Znj.Clinton gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti e SHBA-së vizitoi Shqipërinë në vitin 2012 dhe në fjalimin e saj në Kuvendin e Shqipërisë në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë theksoi: “Jam sot këtu, në këtëçast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju per 100 vitet e para të pavarësisë dhe do qëndrojnë me ju edhe 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.

Që nga pavarësia e 240 viteve më parë dhe me 44 Presidentë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë pasur në krye të shtetit një grua, por kjo ka shumë gjasa që të ndryshojë pas datës 8 nëntor 2016, kur kandidatja e Partisë Demokratike znj.Hillary Clinton do të mposhtë në Zgjedhjet Presidenciale të SHBA-së kandidatin e Partisë Republikane z.Donald Trump.

SHBA-ja është superfuqia më e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë globale, momenti që po jetojmë paraqet sfida për të gjithë sistemin ndërkombëtarë në të gjithë globin ka luftëra, konflikte, kriza ekonomike, terrorizëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, emigrim masiv dhe këto probleme ndërkombëtare kerkojnë zgjidhje. Roli i Amerikës është i pazëvëndësushëm prandaj i nevojitet një President i kualifikuar për pozicionin dhe sfidat që paraqet koha që jetojmë në nivelin e politikës së brëndshme dhe të jashtme. Këto sfida kërkojnë një njëri me vizion, eksperiencë, potencial intelektual të lartë, të vendosur dhe të qëndrueshëm, të ftohtë në vendimarrje dhe më kryesorja me aftësinë për të menduar me kujdes dhe qartësi përpara se të veprojë për çështjet e politikës së brëndshme dhe të jashtme. Mendoj që këto pika janë në favour të znj.Clinton pasi ajo i posedon të gjitha këto karakterisitika për të qënë udhëheqëse dhe i ka forcuar ato përgjatë viteve, pra ajo zotëron eksperiencën, posturën dhe karizmën e një udhëheqëse. Në të kundërt mendojë që z.Trump nuk është i kualifikuar në këto drejtime dhe kjo nuk ofron aspak siguri për ta votuar.

Znj.Clinton zotëron cilësi të shkëlqyera diplomatike se si të bëjë kompromis, dialog, marrëveshje, komunikim dhe udhëheqje me inteligjencë, etikë dhe prespektivë. Për këtë e ndihmojnë eksperiencat e mëparshme në shërbimin publik si Zonjë e Parë, Senatore dhe Sekretare Shteti e SHBA-së. Një udhëheqës duhet të jetë i kujdesshëm që gjatë fjalës së tij të mos deklarojë gjëra që inkurajojnë dhe frikësojnë aleatët dhe armiqtë, praktikisht kërkohet një qeverisje e pjekur, e sigurt dhe racionale. Kjo personifikohet mjaft qartë tek znj.Clinton e cila përballë presioneve të mëdha gjatë detyrës si Sekretare Shteti e SHBA-së, gjithmonë ka ruajtur qetësinë nën situatat e presionit por ka ditur edhe të jetë e fortë dhe e palëkundur në momentet thelbësore. Ndërkohë, z.Trump ka treguar se shpeshëherë gjatë fjalimeve të tij nuk ka ruajtur etikën, ka përdorur fjalë vulgare, fyese dhe tërësisht jo të denja për një udhëheqës sepse nga një kandidat për President kombi më demokratik i botës SHBA-ja pret përmbajtje, cilësi dhe  thelb në argumentet e tij dhe jo reagime të nxituara dhe pa dinjitet.

Në politikën e jashtme të SHBA-së, znj.Clinton është për një një ndërhyrje më të drejtëpërdrejtë në konfliktet globale dhe kjo ofron siguri dhe pozicionim më të mirë për të siguruar rezultate të favorshme për konfliktet dhe sfidat globale. Thënë më qartë Doktrina e Clinton është për Udhëheqjen e SHBA-së në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jo Izolim. Si kundërpërgjigje ndaj interest të Rusisë në Evropë znj.Clinton është për forcimin e Iniciativës Europiane të Sigurisë duke vendosur sasi më të mëdha tëtrupave aleate dhe armatime në Europën Lindore. Ndërsa në konfliktin e Sirisë, znj.Clinton është për favorizimin e një zone ndalim-fluturimmi dhe një zone ekskluzive për refugjatët në të cilën NATO do të kontrollojë qiellin, Turqia do të sigurojë forcat tokësore, Bashkimi Evropian do të mbikqyrë zonat e refugjatëve dhe OKB-ja do të monitorojë kanalet diplomatike të Sirisë. Doktrina Clinton nuk është perfekte sepse do të duhet një kohë e caktuar për të arritur mbështetjen e duhur të platformës së saj të fortë në politikën e jashtme në mesin e popullit amerikan, sidoqoftë politikat e saj janë më premtuese se politikat jokoherente të z.Trump.

Znj.Clinton ka argumentuar dhe mbrojtur çështjet e SHBA-së përpara udhëheqësve të huaj në situata miqësore dhe armiqësore me fleksibilitet, diplommaci dhe aftësi, ajo ka fituar respektin duke treguar se i njeh mire çështjet, histroinë dhe faktet. Kjo e bën atë një person e cila mund të përballet me sfidat në marrëdhëniet me Rusinë, Kinën, Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut dhe shtetet të tjera. Vetë Presidenti i SHBA-së z.Barack Obama ka shprehur vlerësimin dhe optimizmin mbi znj.Clinton mbi triumfin që do të ketë ajo në Zgjedhjet Presidenciale kundër z.Trump, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Filadelfia ai u shpreh se: “Asnjëherë nuk ka pasur burrë apo grua, as unë, as Bill Clinton, kaq të gatshëm të bëhet President i SHBA-së. Unë jam optimist më shumë se kurrë për të ardhmen e Amerikës”.

Nëse marrim në konsideratë programet politike dhe qëndrimet e dy kandidatëve në politikat e emigracionit, shëndetësisë, taksave, ekonomisë, qëndrimin mbi Irakun, ligjin për të drejtën e armëve, qëndrimin mbi Sirinë dhe ISIS-in, marrëveshjen me Iranin, qëndrimin mbi Afganistanin dhe shumëçështje të tjera, znj.Clinton ka më shumë shanse të votohet nga populli amerikan sepse programi dhe qëndrimet e saj janë tepër profesioniste dhe shpresdhënëse. Fakti thelbësorë që e bën fituese znj.Clinton është vetë kundërshtari dhe cilësitë e tij të këqija si mungesa e etikës, paragjykimet, cinizmi, racizmi të cilat janë të patolerueshme dhe i lehtësojnë rrugën drejt fitores. Në aspektin e politkës së jashtme z.Trump është treguar diletant në fjalimet e tij, duke mosrespektuar shtete, udhëheqës dhe marrëveshje ndërkombëtare të arritura që nga Lufta e Ftohtë. Z.Trump, përbuz themelet e të Drejtave dhe Lirive Themelore te Njeriut, të Drejtat Ndërkombëtare, kërkon të shfuqizojë arritjen më kardinale të diplomacisë Amerikane si noramilzimi i marrëdhënive diplomatike SHBA-Kubë, kërkon të krijojë acarime në marrëdhëniet me Kinën, qëndrime problematike përkundrejt Rusisë, rrezik për përdorimin e Armëve Bërthamore. Z.Trump mjaft herë ka kritikuar gratë, refugjatët, gazetarët, pesonat me aftësi të kufizuar, afro-amerikanet, meksikanët, myslimanët, ndërsa znj.Clinton ka qënë një avokate dhe mbrojtëse e të drejtave të grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, barazi për komunitetin LGBT, respekt per emigrantët. Si mundet që një idivid i tillë të drejtojë politikën e jashtme të SHBA-së me shtete Myslimane dhe të Amerikës sëJugut ?

Sistemi ndërkombëtarë në të cilin jetojmëna përballë me sfida dhe zhvillime të shpejat dhe dramtike në kontekstin politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare, prandaj kërkohet reagim nga shtetet e fuqishme. SHBA-ja është superfuqi globale dhe nuk mund të mendohet të qëndrojë asnjëanëse dhe e izoluar në një botë që kërcënohet nga terrorizmi ndërkombëtarë, konfliktet dhe luftërat. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare baza e zhvillimit ndërmjet shteteve nuk është “izolimi” por  “hapja”, në këtë kuptim kërkohet nga SHBA-ja forcimi dhe zhvillimi i një bashkëpunimi ndërkombëtarë në aspektin rajonal dhe global. Vetëm në këtë mënyrë paqja dhe siguria ndërkombëtareështë e sigurtë për mbarë globin. Do të jetë populli amerikan që do të zgjedhë në rrallë të parë për sfidat kombëtare por edhe për sfidat ndërkombëtare, kombi amerikan kërkon siguri dhe arritjen e të gjitha vlerave universal globale per prosperitet, këtë mund ta realizojë vetëm “Zonja e Diplomacisë”, Hillary Clinton.

  • Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/

E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com

Tiranë, Shqipëri

Tiranë më, 25 / 10 / 2016

 

Filed Under: Politike Tagged With: “Zonja e Diplomacisë”, e SHBA-së, Eraldo Mecalla, Presidente e 45-të

Një vështrim në perspektivë, mbi marrëdhëniet ndërkombëtare

August 3, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Paraprakisht më duhet të theksoj se është tepër e vështirë dhe njëkohësisht e rëndësishme, të shprehësh një mendim personal për rrugën dhe ecurinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në të ardhmen. Qartësisht kjo vjen si pasojë direkte e faktit që çdo individ në mbarë globin ka mendimet, shpresat, dëshirat, parashikimet e tij dhe në të njëjtën kohë çdo studiues apo lexues e shikon të ardhmen sipas këndvështrimit të tij.
Në këtë koncept efektivisht ajo ç’ka mund të shpreh qartë, është fakti se unë mund të jap vetëm një alternativ të mundshme të ndryshimit të botës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërmjet disa opsioneve. Absolutisht mendimi im primar është që individi, pra qytetari i botës është ai që luan rolin kryesorë për ta bërë atë ashtu siç ai dëshiron. Ndoshta bota që unë mendoj si ideale për të ardhmen, është e kundërta e botës që mendon një person tjetër, në këtë sens askujt nuk i lind e drejta të ketë të drejtë në këtë pikë. Gjithçka në këtë botë është relative, ajo ç’ka mund të jetë ideale për mua, mund të jetë jo ideale për ju, prandaj secili prej nesh duhet të punojë që ta bëjë botën e tij të së ardhmes sa më ideale.
Viti 2015 dhe shekulli në të cilin jetojmë është shekulli i zhvillimeve të mëdha për njerëzimin, një vlerë unike për marrëdhëniet ndërkombëtare ka edhe sistemi ndërkombëtarë. Sot që flasim sistemi ndërkombëtar është në një ndryshim të vazhdueshëm, dhe si koncept ka ndërveprimin në bazë të një grupi “rregullash loje”, të përcaktuara qartë dhe të sanksionuara prej një kohe të gjatë, të cilat udhëheqin atë që vështrohet si shtet dhe mënyrën se si këto rregulla së bashku formësojnë sistemin ndërkombëtar që ne njohim.

Sipas mendimit tim personal sovraniteti shtetëror ka rëndësi sot në vitin 2015, por absolutisht që do të këtë rëndësi edhe në të ardhmen, megjithëse rëndësia e tij mund të zbehet paksa duke u kundërpeshuar edhe më shumë me parimin e vetëvendosjes. Në këtë koncept si sistemi ndërkombëtar dhe normat ndërkombëtare, në vijim përherë e më shumë nuk do ta njohin të drejtën e një qeverie për të sunduar një popullsi të caktuar, me forcë dhe kundër dëshirës së saj dhe për të shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që janë universal për të gjithë globin.

Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme e të gjitha kohrave, që në momentin e themelimit të saj në vitin 1945 në San Francisko nga 51 shtete si pasardhësja e Lidhjes së Kombeve e deri më sot. Rëndësia dhe efikasiteti i saj ka ardhur përherë e në ngritje për sa i përket realizimit të qëllimit të saj kryesorë të sanksionuar në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shprehem pozitiv përsa i përket rolit dhe së ardhmes së OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të tjera të karakterit global dhe rajonal si BE, NATO, OBT, OCDE, OSBE etj. Në të ardhmen OKB-ja do të forcohet më shumë duke u kthyer pothuajse në një qeveri e cila është tërësisht e pavarur nga shtetet dhe do të ketë fuqi më të madhe vendimarrje. Në të njëjtën kohë besojë se e ardhmja për OKB-në do të zgjidhë përfundimisht problemet e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe mënyra e votimit duke e kthyer punën e saj më demokratike dhe efikase.

Forcat ushtarake dhe armët e shkatërrimit në masë, sot përbëjnë një nga temat e rëndësishme të diskutimeve ndërmjet shteteve në arenën ndërkombëtare. Armët e shkatërrimit në masë përfshijnë tri lloje të përgjithëshme:
1.) Armët Bërthamore.
2.) Armët Kimike.
3.) Armët Biologjike.
Armët bërthamore u krijuan gjatë Luftës së II-të Botërore dhe që nga ajo kohë janë ndërtuar dhjetra armë bërthamore, sot tetë ose nëntë shtete kanë të paktën disa armë të tilla. Lufta e Ftohtë ishte tepër delikate sepse vuri përballë dy superfuqi të kohës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik në një garë të fortë të prodhimit dhe zotërimit të armëve bërthamore por pa i përdorur ato. Sot ka shumë shtete që aktualisht prodhojnë dhe testojnë armë bërthamore si SHBA-ja, Rusia, Kina, Izraeli, Irani, India, Pakistani, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut dhe Taivani. Kjo vjen si pasojë dhe shkak i konflikteve dhe krizave rajonale që ato kanë ose kanë pasur në të shkuarën. Sidoqoftë viti 2015, është treguesi i qartë i përpjekjeve për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare që përcktojnë mënyrën e zhvillimit, normat dhe kontrollin e armëve bërthtamore, si në rastin e marrëveshjes SHBA-Iran të ndërmjetësuar edhe nga Rusia.

Përsa i përket së ardhmes së sistemeve ushtarake dhe armëve të shkatërrimit në masë, shpreh mendimin se zhvillimet tekonologjike ushtarake të kohëve të fundit, gjithnjë e më tepër do të përfeksionohen dhe forcat ushtarake të shteteve do të bëhen më të fuqishme dhe më profesionale në arritjen e rezultateve të tyre. Në të ardhmen do të kemi konflikte të shumta ushtarake ndërmjet shteteve të ndryshme të botës, por praktikisht rritja e fuqisë ushtarake për të gjithë shtetet do të çojë në uljen e rrezikut të përdorimit të armëve bërthamore, ç’ka është tepër pozitive për mbarë njerëzimin. E ardhmja do të jetë më e sigurtë përsa i përket sigurisë së mospërdorimit të këtyre armëve dhe kjo si pasojë e rritjes së aftësisë ushtarake, zhvillimeve të teknologjisë ushtarake dhe bërthamore. Kjo nënkupton se perdorimi i tyre në të ardhmen do të jetë më pak i dëmshëm sepse teknologjia do të mundësojë që sulmet ushtarake të jenë përzgjedhëse pa shkatërruar dhe dëmtuar persona të pafajshëm.

Ndërsa në lidhje me ekonominë dhe politikën ndërkombëtare, zhvillimet e shpejta të ditëve të sotme dhe të këtij shekulli kanë treguar e tregojnë se bota po shkon drejt zhvillimit ekonomik dhe politik tepër të vrullshëm dhe pozitiv. Në të ardhmen ekonominë dhe tregtinë ndërkombëtare do ta mbizotërojë ekonomia liberale, mallrat në të gjithë arenën ndërkombëtare do të mund të lëvizin më lirshëm dhe pa paguar tarifa dhe në të njëjtën kohë do të hiqen pengesat doganore, liri lëvizje e mallit, lehtësira për krijimin e pasurive dhe koorporatave shumëkombëshe.
Është i rëndësisë kardinale përqasja që do të ketë në të ardhmen globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sferën ekonomike dhe politike, shprehem i bindur se në të ardhmen do të ndjehemi qytetarë të botës realisht. Njeriu në të ardhmen, në fazën e globalizimit do të ketë lëvizje totalisht të lirë në të gjithë botën, shkëmbime ekonomike, tregëtare, kulturore, shkencore do të jenë të shpejta dhe efikase, si shkak i zhvillimit teknologjik të komunikimit dhe informacionit. Fusha të tilla si marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia, politika, ekonomia, shkenca, kultura, shëndetësia, drejtësia, sporti do të marrin kuptim universal.

Globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka filluar që në kohët që jetojmë dhe në të ardhmen zhvillimi do të jetë më efikas. Në këtë pikë diplomatët që përfaqësojnë shtetet e tyre në vënde të ndryshme, janë të angazhuar tërësisht për përmirësimin dhe ngritjen e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës së jashtme shtet më shtet në nivele të reja. Arsyeja se përse në të ardhmen do të ndodhin këto ndryshime, janë si pasojë e zhvillimit supersonik të tekonologjisë së komunikimit.

Zhvillimi dhe globalizimi botëror do të ketë edhe koomponetë që nuk do të ndryshojnë si gjuha, që do të jetë kjo që është edhe sot për secilin shtet, me gjithë evolucionin gjuhësorë përkatës, pra në të ardhmen nuk do të kemi një gjuhë botërore të vetme. Ky fakt lidhet me identitetin, patriotizmin, nacionalizmin kombëtar të shteteve dhe kombeve. Kultura, tradita, monedhat e shteteve sado të zhvillohen dhe përafrohen ose të universalizohen, ato kurrë nuk do të mund të zhduken. Individi që nga lashtësia është i lidhur ngushtë me identitetin, gjuhën, origjinën, flamurin, kulturën, traditën të cilat janë të pazëvëndësushme për këdo. Prandaj globalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sferat politike, ekonomike, shkencore, politike, kulturore janë tepër të rëndësishme për tu studiuar. Sfidat e së ardhmes për marrëdhëniet ndërkombëtare shtet më shtet, do të jenë të një niveli krejt tjetër por sigurisht të përmirësuara.

Shprehem me sinqeritet dhe siguri se marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bota të cilën përfytyrojë dhe mendoj në të ardhmen, ndoshta është vetëm bota që unë ëndërroj. Askush dhe asgjë nuk duhet të ndërhyjë në idealet dhe pritshmëritë tona për të ardhmen, sepse ato janë dhe mbeten idealet tona.

Viti 2015, në të cilin jetojmë është viti i pikënisjes së mendimit mbi botën e së ardhmës, por po kaq e vërtetë është që askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen dhe atë që do të ndodhë. Në parashtrimet e mësipërme ajo që nxjerr si konkluzion, është fakti i thjeshtë se ne si qytetarë të botës aktuale luajmë rol vendimtar në drejtimin që ajo merr në të ardhmen. Individi duhet të mendojë dhe analizojë thellë të ardhmen, qytetarët në çdo shtet të botës kanë rol unik në drejtimin e botës, zgjedhjet dhe veprimet që ndërmarrim ndikojnë sot por edhe në të ardhmen. Ne njerëzit e kësaj bote nuk mund të zgjedhim që të mos jemi pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjithesecili prej nesh kush më pak e kush më shumë është i përfshirë dhe ndikon në ecurinë e tyre. Individi mbart në vetëvete forcë dhe potencial të pafund, pikërisht këtë potencial ne duhet ta përdorim për tu afruar sa më tepër botën e së ardhmes që dëshirojmë. I qëndroj mendimit se gjithesecili duhet të përcaktojë me veprime, mosveprime dhe zgjedhje vëndin në të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Bota është e jona përtej çdo kufiri shtetëror mendoni, studioni, punoni, kujdesuni për të sepse është bota juaj.

*E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com
Tiranë, Shqipëri
Tiranë më 03 / 08 / 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Eraldo Mecalla, marrdheniet dnerkombetare

Diplomacia, “shtylla kurrizore” e shtetit

July 23, 2015 by dgreca

Shkruan:MSc.Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
ÇFARË ËSHTË DIPLOMACIA?/
Diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar tek fjalori i Oxfordit, diplomacia konceptohet si menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të negociatave. Ndërsa diplomati brtitanik Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”. Përkufizimi më i pranuar mbi diplomacinë është: Diplomacia është arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Metoda me të cilën këto marrëdhënie ndreqen dhe menaxhohen nga diplomatët pra Ambasadorët dhe të Ngarkuarit me Punë, cilësohet si puna ose zehja e një diplomati. Në këtë kuptim diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetit e akredituar. Diplomati britanik dhe teoricienti Sir Harold Nicolson, deklaron: “Diplomacia nuk është shpikje e as kalim kohe për ndonjë sistem politik të veçantë, por është element thelbësor në çdo marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet njerëzve me njerëzit dhe kombeve me kombet”.Cila është origjina e fjalës diplomaci ? Në aspektin historik fjala “diplomaci” vjen nga greqishtja e vjetër, që nënkupton një dokument me dy fletë, këtë koncept e morën dhe e zhvilluan romakët e vjetër, e cila mori formën e një leje pra dokument udhëtimi metalik i hollë i palosur në dy fletë. Kjo leje evoloi dhe u quajt “Diploma”, më vonë me ruajtjen, shpjegimin dhe arkivimin e këtyre dokumenteve vijmë në shekullin e 17-të, ku quhet “Res Diplomatica” dhe më pas në futjen e termit në diplomaci që nënkupton traktate dhe marrëveshje të ndryshme që nënshkruhen ndërmjet shteteve. Termin “Diplomaci” për herë të parë e ka përdorur në vitin 1796, Edmund Buke në Britaninë e Madhe. Ku dhe kur lindi diplomacia ? Diplomacia ka pasur një rrugëtim të gjatë historik si teori dhe praktikë që lidhet me thellësinë e shekujve e me shtetet antikë si Kina, Roma e vjetër, Greqia e lashtë. Vetë diplomacia ka lindur nga lufta, nevoja për paqe, komunikim, kompromis për çështje jetike si territoret dhe uji në komunitetet primitive parashtetërore. Ndërsa formën e saj më të qartë dhe të konsoliduar ajo e merr me krijimin e qytet-shteteve Greke, konkretisht në vitin 432 para erës së re që mund të quhet edhe si lindja e diplomacisë. Në këtë periudhë Sparta përveç luftës, përdori diplomacinë dhe krijoi aleancën e parë të quajtur “Liga e Peloponezit”, lindi lidhja shtet me shtet, bisedimi, komunikimi dhe përpjekja për ngritjen e një sitemi diplomatik. Në këtë kohë kishim edhe përfaqësuesit e parë diplomatik në Greqi në formën e lajmëtarit, negociatorit dhe konsullit që ishin: 1.) Angeles – Prezbys. 2.) Keryx. 3.) Proxenos. Zhvillimi historik i diplomacisë erdhi nga “Greqia e Lashtë”, “Roma e Vjetër” ndërsa në mesjetë kontributi erdhi nga “Perandoria Bizantine”, vazhdoi në mesjetën e vonë me “Rilindjen Europiane” që lidhet drejtëpërsëdrejti me Italinë, Fierencën dhe Milanon. Në këtë kohë lindi edhe termi “Ambasador” dhe u bë dërgimi i ambasadorit të parë nga Duka i Milanos në vitin 1455, sigurisht u zhvillua edhe teoria dhe praktika e diplomacise nga Nicolo Machiavelli i cili në vitin 1515 shkroi “Princin” dhe njihet për shprehjen “qëllimi justifikon mjetin”. Në fund të shekullit të 16 dhe fillim të shekullit 17, filloi etape e re për diplomacinë me kontributin e Francës së Luigjit 13-të dhe me Cardinalin Richalieu që njihet si sinonimi i “Raison d’etat” (Arsyeja Shtetërore). Richalieu për herë të parë krijoi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pas Francës u krijua në Britanine e Madhe dhe SHBA. Në gjysmën e shekullit të 17 në vitin 1648 në “Kongresin e Vestfalisë” përfundoi edhe lufta 30-të vjeçare dhe u shënua fillimi i “Diplomacisë Klasike Europiane”, e cila vendosi funksionin e misionit diplomatik të përhershëm. Në vitin 1789, Franca përjetoi “Revolucionin Francez” i cili ishte në kundërshtim me parimet e “Kongresit të Vestfalisë”, ndryshimet për diplomacinë vazhduan në vitin 1850 me “Kongresin e Vjenës”, Aleancën e Shenjtë, Koncertin e Europës të cilët u përpoqën për krijimin e Rendit të Ri Europian. Shekulli i 19 ishte i qetë, por kjo mori fund me fillimin e Luftës së I-rë Botërore në vitin 1914, këtu “Diplomacia Klasike” njeh lulëzimin e saj më të madhë dhe njihet si Diplomacia e Vjetër, Tradicionale ose e Oborreve. Etapat kryesore të zhvillimit të diplomacisë janë: 1.) Diplomacia klasike nga viti 1648 me Kongresi i Vestfalisë deri në Luftën e I-rë Botërore. 2.) Diplomacia Moderne nga mbarimi i Luftës së I-rë Botërore në vitin 1918, vazhdon me Luftën e II-të Botërore në vitet 1939 – 1945 deri në fillimin e viteve 1980 – 1990 , pra me përfundimin e Luftës së Ftohtë. 3.) Diplomacia Postmoderne filloi pas vitit 1990, pikërisht me “Rendin e Ri Ndërkombëtar”. Ligji ndërkombëtar për kodifikimin e së drejtës moderne diplomatike dhe për mbrojtjen e diplomatëve u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dha në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore në vitin 1963. Aty përcaktohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve, specifikohen priviligjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe misionit diplomatik që të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit. Qartësisht kjo konventë është guri themelor për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Tre janë kategoritë e Krerëve të Misioneve Diplomatike sipas studiuesit Ralph G. Feltham në librin “Diplomacia”, si më poshtë: 1.) Ambasadorë, nuncë apostolike krerë të tjerë misionesh në rang të njëjtë. 2.) Të dërguar, ministra të jashtëzakonshëm dhe ministra fuqiplotë. 3.) Ministra resident. 4.) I ngarkuar me punë. Këto kategori të mësipërme janë përcaktuar që nga Kongresi i Vjenës, i cili themeloi shërbimin diplomatik. Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këto janë funksionet e diplomatit: 1.) Përfaqësimi i shtetit dërgues në shtetin pritës. 2.) Mbrojtja në shtetin pritës e interesave të shtetit dërgues dhe e shtetasve të tij, brënda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare. 3.) Negocimi me qeveritë e shtetit pritës. 4.) Informimi me të gjitha mjetet e ligjshme për kushtet dhe zhvillimet në shtetin pritës dhe raportimi lidhur me ato të qeverisë së shtetit dërgues. 5.) Nxitja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pritës, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike, kulturore dhe shkencore. Aparati i posacëm shtetëror për zbatimin e diplomacisë përfshinë Politikën e Jashtme të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shërbimet Diplomatike dhe Shërbimet Konsullore. Format dhe llojet e diplomacisë kanë evoluar, por disa nga më të rëndësishmet janë këto: 1.) Diplomacia Klasike. 2.) Diplomacia Moderne. 3.) Diplomacia Postmoderne. 4.) Diplomacia Tradicionale. 5.) Diplomacia e Fshehtë. 6.) Diplomacia e Hapur. 7.) Diplomacia Dypalëshe.8.) Diplomacia Shumëpalëshe. 9.) Diplomacia e Samiteve. 10.) Diplomacia Bërthamore.11.) Diplomacia Ushtarake dhe e Mbrojtjes. 12.) Diplomacia Parlamentare. 13.) Diplomacia Ekonomike. 13.) Diplomacia Kulturore. 14.) Diplomacia Personale. 15.) Diplomacia Tranzitore. 16.) Diplomacia Shtërnguese. 17.) Diplomacia e Qetë. 18.) Diplomacia Zyrtare. 19.) Diplomaci Publike. 20.) Diplomaci Qytetare. Diplomati amerikan Leon B. Poullada, bënë këtë klasifikim të funksioneve të diplomacisë: 1.) Menaxhimi i konfliktit. 2.) Zgjidhja e problemeve. 3.) Ndërveprimi ndër-kulturor për një gamë të gjërë çështjesh. 4.) Negocimi dhe marrëveshja. 5.) Menaxhimi i programit dhe i vendimeve të politikës së jashtme të një shteti tjetër. Sudiuesit Hans J. Morgenthau në librin “Politika ndërmjet Kombeve” i vitit 2008, përcakton tre funksione bazë të diplomatit për qeverinë e tij përgjatë shërbimit diplomatik: 1.) Funksioni Simbolik. 2.) Funksioni Ligjor. 3.) Funksioni Politik.
Diplomati është personi që emërohet nga shteti dërgues për të përfaqësuar dhe zbatuar Politikën e Jashtme në shtetin e akredituar me mision diplomatik. Këtu përfshihen Shtetet, Organizatat Ndërkombëtare, Institucionet Ndërkombëtare, Organizatat Rajonale, Organizatat Jo-Qeveritatare dhe Organizatat e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Për shkak të rëndësisë së detyrës diplomati duhet të posedojë dhe zotërojë njohuri shumëdimensionale në këto drejtime:1.) Njohuri eksperti për gjeografinë, historinë, kulturën, institucionet, politikën, ekonominë, demografinë, burimet njerëzore, bujqësinë, financën, industrinë. 2.) Aftësi profesionale intelektuale për analizë, raportim, bisedim, negocim, përfaqësim, drejtim misioni, komunikim, prezantim në televizione dhe gjuhën e huaj përgjatë zbatimit të politikës së jashtme. 3.) Cilësi vetjake i sjellshëm, i qetë, i përshtatshëm, kurioz, i shkathët, kërkohen cilësi dhe njohuri të rralla për të qënë një diplomat i përkryer. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, e përcakton në këtë mënyrë përbërjen e personelit të misionit diplomatik: 1.) Kreu i misionit. 2.) Pjesëtarët e misionit. 3.) Pjesëtarët e personelit të misionit. 4.) Pjesëtarët e personelit diplomatik. 5.) Agjenti diplomatik. 6.) Pjesëtar i personelit adminisrativ dhe teknik. 7.) Pjesëtar i personelit të shërbimit. 8.) Punonjës privat.
Së fundi, mendimtarët e mëdhenj si Nicolo Machiavelli, Francesco Gurcciardini, Hugo Grotius, Cardinal Richalieu, Abraham de Wicquefort, Ernest Mason Satow, Sir Harold Nicolson dhe Henry Kissinger kanë lënë një ndikim të rëndësisë epokale për zhvillimin e diplomacisë, secili kontriboi në konceptimin teorik dhe praktik të diplomacisë. Sidoqoftë diplomacia është përshtatur, përshtatet dhe do të përshtatet me të gjitha zhvillimet dhe të papriturat që rezervon e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Siguria dhe paqja ndërkombëtare bazohen fortë tek diplomacia sepse me anë të diplomacisë mund të forcohet sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të gjithë globin. E ardhmja e diplomacisë është Diplomacia Globale, Diplomacia Kolektive, Diplomacia e Samiteve, Diplomacia Publike gjithmonë me hapin e kohës, sepse siç shprehet Hans J. Morgenthau: “Diplomacia është truri i pushtetit shtetëror”.

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomacia, Eraldo Mecalla, kombi, marrdheniet nderkombetare, shteti

Quo vadis, arsimi shqiptar ?

July 22, 2015 by dgreca

MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Aristoteli, filozofi më i madhë i botës antike shprehet mbi rendësinë e arsimit: “Rrënjët e arsimit janë të hidhura, por fruit është i ëmbël”. Në rastin e Shqipërisë, arsimi ka pasur një rrugëtim dhe tranzicion tepër problematik. Ndërsa sot në prag të miratimit të “Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, debatet dhe kundërshtimet ndërmjet aktorëve të botës akademike si pedagogë, profesorë, akademik dhe klasave politike dhe të shoqërisë janë tepër të zjarrta. Si gjithmonë politika dhe politikanët politizojnë gjithçka, për më tepër edhe arsimin shqiptar çka nuk duhet të ndodhte kurrë.Përfitimet ndërmjet shoqërisë dhe arsimit janë reciproke, “më jep të jap” në këtë kuptim individi nga arsimimi fiton njohuri intelektuale dhe profesionale të cilat shtojnë shanset e punësimit, ndërsa shteti zhvillon potencialin ekonomik dhe intelektual të shoqërisë për të ardhmen.
Nuk është aspak rastësi që viti 2015, e gjen arsimin shqiptar në një pikë kritike dhe kaosi total në të kuptuarin e situatës drejt. Është e qartë se problemi nuk është as tek ligji i ri i arsimit me tipare “anglo-saksone” që pritet të miratohet sepse nëse shikohet me kujdes dhe paanëshmëri ai rrit konkurrencën e drejtë, meritokracinë, sitemin e vlerave dhe respektimin e parimeve bazë të arsimit të lartë shqiptarë edhe nga ana kushtetuese. Problemi qëndron tek dekadat e ikje-ardhjeve qeveritare që kanë goditur thellë sistemin e arsimit dhe botën akademike shqiptare, ku numri i universiteteve në raport me popullsinë nuk kishte asnjë lidhje, diploma të blera, fusha studimi jo në koherencë me kërkesat e tregut të punës, mësimdhënie jo profesionale, mungesë e kërkimit shkencorë, grada shkencore Ba, Ma, Dr, Prof. As, Prof. Dr të fituara pa përmbushur kriteret akademike dhe ligjore dhe student jo korrektë e aspak të predispozuar për të studiuar në të cilën ka mbizotëruar fenomeni i Universiteteve “Kafene”.
Thelbi i arsimit të lartë shqiptar dhe elementët përbërësë janë: 1.) Institucionet publike dhe private, uiversitetet dhe akadmitë, fakultetet dhe departamentet, pedagogët dhe studentët. 2.) Financimi i arsimit nga shteti, privati ose donatorë. 3.) Rregullat e veprimtarisë dhe sjellja në sitemin arsimor. Ana pozitive e këtij ligji ose reforme nga pseudo reformat e të shkuarës, është tek muajt e gjatë të konsultimit me shumë aktorë, grupe interesi, ekspertë dhe profesionistë. Synimet e ligjit janë të qarta rritja e cilësisë, zgjerimi i autonomisë, kontrolli i cilësisë, respektimi i kuotave dhe kritereve të pranimit të studentëve, përcaktimi qartë i numrit dhe pagesës së stafit akademik, përcaktimi i tarifave të studimit dhe buxheteve të universiteteve.
Normalisht me gjithë këto vite reformash që vetëm emrin kanë të tilla, shoqëria dhe aktorë të tjerë janë bërë shumë mosbesues dhe kjo me të drejtë. Për një të ardhme të sigurtë dhe të sukseshme në BE, duhet të forcojmë sitemin arsimor me anë të kësaj kryereforme. Rendësia e arsimit të lartë në shqipëri përtej çdo interesi, përtej çdo partie ajo lidhet drejtëpërsëdrejti me çdo familje shqiptare prandaj është me interes kombëtar.
Në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë më 10 korrik 2015, Kryeministri Edi Rama theksoi: “Unë jam shumë krenar që në ditët në vijim, parlamenti i Shqipërisë do të miratojë ligjin e ri për Arsimin e Lartë, që në radhë të parë është lajm i shkëlqyer për prindërit e këtij vëndi, të cilët investohen me mish e me shpirt që fëmijëve të tyre t’i japin mundësinë e një shkollimi të lartë dhe që në këmbim të marrin satisfaksionin e jashtëzakonshëm të përmbushjes së aspiratave të fëmijëve të tyre”. Kryeministri shtoi: “Historia e universitetit nënë dhe universitetit njerkë, mbaron”. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, mbi ligjin e arsimit të lartë u shpreh: “Reforma për arsimin do të rrisë kostot për studentët, do të rrisë kostot për xhepat e tyre. Ato do të kenë të vështirë për shkak të papunësisë dhe varfërisë në rritje”.
Që të kryhet një analizë e plotë mbi Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencore në Shqipëri duhet të kalosh njëri pas tjetrit të 144 nenet dhe 69 faqet e ligjit. Fatëkeqësisht shumica e personave flasin përpara se të lexojnë sepse i pëlqejnë analizat e pabazuara në lexim. Natyrisht kjo reformë mbi arsimin nuk është aspak e nxituar dhe vjen pas një kohe të gjatë planifikimi të detajuar, e bazuar në shumë pika në “Ligjin e Arsimit të Lartë” i vitit 2007. Reforma bazohet tek vlerat europiane dhe vazhdimësia e “Proçesit të Bolonjës”. Ky ligj është i rëndësishëm sepse zhduke edhe dallimet e Universiteteve Publike dhe Private, duke i kaluar në formën e një institucioni të pavarur publik.
Në nenin e parë të Arsimit të Lartë sanskionohet se misioni i arsimit të lartë është, “një e mirë dhe përgjegjësi publike”. Kjo tregon qartë se vizioni për një arsim cilësor dhe të shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët. Në mënyrë që kjo ide dhe vizion të realizohet ka edhe kosto, siç do investim tjetër, por individi dhe shoqëria duhet të mendojnë për të ardhmen , nuk ka shtet në botë që kërkon të përkeqësojë situatën e arsimit sepse ai është themeli i kombit sot dhe në të ardhmen. Mendësia aktuale mbi arsimin duhet të ndryshojë, kjo është diçka e natyrshme që në botë dhe Europë në vendet e zhvilluara ka ndodhur përpara 50 viteve.
Për të realizuar këtë koncept kërkohet punë e jashtëzakonshme nga të gjithë aktorët kryesorë për të eleminuar korrupsionin, mungesën e kërkimit shkencore, nepotizmin, administrimin e gabuar dhe jo ndasi të kota, çdo reformë është e ashpër në fillim por më pas shfaqen përfitimet. Suksesi i këtij ligji pikërisht qëndron tek diskutimet dhe këndëvështrimet e ndryshme, që tregojnë emancipim në mentalitetin e shoqërisë Shqiptare dhe ndryshimet madhore që do të sjellë ligji.
Shqipëria, sot gjëndet përpara ndryshimeve të mëdha, ka ardhur moment i përcaktimit të modelit europian dhe demokratik të sistemi arsimor, në qendër të së cilës do të jenë këto elemente: 1.) Autonomia universitare që përfshinë liri akademike, administrative, strukturore dhe financiare. 2.) Kërkimi shkencor si metodë mësimi. 3.) Implementimin e kulturës, traditës dhe praktiës në të gjithë sistemin arsimorë. 4.) Sistem i unifikuar i arsimit të lartë privat dhe shtetëror me skemën e një institucioni të pavarur publik. Në këtë mënyrë universiteti do të jetë vendi, ku demokracia, liria, drejtësia, vlera, virtyti dhe meritokracia do të mbizotërojnë.
Sot që diskutojmë sistemi i arsimit është i tejmbushur me antivlera si klientelizmi, inkopetenca, mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni, elemente të një universiteti “familjar”. Universiteti si djepi i demokracisë duhet të zhvillojë shoqërinë dhe jo të presë nga shoqëria zhvillimin.Sinqerisht, shpresojë që kjo reformë do ti rezistojë kohës dhe të mos kthehemi në përsëritje të së shkuarës, me reforma mbi reforma. Ligji i ri bazohet tek nevoja e shoqërisë shqiptare, të lodhur nga 25 vite papërgjegjshmërie në sistemin arsimor, për të implementuar vlerat dhe provojat më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Flitet për interesa nga palë të ndryshme, nuk mund të fshehim që mund të ketë të tilla por të mirat që sjell ligji mbizotërojnë, duke shëruar dukuritë negative, duke rritur cilësinë, besimin tek arsimi dhe zhvillimin ekonomik.
Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencorë bazohet tek Ligji i Arsimit të vitit 2007 dhe tek parimet e “Proçesit të Bolonjës”. Dy aspektet kryesore të ligjit mbi arsimin janë: 1.) Aspekti i kontrollit, menaxhimit dhe administrimit të universiteteve duke ja deleguar këto detyra organizmave si: QSHA (Qëndra e Shërbimeve Arsimore), AKFAL (Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë), KALKSH (Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimi Shkencor). 2.) Aspekti organizativ, financues dhe buxheti.
Megjithatë mendimet, opinionet, diskutimet, këndëvështrimet e çdo qytetari, pedagogu, studenti, politikani apo çdo personi të interesuar që kanë vlera dhe virtyte duhet të dëgjohen dhe duhet të jenë të dorës së parë. Siç thekson Nelson Mandela: “Arsimi është arma më e fuqishme që ju mund të përdorni për të ndryshur botën”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi shqiptar, Eraldo Mecalla, Quo vadis

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT