• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QUO VADIS, PRESIDENT?

September 25, 2018 by dgreca

Nga Alban Krasniqi/

1 Alban-Krasniqi-x233Ideja për korrigjim kufijsh nuk është gjë tjetër veç një eufemizëm i copëtimit të Kosovës së copëtuar. Copëtimi i mëtejmë i saj lindi si ide në qarqet e hershme serbe dhe u ridefinua tevona.  Të mëhershmet u përkrahën nga shumica e botës së huaj, kurse kjo e sotmja po gjen përkrahje edhe nga disa qarqe shqiptare, sidomos nga presidenti dhe nga oborrtarët e tij. Mendimi se pjesa më veriore e Kosovës nuk ka qenë e jona dhe se atë e patëm dhuratë nga komunistët, është mendim shumë i rrezikshëm, i cili nuk guxon të përkojë nëpër mendtë dhe projektet tona kombëtare. Aq shumë e ka përpunuar këtë ide, sa që edhe vetë i beson këtij trillimi. E “mësimi më i dobishëm për jetën është që të heqësh nga mendja atë që është e pavërtetë”, të cilën presidenti ynë e ushqen, e mirëmban dhe e shpërndan me shumë fanatizëm. Me të tilla ide dhe me të tillë persona kemi mbetur këtu ku jemi. Për këtë arsye mbetëm pa antikitet dhe pa mesjetë. Antikitetin na e morën grekët e mesjetën sllavët. Këto dy epoka, si më të madhërishmet e historisë sonë, sot flasin dhe dëshmojnë nëpër muzetë dhe arkivat përkatës të fqinjëve tanë.

Prej nga ky riaktualizim i kësaj ideje “këmbimi”? Po pse pikërisht nga presidenti? A mos po kërkon të shkruajë historinë moderne përmes pajtimit historik shqiptaro-serb, ashtu siç thotë vetë? A mos e gjakon amnistinë personale përmes copëtimit të pasurisë kombëtare? 

E para nuk ka mundësi të jetë në të njëjtën vijë me artikulimin e tij, ngase nuk është në dorën e tij që të sendërtojë një nismë të tillë, ose, thënë shkurt, nuk ka fuqi mendore e politike për një veprim të tillë, sado që pohon e ripohon se pa këtë “korrigjim” kemi shumë pak mundësi veprimi, edhe pse ai nuk di se “mundësitë e vogla janë shpesh fillimi i veprave të mëdha”; e dyta ka shumë të ngjarë që të jetë e vërtetë, fatkeqësisht. Sa e sa herë ka dëshmuar se për karrierë personale është në gjendje të hyjë në lloj-lloj aventurash morale e politike, aq sa armiqtë i shndërron në miq, e miqtë në armiq; sa e sa herë ka dëshmuar personalitetin e tij të mbrujtur me mendësi staliniste, të një presidenti paranojak, që opozitën e konsideron si një luftë klasash apo si kulak, koalicionin si lolo, e disa nga bashkëluftëtarët e vet i trajton si Kolonelin markezian. Edhe pyetja drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veç një tentim për një fuqizim të autokracisë së tij, duke u munduar që në heshtje ta tjetërsojë pushtetin nga një formë e qeverisjes parlamentare në formën e qeverisjes presidenciale.

 Me këto ide ai po dështon si atdhetar dhe si lider shteti. Si atdhetar po copëton një pjesë të trungut për një pjesë tjetër të të njëjtit trung; si lider, përveç mungesës së transparencës, ai po anashkalon Kuvendin dhe po mbjell përçarje në klasën politike, duke riaktualizuar divide et impera.  Liderët “sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj”.

Që ta duam atdheun dhe kombin, nuk është e nevojshme që ta rritim kombin e ta zgjerojmë atdheun. Ne atdheun duhetta duam jo pse mund ta bëjmë të madh, por pse është i yni. Ai është djepi dhe varri i atit, birit dhe shpirtit të shenjtë.  Edhe delimitimin me Malin e Zi, edhe pajtimin për Zajednicën i bëri vetë, e pastaj shëmbëlleu në Pons Pilatin, që as uji i bekuar nuk e lan dot.

Edhe sa kohë i duhet të abuzojë me durimin tonë? Edhe sa kohë duhet që çmenduria e tij të tallet me ne? Është e pamundur që çdo gjë e errët dhe e mbrapshtë që i sillet kësaj toke të shenjtë pa qenë ai në mes tyre. Prandaj çdo gjë që vjen prej tij është e dyshimtë dhe duhet injoruar, qoftë edhe dhuratë. “Timeo danaos et dona ferentes”është thënë për “dhuratat” e dyshimta.

E çka duhet tash? Të zgjohemi nga letargjia dhe ta kundërshtojmë fuqimisht këtë ide! Të rimëkëmbemi e ta largojmë nga froni këtë president! Duke rrëzuar këtë, funksionalizojmë Republikën parlamentare dhe ndalojmë jetësimin jo vetëm të autokracisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alban Krasniqi, president, Quo vadis

Quo vadis Shqipëri?

October 14, 2016 by dgreca

 

reshat foto

Nga Reshat  Kripa/

Sipas  një tradite të krishterë Shën Pjetri u largua nga Roma si rezultat i terorrit te ushtruar nga perandori Neron por gjatë rrugës jashtë qytetit atij i shfaqet Jezusi i ringjallur që i thërret :Quo vadis?

Kjo pyetje e shkundi shenjtorin dhe ai iu përgjigj:

  • Unë jam duke shkuar në Romë që të kryqëzohem përsëri.

Në këtë mënyrë ai fitoi guximin  për  të  vazhduar  shërbesën  dhe  u  kthye  në  qytet  ku,

përfundimisht, u martirizua duke u kryqëzuar.

Kujtoj kete traditë dhe, duke perifrazuar me thirrjen e Jezu Krishtit i drejtohem atdheut tim:

  • Quo vadis Shqipëri

Vegimi më shpie shumë vite më parë, në ato vite kur një popull i tërë lëngonte nën zgjedhën e tiranisë më të egër në botë dhe nuk ishin pak por plot dyzetegjashtë vite. Mundohem ta largojë këtë vegim por ai nuk do të më ndahet. Para syve më dalin  ata mijra burra dhe gra që më mirë sakrifikuan jetën e tyre se sa të përuleshin përpara kësaj murtaje, ata mijra burra dhe  gra që më mirë pranuan hekurat e rënda në duart e tyre se sa lirinë e dhunuar, ata mijra burra, gra dhe fëmijë që pranuan më mirë telat me gjemba të kampeve të internimit se sa nënshtrimin para kriminelëve.

Por njëkohësisht më dalin para syve edhe lakejtë e diktaturës që me një servilizëm të pështirë silleshin ndaj tij dhe me një egërsi prej gjakësori kundrejt pjesës tjetër të popullsisë që donte të mendonte ndryshe. Më dalin demagogët politikanë të cilëve iu zunë duart kallo nga duartrokitjet për idhullin e tyre tiran. Më dalin shkrimtarët dhe poetët, që kishin hyrë në garë me njeri-tjetrin se kush do të shkruante romanin apo poemën më të mirë kushtuar këtij idhulli. Më dalin kompozitorët dhe këngëtarët që mundoheshin se kush do të kompozonte apo këndonte këngën më të bukur po për diktatorin idhull. Më dalin piktorët dhe skulptorët që kush më parë do të pikturonte apo ngrinte një shtatore të lartë kushtuar përsëri idhullit të tyre. Më dalin kineastët dhe dramaturgët, regjizorët dhe aktorët që do të realizonin filmin apo dramën, që do të interpretonin rolin e këtij idhulli monster. Më dalin gazetarët që me një vrull të pa parë mbushnin faqet e gazetave dhe revistave me portretet e tij dhe i thurnin lavde në lajmet  e tyre. Më dalin turma të tëra të idoktrinuarish që derdheshin shesheve duke brohoritur për këtë demon të historisë shqiptare.

  • Quo vadis Shqipëri?

Murtaja e kuqe më në fund u përmbys, por hija e saj vazhdon të  jetojë. U  përmbys  edhe

përmendorja e tiranit por ky qe vetëm një iluzion pasi ishte përmbysur vetëm bronxi i asaj përmendoreje kurse shpirti i tij ishte lënë i lirë për të përgatitur masakra të tjera. Djalli kishte lënë litarin përjashta, siç thotë populli ynë, dhe kjo u shfaq në mënyrën më mizore në atë vit të zi 1997.

Lëvizja studentore e viteve 90-të kurorëzojë përpjekjen gjysmë shekullore për përmbysjen e sistemit totalitar. Partitë e reja politike filluan të lindnin në tokën shqiptare. Programet e tyre mbushnin faqet e gazetave. Ishin programe të hartuara sipas modeleve të shteteve më demokratike të botës. Partitë ishin në garë me programet. Por nuk kishin kaluar vetëm dy apo tre vjet dhe filluan amendamentet për ndryshimin e tyre. Këto amendamente filluan te shfaqen në të dy krahët e politikës shqiptare si asaj të majtë dhe asaj të djathtë, madje edhe në ato të atyre partive që e quanin veten trashëgimtare të partive të vjetra nacionaliste. Ku konsistonte ky ndryshim? Një trashëgim i mentalitetit të kaluar mbi hymnizimin e idhujve. Shqiptarët nuk mund të jetonin pa patur një idhull mbi krye. Por, për të realizuar këtë duheshin bërë ndryshimet në statut, dhe kjo nuk vonoi. Ndërsa në fillim në statutet parashikohej që kryetari i partisë nuk mund të zgjidhej më shumë se dy here rresht, pa kaluar shumë kohë, kjo pikë u hoq fare dhe kështu rilindi ideja e vjetër e sundimtarëve të përjetshëm, njësoj si në kohën e sistemit të përmbysur. Një gjë e tille binte dhe vazhdon të bjerë në sy në mitingjet dhe manifestimet e kryera të partive ku, brohoritjet për kryetarin perëndi janë të pakufishme, njësoj si për diktatorin e dikurshëm. Sot kemi në krye të disa partive kryetarë dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzetë apo deri njëzetegjashtëvjeçarë, që nuk zhvillojnë asnjë kuvend apo asamble, që humbasin vazhdimisht në zgjedhjet e përgjithëshme apo lokale, megjithatë ata përsëri vazhdojnë të qëndrojnë në krye të partive të tyre.

Një sëmundje e tillë ka zaptuar edhe shoqërinë civile dhe shoqatat e ndryshme. Edhe në këto ka kryetarë të përjetshëm. Edhe këto nuk zhvillojnë as kuvende dhe as zgjedhje. Për më tepër, herë pas here në skenën shqiptare mbijnë kerpudha të reja të cilat nuk dijmë se kur dhe kush i zgjodhi dhe për çudi janë pikërisht këto kërpudha që mbushin faqet e gazetave dhe televizioneve me bëmat e tyre, që japin dhe marrin me intervista të improvizuara dhe që në shumë raste arrijnë të fitojnë edhe tituj nderi.

Po shoqata ku unë bëj pjesë si ka vepruar? Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, e themeluar në vitin 1995 ka zhvilluar gjashtë kuvende kombëtare dhe ka nxjerrë pesë kryetarë në krye të saj dhe këta janë të nderuarit Gjon Shllaku, Tomor Aliko, Afrim Haçi, Skënder Qëndro dhe Simon Mirakaj. Po ashtu edhe dega e Tiranës në gjsahtë konfernca të saj ka nxjerrë tre kryetarë Abdyl Kërlukun, Skënder Qëndron dhe mua. Sivjet është viti i Kuvendit dhe Konferencës së Shtatë. Në të do të zgjidhen kryetarët e rinj dhe unë nuk do të jem më kryetar i Tiranës pasi, sipas statutit tonë, i kam plotësuar të dy legjislaturat. Kjo është demokracia që duhet të ketë Shqipëria. A ka ndonjë parti politike apo shoqëri civile që të ketë vepruar kështu? Në rast se ka le të na i bëjnë të ditur.

Quo vadis Shqipëri?

Një fushatë e shfrenuar ka shpërthyer këto ditë në politikën shqiptare. Në këtë fushatë janë përfshirë të gjitha mediat, bile do të thoja që është përfshirë pothuajse i gjithë populli ynë. Në këtë kor janë përfshirë të gjithë, të djathtë dhe të majtë, kriminelë dhe viktima, ujqër e dhënë. Zhurma është aq e madhe sa nuk merret vesh se kush është fajtori dhe kush viktima.  Të gjithë thërrasin se qënkan të pafajshëm. Po fajtorë a nuk paska patur ajo periudhë e kobshme?                               Me thënë të drejtën kjo pyetje më bren nga brenda. Ajo më kujton një film gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në fëmininë time. Ishte historia e një mjeku nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më makabre të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe të gjithë ata që mendonin ndryshe. Me mbarimin e luftës  mjeku arrestohet dhe dënohet. I kam harruar pothuajse të gjitha sekuencat e filmit por më ka mbetur e pashlyeshme finalja e tij. Mjeku i kapur pas hekurave të burgut duke thirrur:

  • Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm!

Ndërsa në sfond,  prapa  tij, shfaqeshin  torturat  e  eksperimentuara  nga  ai. Filmi  kishte një titull kuptimplotë: Vrasësit janë midis nesh!

Nuk dua të bëj paralelizëm por dua të them se sot asnje individ apo personalitet nuk ka kurajon të pranojë të vërtetën e asaj periudhe. A do të zbardhet ndonjëherë e vërteta e këtij vendi? A po do të mbetemi vetëm në llafe dhe thirrje patetike gjoja patriotike? Në këtë garë të shfrenuar janë vënë partiakë dhe qeveritarë, analistë dhe gazetarë, pedagogë dhe  intelektualë, madje gara ka arritur deri në shtresat më të ulta, deri te ata që ndoshta nuk arrijnë të sigurojnë as bukën e gojës dhe jetojnë duke lypur.

Por ajo që më shqetëson më tepër është mungesa e vetëdijes për të pranuar të keqen që ka secili prej nesh brenda vetes së tij, brenda ndërgjegjes së tij. A keni dëgjuar ndonjë zë që të pranojë se në veprimtarinë e tij të asaj periudhe ishte i detyruar të kryente vepra që i shërbenin sistemit kriminal? Zërat janë fare episodik, për të mos thënë se pothuajse nuk ka patur fare të tillë.                                                                                                                         Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks ( Estoni ) në debatin e zhvilluar për miratimin e rezolutes se Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:                                                                                                                      Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste…

Një deklaratë kuptimplotë, një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes. Po në vendin tonë a keni dëgjuar ndonjë intelektual të bëjë një deklaratë të ngjashme? Të gjithë kemi jetuar në atë kohë të tmerrshme. Të gjithë e dimë se atëhere nuk guxoje të mendoje dhe jo të veproje. Të gjithë e dimë që për të mbijetuar ishe i detyruar të kryeje veprime që ndoshta ndërgjegja jote nuk i pranonte. Po sot, që kohët kanë  ndryshuar,  përse  heshtin?  Përse nuk e hedhin poshtë të keqen që i depersonalizoi?   Ku janë intelektualët e shquar të asaj periudhe? Përse nuk i thërret zëri i ndërgjegjes? Përse nuk e hedhin poshtë atë pjesë të aktivitetit të tyre që i shërbeu atij sistemi? Përse shkrimtarët e realizmit socialist nuk thonë asnjë fjalë për ato vepra të shkruara prej tyre ku hymnizoheshin diktatorët dhe bëmat e tyre? Përse  nuk  thonë  asnjë fjalë kineastët për ata filma ku degjenerohej borgjezia dhe ngrihej në piedestal llumi i shoqërisë shqiptare? Po kompozitorët, skulptorët dhe piktorët e shquar ku janë? Përse nuk i hedhin poshtë ato vepra që më shumë i diskreditojnë, pasi populli vetë i ka hedhur ne koshin e plehrave. Dua të  më  kuptoni.  Nuk  jam  për  hedhjen  poshtë  të  gjithçkaje  të krijuar në atë kohë. Jam i sinqertë që janë krijuar edhe vepra dinjitoze. Por këto vepra janë errësuar nga ato pa vlerë që bëheshin për t’i bërë qejfin idhujve të atëhershëm.

Personalisht i përkas shtresës që në atë kohë bënte pjesë në kampin armik me regjimin. Kur dola nga burgu u detyrova të mbyllesha në veten time për të mos rënë për të dytën herë në atë skëterrë.  Megjithatë edhe unë isha i detyruar të kryeja veprime që nuk m’i pranonte ndërgjegja. Edhe unë isha i detyruar të duartrokisja diktatorët , kur na nxirrnin detyrimisht nëpër mitingjet e organizuara. Edhe unë isha i detyruar të shkruaja për ato që nuk i doja, kur në shkollën e mbrëmjes profesori i letërsisë na jepte si temë hartimi përshkrimin e epërsisë së sistemit socialist mbi atë kapitalist. Edhe unë isha i detyruar të dërdëllisja lloj lloj broçkullash nëpër mbledhjet që organizoheshin në qendrën e punës. Kurse sot më vjen turp nga vetja e ime për të gjitha këto dhe them se do të kishte qenë më mirë të kisha pranuar burgosjen për të dytën herë.                                                                                                                                                                                                     

  Nuk e di kush është shkaku për një gjë të tillë. Mungesa e kurajos, apo ndoshta nostalgjia për atë kohë. Në rast se do të ishte e para do ta quaja një pasojë të shtypjes së pësuar gjatë asaj kohe, ndërsa po të ishte e dyta do t’u thoja se me veprat e tyre i shërbejnë me ndërgjegje qëndrimit në këmbë të atij sistemi dhe kjo është shumë e rrezikshme.

Quo vadis Shqipëri?

Para pak kohe lexova një libër me kujtime të një të njohurit tim, me përshtypje udhëtimi nga një turne që kishte zhvilluar në disa shtete perëndimore të Europës. Ishte një libër me të vërtetë i goditur. Përshkrimi i godinave historike, muzeumeve, rrugëve dhe ngjarjeve të ndryshme ishin të përsosura, thuajse kishe të bëje me një shkrimtar të njohur.  Por ajo që më bëri me të vërtetë përshtypje ishte një konstatim që autori kishte bërë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Pak a shumë, lidhur me këtë ai shkruante:

Brezi i ri në Gjermani deri në vitet 80-të nuk e njihte pothuajse fare Hitlerin, mbasi ai nuk studjohej nëpër shkolla. Ajo periudhë ishte një histori e harruar për ta.

Mendoj me veten time: Si ka mundësi një popull si ai gjerman që, për të thënë të vërtetën, në shumicën e tij me dashje apo pa dashje, i shërbeu me besnikëri Hitlerit, ta hedhë në koshin e harresës?

Përgjigjen ma jep historia e pasluftës së këtij vendi. Gjermania e kreu të plotë denazifikimin e saj. Qytetaria, morali, karakteri i atij populli bëri që, me kurajo dhe ndërgjegje, të hiqte nga trupi i saj të keqen që i kishte sjellë diktatori. Dhe rezultatet nuk vonuan të vijnë. Sot Gjermania bën pjesë në tetë vendet më të zhvilluara të botës.  A do ta arrinte një rezultat të  tillë  sikur  të ruante mentalitetin nazist? Në asnjë mënyrë jo. Po në vendin tonë çfarë po ndodh? Ne duam të ndërtojmë sistemin kapitalist me mentalitet komunist. Është pikërisht ky mentalitet që e ka çuar vendin në një përplasje të madhe, do ta quaja armiqësore, ndërmjet demokratëve dhe socialistëve, që në disa raste, ka arritur deri në rrahje apo përplasje edhe me armë ndërmjet militantëve ekstremistë  të të dy palëve. Çudia më e madhe është se në shumicën e shqiptarëve të thjeshtë kjo ndjenjë nuk ekziston. Po përse ndodhin atëhere? Sepse në kupolat e partive politike vazhdojnë të qëndrojnë njerëz karrieristë.

Të dy krahët e politikës shqiptare zyrtarisht kanë deklaruar se janë   shkëputur nga sistemi diktatorial i së  kaluarës.  Por  si  po  veprojnë  realisht.  Të  majtët  që  dolën  nga Kongresi i Partisë së Punës dhe u shpallën socialistë nuk kanë arritur asnjëherë të shkëputen nga ky mentalitet. Për të realizuar këtë ata përdorin lloj lloj “analistësh të shquar“, “gazetarësh të njohur“, një mori gazetash dhe televizionesh gjoja të pavarura, në faqet apo ekranet e të cilave pothuajse për çdo ditë shohim po ato fytyra që nuk dimë se nga paguhen dhe, për të thënë të vërtetën, na janë bërë të mërzitëshme. Në komentet e tyre ndihet qartë mentaliteti komunist i interpretimit te ngjarjeve.

Kjo vlen pak a shumë edhe për ata që përfaqësojnë krahun e djathtë.  Meqënëse  u ktheva nga ky krah, dua të theksoj se edhe këtu mentaliteti komunist është evident. U fol shumë për dënimin e figurës së diktatorit dhe heqjen e dekoratave akorduar atij, për rishikimin e historisë së vendit tonë dhe të teksteve shkollore të mbushura me ideologjinë e përmbysur, për hetimin e krimeve të kryera nga rregjimi komunist dhe denoncimin e tyre, për rishikimin e datave simbol të diktaturës, për hapjen e dosjeve për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administrates publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara, për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë në një kohë sa më të shkurtër dhe së fundi për organizimin e një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga rregjimi totalitar komunist.

Për të gjitha këto ka dhjetë vjet që është miratuar një rezolutë përkatëse nga parlamenti shqiptar në mbështetje të Rezolutave Nr. 1096 (1996)  dhe 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të firmosur edhe nga përfaqësuesit e të dy krahëve të politikës shqiptare. Çfarë është bërë për zbatimin e kësaj rezolute? Deri tani asgjë dhe nuk ka asnjë shenjë se diçka do të realizohet. Kush e pengon realizimin e saj? Ne e kemi të qartë se e majta nuk është e predispozuar për të. Po të djathtën çfarë e pengon?  Kjo është një çështje që ajo vetë duhet ta rishikojë, në rast se do që të ketë sukses.                                                                          Quo vadis Shqipëri?                                                                                                                             A do të ketë një Jezu Krisht që do të të drejtojë këtë thirrje? A do të ketë një Shën Pjetër që do të të kthejë në rrugën e vërtetë të demokracisë perëndimore dhe të shkëputur nga çfardo mentaliteti i së kaluarës totalitare? Personalisht mendoj se një gjë e tillë do të realizohet vetëm pas ndoshta pesëdhjetë vjetësh, atëherë kur, siç më ka thënë një miku im,q everisjen e vendit do ta marrin në dorë bijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1991.

Le të shpresojmë!

****

  1. Shkrimin në fjalë ia dërgova gazetës “Mapo” së bashku me një shënim të vogël. Prita disa ditë por nuk e pashë të botohej. E dërgova në “Gazeta Shqiptare”. Përseëri e njejta gjë. Në fund ia dërgova gazetës “Telegraf”, në të cilën dikur kam qenë korespondent i rregullt  saj. Prita tre ditë. Agjë. Të nesërmen lexova në faqen e parë të gazetës titullin e shkrimit tim por autori ishte një tjetër. Kur e hap gazetën shoh se autori ishte po ai i faqes së parë kurse shkrimi nuk ishte imi, por i tij. I dërgova letrën e mëposhtme drejtorit të gazetës:

“I nderuar zoti Engjell, para nje jave ju dergova shkrimin “Quo vadis Shqiperi?” Kaluan tre numra dhe nuk e pashe te botuar. Ne numrin e djeshem te gazetes tuaj lexova ne faqen e pare: “Prof. Tritan Kalo: Quo vadis Shqiperia ime?” Mendova se si ka mundesi qe nje profesor i nderuar te kete bere nje shkrim me te njejtin titull si imi. Hapa gazeten dhe lexova se artikulli kishte titull tjeter “Trishtimi im revoltues dhe i perditshem”. Kjo gje me habiti. Mendova se mund ta botonit sot por edhe kjo nuk ndodhi. Perse? Kete nuk mund ta kuptoj. Po mundet me ktheni nje pergjigje. Me respekt”

Përsëri, megjithëse etiketa gazetareske nuk e pranon, nuk më erdhi asnjë përgjigje. Ndaj,  të nderuar lexues, po ju drejtohem me këtë pyetje:

“A është ky shtypi i lirë në Shqipëri? A janë të pavarura mediat shqiptare në vendin tonë?”

Unë mendoj se më tepër nevojë ka shtypi  i shkruar për korespondentë se sa korespondentët për shtypin e shkruar. Sot janë një mori organesh online që e kanë zëvendësuar me kohë shtypin e shkruar. Për të gjitha këto jam në pritje të mendimit tuaj, të nderuar lexues.

Filed Under: Analiza Tagged With: Quo vadis, reshat kripa, shqiperi

Quo vadis, arsimi shqiptar ?

July 22, 2015 by dgreca

MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Aristoteli, filozofi më i madhë i botës antike shprehet mbi rendësinë e arsimit: “Rrënjët e arsimit janë të hidhura, por fruit është i ëmbël”. Në rastin e Shqipërisë, arsimi ka pasur një rrugëtim dhe tranzicion tepër problematik. Ndërsa sot në prag të miratimit të “Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, debatet dhe kundërshtimet ndërmjet aktorëve të botës akademike si pedagogë, profesorë, akademik dhe klasave politike dhe të shoqërisë janë tepër të zjarrta. Si gjithmonë politika dhe politikanët politizojnë gjithçka, për më tepër edhe arsimin shqiptar çka nuk duhet të ndodhte kurrë.Përfitimet ndërmjet shoqërisë dhe arsimit janë reciproke, “më jep të jap” në këtë kuptim individi nga arsimimi fiton njohuri intelektuale dhe profesionale të cilat shtojnë shanset e punësimit, ndërsa shteti zhvillon potencialin ekonomik dhe intelektual të shoqërisë për të ardhmen.
Nuk është aspak rastësi që viti 2015, e gjen arsimin shqiptar në një pikë kritike dhe kaosi total në të kuptuarin e situatës drejt. Është e qartë se problemi nuk është as tek ligji i ri i arsimit me tipare “anglo-saksone” që pritet të miratohet sepse nëse shikohet me kujdes dhe paanëshmëri ai rrit konkurrencën e drejtë, meritokracinë, sitemin e vlerave dhe respektimin e parimeve bazë të arsimit të lartë shqiptarë edhe nga ana kushtetuese. Problemi qëndron tek dekadat e ikje-ardhjeve qeveritare që kanë goditur thellë sistemin e arsimit dhe botën akademike shqiptare, ku numri i universiteteve në raport me popullsinë nuk kishte asnjë lidhje, diploma të blera, fusha studimi jo në koherencë me kërkesat e tregut të punës, mësimdhënie jo profesionale, mungesë e kërkimit shkencorë, grada shkencore Ba, Ma, Dr, Prof. As, Prof. Dr të fituara pa përmbushur kriteret akademike dhe ligjore dhe student jo korrektë e aspak të predispozuar për të studiuar në të cilën ka mbizotëruar fenomeni i Universiteteve “Kafene”.
Thelbi i arsimit të lartë shqiptar dhe elementët përbërësë janë: 1.) Institucionet publike dhe private, uiversitetet dhe akadmitë, fakultetet dhe departamentet, pedagogët dhe studentët. 2.) Financimi i arsimit nga shteti, privati ose donatorë. 3.) Rregullat e veprimtarisë dhe sjellja në sitemin arsimor. Ana pozitive e këtij ligji ose reforme nga pseudo reformat e të shkuarës, është tek muajt e gjatë të konsultimit me shumë aktorë, grupe interesi, ekspertë dhe profesionistë. Synimet e ligjit janë të qarta rritja e cilësisë, zgjerimi i autonomisë, kontrolli i cilësisë, respektimi i kuotave dhe kritereve të pranimit të studentëve, përcaktimi qartë i numrit dhe pagesës së stafit akademik, përcaktimi i tarifave të studimit dhe buxheteve të universiteteve.
Normalisht me gjithë këto vite reformash që vetëm emrin kanë të tilla, shoqëria dhe aktorë të tjerë janë bërë shumë mosbesues dhe kjo me të drejtë. Për një të ardhme të sigurtë dhe të sukseshme në BE, duhet të forcojmë sitemin arsimor me anë të kësaj kryereforme. Rendësia e arsimit të lartë në shqipëri përtej çdo interesi, përtej çdo partie ajo lidhet drejtëpërsëdrejti me çdo familje shqiptare prandaj është me interes kombëtar.
Në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë më 10 korrik 2015, Kryeministri Edi Rama theksoi: “Unë jam shumë krenar që në ditët në vijim, parlamenti i Shqipërisë do të miratojë ligjin e ri për Arsimin e Lartë, që në radhë të parë është lajm i shkëlqyer për prindërit e këtij vëndi, të cilët investohen me mish e me shpirt që fëmijëve të tyre t’i japin mundësinë e një shkollimi të lartë dhe që në këmbim të marrin satisfaksionin e jashtëzakonshëm të përmbushjes së aspiratave të fëmijëve të tyre”. Kryeministri shtoi: “Historia e universitetit nënë dhe universitetit njerkë, mbaron”. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, mbi ligjin e arsimit të lartë u shpreh: “Reforma për arsimin do të rrisë kostot për studentët, do të rrisë kostot për xhepat e tyre. Ato do të kenë të vështirë për shkak të papunësisë dhe varfërisë në rritje”.
Që të kryhet një analizë e plotë mbi Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencore në Shqipëri duhet të kalosh njëri pas tjetrit të 144 nenet dhe 69 faqet e ligjit. Fatëkeqësisht shumica e personave flasin përpara se të lexojnë sepse i pëlqejnë analizat e pabazuara në lexim. Natyrisht kjo reformë mbi arsimin nuk është aspak e nxituar dhe vjen pas një kohe të gjatë planifikimi të detajuar, e bazuar në shumë pika në “Ligjin e Arsimit të Lartë” i vitit 2007. Reforma bazohet tek vlerat europiane dhe vazhdimësia e “Proçesit të Bolonjës”. Ky ligj është i rëndësishëm sepse zhduke edhe dallimet e Universiteteve Publike dhe Private, duke i kaluar në formën e një institucioni të pavarur publik.
Në nenin e parë të Arsimit të Lartë sanskionohet se misioni i arsimit të lartë është, “një e mirë dhe përgjegjësi publike”. Kjo tregon qartë se vizioni për një arsim cilësor dhe të shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët. Në mënyrë që kjo ide dhe vizion të realizohet ka edhe kosto, siç do investim tjetër, por individi dhe shoqëria duhet të mendojnë për të ardhmen , nuk ka shtet në botë që kërkon të përkeqësojë situatën e arsimit sepse ai është themeli i kombit sot dhe në të ardhmen. Mendësia aktuale mbi arsimin duhet të ndryshojë, kjo është diçka e natyrshme që në botë dhe Europë në vendet e zhvilluara ka ndodhur përpara 50 viteve.
Për të realizuar këtë koncept kërkohet punë e jashtëzakonshme nga të gjithë aktorët kryesorë për të eleminuar korrupsionin, mungesën e kërkimit shkencore, nepotizmin, administrimin e gabuar dhe jo ndasi të kota, çdo reformë është e ashpër në fillim por më pas shfaqen përfitimet. Suksesi i këtij ligji pikërisht qëndron tek diskutimet dhe këndëvështrimet e ndryshme, që tregojnë emancipim në mentalitetin e shoqërisë Shqiptare dhe ndryshimet madhore që do të sjellë ligji.
Shqipëria, sot gjëndet përpara ndryshimeve të mëdha, ka ardhur moment i përcaktimit të modelit europian dhe demokratik të sistemi arsimor, në qendër të së cilës do të jenë këto elemente: 1.) Autonomia universitare që përfshinë liri akademike, administrative, strukturore dhe financiare. 2.) Kërkimi shkencor si metodë mësimi. 3.) Implementimin e kulturës, traditës dhe praktiës në të gjithë sistemin arsimorë. 4.) Sistem i unifikuar i arsimit të lartë privat dhe shtetëror me skemën e një institucioni të pavarur publik. Në këtë mënyrë universiteti do të jetë vendi, ku demokracia, liria, drejtësia, vlera, virtyti dhe meritokracia do të mbizotërojnë.
Sot që diskutojmë sistemi i arsimit është i tejmbushur me antivlera si klientelizmi, inkopetenca, mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni, elemente të një universiteti “familjar”. Universiteti si djepi i demokracisë duhet të zhvillojë shoqërinë dhe jo të presë nga shoqëria zhvillimin.Sinqerisht, shpresojë që kjo reformë do ti rezistojë kohës dhe të mos kthehemi në përsëritje të së shkuarës, me reforma mbi reforma. Ligji i ri bazohet tek nevoja e shoqërisë shqiptare, të lodhur nga 25 vite papërgjegjshmërie në sistemin arsimor, për të implementuar vlerat dhe provojat më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Flitet për interesa nga palë të ndryshme, nuk mund të fshehim që mund të ketë të tilla por të mirat që sjell ligji mbizotërojnë, duke shëruar dukuritë negative, duke rritur cilësinë, besimin tek arsimi dhe zhvillimin ekonomik.
Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencorë bazohet tek Ligji i Arsimit të vitit 2007 dhe tek parimet e “Proçesit të Bolonjës”. Dy aspektet kryesore të ligjit mbi arsimin janë: 1.) Aspekti i kontrollit, menaxhimit dhe administrimit të universiteteve duke ja deleguar këto detyra organizmave si: QSHA (Qëndra e Shërbimeve Arsimore), AKFAL (Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë), KALKSH (Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimi Shkencor). 2.) Aspekti organizativ, financues dhe buxheti.
Megjithatë mendimet, opinionet, diskutimet, këndëvështrimet e çdo qytetari, pedagogu, studenti, politikani apo çdo personi të interesuar që kanë vlera dhe virtyte duhet të dëgjohen dhe duhet të jenë të dorës së parë. Siç thekson Nelson Mandela: “Arsimi është arma më e fuqishme që ju mund të përdorni për të ndryshur botën”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi shqiptar, Eraldo Mecalla, Quo vadis

Artikujt e fundit

  • Skënderbeu, strateg dhe arkitekt i një projekti europian për Shqipërinë
  • Strategjia e Izraelit dhe Mësimet e Tukididit
  • NEOSHQIPTARIZMI SI VIZION E MISION KOMBËTAR
  • Akademik Zymer Neziri është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea)
  • 1922 / LETRA E BEQIR HAÇIT, QË FITOI ÇMIMIN E PARË, DREJTUAR TË RINJVE AMERIKANË TË KRYQIT TË KUQ
  • Vatra kërkon drejtësi për “Kumanovën”
  • 𝟗 𝐌𝐀𝐉𝐈 – 𝐃𝐈𝐓𝐀 𝐄 𝐄𝐕𝐑𝐎𝐏𝐄̈𝐒
  • Book Promotion Event: “Who Cursed Us…!?” & “Sorrow and Hope”
  • Kush është Robert Prevost, Papa i ri Leoni XIV?
  • “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”
  • “LIVIA”, ROMANI PËR FAMILJEN DHE DEVIJIMET GLOBALISTE
  • Konsullata e Kosovës në Iowa, dhuroi Abetare për shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago
  • Promovohet në Tiranë poema e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan”
  • Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë
  • VATRA TELEGRAM URIMI VATIKANIT PËR ZGJEDHJEN E PAPA LEONIT XIV SI KREU I RI I KISHËS KATOLIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT